Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


"Vrasja e Azemit, krim shtetëror"

| E premte, 13.06.2008, 07:04 PM |


Fatmira Hajdari
Fatmira Hajdari, e veja e ish-deputetit të PD-së, tregon dyshimet e saj

"Vrasja e Azemit? Logjika të çon në një krim shtetëror. Mund të kenë marrë pjesë deri në 120 vetë, çka cilësohet si krim i organizuar". Kështu e ka përkufizuar vrasjen e liderit të dhjetorit, Azem Hajdari, bashkëshortja e tij, Fatmira, në emisionin "New Day" në "Top Channel". E ftuar nga gazetari Adi Krasta, Fatmira Hajdari ka pohuar se është shumë e pakënaqur për motivin e vrasjes, pasi, sipas saj, motivi i cilësuar nga gjykata në vendim nuk është i besueshëm. Ajo ka pohuar se vrasja mund të ketë qenë politike, gjithsesi është organi i akuzës ai që do të vlerësojë të gjitha provat e reja, pas tërheqjes së akteve nga Prokuroria e Tiranës. Sipas saj, nga momenti që është ndryshuar motivi, nuk mund të quhet vendim real. Sipas saj, të dënohet ai që meriton dhe të mos dënohet ai që s‘e meriton. "Nuk është e logjikshme të thuhet se Azemi është vrarë për hakmarrje, kur në vrasjen e tij kanë marrë pjesë mbi 120 persona. Azemi u vra për motive politike dhe këtë e dinë të gjithë shqiptarët, kështu që edhe në dosjen e tij kështu duhet të jetë", deklaron Fatmira. Me një zë të dridhur ka përmendur edhe luftën e atëhershme në Kosovë, duke iu shtuar motiveve të mundshme për ekzekutimin e Azemit. Megjithatë, nuk ka treguar detaje, duke lënë të kuptohet se një rrëfim sa më i plotë mund të bëhet vetëm para organit të akuzës.
Prokuroria e Përgjithshme deklaroi disa ditë më parë së tërhoqi fashikujt hetimorë të vrasjes së Azem Hajdarit nga Prokuroria e Tiranës, duke rihapur dosjen pas 6 vjetësh. Sipas organit të akuzës, e vetmja enigmë është se ç‘e shtyu Mulosmanin të bëhet një ndër organizatorët e vrasjes së deputetit Azem Hajdari? Megjithëse për organin e akuzës kjo pyetje nuk ka marrë asnjëherë zgjidhje, Gjykata e Tiranës, në vendimin që mban datën 29 prill 2002, arriti në përfundimin se futen lidhjet e ngushta familjare e shoqërore mbi baza klanore dhe interesa kriminale me personin në kërkim, Fatmir Haklaj.... Arsyetimi i Gjykatës së Tiranës duket se nuk është i bindshëm edhe për mbrojtjen e katër të akuzuarve, të cilët prej më shumë se 6 vitesh kërkojnë një rihetim të çështjes. Pas ardhjes së Ina Ramës në krye të organit të akuzës, lindi një fije shprese se enigmat e "Vrasjes së shekullit" tashmë do të merrnin përgjigje. Në vitin e parë të punës, kryeprokurorja urdhëroi marrjen e dosjes nga Prokuroria e Tiranës me të gjitha provat e saj dhe një rihetim të të gjitha fakteve dhe provave. Një kopje e dosjes u dërgua në Zyrën e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, e cila pritet ta përkthejë dhe ta nisë dosjen drejt Turqisë, pas informacioneve se ka prova të reja për vrasjen e Azem Hajdarit. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se dosja do t‘i nënshtrohet një verifikimi të plotë, që nga provat për dënimin e Jaho Mulosmanit e deri tek implikimi i Izet Haxhisë. Hetuesit e Ina Ramës do të zbardhin vendimin e datës 29 prill të vitit 2002. Gjyqtarët Arben Micko, Ilir Çeliku dhe Ilir Mustafaj dënuan me burgim kapital Mulosmanin, ideatorin dhe organizatorin e vrasjes, si dhe bashkëpunëtorët Izet Haxhia, 25 vjet, vëllain e tij Ismetin, 20 vjet dhe Isamedin Haxhinë me 2 vjet e 6 muaj burg. Sipas vendimit, janë zbardhur të gjitha lëvizjet nga Tropoja në Tiranë dhe si nisën përplasjet për vrasjen e Shkëlqim Haklajt.

12 shtator 1998

Vritet deputeti i Partisë Demokratike, Azem Hajdari, dhe shoqëruesi i tij, Besim Çerja. Plagoset në atentat edhe Zenel Neza

20 minuta pas vrasjes

Shefi i opozitës, Sali Berisha, doli në një konferencë shtypi. Ai akuzoi strukturat shtetërore dhe direkt me emër shefin e rendit të Tropojës, Jaho Salihin

29 prill 2002
 
Gjykata e Tiranës jep vendimin, duke shpallur fajtorë Jaho Salihin me burgim të përjetshëm, 25 vjet Izet Haxhisë dhe 20 vjet burg për Ismet Haxhinë

1 qershor 2008

Zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme tërheqin dosjen e vrasjes së liderit të dhjetorit nga Prokuroria e Tiranës dhe fillojnë rihetimin

G. Shqip