E premte, 29.03.2024, 11:52 AM (GMT)

Kulturë

Tahir Bezhani: Historia e gojëdhënave të dhimbshme

E enjte, 27.03.2014, 07:10 PM


Vështrim libri

HISTORIA E GOJËDHANAVE TË DHIMSHME

(Gjergj Shyti: “Fundi i një gojëdhëne”, roman, botoi SHB ”Muzgu” Lezhë, 2014)

“Por ankthin, gropëzën e hapur nga largimi i të birit,

nëna do të merrte me vete në varr dhe atëherë gjurmën

e të birit do ta mbulonin ferrat!”...

Gjergj Shyti, poet e prozator i njohur, u lind në Markatomaj të Lezhës, në vitin 1950. Një bibliograf e studiues, drejtues i bibliotekës në Lezhë, një krijues i afirmuar në fushën e artit letrarë, në prozë e poezi. Ka botuar  “Pengu i një stine”, poezi 2009, ”Tregime të kohëve të para”, 2011, ”Kur pata ardhë në jetë”, cikël me tregime, 2012.

Ka në proces botimi: “Tingëllimë e lagët”, poezi dhe “I fundmi i prijësve të Kelmendit”, monografi në bashkautorësi.

NGA TAHIR BEZHANI

Lexuesi që ka pasur rastin, ose që do të ketë rastin të lexojë romanin ”Fundi i një gojëdhëne”, por edhe prozën tjetër të autorit Gjergj Shyti, kam bindjen e thellë se nuk do mund të ndalet vetëm me një të lexuar. Këtë e them duke u bazuar në veçoritë që përmban proza e Gjergj Shytit, e posaçërisht romani ”Fundi i një gojëdhëne”. Është stili, përmbajtja, forma dhe mjeshtëria që përdorë autori në këtë vepër, ato karakteristikat që të nxisin për lexim për disa herë.

Tematika e romanit është e një rëndësie historike, një histori e qepur nga një pendë mjeshtërore, me një stil të kapshëm për çdo lexues, ku përshkohet jeta plot dhimbje e vuajtje të paskajshme, por edhe rezistenca e pa epur, bazuar në filozofinë e jetës sonë historike. Kjo, është begatuar me përvojën e gjatë të një populli, me sundime e regjime të pareshtura shekuj me radhë, të cilët kalëruan trojeve tona si hamshorë të azdisur. Në këtë kontest, natyra na fali dhuntinë e filozofinë e jetës për të mos u dorëzuar kurrë asnjë barbarie.

Romanin e tij, Gjergj Shyti, e fillon nga jeta e rëndomtë me punë të rëndomta, me hallet e jetës për të mbijetuar secili me punën dhe djersën e tij, si ndershmëri, si zakonisht, me bagëtinë fushave e maleve, në bjeshkë e vërri, me lëvrimin e tokës etj.

Që në fillim, burri i gojëdhënave, fillon rrëfimin me të birin, Palin, për t’ia shpjeguar filozofinë e jetës, trashëgimitë e brez pas brezave e deri tek vetë familja në fjalë, me një prejardhje nga fisi Kelmendi, të ndjekur prej sunduesve nëpër breza, të vendosur në vise të Shqipërisë, në vendin e quajtur Merdhosh. Burri i gojëdhënave, nuk e bën së koti shpjegimin e një prejardhje, por e interpreton një histori të një familje kelmendase. e që si kjo, ka shumë e shumë të tjera, të shpërngulura nëpër trojet shqiptare, brenda trungut. Me mjeshtërinë e penës, autori, gojëdhënat nëpër breza i përcjellë si trashëgimi të popullit tonë të shumëvuajtur e të cilat janë bartur deri në ditët e sotme në të fushat e jetës. 

Një karakteristikë e pa kaluar, që lexuesi e gjënë në këtë vepër, pra te romani, ”Fundi i një gojëdhëne”, është aftësia e autorit për ta përshkruar natyrën si pjesë të jetës me të gjitha karakteristikat, ku lind dashuria ndaj atdheut dhe nevoja për ta mbrojtur me çdo kusht. Është mahnitës përshkrimi duke filluar nga cicërima e zogjve, të cilët emitojnë jetën e banorëve, deri tek përrallat e mitet tjera, me të cilat është rritur ky popull. Krahas kësaj, autori Gjergj Shyti, nuk le anash edhe traditat tjera e posaçërisht veshjen nëpër breza, si diç të veçantë që mbanin vetëm shqiptaret.

Njëherësh, një vëmendje të posaçme tërheqin edhe emërtimet (toponimet) e vendbanimeve, të cilat marrin emrat sipas banorëve më të rijnë të atyre vendeve, që do të thotë se autori, gjatë shkrimit të romanit në fjalë, ka pasur parasysh një thellësi e gjerësi mendimesh organizative për t’ia dalë realizimit të idesë me një temë historike me plot dhimbje. Mendoj se në këtë aspekt, Gj. Shyti, shkëlqen në lëvrimin shkrimit të kësaj forme rrënimtare.

Një element tjetër e mjaft specifik në trajtesën e autorit, është mjerimi dhe vuajtja psikologjike por edhe ekonomike, që pësojnë popujt gjatë luftërave. Mjerim i pa përshkruar, vuajtje të pa përballuara, sfilitje etj. Ky element është universal në logjiken që sjellin okupimet kudo. Sundimi i gjatë osmanli në trojet tona, ka lënë gjurmët e pa shlyera në etnopsikologjinë e popullit tonë. Me një mjeshtri të rrallë autori gjënë protagonistin elegant për t’u sfiduar me vuajtjen, gjenë Jakun të ngjeshur me brumin e traditës brez pas brezi. Për ta shpëtuar fshatin e vendlindjes nga torturat, djegiet e masakrimet, kur Sulltani kërkon djem për asqerë, Jaku paraqitet “vullnetar” për t’i shpëtuar nga më e keqja banorët e fshatit Merdhosh. Jeta  në ushtrinë (nizam) e Sulltanit, për shtatë vite rresht, nuk ia shlyen mallin e as dashurinë për prindërit, familjen e farefisin e Jakut.

Malli e digjte çdo ditë e më shumë, por, sakrifica për gjithë banorët e fshatit e bënte të qëndrueshëm, stoik. Gjendur nën ato rrethana, Jaku mendon përherë daljen nga ato kthetra, por jeta e nizamit në ato kushte mizorie, nuk ia jepte as shanseve tentimit. Në mungesë të birit, Jakut dhe e ëma Dranja, përvëloheshin nga malli. Po sjellim një fragment nga libri: ”Nëna Drane, pasi do ta ndiqte me sy pjesën më të vyer të zemrës, shputa e këmbës së djalit paska mbetur në balten e kuqe të oborrit ditën kur ai do të nisej për udhë. Për shtatë vjet, nëna do t’ia ruante edhe gjurmën që Jaku do të kish lënë në ballëzën e oborrit, dhe sa herë ajo do të dilte para  dere, do t’i dukej se përhijon i biri dhe do “fliste” me te...”

Ky fragment nga imagjinata e pëlleshme e autorit, na duket agaymerqe e shkruar dhe e përjetuar, po me aq dhimbje si në të gjitha baladat më.

Protagonisti i romanit, Jak Fildova, pas shumë peripecive në taborin e Sulltanit, gjënë zgjidhje për të ikur nga ai rrethim i hekurt në mënyrë e formë të imagjinatës  së autorit Gj. Shyti. Në mesin e hyrive të shumta, ishte një armene e bukur, e quajtur Mirjomi, e cila ishte dashuruar në nizamin shqiptarë dhe kishte pasur disa kontakte me te. Kur kjo hetohet nga Sulltani dhe donë  ta likuidojnë nizamin shqiptar, ajo e ndihmon dhe një natë të errët e pa hënë, ia mundëson ikjen nga ai rrethim dhe Jaku merë rrugën për në Shqipëri.

Pasi arrin në vendlindje, pas shumë peripecish rrugëtimi, atje nuk gjënë askënd të gjallë, as Dranen e as Palin, as farefisin, të cilët kishin vdekur, hupë e tretur nga regjimi i osmanli. Pos varreve dhe mullirin e  axhës Rrok, asgjë tjetër nuk vëren në fshatin e tij. Jaku i vetmuar, bënë jetën e një bohemi dhe vdes i tillë afër varrezave të të parëve të tij.

Romani, “Fundi i një gojëdhëne” i autorit Gjergj Shyti, përfundon me një dramacitet, me një dhimbje që të bën të përkujtosh gjatë.

Mendoj se romani është një dhuratë dhe një pasuri në prozën tonë bashkëkohore.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora