E premte, 29.03.2024, 12:22 PM (GMT)

Kulturë

Cikël poetik nga Haxhi Muhaxheri

E merkure, 26.03.2014, 06:44 PM


Cikël poetik

Haxhi Muhaxheri

 

SHQIPËRIA

 

Ishte nuse

që ia kishin zili perënditë

 

Nga shkëlqim i nurit të saj

dritë merrte edhe dielli

 

Kahmot e lakmonin

kodoshet e Olimpit

 

Ajo nuk jepej

ajo nuk merrej

 

Ata e mallkuan

dhe e gjymtuan

 

Atëbotë

Europa qeverisej nga djalli

 

21. 03. 2014

 

 

KOSOVËS

 

Emrin lakuar ta kanë ndër shekuj

E pritë të zinin keqas djalli e i biri

Po ti stuhive u bëje ball

Me lutjen për të madhin

Për atë bimë dardane

 

Këngën e mortit

E ktheje në këngë lavdie

Kosova ime diell (i)lirie

 

 

ÇAMËRIA

 

Çamëria

Lumë i Loteve që nuk shteron

Malli i të dëbuarve që përvelon

Kënga e Shpresës që gjallëron

 

Çamëria

Është ora e lutjeve që nuk mbaron

 

Çamëria

Ëndrra jonë e përnatshme

Amaneti i shenjtë i etërve

Emblema e krenarisë së emrit

 

Çamëria

Është damari i ngushtuar i atdheut

 

Çameria

Tregimi ynë për barbarinë

Plaga ime e pashëruar

Libri i papërfunduar i historisë

 

Çamëria

Është kodi i pazbërthyer i perëndisë

 

29.04.2013

 

 

NE DHE LISAT

 

Kemi diçka të përbashkët

Rrënjët thellë në tokë

Kokën lart në qiell!

 

Lisat lëshojnë shtatin

Ne rrisim hapin

 

Ata i përkund era e moteve

Fëmijët tonë

Djepat me ninullat e lokeve

 

Lisat puthin qiellin

Ne lutemi për diellin

Të sotmën dashuri

Të ardhmën lumturi

 

Ata bartin historine e moshës

Ne kujtimet e trishta

Të kohëve me grip

 

Tokën tonë

E madhërojnë lisat

Shekujve

E zbardhin plisat!

 

25. 02. 2014

 

 

LISAT DHE PLISAT

 

Askush mund t‘i numëroj lisat

Askush mund t‘i përulë plisat

 

Me lisat flasin legjendat

Me plisat flet historia

 

Në gjokset tona

Shpesh u thyen stuhitë

Që mos të na priteshin lisat

Të mos na hiqeshin plisat

 

26. 02. 2014

 

 

POETI

 

Fle me të gjitha të dashurat

dhe zgjohet bashkë me dritën

Për ta zën frymëzimin e parë

 

Merr Udhën e Qumshtit

gjuhën e yjve mëson

 

Për vrimë të gjilpërës

Përbiron detin

në kërkim

të fjalës së pa thënë

 

Një këngë e re po vjen

 

 

PSE VDIQ POETI

 

Çdo fjale

vargu a poezie

shpirt i dha nga vetja

 

Mos pyesni

pse vdiç poeti

ai kishte veç lindje

 

 

ZGJOHU POET

 

Nuk jam engjull

Në tempullin e durimit

As memec i përgjumur

 

Zotin mallkoj

Që as kokën e ktheu

Kur Ti

Kosovës ia lidhje plagët

 

Zgjohu poet

Se përseri

Mund të „Tkurret Atdheu“

 

Zgjohu e zhvishi

Të gjitha marrëzitë e kësaj bote

 

Europa prapë fle

Edhe pse djalli ngre krye

 

Zgjohu për tokën dardane

Për „gjakun që nuk falet“

 

Zgjohu ore burr i dheut

E ti zëm pusi të keqës

Se koha nuk pret

 

Zgjohu Ali Podrimja

 

17.06.2013

 

 

EJA

 

Që moti i jam falur vetmisë

E gjumi mërguar më ka

Shtigjeve të dhembjes

Bashkë me ëndrrat

Dhe kujtimet për ty e dashur

 

Kot dergjem në planetin e pritjës

Edhe lutjet e kanë humbur kuptimin

Ato as zoti më nuk i merr vesh

Damarët e zemrës mi dogji malli

E çmendia pamëshirshëm më pushton

 

Harroj të gjitha dhe eja rrezja ime

Ndizi edhe njëherë motoret e shpirtit tim

Zjarri i dashurise le ta ngrohe gjithe boten

Të puthemi te lozim te duhemi

Me afshin e dikurshem deri ne agim

 

1987

.  .  .

Mini ese për poezitë e Haxhi Muhaxherit

Nga Rrahim Sadiku, shkrimtar

Poezia e Haxhi Muhaxherit shëtit nëpër kohë e ngulitet në truallin e atdhedashurisë, ku e gjen edhe etja prej poeti, edhe malli prej mërgimtari, edhe shtytja prej kërkimtari. “Damarët e zemrës mi dogji mall” na bënë të bashkëndjejmë ai, duke patur në horizontin e mendjes një kohë kur “yjet do na kenë zili” dhe “i njëjti diell na ngroh”, në atdheun ku janë zbrazur “të gjitha marrëzitë e kësaj bote” dhe aty janë shtruar edhe dhembje shumë të mëdha, të cilat i ndjejnë të gjithë, po që janë tragjike për zemrën e ndjeshme të poetit, që në poezinë e tij simbolizohet me të madhin Ali Podrimja, i cili edhe gjallë edhe tashti, na kujton se në mendjen krijuese “kënga e re po vjen”. Dhe kjo këngë e re madhërohet me plisat, lartësohet me lisat, lahet me dhembje e dashuri ?amërie, duke u shndërruar kështu në simbol fitoreje, dëshire që kjo e arritur të shkojë deri në fund, që bota shqiptare të jetë e ndritur dhe me vendin e merituar në trojet etnike e në botë.

21. 03. 2014



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora