E enjte, 28.03.2024, 10:35 PM (GMT)

Kulturë

Flora Durmishi: Intervistë me këngëtaren Irini Qirjako

E enjte, 27.03.2014, 07:55 PM


Irini Qirjako: Unë këndoj këngët e popullit tim

Nga Flora Durmishi

Irini Qirjako, kjo zonjë e këngës së bukur shqipe është bërë e famshme dhe e dashur për publikun me interpretimin e këngës së jugut sidomos interpretimin e këngës polifonike. Madje ajo konsiderohet si këngëtarja më përfaqësuese e këngës polifonike. Gjithashtu Irini shquhet edhe per perpjekjet e saja që të ruaj e kultivojë tradicionalen, si me mënyrën e interpretimit, ashtu edhe me veshjen, duke bërë kështu një kombinim të përkryer.

Pra, Irini si këngëtare, është e njohur dhe e famshme. Të tillë e ka bërë kënga, zëri i vecantë, dashuria për muzikën, përkushtimi i saj. Irini Qirjako është e lidhur me këngën dhe nuk janë ndarë asnjë herë që kur ishte fëmijë. Ne deshëm që këtë herë ta paraqesim Irinin edhe nga një kënd tjetër, duke kërkuar që edhe të flas për të gjitha ngapak, për Irinin si familjare, për karrierën e saj, për ndikimet e modernitetit në këngën shqipe e të tjera.

Zonja Qirjako, si u bëtë këngëtare?

Që fëmijë ndieja që kisha shumë pasion dhe dëshirë për të kënduar. Por kjo në fakt ishte trashëgimi nga gjenet e babait tim edhe të mamasë. Më shumë të babait se, ai ka qenë një këngëtar shumë I fuqishëm I polifonisë dhe sic duket unë I kam ngjarë shumë atij në temperament dhe në vokal, edhe në fuqinë shpërthyese.

Cdo fshat ka korifeun e vet, ka solistin e vet. Babai im ka qenë I pari në vendlindjen time.

Unë kam lindur nga genet e babait tim por babai im ka qenë një këngëtar amator pa shkollë, pa formim professional kurse unë vazhdova shkollën, Liceun Artistic në Tiranë pastaj vazhdova edhe Akademinë e Arteve dhe u bëra një artiste profesioniste e kompletuar me të gjitha ato që I duhen një profesionisti të vërtetë.

Cfarë ka qenë fëmijëria juaj?

Unë jetoja në një shtëpi një katëshe. Pallati ishte njëkatësh dhe kishte katër familje. Me familjen time që kishim komshie na ndante një mur. Kishim edhe oxhakun. Oxhaku im ishte ngjitur me oxhakun e tyre. Atë kohë isha vetëm pesë vjece dhe këndoja këtë këngën “Më dërgoi babai me shqera” dhe më dëgjon gjitonja, si I themi ne, dhe I thotë mamasë sime “Moj Dhimitrule, vajza yte do bëhet këngëtare e madhe! E kam dëgjuar sot në oxhak! Nuk bëja zë fare dhe aq shumë u mrekullova uaaaa!” Po jo moj se s’do bëhet këngëtare e madhe ,I tha mamaja, është vetëm passion fëmije!”Moj po të them që do bëhet këngëtare e madhe’ insistonte gjitonja. Dhe ja fjalë e saj dhe fjalë e Zotit dhe ja ku jam. U bëra këngëtare.

A ju kujtohet paraqitja juaj e parë serioze para publikut, nëse po, cila ishte ajo këngë?

Paraqitja e parë ka qenë që kur kam qenë pioniere. Ka qenë një këngë, miqësia midis fshatit dhe qytetit. Kam qenë në klasë të gjashtë fillore dhe këndoja me një vajzë tjetër duetin. Unë isha fshatarja e ajo qytetarja dhe I thosha unë: qytetare e kam shoqen time shpesh ajo gëzime mua më dhuron … Jemi prezantuar me këtë këngë në Festivalin e Pionierëve të rrethit të Sarandës. Pastaj aty konkurruam në Tiranë u pritëm shumë mirë dhe u vlerësuam me fjalët më të përkryera. Aty edhe filloi karriera ime dhe pastaj erdha në Lice dhe kështu me radhë.

Që atëherë e dinit se ky do të jetë vokacioni juaj?

Po! Isha e dashuruar marrëzisht pas këngës. Mbaj mend që bëja prova në shtëpi dhe kumbonte gjithë shtëpia. Rrija para pasqyrës, bëja prova si interpretoja! Shikoja veten sikur të ishte një këngë gëzimi, si të shpërtheja, ose ndonjë këngë epike etj. Pra, që fëmijë unë kam qenë shumë e dashuruar pas artit të të kënduarit. Sidomos Vace Zelën e kisha idhullin tim. Edhe mamaja ime e donte kaq shumë! Atëherë nuk kishim televizor por mbaj mend që uleshim bashkë me mamanë dhe e dëgjonim në radio.

Tani nga kjo distance, kur e mendoni, do të ndiqnit përsëri këtë rrugë apo do të mund të bënit dicka tjetër?

Përsëri këtë rrugë do të vazhdoja! Dashuria për këngën, për artin për mua është një dashuri e pakufishme dhe mendoj që asnjëherë nuk do të pushoj së kënduari. Nuk e konceptoj dot se si do të jetoja pa kënduar. Sigurisht njeriu lind, rritet dhe vdes por mua më duket se nuk do të vdes asnjëherë. Jetoj vetëm me këngën.

Irini, ju I keni dhënë shumë këngës. Po kënga cfarë ju ka dhënë?

Po, unë I kam dhënë shumë këngës së popullit tim por ajo mua më ka dhënë atë më të cmuarën, shpirtin e popullit tim sepse, kënga është shpirti I popullit. Të dyja bashkë kemi dhënë e kemi marrë nga njëra tjetra dhe jemi të pazgjidhshme asnjëherë. Jemi të lidhura kaq fort sa  asnjëherë nuk do të ketë ndarje.

Përvec lumturisë që ju ka sjell kënga, kjo duket edhe deri sa flisni …besoj se ka edhe anën e vetë të mundimshme…

Në familjen time përherë kam qenë e mirëkuptuar. Bashkëshorti im ka pasur edhe motrën muzikante, instrumentiste e violoncelit madje, ka qenë një violonceliste shumë e talentuar. Ai është rritur me koncertet, operat, me koncertet simfonike, instrumentale dhe ai ishte I dashuruar pas artit kështu që, nuk ishte si të mos ndodhte ndryshe që ai të mos dashuroheshte në pakufi me këngën time dhe me mua.

Nuk është e lehtë besoj për familjen tuaj kur ju, si nënë, bashkëshorte, vazhdimisht keni qenë në lëvizje, shpesh larg shtëpisë e familjes. Mendoni se ju keni ngelur borxh për ndonjë gjë?

U kam ngelur shumë borxh. Unë kam një vajzë. Shpesh herë jam detyruar ta lë, të vogël fare dhe kam ikur në koncerte! Edhe duke e pasur në gji e kam lënë! Por, përkujdesi ka qenë shumë I madh I familjes së bashkëshortit tim. Ata janë përkujdesur dhe unë ndihesha e qetë se e dija me kë e kisha lënë vajzën. Djali I tyre ishte djalë I vetëm dhe unë kam pasur një lindje të vështirë pas gjashtë vjet martese dhe, si shqiptar, me që djalë I vetëm, duhej të bënte fëmijë se s’bën! Shqiptar dhe duhej të trashëgojë brez pas brezi gjithë familjen e vet, racën e vet, genin e vet! Prandaj edhe ata u përkushtuan shumë për vajzën time dhe unë isha shumë e qetë në këtë drejtim. Kur u rrit vajza kishte nevojë edhe për komunikimin e nënës që shpesh herë I ka munguar. Bashkëshorti im është kujdesur shumë, shumë! E merrte me cantën në shpinë e conte dhe e sillte nga shkolla kurse për ushqimet kujdesej vjehrra ime e cila e bënte të pamundurën. Edhe burri im edhe njerëzit e burrit por edhe vajza ime kanë qenë shumë të dashuruar pas profesionit tim dhe jo që nuk I kam pasur pengesë por edhe I kam pasur kritikët e mi të mirëfilltë. U besoja për gjithcka atyre për daljen time në skenë. Artistja asnjëherë nuk kënaqet. Ata kanë qenë kritikët e mi më të shkëlqyer.

“Do marr ciften do dal për gjah”, kjo këngë e famshme sikur nuk mund të imagjionohet të këndohet nga dikush tjetër!

Unë këndoj këngët e popullit tim. Ka të drejtë kushdo t’I këndojë. Këtë gjykim nuk mund ta bëjë unë. Këtë gjykim mund ta bëjë spektatori. Unë I respektoj dhe vlerësoj artistët tjerë. Unë nuk them dot gjë për veten time, këtë e thonë të tjerët.

Duhet të keni qenë e kërkuar nga kompozitorët. Ka komponuar ndonjëri enkas për zërin tuaj?

Në kohën e demokracisë kam punuar 10 vjet me një menaxhere franceze dhe kam shkuar në Bilbao të Spanjës. Aty ka qenë një kompozitor shumë I famshëm quhej Kepa. Ai kishte bërë një disk me muzikë folklorike, popullore internacionale. Muzika që kishe harmonizuar dhe orkestruar ishte pak edhe moderne dhe kishte futur folk nga gjithë bota. Grupi polifonik, me të cilin unë këndoja dhe me këtë menaxheren franceze, interpretuam pesë këngë shqiptare. Njëra prej tyre ishte “Hyri prilli shkriu bora majave” polifonike e Himarës. Ishte pastaj kënga e Dibres “Oj Zogo jelek me vija” të cilën unë e kam shumë përzemër dhe këngë të tjera polifonike. Këtij kompozitorit (Kepa v.j.) sapo I kishte lindur një bebe e vockël dhe ai ishte mrekulluar kaq shumë pas zërit tim dhe kërkoi me insistim edhe me menaxheren time, më ofroi një ofertë të rrija një vit atje dhe ai të kompozonte e unë të këndoja. Unë nuk ndenja. Isha shumë e privilegjuar që ai vlerësoi vokalin tim por nuk ndenja dot. Nuk di nëse kam gabuar por megjithatë them se nuk kam gabuar.

Le të flasim për turnetë e shumta që keni bërë nëpër botë!

Turnetë e mia kanë filluar që nga 1979-ta e deri më sot por turne që ne kemi dhënë me Ansamblin Shtetëror kanë qenë turne që nuk përsëriten më. Edhe Trupa jonë Artistike ka qenë e përbërë prej 90 vetash. Flas për periudhën e monizmit. Tani nuk është kaq. Është reduktuar shumë. Me ardhjen e demokracisë shumë trupa janë shkurtuar. Disa edhe janë shkrirë. Kemi ngelur 30 veta në fakt, për mua është e dhimbshme. Ne nuk kemi fuqi që t’I rregullojmë këto punë. Di të them vetëm një gjë: Bota jasht, kam qenë në Suedi, Norvegji, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Itali, Spanjë, Francë  në gjithë Evropën por edhe në Amerikë, Australi, sidomos këto vendet e veriut, kanë një tip valle nuk kanë folk, por ato e mbajnë me fanatizmin më të madh. Shteti investon në festivale të ndryshme, me ato kostumet që kanë, fundet pala-pala, krenohen me ato që kanë! Por, mendo cfarë kemi ne! Vendi jonë, Shqipëria, përfshi edhe gjithë trevat shqiptare, jemi thesari botëror! Jo thesari vetëm I Ballkanit por thesar botëror! Sidomos polifonia shqiptare.

E kemi nën mbrojtjen e UNESKO-s

Po, por duhet të ketë një kujdes shumë më të madh për folkun brilant që kemi ne! Pasaporta e kombit shqiptar është folku që kemi ne që nuk e ka kush në botë! Të mendosh që, ne kemi këtë thesar që polifonia botërore është shumë e kufizuar dhe nuk përfshihet në UNESKO kurse polifonia jonë është unikale dhe prandaj përfshihet në UNESKO, vetëm këtë ta mendosh, shteti duhet të bëjë shumë më shumë për të.

Sot ka shumë këngëtarë që kërcejnë nga një stil në tjetrin ndërsa juve nuk ju kemi parë të lëvizni!

Unë nuk lëviz nga tabani, nga melosi I vërtetë dhe nga stili I të kënduarit original, Nuk do të lëviz kurrë! Nuk e imagjinoj dot të lëviz. Edhe arti edhe kultura evoluojnë nëpër shekuj. Cdo gjë evoluon. Nëse në fillim këndohej pa instrumente në shoqërinë njerëzore, pastaj u fut instrumenti por që të denigrosh dhe që të transformosh këngën shqiptare, ta huazosh dhe ta quash shqiptare?! Kjo është shumë e rëndë dhe shumë e padrejtë por edhe shumë e dhimbshme. Unë këtë nuk e fal. Të servirësh tallavanë si muzikë shqiptare, është tragjike, për mua si Irini dhe për kombin tim. Unë këtë nuk do ta lejoja kurrë. Këtu duhet të veprojë shteti. Shteti me politikat e tij të forta eliminon gjithcka që është një kancer dhe tumor në këtë mrekulli që kemi. Na ka bekuar Zoti me këtë mrekulli. Unë s’mund të pajtohem me këtë që po ndodh në muzikën tonë.

Sot këngëtar mund të bëhet secili që do. Dikur kishte kritere dhe nuk ka mundur cdo kush të bëhej këngëtar. Sot të krijohet përshtypja se pikërisht ata që nuk dijnë të këndojnë I shohim më shumë nëpër ekranet tona! Unë kam frikë se po kultivojmë një shije të keqe!

Keni shumë të drejtë Florë! E shoh se jeni e brengosur madje edhe e shqetësuar për këtë fenomen edhe nga bisedat që kemi bërë më herët por, fatkeqësisht kjo është e vërteta! Artistët e mirëfilltë, profesionistët, nuk kanë mundësi financiare për të investuar dhe për të bërë albume, për të bërë videoklipe sepse shteti duhet të ndihmojë profesionistët e vërtetë. Unë kam mikeshën time Sabahete Vishnja që këndon jaret shkodrane. Është brilante në të kënduarit e jareve shkodrane. Por as mua dhe as asaj nuk na u aprovua një project I cili ishte thjesht project për të mbajtur këto vlerat kombëtare. Ajo nuk ka mundësi që të investojë se duhet pare e madhe. Unë kam bërë të pamundurën dhe kam investuar vetë për të ruajtur këto vlera. Kam lënë shtëpinë pa mobiluar vetëm për të bërë albume polifonike. Këto do duhej t’I bënte shteti im! Ka obligim se këto janë thesare! Prandaj është Ministria e Kulturës. Prandaj janë ato fonde për këto vlera kombëtare. Jo për antivlera. Këtë gjithmonë kam për ta thënë fuqishëm pa mu dridhur cerpiku.

Në c’raport jeni me videoklipet, investoni në to?

Më pëlqejnë videoklipet sepse ngelen në fondin e kulturës dhe sidomos videoklipet e vërteta që kanë brumin e vërtetë shqiptar do ngelin në fondin e artë të kulturës shqiptare dhe do të trashëgohen por ama, këto videoklipe duhet të punohen nga shumë profesionistë, këngëtarë të mirëfilltë që nuk denigrojnë. Sot dominojnë videoklipet ordinere. Sot shohim videoklipe ku ka shumë huazime, shumë striptiz, orintalizma, këngë gabelqe. Kjo është shumë e dhimbshme. Këto dominojnë sepse pikërisht për këto gjenden sponzorë! Faktikisht këta që bëjnë këto nuk janë këngëtarë!

Unë këtë e quaj krim ndaj muzikës, zonja Qirjako!

Natyrisht që është krim. Me këto veprime, dashje pa dashje, me këto edukohet fëmija. Kur fëmija shikon këta këngëtarë injektohet keq.

Fatkeqësisht, këto janë modelet që po ua ofrojmë!

Po pra, kështu po injektohet e keqja te fëmijët dhe ky injektim I keq shkon deri në pafundësi. Gjendja është alarmante! Madje shumë alarmante!

Më ka rënë në sy te ju edhe një gjë tjetër përvec zërit. Veshja juaj është gjithmonë kombëtare! Ju flisni edhe përmes veshjes!

Në cdo aktivitet që shkoj vesh veshjen popullore dhe kjo më është bërë si ajo puna e ushtarit që nuk shkon dot në luftë pa armë! Kështu jam unë me kostumin popullor. Me atë ndihem sikur fluturoj. Ndihem shumë e mbrojtur, shumë e sigurt! Madje, më krijon ndjesinë e një mbretëreshe me këtë kostum.

Muzikën që krijohet në Kosovë, sa e njihni? Kush janë këngëtarët që pëlqeni?

Nexhmije Pagarusha është idhulli im që kur kam qenë e vogël. Ajo është një këngëtare e përmasave gjigante. Ajo është e papërsëritshme. Sic është Vace Zela në Shqipëri, Nexhmije Pagarusha është në Kosovë. Këto janë të paarritshme. Ka pasur edhe këngëtarë të tjerë si Esat Bicurri të cilin, e kam njohur nga afër madje, kam qenë edhe në shtëpinë e tij para luftës. Me dhimbje them se ai nuk është më. Kur e kam marrë vesh këtë lajm kam qarë, kam qarë me dënesë sepse ai ishte jo vetëm këngëtar por ishte edhe një intelektual I mirëfilltë. Ishte I jashtëzakonshëm. Pëlqej Ilir Shaqirin, Shkurte Fejzën që I njoh nga afër dhe kam kënduar me ata por ka edhe shumë të tjerë që tani nuk po mund t’I kujtoj.

Po nga këngëtarët e rinj ndonjë emër ose, si e shikoni këtë gjeneratë të këngëtarëve?

E dini ku është e keqja? Unë dua t’I shikoj në ndonjë koncert live që të shoh vokalin e vërtetë. Të shoh interpretimin e vërtetë. Të shoh mënyrën e të kënduarit, karakterin. Unë I shoh vetëm në videoklipe dhe nuk mund të bëj përcaktim se kush vlen e kush nuk vlen. Disa që rastësisht I kam dëgjuar jam tmerruar. Jam tmerruar sepse ata jo vetëm që nuk këndonin dot por ishin edhe të pa intonuar. Ata nuk ishin fare për këtë rrugë. Kjo vërtetë më ka tmerruar.

Duke qenë e famshme për interpretimin dhe vokalin e vecantë sigurisht që është shkruar shumë, e bërë emisione për ju.  Si gazetare, jam kurreshtare të di, ju a e keni ndërmend të shkruani jetën tuaj?

E kam menduar këtë. Karriera ime është shumë e gjatë. Në jetë kam pasur ndodhi nga më të bukurat, më të cuditshmet. Surprizat nga më të bukurat si brenda vendit  ashtu edhe jasht vendit. Më kanë kërkuar shumë veta të bëjnë librin. Ka qenë Xhevahir Spahiu I pari që ka kërkuar për të shkruar për biografinë time por profesori u sëmur shumë rëndë për fat të keq.

Pse nuk e shkruani vetë?

Unë dua të shkruaj kujtimet e mia por mendoj se duhet një penë e mirë. Ma ka marrë përsipër Zenepe Luka. Asaj I besoj më shumë. Njihemi prej vitesh me Zenepen. Ajo drejton Fondacionin “Nermin Vlora Falaski” pjesë e së cilës jam dhe unë. Zenepja e krijoi këtë Fondacion dhe po zhvillon aktivitete nëpër trevat shqiptare dhe shumë shtete të botës.

Kur po flasim për biografinë a mund të na shkëputni të paktën 2-3 momente më të vecanta për dëgjuesit tanë?

Kam shumë për të thënë. Tani dua ta vecoj këtë moment: Në periudhën që ishte lufta në Kosovë, ne kemi dhënë një koncert të madh në Paris në parkun e madh Luksemburg. Aty jepnin koncerte artistë nga shumë shtete të botës, uleshin në karrige aty jashtë dhe dëgjonin, pastaj ngriheshin e shkonin, vinin të tjerë e kështu ishin vazhdimisht në lëvizje. Në atë koncert ishte I madhi Kadare bashkë me Helenen, vajzën, dhëndrin dhe fëmijët e tyre. Sic ju thash, në Kosovë po bëhej luftë e tmerrshme. Aty ku ne po bënim koncertin pra, në një lagje të Parisit, kishte shumë serbë. Dicka na u sabotua në foni. Mbaj mend që Kadareja ka qenë i shqetësuar shumë dhe u alarmua. Vajti me vrap te aparatet e fonisë duke thënë “Këtu ndodh gjithcka se kënga I tmerron” tha edhe disa fjalë shumë të bukura, të thjeshta por kaq të thella. Për mrekullinë tonë, spektatori, sic na shpjegonte Helena Kadare, kur vijnë këtu dëgjojnë pak dhe ikin, ndërsa në koncertin tonë ata u ulën dhe nuk u ngritën dhe në fund me ovacione na kanë kthyer tre herë me bizë. Ne dilnim hynim, dilnim hynim derisa pastaj u lodhën nga duartrokitjet por ishte një sukses I paparë dhe një gjë kaq e bukur, kaq e mrekullueshme. Arti dhe kënga jonë I tmerronte. Kënga shqiptare I tmerronte armiqtë.

Komunikimet me fansat, ose, le tat hemi shqip, adhuruesit tuaj, cili është, si komunikoni me ta?

Më lejo të ju them se ju e flisni shumë bukur gjuhën. Madje më mirë se ne. Edhe ne u themi “fansa” edhe pse më e bukur është “adhuruesit” është fjalë e bukur shqipe. Më pëlqen shumë kur dëgjoj të thonë në Kosovë fjalët shqip mishtore, barnatore etj. Por, le t’I kthehemi pyetjes tuaj. Kam shumë shumë fansa! Fansa të panjohur. Kur dal në rrugë për të vajtur në punë është e pamundur të mos më ndalojnë sa, shpesh bëhem vonë për punë. Më lumturon fakti që kam shumë adhurues dhe sic më duan do t’I dua dhe unë. Sic më falin ata dashuri do t’u fal dhe unë dashuri. Fansat janë të panumërt.

Ju keni marrë shumë cmime. Vlerësimet kanë rëndësinë e vet të padiskutueshme për artistin. E inkurajojnë atë. Cka janë cmimet për ju?

Kam marrë shumë cmime. Kam shumë kupa në shtëpi dhe kur I shikoj sigurisht që më lumturojnë. Kam shumë mirënjohje, fletë nderi. Cmimi më I lartë është “Mjeshtre e madhe” të cilën populli ma kishte dhënë me kohë por këtë që ma dha edhe shteti im të cilën e dëshiroja shumë, thënë të vërtetën, sepse cdo artistë stimulimin shpirtëror, moral e do shumë.  Te artisti shpirti është gjithcka. Këtë cmim e kam marrë në vitin 2003 ose 2004. Ka qenë një ditë shumë e lumtur e imja. Ditë e jashtëzakonshme.

A mund të na bëni një krahasim të komunikimeve dhe bashkëpunimit mes këngëtarëve të brezave? Si silleshit ju në fillimet e karrierës dhe cfarë vëreni sot?  Këngëtarët e rinj a kanë dëshirë të marrin mendimin a vlerësimin tuaj?

Nuk pyesin fare! Është e habitshme. Unë kam qenë vetë e re kur kam hyrë në ansambël por unë pyesja! Pyesja Vace Zelën pyesja Naile Hoxhën, Zeliha Sinën, valdete Hoxhën, Sali Brarin, Idajet Hafizin. I pyesja se, si këndova, si e bëra këtu si aty dhe vetëm pyesja. Tani kur kanë ardhur të rinj, kur kanë interpretuar u kam thënë vërejtjet me dashamirësi të madhe nuk I kanë pranuar! Kjo më ka dhimbur në fakt. Por unë mendoj që ata, që janë të talentuar ,I pranojnë vërejtjet ndërkaq, ata të patalentuarit nuk I pranojnë vërejtjet. Kjo është një e vërtetë apsolute, e them nga eksperienca ime kaq vjecare. Nganjëherë mendoj se nuk kanë faj edhe të rinjtë. Duhet një qendër, një shkollë a një kurs special që të rinjtë të vijnë e të marrin mësime sic ka qenë dikur. Gjithë këta solistët e Ansamblit jepnin mësim. Vinin nga rrethet vinin nga gjithë Shqipëria. Vinin këngëtarët dhe merrnin mësim se si të interpretonin, mënyrën e frymëmarrjes, diafragmës ndërsa tani nuk ekzistojnë këto.

Nuk mungojnë programet televizive të cilat bëjnë garë dhe nxjerrin emra këngëtarësh të rinj. Pothuaj të gjitha televizionet kanë programe të tilla dhe shikueshmëri solide. Jam kurreshtare të di mendimin tuaj, si ju duken?

Ju e keni parë te “The voice”, te “Gjeniu I vogël” ose X Faktor  por, duhet të organizohen të tilla edhe për këngën popullore. Të bëhen të këngës popullore por jo me play back   të bëhen me elementë të rinj, me talent të rinj. Të jetë një konkurs live, ballëpërballë me spektatorin dhe teleshikuesin. Kjo të jetë e përvitshme për të zbuluar talentin e ri në këngën popullore. Vetëm kështu bëhet shumë profesionale dhe të bëhet një politikë speciale për artin shqiptar, për folkun shqiptar. E kam thënë edhe herë të tjera, ua kam thënë edhe televizioneve, gazetarëve, regjisorëve por akoma nuk po funksionon. Besoj që do të vijë dita kur do ta bëjnë.

Zonja Qirjako, bie në sy një tendencë dominuese e konkurrimit me këngë të huaja. Pse?

Nuk e di c’është ky trend! Ne do të shkojmë në Europë por kjo nuk duhet të thotë që këndohen vetëm këngë të huaja. Mund të bëhen spektakle të vecanta me këngë të huaja. Por, kur bëhet një konkurs atëherë të bëhet me këngën shqipe. Nuk e di pse ka hyrë një modë e tillë, një ndjenjë e tillë që, jo vetëm unë por edhe koleget e mia e shikojnë me shumë shqetësim këtë. Njerëzit e thjeshtë kur më pyesin dhe kanë nevojë për mendimin tonë dhe mendimi jonë puqet me mendimin e tyre atëherë thonë: Ne kemi të drejtë! Duhet të trokasësh fort por jo nuk kanë dëgjuar deri tani!

Zonja Irini, duke ju flënderuar uroj ta dëgjojmë pa fund zërin tuaj! Uroj të ju shohim me po këtë energji dhe këtë buzëqeshje që na bënë për vete!

Të falënderoj shumë Florë. Ishte surprizë ky takim pas shumë vitesh e sidomos se do të intervistohesha nga ti. Kjo ishte gjëja më e bukur që më ndodhi në Vlorë në këtë takim të Fondacionit Nermin Vlora Falaski.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora