Mendime
Bedri Blloshmi: Largohet nga ferri Eleni Leka
E marte, 25.03.2014, 10:24 PM
LARGOHET NGA FERRI ELENI LEKA
Nga Bedri Blloshmi
Eleni
Rrodhe e bija e deputetit dhe tregtarit më të madh të qytetit të Korçës (Kol
Rrodhe, i cili dha shpirt në burgun e Burrelit) pushoi së rënkuari. Zhuli do
mbaronte për mësuesi dhe fati e hodhi në shkretëtirat e Librazhdit, si mësuese.
Në atë shkollë u njoh me një djalë nga Bërzeshta, Genc Bardhi Leka edhe ky
mësues. Njohja dhe biografia bëri që këta dy të rinj të krijojnë familje.
Forcimi dhe egërsia e luftës së klasave, që zhvillohej ndaj klasës sonë të
përmbysur nga orteku i kohës, bëri që të dy të pushohen nga arsimi, në vitin
1967. Të heshtur e kokë ulur, duke iu bindur fatit të zi dhe të pafuqishëm për
ta ndryshuar, bënë çdo punë të rëndomtë për një intelektual. Grykësia komuniste
bashkë me sigurimin gjakatar, ju vunë këmba – këmbës Gencit që nga viti 1959
deri ditën që e arrestuan më 31gusht 1976.
Eleni lindi dy fëmijë, Petrikën dhe Eglantinën. “Kuajt” e Komitetit
Qëndor vendosën që Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin, do i pushkatonin duke u
lënë të parit dy fëmijë dhe të dytit një fëmijë jetim. Mbas 17 korrikut 1977
ditën që Zhulit ia copëtuan, shkatërruan jetën duke pushkatuar Gencin, iku nga
sytë këmbët duke marrë nën sqetull fëmijët jetimë si klloçka që merr zogjtë.
Duke qarë dhe ulëritur e duke shkulur flokët për hatanë që e gjeti, vendoset në
qytetin e lindjes në një kthinë pa çati.
Aty jetoi si gjarpri nën gurë pa ia dhënë dorën askush. Ashtu nën brengën, nën
dhimbjen e vuajtjet që i shtoheshin përditë, shpesh kjo grua me një shall dhe
shami të zezë e me dy fëmijë kapur përdore, merr rrugën për tek varrezat e
Librazhdit. Aty nga mesi i parcelës të binin në sy dy varre gati të përbashkët
dhe mbi pllakën e ftohtë të mermertë janë dy fotografi me emrat e tyre. Genc
Leka lindur më 23 mars 1941 dhe pushkatur
më 17 korrik 1977. Krahë kësaj fotografie është dhe fotografia tjetër
Vilson Blloshmi, lindur më 18 mars 1948 dhe pushkatur më 17 korrik 1977, pra
kanë të përbashkët fundin e tyre. Zhuli mbasi i përkëdhel të dy fotografitë me
dorë, u pastron pluhurin, ulet përballë tyre e vazhdon të fshijë lotët që i
bien mbi buzët e thara e i dridhen vazhdimisht. Qëndron e heshtur dhe pa iu
përgjigjur pyetjeve që i bëjnë fëmijët, sepse nuk ka dëshirë, mbasi ata janë
akoma të vegjël për të mësuar tragjedira të tilla, që janë vënë në skenë në
regjimin diktatorial. Për t`ju shmangur, ngrihet me fëmijët për dore e largohet
me shikimin nga mbrapa, derisa shikimin ja zë një kodër e zhveshur dhe e
rrjepur nga erozioni i viteve.
Bedri: “Mbrëmë më vdiq nëna. E tretur, e rrudhosur nën rënkimin e sëmundjes, na thirri pranë krevatit e me ballë të djersitur na shikonte me rradhë, mua, Tinën dhe dy fëmijët e mi. I përqafoi. i puthi, më bëri shenjë me vetullat e lodhura. Me sa kuptova unë duhet ta ngrija nga pozicioni që ishte. E ngritëm, i vendosëm një jastëk tek koka e krevatit, mbas shpine. Mbasi e rregulluam, duke menduar se do gjenta rehat në atë pozicion, e pyeta: hë mama, je mirë kështu? Ajo nuk po rënkonte më dhe nuk ktheu asnjë përgjigje… . e përqafova përsëri kur vura buzët tek faqet e rrudhosura,ato kishin filluar të ftoheshin. Të gjithë sa ishin filluan të qanin”.