E enjte, 25.04.2024, 05:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Verorja e "Vesho" Agait

E merkure, 26.03.2014, 07:40 PM


Verorja e "Vesho" Agait

tregim

Nga Përparim Hysi

Nuk di pse hyrja e asaj pranvere më gjeti me një infeksion. Mjeku që më vizitoi, jo vetëm më dha ilaçe, po, kur mori vesh që qeshë konviktor, bëri shënim që kisha nevojë për izolim nga shokët. Keq qe, domosdo, por kot nuk thonë  që pas një të keqeje, ka diçka të mirë. Drejtori vendosi që "izolimin" ta kaloja në shtëpi. Ky vendim qe si një sihariq për mua. Kur më tha që do shkosh në shtëpi, sikur më iku infeksioni dhe sikur u bëra me flatra. Me një frymë, heret në mëngjesin e së nesërmes, tek stacioni  i trenit. Kur mbrritëm në Rrogozhinë ( unë vija nga Elbasani) mezi prita  të ndalonte treni dhe,sakaq, sikur të më ndiqte dikush me shkop, vrapin tek agjensia e udhëtarëve për të zënë "Satën" (epo kështu thoshim për autobuzin atë kohë). Preva biletën dhe, tek hipa në "Satë", ndiqja nga xhami tërë mjedisin që,pak nga pak, po bëhej si një qilim me motive laramëne: pemët ngarkuar lule,kurse bari sikur po buiste. Unë e kisha humbur fare, aq sa gati po harroja që, krejt befas, po vija drejt shtëpisë. Malli më kish marrë dhe, tek mendoja, që për një javë do isha"lëmë, o Zot, të rroj", qeshë bërë çakërrqejf. As nuk do ngrihesha në pesë të mëngjesit për fizkulturën e mëgjesit; as do vazdoja me veprimet e tjera: stereotip! 45 minuta studim (për të rifreskuar mësimet çdo mëngjes), mandej 6 orë të mira mësimi e të tjera e të tjera. Duke bluar në mokrra këtë stereotip rutinë, befas pashë nga jashtë që kisha mbrritur në Vajkan, mu tek çezma. Këtu zbrisja dhe, mandej, hyja në oborrin e kishës dhe, përmjet një rrugedhishë, çaja përmjet pyllit të Vajkanit (ky aso kohe qe jo vetëm shekullor,por dhjetra e dhjetra hektarësh). Kur them qe, se sot ky pyll shekullor  nuk ekziston. E shkulën për dy ditë dhe e kthyen në hiç. E shkulën jo "hordhitë" e Atilës (për këtë në histori ka mbetur postulati: "Ku shkelte Atila, nuk mbinte më bari"), por turmat e pas viteve nëntëdhjetë në emër të "zhbërjes". Duke shkruar kështu, jo vetëm dua të jem i drejtpërdrejtë, por jam i obsesuar dhe i mallëngjyer për atë pyll që  qe si një mushkëri gjigande që  filtronte ajër të pastër për gjithë atë mjedis me gjelbërimin e përhershëm të tij. Pra, hyra në oborrin e kishës, kalova pranë dyqanit ( ky dyqan  me reciprok u shërbente rreth 6 fshatrave të zonës) dhe, tek hyra në rrugën e dhive mes pyllit (duhet të ecja rreth 1km përmes pyllit), qeshë i kalmendur. Kur je në qejf, zë  e shpreh dëshira të bukura. Kështu ndodhi dhe me mua. Ah,- thosha unë, sikur ja të vijë ajo Verorja e "Vesho" Agait për në dyqan dhe të takohemi këtu, mes pyllit. Mes pyllit,- thosha unë, se nuk kish ditë që nga fshati im mos çanin mes kësaj rruge dhishë bashkëfshatarë të mitë: çonin në  dyqan mallra (sidomos vezë apo leshë) dhe blinin o sheqer, kripë, vajguri. Vërtet që vinin, por më shumë gra të moshuara apo burra. Se nuset e vajzat rrallë zbrisnin përmjet pyllit, se i "hante ujku". Unë këtë e dija mirë, por qeshë në qejf, or tunjatjeta. Dhe, kur je në qejf, hesapet i bënë pa pyetur hanxhinë. Tek prijsa atë Veroren,( moshatare me mua kjo) dhe mend po ia thërrisja këngës, befas dha ballë Alimeja e Shefitit. Kjo qe edhe më e moshuar nga ime ëmë dhe, kur më pa, më hodhi duarët në qafë dhe pllaq-plluq më puthi në faqet. Epo qe zakon nga anët tona dhe, tek ndjeja buzët e Alimesë, i  zhdrroja me ato që do shkëmbeja me Veroren. Po ku Alimeja dhe ku Verorja. Hane Sham, hane Bagdat! Teto Alimeja zbriste drejt dyqanit dhe unë bëja  përpjetë. Sa  lashë pyllin, dola në breg. Që aty (bregu ka të njëjtën lartësi që ka ajo kodra dominuese ku është vendosur manastiri historik i Ardenicës (për ta bërë pak më  të prafërt mjedisin gjeografik të kohës). Pse ka një lartësi të tillë, që nga bregu shikon si në pëllëmbë të dorës gjithë fshatin. Kështu ndodhi dhe me  mua. Dola në breg dhe, si u mbusha mirë e mirë me frymë, i ndeza motorët e marshimit. Më duhej që, mbasi të zbrisja njëmalore prej dy km, po aq për t'u ngjitur pjesës tjetër të fshatit,se mu në një kodër të tillë e kisha shtëpinë. Ne kishim ardhur nga Skrapari dhe na pëlqenin "lartësitë". Kështu, them unë, instikti i maleve e ka bërë timatë që ta ngrejë shtëpinë në një kodër të lartë: si pikë trigonemtrike nga ato të ushtrisë. Po me atë qejf që kisha, ku më hynin në sy ato 4 km në atë terren aq të thyer. Nuk ecja, po sikur vrapoja. Putrat e këmbëve sikur  binin mbi supe.

*    *    *

Kur sosa tek "bregu im", së pari kalova tek kasollja e bagëtive (kjo qe nja njëqind metra larg nga shtëpia) dhe, kur lashë kasollen, u përballa me  mikun tim "Tukun". Ky lehu tërë gëzim dhe  gati më rrëzoi kur më hodhi putrat e tij të ngrohta mbi supe. E kisha rritur vet dhe,sa vija me pushime, ai nuk ndahej as ditës dhe as  natës. Tërë verës unë  i kaloja netët me dhëntë. Pas" Tukut", nëna dhe të tjerët më pas. U çuditën me ardhjen time të beftë, po kur tregova ilaçet, atëherë filloi dhe kujdesi i posaçëm. Po ky "kujdes" as që zgjati as dy ditë. Qumështi i ngrohtë dhe,ca më shumë ngrohtësia familjare, qenë ilaçi mbi ilaç. Mbas dy ditësh,qeshë bërë qiqër dhe fillova të "vërvisja pleshta". Kjo të "vërvisje pleshta", nuk është shprehje  ime, por e një miku tim të ndjerë,tashmë, Lake Tafës nga Petova (unë kam thënë:-Jam nga Petova e Fierit). Ky, miku im i ndjerë, kur shihte që nuk rrije urtë, thoshte:- Po vërvit pleshta! Po. Kështu ndodhi.

*    *     *

Ditën e tretë të "iozolimit " tim, unë dola për "gjah". Do t'i bija fshatit kryq e tërthor. Tek lashë shtëpinë ("Tuku" as  që më ndahej), thashë një rrugë e dy punë. Po qëndroj tek mullarët. Atje, si merakli që kam qenë pas dhënëve, po mbush dhe një thes me kashtë tërshëre. Për ata që nuk e njohinkashtën, u them: kashta e tërshërës është më e butë se sa e grurit. Dhe, kur këtë kashtë e përdor për shtroje për bagëtinë (unë merakun  dhënëve kisha), është njësoj  sikur po fle në dyshek të  mbushur me leshë krahasuar me ata që flenë në dyshek të mbushur me lecka. Do ta mbushja me kashtë tërshëre, por ne nuk kishim mullar të tillë.  Vetëm "Vesho" Agai kish të tillë. Po hajde ta ndreqje me të. Ju do thoni se kush qe ky"Vesho"Agai. Me pak fjalë, po ju tregoj. Ky qe një burrë kaba (unë i thosha karabina), me ca veshë të gjatë (gjëkundi as kam parë të tillë), mu si parafango makine. Pse i kishte kaq të gjatë veshët, pa i kish mbetur "Vesho". E sa për atë "aga", kështu thirren gjithë burrat. Ky lloj "agallëku" është si punë përkëdhelie,se as mos kujtoni se kishte prona. Po kishe nuk kishe prona,aga më ishe dhe të ma mbaje me shëndet. I kishe poturet me andra  a ca më keq: të grisura,as që pyeste kush. Agallëku nuk të hiqej. E sa për "Veshon" me veshë të mëdhenj, u them që emrin e kishte Rexhep. Po Rexhepi sikur kish vdekur dhe njerëzia sikur çlodhej me këtë paranomin" Vesho". Ky "Vesho" agai na qe dhe bekçi i fshatit dhe zor se u shpëtoje syve të tij. Hall i madh. Thesi po më ngelte në dorë. Tek po mendoja që të dalë ku të dalë, se, dhe po t'më zinte "Vesho" agai tek mullari, mund të më falte se unë vija nga "kasabaja e largët", kur ndjej lehjen e një qeni. Pashë "Tukun" që zuri "pusinë" dhe, kur njohu "armikun" që vinte duke lehur, u ngrit në këmbë dhe sulmoiga "armiku". Qenë komshi dhe i kishin pjekur urat më parë. Unë hodha sytë dhe shoh që pas qenit"armik" dha ballë Verorja. Verorja e "Vesho" agait. Eh, sa e kisha ëndërruar për këtë, Veroren. E kërkoja në qiell dhe e gjeta në tokë. Po kur thonë që nuk ka Perëndi? Po  Perëndia lart është dhe poshtë shikon. Mban shënime për dëshirat tona. Pse ndodh kështu,pa erdhi Verorja.  Verorja qe moshatare me mua. Sa herë takoheshim, më puthte në dy faqet, duke e shoqrëuar me fjalët.- Të keqen motra ty. Epo të keqen "motra" ty, qe si fillim... se, pastaj, unë zura  "vërvisja pleshta". Epo motër nuk e kisha. Se unë kisha tri motra dhe, kjo, Verorja, sado më thoshte "të keqen motra", si tjetër motër më dukej. Ja, dhe tani, sa mbrriti pranë meje, pllaq-plluq dhe më puthi në të dy faqet dhe, tek do shkëputej nga unë,siç kish ndodhur zakonisht, këtë radhë si i "izoluar" që qeshë, sikur e mbajta dhe ca më shumë pranë vetes. Kur e pa, që takimi u zgjat, e mbuloi të kuqtë dhe gati po  dridhej. Unë aq harbut nuk qeshë, sa të mos e lëshoja, por sikur i shtova ca si shumë "pleshtat". Si për të shpëtuar nga ky gërç i madh, më pyeti:- Po kur ke ardhur dhe sa do rrishë. Në vënd t'i përgjigjesha, duket dhe vet qeshë bërë si kungull i pjekur, i them:- Verore, dua içikë kashtë tërshëre për t'u shtruar shqerrave ( i kishim ndarë nga dhëntë). -Po thesin ta mbush motra,-tha pa të keq. Ma mori thesin nga dora dhe shkoi nga mullari. Unë mbeta si hu gradhi aty  afër dhe hamendësoja: të shkoj apo mos shkoj. Po dhe të shkoja,sos se do bëhej kiameti. Se  Verorja më kish vëlla. Vëlla,- thoshte ajo,- po unë ama trapsija pak larg. Sos se qeshë ai Halili i  atij ciklit të kreshnikëve që thoshte:" tan çikat e Jutbinës ku janë/ bash si motra po më duken/. Jo, mor babaxhan, Verorja nuk qe motra ime dhe pikë. Kështu mendoja, po , mbasi ma mbushi thesin dhe do ndahesha me të, i them:- Verore, të faleminderit! Ua,- bëri ajo,- po të vish prapë  nesër se ta mbush motra dhe prapë "pllaq-plluq", po në faqe ama. Iku, pa e kthyer kokën pas dhe pa më parë që unë i kisha "lëshuar pleshtat" andej nga shkonte ajo.

*    *   *

Ditë e re, nafakë e re. Unë thesin në dorë dhe, vjedhurazi syve të atyre të shtëpisë, u fsheha pas mullarit. "Vesho" agai  e kapërceu atë rrugën ,sa hante syri, dhe tani prisja të vinte Verorja. "Motra". Qeshë zotuar:do ta puth. Do t'i them: të dua! Në më thotë dhe motra të do, do "vërvit pleshta":-Jo, nuk të dua si motër. Se unë kisha "nxënë" kaq. Sos se kot nuk vija nga kasabaja. Dhe vërtet ja tek po vinte. Hodhi sytë nga vëndi ku u takuam një ditë më parë dhe, mënd i ngadalësoi çapat kur nuk më pa. Po unë dola ballas,sa të më shihte, dhe, kur më pa, u fsheha pas mullarit. Kur erdhi aty, më hodhi uartë në qafë dhe, tek zgjatej të më puthte faqet hasi në  një befasi që nuk e priste. Unë e rroka me të dy duarët, e tërhoqa nga vetja dhe e putha në buzë. Ajo u mundua të çlirohej nga kulari i duarëve të mia, por, kur pa,që qeshë i vendosur, tha:- Të keqen motra, do na shohin. Po unë tani  nuk pyesja më. E putha sa u kënaqa. Ne u takuam dhe tri ditët e tjera dhe ditën e fundti as që më kundërshtoi më.. Më dha fjalën se  do më priste (qysh do bënte deri në qershor) dhe unë, i shëruar plotësisht, nga ai infeksion akut, i çmallur paksa me të mitë dhe i mallur aq shumë me  Veroren, u ktheva në konvikt. Kur u ktheva për pushimet e verës (unë kisha marë maturën), sa u çmalla me të shtëpisë dhe vrapin andej ku qenë mullarët se ndoshta  vinte "motra", Verorja. Prita më kot,se siç më tha, një vërsniku im, "Vesho" Agai  e kish martuar Veroren. Asi kohe ne ikëm nga fshati dhe unë nuk e takova kurrë më . Po ja që vjen  një kohë, vërshojnë kujtimet dhe, kapur në  rrjetën e këtyre asocioneve    largëta, ndjen që emcionohesh sikur ndodhin tani.

Tiranë, 24  mars 2014



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora