E shtune, 20.04.2024, 04:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Sinan Sadiku: Portretizime personalitetesh

E merkure, 26.03.2014, 07:59 PM


LIBËR INTERESANT ME PORTRETIZIME PERSONALITETESH

Arsim Halili: “Portretizime eseistike” -  Botoi Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, 2014.

Nga Sinan SADIKU

“Portretizime eseistike” është libri gjashtë me radhë i autorit Arsim Halili, këtij krijuesi të cilit deri tani i janë botuar tre libra me poezi, një libër me novela dhe një  me intervista. Në këtë libër Arsimi e ka bërë portretizimin eseistik të njëmbëdhjetë  personaliteteve, të gjithë shkrimtarë, shumica e të cilëve kanë kontribuar edhe në disa fusha të tjera të kulturës, të artit, të shkencës, të publicistikës apo të gazetarisë, duke qenë edhe veprimtarë të palodhshëm në dobi të atdheut dhe  lirisë.  Personalitetet portretizimet e të cilëve i gjejmë në këtë libër janë: Prof. Dr. Agim Vinca, Prof. Dr. Bajram Kosumi, Ibrahim Kadriu, Mexhid Mehmeti, Prof. Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, Nexhat Rexha, Ramiz Kelmendi, Ramadan Mehmeti, Sabit Rrustemi, Prof. Dr. Sabile Keqmezi-Basha dhe Prof. Dr. Sunaj Raimi. Libri fillon me një hyrje autoriale, vazhdon me portretizimet e shkrimtarëve, të sistemuar sipas renditjes alfabetike, dhe përfundon me një recension të shkruar nga redaktori Prend Buzhala, shkrimtar dhe kritik i njohur letrar.

Mund të them se autori e bënë nga një portret thuajse të plotë të figurave për të cilat shkruan, duke filluar nga të dhënat biografike si: vendlindja, datëlindja, shkollimi fillor, i mesëm, universitar dhe ngritja e mëtejme akademike, punët që kanë ushtruar dhe ngritja në karrierë, ushtrimi i funksioneve me rëndësi shoqërore, pastaj përqendrohet te veprimtaria krijuese, duke i shkruar nga disa rreshta për secilën nga veprat e botuara . Për shumicën e këtyre njëmbëdhjetë shkrimtarëve shkruan për përfaqësimin e tyre nëpër antologji të ndryshme të botuara në gjuhën shqipe , apo në gjuhë të tjera, për përkthimet dhe botimet e veprave të tyre në gjuhë të huaja, për çmimet dhe mirënjohjet me të cilat janë nderuar , për shkrimet e ndryshme kushtuar veprimtarisë së tyre etj. Në fund të shkrimit për secilin nga personalitetet  e portretizuara gjendet shtojca në të cilën Halili  ka  prezantuar pjesë të përzgjedhura nga  shkrimet e studiuesve dhe të kritikëve kushtuar veprave të veçanta apo veprimtarisë së gjithmbarshme të secilit prej tyre.

Krijuesi Arsim Halili është një dashamir i  artit, i kulturës dhe i shkencës shqiptare, një dashamir i madh i njerëzve të cilët kanë kontribuar në këto fusha, andaj me dashamirësi dhe përkushtim i ka hyrë shkrimit të këtij libri, duke i  prezantuar të arriturat e protagonistëve të tij, krijimtaria, veprat, sukseset e të cilëve e kanë gëzuar. Shkrimet, esetë e tij janë afirmative. Me fjalë të zgjedhura, me  një gjuhë  eseistike është përpjekur dhe ja ka arritur të na i bëjë të njohura të arriturat e shumta të krijuesve në fjalë. Kuptohet dashamirësinë, bindjet e tij subjektive i ka arsyetuar, duke i  mbështetur në të dhëna dhe argumente objektive siç janë titujt, çmimet dhe mirënjohjet e fituara, pastaj prezantimet nëpër antologji, por edhe vlerësimet e shumta të shkruara nga profesionistët e fushave të ndryshme.

Në shikim të parë ta bësh portretizimin e njëmbëdhjetë personaliteteve nuk duket punë e vështirë, por kur të kihet parasysh se disa nga këto personalitete, disa nga këta shkrimtarë i kanë shkruar me nga dhjetëra vepra, duke filluar prej përmbledhjeve me poezi, librave me tregime, romaneve, teksteve dramatike, librave nga fusha e kritikës letrare dhe e studimit të letërsisë dhe librave shkencor të lëmive të ndryshme,  pastaj e dhëna tjetër se është bërë një portretizim mjaft i kompletuar, duke i shkruar nga disa rreshta për secilën nga ato vepra, që janë me qindra,   dhe janë kryer edhe jo pak  punë të tjera, atëherë bindemi për punën aspak të lehtë që e ka realizuar autori i  librit në fjalë.

Gjuha e zgjedhur, mendimet e shprehura  qartë, faktet e prezantuara,  stili herë–herë i veçantë, përzgjedhja e personaliteteve për të cilat ka shkruar, të gjitha këto dhe shumë të tjera, e bëjnë këtë libër mjaft interesant për lexuesit që janë të interesuar ta njohin dhe studiojnë jo vetëm jetën dhe veprën e figurave të portretizuara, por edhe  kulturën, mendimin dhe veçmas letërsinë shqiptare.

Autorit urime, i dëshiroj shëndet dhe kërkojë nga ai të mos ndalet e të na gëzojë edhe me shumë e shumë libra të tjerë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora