E merkure, 24.04.2024, 03:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Muça: Refleksione artistike

E marte, 25.03.2014, 08:23 PM


Refleksione artistike nën kontekstin historik

(Niko Simaku, “Lorika, virgjëresha e Voskopojës”)

Nga Vladimir Muça

Amanetin e studjuesit pasionant vllah Dhori Fallo, në vrejtjet  që i bënte në dorëshkrimet e vëllimit me tregime “Se kemi humbur kohë të gjatë pa shkruajtur”, Niko Simaku e ka plotëruar me këtë roman, që kemi sot në duar. “Lakrori, lakrori”, bënte thirrje i ndjeri Dhori Fallo dhe, për mua, lakrori është ky roman. Në këtë vepër, ndërtuar me një stil tepër të veçantë komunikues,  autori  e përjeton personazhin shpirtërisht dhe mendërisht. Gjatë narracionit del qartë lajtmotivi vllah, njerëzor, gazmor, mendjendritur, punëtor, vetmohues e nostalgjik.

Sigurisht, konteksti historik i zhvillimt të ngjarjeve ka një përputhje të plotë me kontekstin historik në të cilin u shkrua romani , ndaj dhe lexuesi i përjeton ngjarjet sikur të ndodhin sot, por të veshur me një tis moderniteti. Për çdo jovllah, jeta dhe etnogjeneza e arumunëve është e veshur me një tis misterioz dhe tepër interesant. Në rast se provon tëgërricësh sado pak cipën e këtij misteri , përnjëherë na përvijohet një etni kompakte pavarësisht nga religjioni ku bulëron, në qytete madhështore dhe qendra urbane me përmasat e inkasve shqiptarë. Gjithë ky mister, kjo histori, na vjen nëpërmjet zhvillimeve shoqërore idilike dhe kulturore, me ndërlidhje ndëretnike, pa sense vetëpërjashtuese.

Romani “Lorika, virgjëresha e Vojskopojës” i vjen lexuesit si një evidencë bindëse, se në hapësirat krijuese të mendjeve vllahe është trashëguar një kulturë në mënyrë të përherëshme nga “Akademia”  jo e shprishur shpirtërore e kulturës, e shpirtit vllah. Kjo cilësi, siç del në roman, kurrësesi nuk është dhuratë kallpe, por vjen e stisur nëpër disa linja romaneske si idilike, atdhetare, kulturore, shoqërore, religjioze, autoqefale, nëpër të cilat lëvrojnë një mori personazhesh.

Për të dhënë përmasat e duhura, Niko Simaku, eksploron mistere të kujtesës njerëzore , të historisë me një univers letrar të lakmueshëm. Ky univers na shfaqet me individualitet në format e artit gjithëpërfshirës. Nga dramatizimi , befasia, denduria e mendimeve, qëllimeve që ka çdo kapitull në këtë roman të llojit historik;çdo gjë shpërfaqet në tri linja: idilike,  e zhvillimt shoqëror dhe tragjizmit. Në linjën e tragjizmit ajo ka diçka të ngjashme me tabllonë “ Të pushkatuarit” të Françesko Goja- s, në linjën idilike me ikonografitë e Kostantin Shpatarakut dhe të Zografit, në linjën shoqërore  gjithçka të ngjashme me artin e Van Gogut, ku piktura vë në lëvizje nënvetëdijen pa kufij ngjyrash ndërshtresore.

Autori me skrupulozitet i ka zhvilluar gjatë gjithë romanit këto tre linja , sepse pikërisht këto janë tre apoteozat , tëcilat e kanë ndjekur ndër shekuj etninë vllahe , që kur u shpërngul me dhunë nga trojet e dikurshme dake. Alkimia letraro – historike e këtij romani prodhon shumë risi dhe zgjidh në vetëvete mjaft enigma të mbuluara qëllimisht me pluhurin e harresës. Narracioni letrar i këtij autori, pra Niko Simakut mbisundon në shpërbërjen e këtij pluhuri, duke nxjerrë në dritë të diellit ornamentet shoqërore të një vizioni shtetformues të lakmuar dhe nga shtete me moshë qindra e mijëra vjeçare.

Këtë lakmueshmëri ia jep risia në përparimin e saj shoqëror si një nga impulset e zhvillimit të gjithë shoqërisë. Historiku i zhvillimit të qytetit me status të veçantë shtrihet më parë nga sa kemi mësuar gjer tani. Ajo shtrirje fillon rreth viteve 1550- 1560 sipas regjistrave kadastralë të Valide Sulltanes, kur Zyrikja, bija e një arhondi, rrezatonte dituritë, mençuritë në sarajet e Topkapisë. Kjo sigurisht, që do të ngacmojë mendjet e historianëve për një riformatim historik të Voskopojës. Rrëfimet e këtij romani bazohen në koordinata të sakta gjeografike, me toponomi dhe emërtime qëbartin në vetëvete besueshmëri në fabulat e ngritura me aq shumë të vërteta historike – gjeografike. Duke hulumtuar në arkiva, libra dhe dorëshkrime të shumta, me një qëllimësi të admirueshme, Niko Simaku tregon lulëzimin e qytetit duke përmendur personazhe reale dhe të sajuar me një mjeshtëri dhe realizim të lakmueshëm.

Nderi , lavdia dhe respekti fillon me atë Eremitin i cili është plaku i ardhur qindra vite më parë në këto anë dhe qëmbeti i habitur nga panorama e luadheve dhe vetë mbeti si sprovë e mbijetesës. Që këtu fillon një nga cilësitë e romanit: respekti për të parët , cilësi e lavdishme e shpirtit vllah, e cila vesh me një purpur të artë gjithë kapitujt e romanit. Ndaj del dukshëm, që ky roman është dhe një përkushtim , që i bëhet, jo vetëm atij plakut asket, etnik në atëkoliben e tij në Motin e Madh, njehsuar me vreshtin, pjellorinë. Lidhjet e gjera ndërqytetëse , si dhe refleksi modern arkitekturor flet bindshëm për një qytet perëndimor nga më modernët në Ballkan. Retrospektiva arkitekturore flet shumë ,sidomos sot, kur flitet aq shumë “ Go West!” e sytë mbahen nga Lindja.

Në përshkrimin e vendeve rreth e rrotull, si dhe ringjalljen arkeologjike të qytetit, romani merr përsipër dhe detyrën e një ciceroni gjeografik, etnografik, arkeologjik, zakonor, kulturor. Kësisoj qyteti i Voskopojës merr në mendjet e lexuesve përvijimet e një qytetërimi kozmoplit në shoqëri, por edhe me një ndërlidhje mbarëshoqërore, duke e pajisur lexuesin fuqishëm me një bagazh njohurish.

Vendosja e ngjarjeve të romanit në periudhën më të lavdishme të zhviullimit historik të Voskopojës ështëprogresioni më i plotë në narracionin historik të kësaj periudhe shkëlqimtare, që përbënte përparësitë shoqërore nësuazën e Perandorisë Osmane duke pasqyruar nocionet shtetformuese historikisht të mohuara, jo vetëm nga sundimi otoman, por edhe më vonë, si nga Lindja, ashtu dhe nga Perëndimi. Në këtë kontekst identiteti vllah ka qenëgjithmonë i pranishëm dhe ka përbërë një nga vlerat më të mëdha. Kjo e kthen këtë roman në një burimor sa më shumë të ngritur artistikisht, aq dhe historik me prurjen dhe retrospektivën e tij. Vendosja e personazheve historik krahas atyre të krijuar në kontekstin utilitar të një etnie siç janë arumunët , si dhe referencat dokumentare e bëjnë romanin sa bindës, aq dhe aktual. Sidomos sot, kur me “ gjeneralët e ushtrive të vdekura” të Megalidhesë, kudo ndeshemi me pushtime fantazmagorike mbetjesh njerëzore si në Kosinë e Boboshticë.

Skrupuloziteti dhe zotësia në konceptet ekonomike – tregtare arrin në ato perceptime të qarta në faqet e romanit, sa që ,në një kontravers stigmatizon rëndom veprimet e sotme ekonomike, ku për fat të keq jemi po të njejtët viktima. Populli e thotë popullorçe “ dushk për gogla”. Këtë, në një përqasje të re, autori e ka stisur në art të të shkruarit dhe të dokumentuarit. Vështrimi shoqëror prapavajtës në pozicionin e një analisti të mirfilltë ekonomik, shpreh humanizmin e tij gjithëpërfshirës. Më qartë nuk ka se ku të shkojë.Proklamata e shoqërisë Vëllazërimi  është një proklamatë e një zhvillimi të ri shoqëror si gur themeli e një shoqërie- shtet. Gjithçka në formën e aludimatit, gjithçka përqaset me zhvillimet e sotme politike – ekonomike.

Në konceptin teologjik dhe qëndrimin ndaj fesë siç del nga dialogjet ndërmjet Janit, Dhimitrit, qëndrimit të Anxhelikës, të Nezir Pashait, feja nuk ka shumë rendësi në kontekstin shoqëror. Më shumë rëndësi për ta ka bashkëjetesa fetare, ajo vihet në pah qartazi si një dukuri mbijetese. Sipas etnisë, asaj shqiptare dhe asaj vllahe, feja ka qenë një konjukturë për mbijetesë të etnisë; fe mbi fenë ka qenë etnia, ose shqipatria. Gjithçka tjetër është rudiment në zhvillimin shoqëror. Në planin teologjik pikërisht këtë gjë bën përfaqësuesi i Patriakanës ruse. Dhimitri dhe Teodor Dhaskaljoti e kishin kuptuar qysh 250 vjet më parë. Vaj medet sot politikanët dhe një pjesë e akademikëve e shtetarëve nuk po e kuptojnë ende.

Mesazhi, të cilin përcjell romani është sa aktual, aq edhe themelor për ngrehinën e re, të cilën po ndërtojmë. Në roman, kjo dukuri religjioze vihet re qartë edhe nga klishe dogmatike që përshfaq kryepeshkopi Artemie, si përfaqësues i Patriakanës së Stambollit në bashkëpunim me administratën turke dhe simotrën ruse për heqjen e autoqefalisë së Ohrit. Për rastësi historike, kjo autoqefali u vendos nga hirësia e tij Imzot Fan Noli e u rihoq po më pas nga Artemie i ri i shekullit të 20 –të , nga qëndrimi dritëshkurtër i politikës shqiptare. Historia është tepër kokëfortë dhe tepër transparente. Ky  është mesazhi që më përcjell ky roman në konceptin tim religjioz. Etnia është etni dhe është mbi çdo perëndi, e jo qyteti, trualli, mëmësia e kësaj toke të mos na bëhet si ajo njerka e keqe, siç i thotë Teodori Lorikës, sepse “  u zëvëndësua Krishti me Muhamedin, por Zoti mbeti një.”

Futja e personazhit historik, patriarkut të Ohrit, Joase nga autori na përqas një platformë religjioze historikisht të argumentuar, se ortodoksia vllahe është absolutisht autoqefale jo vetëm me përfaqësitë e saj, por edhe të prelatëve të veçantë nga ajo e Stambollit (greke), ajo ka veçoritë dhe genin e vet. Kjo strukturë bashkëveprimi e ka zanafillën shekuj më parë, që nga Konfederata e Ndritur e Ohrit me etninë ilire. Një risi që përftohet nga ky roman është instikti tepër i thekur perëndimor i etnisë vllahe. Kjo vjen nëpërmjet një nënteksti , ku autori na jep një dialog tepër domethënës midis Theodhorit , Lorikës dhe së ëmës për shkollimin mbas Akademisë në Fraisburg të Allemanjës. Kjo flet shumë për një lidhje ndërkulturore të vendosur me Perëndimin.

Populli vllah dhe ai shqiptar janë arsimuar dhe kulturuar në Europë, që më shumë se treqint vite më parë. Ky kontekst del gjithkund, në çdo dialog në rangje të ndryshme shoqërore. Koncepti familjar dhe atdhetar rrezatohet në bisedën e Theodhorit me të ëmën: “ në Europë nuk shkohet për t’u ndarë me vatanin, familjen, por për t’u lidhur sa më shumë me të dhe familjen”. Sa aktuale është pikërisht sot pas 240 vjetësh kjo thënie dialoguese, e përcjellë te lexuesi me aq mjeshtëri.

Në kontekstin e zhvillimit, të emancipimit të marëdhënieve si domosdoshmëri, e zhvillimit social- historik përmbledhin komunikimin prind – fëmijë, mardhënie idilike me bazë sinqeriteti, raporti me të bukurën si nocion shpirtëror dhe si vlerë shoqërore . Të gjitha këto në mënyrë pragmastiste përbëjnë themelinë narrative të kapitujve të parë, ku paraja, prika e bënte shpirtin “ myrdar”, nga ku prirjet e jashtme, sipërfaqësore mbysin bukurinë e pastër shpirtërore. Gjithçka në breznitë e dyta pas tragjedisë, fëmijtë e Theodorit dhe të Janit kanë një koncept të ri me marëdhëniet idilike martesore dhe familjare. Në këtë brez prindërit një ngjizje e re shpirtërore, një komunikim më tejpamës prind- fëmijë, femër – mashkull, i pasur – i varfër, si dukuri të një jete të shëndoshë në shoqëri.

Në prizmin ekonomik, autori me një skrupulozitet të lavdërueshëm , me përvojë dhjetra vjeçare në fushën ekonomike, nxjerr deduksione të sakta vepruese në aspektin social. Transfertat e kapitaleve në Vjenë, Budapest, Fraisburg, Padova, Venedik, Francë, Egjipt ( e bashkë me to edhe ato të trurit ) nga arhondët dhe menaxherët në këto vende, filloi të dobësojë rekursin ekonomik në Voskopojë. “Voskopoja si një lakër e tejzmadhuar filloi të hante zemrën e vet”. Për analogji, e njejta gjë po ndodh edhe sot, ndaj autori e ve në dukje duke e aktualizuar fort këtë kontekst të zhvillimit njerëzor.

Mospërputhja mes produktit intelektual, që dilte nga Akademia e Re dhe mundësive në tregun e punës, u bë një  shkak për largimin e trurit të etnisë vllahe.  Si ngjashmëri në retrospektive, edhe sot pas 250 vjetësh ndodh e njejta dukuri. Autori na thërret nga thellësia e shpirtit të tij” “ Popull zgjohu, jini vigjilentë, të mos përsëritet tragjedia voskopojare! Në thelb me forma të reja pritet nga këto mospërputhje dhe kontradikta edhe sot e njejta tragjedi.”

Romani historik si veçanti ka një mision : të ndezë shpirtin atdhetar te shtetasit. Këtë mision, romani “ Lorika , virgjëresha e Voskopojës “ tek unë e ka kryer më së miri. Ai vjen me një risi, me një hapësirë më të gjërë në narracionin e romanit historik. (E- mail: vladimirmuça@yahoo.com)



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora