Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Pse u vra trimi i Dragobisë?!

| E enjte, 27.03.2014, 09:25 PM |


PSE  U  VRA  TRIMI  I  DRAGOBISË ?!

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...

NGA FRITZ RADOVANI

Pak e aspak Burra si Bajram Currin kishte e ka edhe sot Shqipnia me trojet e veta!

Atdhetari Bajram Curri ka le në Gjakovë në 1862; dhe asht vra nga Ahmet Zogu,  me 29 mars 1925 në Shpellen e Dragobisë. Nuk do të persëris mendimet e mija në lidhje me këte figurë të madhe të Popullit Shqiptar, që gjithnjë sa vjen e rritet bashkë me hijen që tradhëtarët e Shqipnisë mundohen me i vue portretit heroik e legjendarë të Bajram Currit, edhe se vepra e Tij plot dritë do të ndrisë perjetë fletët e Historisë e Lavdishme!

Publiçisti ma i madh Atdhetar Shqiptar Don Lazer Shantoja, kur ishte ende gjallë Bajram Curri, ka parandjenjen se me Plakun e Dragobisë do të ngrihet një Permendore!

Tek vorri i Avni Rustemit, Shantoja Pyet:

“E sot? Çka shef sot Avni Rustemi? Sot Avni Rustemi shef mbi vorrin e tij Plakun e Kosovës, veteranin patriot, babën e Shqiptarizmës, luftarin vigan, shkatrronjësin e esadizmës, esponentin ma të naltë e të paster të rracës sonë të vjetër! Sheh Plakun qi tash tri vjet jetoi në shoqëni të bishvet t’ egra mbi male e ndër shpella i dëbuem, i dënuem, i ndjekun porsi i rrezikshëm porsi tradhëtor prej njerzvet, emnin e poshtër të cilvet ia lidhë emnit shejt t’ atdheut vetem intriga, tradhëtia, despotizma.

Sot mbi vorrin e tij heroi djalosh sheh heroin Plak, sheh Bajram Currin!

Sot po vertetohet fjala e kolegut tim Halim Xhelos: Vlona u ba me të vertetë Jerusalem, Meka e Shqipnisë!

Me ardhjen e Bajram Currit në qytetin tuej të famshëm, zen fillë, o vllazën vlonjatë, proçesioni i patriotëve, shtegtimi i patriotizmës tu vorrezat e lumnueshme t’ atyne të cilët me urti dhe me gjak na siguruene nji Shqipni!..

...Nuk ishte prandej e mundun qi Bajram Curri, patritot i patriotëve, mos ti gjegjte thirrjes patriotike të popullit të Vlonës e të Labërisë... Sikur ju lajmoi telegrafisht Bajram Curri vjen në Vlonë per me mbushë nji dëshirë dhe me krye nji detyrë.

Po! Me mbushë nji dëshirë! Dëshiren e zemrës, e zemrës njaj Plaku, e zemres së njaj luftari, e zemres njaj patrioti.

Kur shtime në dhe Avni Rustemin Plaku i Kosovës dergoi gjashtë burra kosovarë të kjajshin mbi vorrin e Deputetit të Kosovës; e na i pame tue kja lot qi mbas nji moji u bane gjak!

Por Plaku vetë nuk mund të vinte: Vetem shqiponjat e maleve bartën mbi fletët e tyne lotët e Plakut, e lotët e Plakut elektrizuene djalërinë, lotët e Plakut alarmuen kombin, lotët e Plakut ndezne Shqipninë flakë! Perse ishin lotët e atij Plaku qi Ahmet Zogollin me shokë i karakterizoi tradhëtorë kur na, ndoshta, u derdhshim turpnisht kêmin e adhurisë!..

Sot ky Plak ka fatin me dalë prej shpellavet, ka fatin me kenë i pritun gjithkund ngadhnjyes prej Popullit Shqiptar, i cili me këto demonstracione i thotë: Pate arsye me ndejë në mal, o Babë, o Shqiptar i vjetër!

Sot ka fatin n’e mramë, mbas sa lodje, me prue dhe kunoren e luleve mbi vorrin e atij qi kje lulja e djalërisë Shqiptare!

Bajram Curri tu Avni Rustemi! Baba tu djali! Kosova e robnueme tu perfaqsojsi i vdekun!.. Sot Bajram Curri kjan prap, por janë lotët e gzimit, janë lotët e fitimit! Oh këqyrnje, o vllazen, lotët e Plakut! Oh sa e sa lot të tjera do të kenë derdhë syt e Plakut në mal rreth këtyne tri vjetëve! Sa lot!.. Jo pse i tretun, jo pse i ndjekun, jo pse me krye në rrezik, jo pse i mshefun ndër shpella kjante Bajram Curri, po kjante per turpin tonë, per turpin e Popullit Shqiptar të robnuem, kjante per Shqipninë e tradhëtueme, kjante tue pa patriotët e rrejtun, kjante tue pase tetë bejlerë të flligtë që kishin ba skllav tetqindmijë Shqiptar të lirë; kjante tue pa se Shqipnia e Skënderbeut dhe e Ismail Qemalit duronte mbi fronin e tyne nipin e Esad Toptanit!..

..Këqyrnje, o vllazën, Bajram Currin tu vorri i Avni Rustemit! Ç’ kuader madhshtor! Sot qi mbi germadhat e feudalizmës së shgatrrueme kemi ngritë flamurin e demokracisë ngadhnjyese... Këqyrni atë vorr! Këqyrni ketë Plak!

N’ atë vorr pushon nji djalosh martir: Këtij Plak i thonë Bajram Curri!

E deri sa Shqipnia të ketë djelmosha me zemren e Avni Rustemit, e deri sa të ketë Burra patriotë si Bajram Curri, Shqipnia do të rrojë!

Rrnoftë Shqipnia!” (Vlonë, 30 Korrik 1924, Gazeta “Bashkimi”)

Don Lazer Shantoja shkruen: “...Lodja qi derdhim mbi êmnin e Bajram Currit âsht lodja e dhimbjës; lodja qi derdhim mbî êmnin e Luigj Gurakuqit âsht edhé lodja e deshprimit. Bajram Curri vdiq me të tana rrethanat e heroizmës: Lindi në mal, jetoj në mal, luftoj në mal e vdiq në mal. Vdiq me armë në dorë, ndërmjet të Shqipnisë së robnueme e të Shqipënisë së lirë. Vdiq si meritonte të vdiste Bajram Curri!

Të kishte vdekun në sallen e ndoj klinikës evropjane, jetës së Bajram Currit, i ishte hjekun kapitulli mâ i bukur.”

***

Shpeshë jam ndalue tek jeta e Bajram Currit, e ajo asht një Kalvar’ i vertetë!

Nuk mund të percaktohet kur ishte i rij mbasi që në vitin 1899, kur ban pjesë nder organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës, dhe deri sa u vra tradhëtisht nga njerzë të shitun tek sllavët armiqtë shekullor t’ atyne Viseve luftarake, Bajram Curri ishte dhe mbeti sinonim i emnit Shpella e Dragobisë, e “Dera” e saj, Kunora e lavdisë së Historisë!

Melbourne, Mars 2014.