Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Qeverisje apo spektakël…

| E marte, 25.03.2014, 10:25 PM |


Qeverisje apo spektakël…

Përndryshe: Epidemia e testimeve

Nga Vangjush Saro

Duket se qeverisja e shumicës aktuale nuk ka ende arritje apo tregues bindës përmes të cilëve mund të përcjellë në publik përgjigjet që kanë pritur qytetarët e këtij vendi duke votuar “ndryshimin”. Ka vetëm një përmirësim të dukshëm në etikë; (përjashto skandalin e fundit përgojues e përleshës në Kuvend midis ish-kryeministrit dhe kryeministrit aktual, një gjë e pështirë). Lajm tjetër i mirë është letra që kryeministri Edi Rama i ka dërguar kryetarit të opozitës Lulzim Basha, letër në të cilën ai e grish kundërshtarin politik për bashkëpunim në reformën administrativo-territoriale. (Pa u larguar nga tema, po kujtoj se në një shkrim të botuar në gazetën e përditshme “Telegraf” dhe në revistën internetike “Zemra Shqiptare”, jo shumë kohë më parë, kam shtruar pikërisht pyetjen se kur drejtuesit e dy “kampeve” kundërshtare do të takoheshin.) Duke uruar një përfundim nxitës për Shqipërinë pas kësaj thirrjeje të z. Rama, si dhe përgjigjes në parim të Bashës, gjithsesi, mund të themi se pjesa tjetër e mundimeve të deritanishme të politikës dhe qeverisjes, është mjaft modeste. Veçmas, mënyra se si socialistët po e kryejnë misionin e shumëpërfolur, lë për të dëshiruar. Në vend të kërkimit të rrugëve për zgjerimin e bizneseve dhe të punësimit, po shohim se përdoren më shumë maniera hutuese dhe, po ashtu, ka një kujdes të dukshëm e të tepruar për ndryshime në administratë. Në këtë kuadër, një prej manierave në fjalë, është edhe epidemia e testimit, e shtrirë tashmë në disa fusha.

Druajmë se loja e pushtetit aktual me administratën dhe njerëzit e punësuar e të papunësuar në tërësi, është duke u trashur. Shprehje e kësaj trashjeje, janë testimet vend e pa vend. Duke u nisur nga dëshira e skajshme për të pasur më shumë se autoritet e kontroll mbi administratën, na duket se qeveria ka zgjedhur të drejtojë vendin me spektakle. Të qeverisurit përmes spektakleve është një përvojë e vjetër dhe e hidhur në këtë vend. Me sa duket, kjo do të vazhdojë. Në vështrimin tim, qofsha i gabuar, më së pari vetë përzgjedhja e ministrave - shumë pre tyre të rinj dhe pa përvojë në punë e në problemet e administratës - ishte njëlloj spektakli. Shumë vite më parë, i kemi kumtuar publikut opinione të ngjashme për P. Majkon dhe I. Metën, për të cilët një miku im thoshte: “S’kanë librezë pune.” Me shumë të drejtë. Ideja që të ketë njerëz të rinj në qeveri, të ketë sa më shumë femra në qeveri, është e mirë; por realizimi i kësaj ideje lë për të dëshiruar, sepse duket sheshit që ata dhe ato nuk kanë përvojën e duhur. Por e keqja më e madhe është se kryeministri (mbase e teproj, por kam parasysh edhe mënyrën se si ai qeveriste Bashkinë e Tiranës) heraherës abuzon me brishtësinë e tyre, duke shfaqur prirjet e tij pjesërisht autoritariste. Janë një sërë takime ku kryeministri flet shumë, dëgjon pak dhe bën ekspertin në çdo fushë (!)

Edhe testimi i masës së punonjësve të policisë, ishte gjithashtu një spektakël. Përveç episodit të organizimit të këtij testimi, gjatë të cilit u bllokua bulevardi kryesor i kryeqytetit për një kohë të gjatë, vetë procesi vë në diskutim shumë gjëra, që të mos themi...institucionet vetë. A kanë bërë këta njerëz një shkollë? A njihet kjo shkollë nga shteti? A duhet që pasi ke mbaruar një shkollë të këtij vendi, e njohur nga ky shtet, të marrësh një diplomë ose një licencë që të jep të drejtën të hysh në jetë, të kërkosh një vend pune...Mund të thuhet se gjatë kësaj periudhe ka pasur abuzime në shkollat e larta, sidomos në ato private. E megjithatë, nuk mund të besojmë se një testim prej disa orësh e zhbën abuzimin e shkollës së lartë dhe rindërton vlerat e një njeriu. Madje përtej këtyre, autorët e këtyre testeve harrojnë një gjë themelore, përvojën e punës dhe rekomandimin e personave me të cilët ke punuar apo i ke pasur eprorë. Vijmë kështu edhe në temën e arsimit. Po ndodh i njëjti fenomen. Testim dhe sërish testim. Madje edhe për aftësitë e të punuarit në kompjuter. Dhe për ta çuar më tej qëllimin, që nuk është i lartë, përkundrazi, bie erë abuzim, qendra që duhet ta bëjë këtë testim është…e miqve të ministrave apo drejtorëve të drejtorive arsimore. E njëjta gjë edhe me kualifikimet e tjera “bashkëkohore”, të disa institucioneve fantazmë ku pushtetarët kanë “bashkëpronësi”.

Po i dëgjojmë përrallat - për testim dhe provime të punonjësve - edhe në sferën e doganave. Flitet për etikë. Për norma. Është përsëri një spektakël. Njerëzit zgjidhen ose e mbajnë punën sipas shkollës dhe kualifikimeve të tyre, që janë lëhtësisht të kontrollueshme. Po ashtu, ata rekrutohen në një pozicion apo qëndrojnë atje ku i zuri ndërrimi i pushteteve, duke ua bërë të qarta edhe sjelljen, edhe respektimin e parimeve. Nuk është e thënë që të kalojë një test tjetri, për t’u bindur ti si ministër a kryeministër nëse ai e meriton të jetë në administratë apo jo. Në këtë rast - dhe kështu, u bënë shumë raste - shkelen me këmbë institucionet dhe rregullat që shteti duhet t’i ofrojë njëherë e mirë, duke i dhënë kredibilitet shkollës, vetë zyrave të shtetit, ligjeve për nëpunësinë, si dhe duke vigjëluar mbi organet e drejtësisë, ku me të vërtetë ka shumë abuzime dhe ku nganjëherë, në mënyrë absurde, një pjesë njerëzish (të ligjeve) qëndrojnë mbi ligjin. Kam bindjen se duke testuar pa fund e në një klimë spektaklesh, hidhet dyshim mbi të gjitha normat mbi të cilat ndërtohet një shtet, mbi insitucionet dhe mbi shkollat, mbi ndërgjegjen e të punësuarve, mbi krejt punën e paraardhësve, përfshi bashkëpunimin e tyre me organizma ndërkombëtare. Dhe ndërkaq, nuk fitohet asgjë, përveçse një sigurie të stisur dhe njëlloj bindjeje lidhur me “regjistrat” ku mbahen emrat e individëve që kanë ndihmuar dukshëm të majtën të rivijë në pushtet...Këto maniera e sjellje provokuese nuk përbëjnë në asnjë mënyrë qeverisje; përkundrazi, lënë shteg për interpretime partiake dhe abuzime. Më në fund, ne duhet të mësohemi të punojmë dhe ta drejtojmë këtë vend me parime të bazuara mbi demokracinë e qendrueshme dhe jo mbi shpikjet e partive (në pushtet) që na kthejnë pas.