Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Artiola Toska:“Kam pesë vjet e martuar, tani dua një fëmijë”

| E enjte, 12.06.2008, 10:30 PM |


Artiola Toska
Nga Aimona Vogli

Eshtë një nga ato këngëtare të cilën e njeh çdo moshë; këngët e saj i dëgjon i madh e i vogël, nën tingujt e zërit të vet me lodioz, të gjithë gjejnë diçka për të kërcyer. Të gjithë e njohin atë për këngët e saj, që krijojnë një atmosferë të hareshme, të shumtë janë ata që zërin e saj e duartrokasin në nëpër koncerte e nëpër dasma. Artiola Toska, një "tironse" 48 karat, e cila në repertorin e saj nuk ka vetëm këngë nga kjo trevë, por dhe këngë shkodrane, edhe këngë nga Shqipëria e Jugut. Në një intervistë për "Summer Pages", ajo na rrëfen për fillimet e saj në muzikë, pasionin për muzikën popullore dhe atë të lehtë, jetën mes Tiranës dhe udhëtimet jashtë Shqipërisë, dashurinë e saj me bashkëshortin, marrëdhëniet me vjehrrën, si dhe planet për të ardhmen.

Si keni hyrë në botën e muzikës?

Unë kam ëndërruar për t'u bërë violiniste, por që ka mbetur një ëndërr e parealizuar, një ëndërr në sirtar. Më pas jam marrë që në moshën 10-vjeçare me aktivitete në Pallatin e Pionierëve, në festivale të ndryshme, në ato kombëtare të organizuara në Shkodër, si dhe në festivale ndërkombëtare që kanë qenë në Turqi, në vitet 1989-'89. Më pas, në shkollën e mesme "Sami Frashëri", ku kam marrë pjesë në festivale dhe koncerte me zëra të rinj, kryesisht me muzikë të lehtë, kam fituar 3 herë çmim të parë dhe çmime të dyta. Por muzikën popullore e kam kënduar që në periudhën kur kam qenë e angazhuar në Pallatin e Pionierëve, me ansamblin e tij. Më pas u hodha disa vite tek muzika e lehtë dhe më vonë u riktheva tek ajo popullore.

Çfarë është për ty muzika popullore dhe përse e zgjodhe?

Është ajo që shkon shumë shpejt tek telat e zemrës së publikut. Kuptohet që një interpretim i mirë është pjesa kryesore, por që vërtet është shumë depërtues në publik. E kundërta ndodh me muzikën e lehtë, duhet të jetë një këngë vërtet shumë e bukur që "të ngjisë". Unë me muzikën popullore kam punuar që në moshën 14 vjeç, duke parë dhe nuancën e zërit, por që nuk do të thotë që muzikën e lehtë nuk e preferoj. Përkundrazi, mund të jem ndër ato të vetmet këngëtare, që zgjedh të dëgjoj më shumë muzikë të lehtë sesa atë popullore.

Domethënë, nuk dëgjoni muzikë popullore?

Faktikisht nuk dëgjoj shumë, por vetëm atë pjesë që më duhet për punë. Kur kam për të bërë ndonjë album, e dëgjoj që të më thyhet veshi gjatë asaj kohe, por muzikën e shpirtit tim e kam kryesisht muzikë instrumentale të lehtë. Kjo ndoshta, ngaqë më është lodhur dhe veshi nga puna e tepërt.

Po më pas angazhimeve në gjimnaz, si ece në muzikë?

Gjërat rrodhën vetë, pas 1993-it shumë këngëtarë të muzikë popullore u punësuan jashtë Shqipërisë për muaj të tërë nëpër restorante. Ndoshta tingëllon pak keq, por për mua ishte një shkollë e vërtetë. Kjo periudhë më ndihmoi në repertor, më ndihmoi profesionalisht në vokal. Domethënë u rrita profesionalisht, kjo falë të kënduarit "live".

Cili është për ty ndryshimi nga të kënduarit "live" dhe ai me CD?
 
Interpretimi 'live' nga ai me CD nuk kanë të krahasuar. Shumë herë, kur unë kam për të kënduar me CD, mundohem që interpretimin ta bëj sa më mirë, por kur nuk e ke shpirtin, mua më duket sikur nuk i lëviz sa qerpiku publikut. Për mua, mundësisht të ishte çdo gjë "live".

A keni ndonjë plan për një album të ri?

Unë zakonisht kam nxjerrë albume çdo dy vjet. Për këtë herë e kaloi afatin, sepse nxora një këngë singël, që ishte "Borxhliu". Mund të them që jam në një fazë, që ndoshta dhe shumë këngëtarë të tjerë mund të jenë. Ndoshta sepse dhe publiku është çorientuar paksa nga shijet, kanë dalë shumë këngë, megjithëse çdo këngëtar ka pjesën e tij. Momentalisht jam duke kërkuar muzën e frymëzimit dhe nuk po e gjej. Të paktën për një këngë "hit" duhet vetëm një fjalë që të më prekë, pastaj kënga është e bërë. Pastaj është dhe tregu që duket i çorientuar, shtëpitë diskografike me të drejtat e autorit, etj. E kam në plan, por ende nuk e di se kur do të realizohet.

Këngët tuaja kanë aftësinë që sa dalin, bëhen "hite" dhe pëlqehen nga të gjitha grupmoshat, si i zgjidhni dhe si punoni me to?

Kryesisht unë punoj me fabula, më pëlqen që të gjej atë për të cilën do të flasë kënga dhe më pas t'ia tregoj autorit të tekstit, që deri tashmë ka qenë Jorgo Papingji. Më pas kënga niset për tek kompozitori, sepse unë punoj kryesisht me kompozime, duke përjashtuar repertorin e Shqipërisë së Mesme. Për shumicën e këngëve, fabulat i kam dhënë vetë.

Dhe për këngën e vjehrrës?

Po ju tregoj një sekret, kënga e "vjehrrës" është ripunuar 3 herë, domethënë varianti që ka dalë ka qenë ai i treti, sepse tek dy të parët kishte diçka që nuk më pëlqente. Ndërsa për sa i përket kompozimeve, kam punuar për shumë vjet me Shpëtim Saraçin, që është një ndër orkestruesit më të mirë që kemi. E më pas, disa këngë me Edi Balilin, që rezultuan shumë të suksesshme edhe ato.

Po si i studion temat që do të bëhen fabula?

Nisem nga jeta e përditshme, p.sh, tema e vjehrrës, është, ka qenë dhe do të mbetet aktuale, sepse do të ekzistojnë gjithmonë mosmarrëveshjet mes vjehrrës dhe nuses, gjithashtu dhe për "Borxhliun" mendoj të njëjtën gjë. Ndërsa për këngën "Unë e jotja më nuk jam", një baladë paksa e hershme, me tekst të Gjok Peçit, që bën fjalë për dy të dashur dhe që ajo vajza nuk e di që partneri i saj është i martuar. E vetmja gjë që i kam kërkuar patjetër, ka qenë fraza "nuk mbahen dy kunguj nën një sqetull" dhe ende tashmë kjo këngë nuk kërkohet me titullin e saj, por me frazën, sepse është një realitet në kohët e sotme.

Flasim pak për dashurinë, si je njohur me bashkëshortin?

Jemi njohur në vitin 2001 dhe kemi 5 vjet të martuar. Si këngëtare e muzikës popullore, jam e pranishme në shumë gëzime familjare dhe në një nga këto gëzime jashtë Shqipërisë kam njohur dhe tim shoq. Ishte një dashuri me shikim të parë.

Bashkëshorti është në botën e artit?

Jo, nuk ka të bëjë fare.

Po me vjehrrën si shkon?

Shumë mirë, jam "mirë me vjehrrën, mirë me burrin" (qesh). Komunikojmë shumë mirë, ajo është shumë e kohës dhe kemi edhe shumë sekrete me njëra-tjetrën. Ndoshta vjen dhe nga tipi im, që me çdo brez mund të jem e komunikueshme.

Keni menduar për ndonjë fëmijë?

Unë i dua vërtet shumë fëmijët edhe bashkëshorti im gjithashtu. Kështu që e duam një fëmijë, por ai do të na vijë kur të na e sjellë Zoti. Nuk ka rëndësi në do të jetë mashkull apo femër, rëndësi ka që të jetë i shëndetshëm.

Ke një jetë mes Tiranës dhe jashtë vendit, udhëtime të shpeshta çdo javë, mund të na thuash diçka më tepër?

Që prej 1993-it kam lëvizur shumë deri në 1997-'98, largohesha për periudha të gjata, 2-3 muaj. Gjatë kësaj kohe kam qenë në vende si Zvicër, Gjermani, Kosovë, Angli e deri në Meksikë. Më pas, që prej 2001-it deri në momentin që po flasim, lëviz rregullisht çdo fundjavë së bashku me këngëtarin Bujar Qamili nëpër koncerte kryesisht në Itali dhe Greqi, duke përjashtuar periudhën e verës, kur është dhe sezoni i dasmave.

A është e lodhshme?

Po, sepse është e thjeshtë të thuash se po shkon me avion, ose "i fut një tra-la, la". Por të lodh më shumë periudha e shkurtër që duhet të shkosh dhe të kthehesh brenda dy ditësh, aq më tepër brenda ditës. Pagjumësia është lodhja më e madhe. Por tashmë na është bërë një mënyrë jetese dhe duke qenë se lëviz çdo javë, na duket e çuditshme nëse nuk lëvizim.

Si është Artiola jashtë skenës, në jetën e përditshme në komunikim me njerëzit?

Kjo varet, ka disa njerëz me të cilët ndihem mirë që në takimin e parë, ka disa raste kur nuk më pëlqen personi që kam përballë dhe sado të komunikoj me të, përsëri do të kthehem tek opinioni që kam krijuar në fillim. Unë jam një njeri i qeshur, të cilit i pëlqejnë shakatë, humori, ambientohem kollaj dhe jam e komunikueshme.

Ti je tironse, po shpesh ju ngatërrojnë me shkodrane?

Jam tironse 48 karat, 24 karat nga unë dhe 24 karat nga bashkëshorti. (Qesh) Por më ndodh shpesh, ndoshta duke u nisur nga fakti që unë kam kënduar shumë dhe këngët shkodrane, që njerëzit më dinë me origjinë nga Shkodra. Shpesh më pyesin se kur jam transferuar nga Shkodra për në Tiranë. Kjo ndoshta, sepse mua këngët shkodrane më shkojnë shumë në vokal. Këtu mund të ndikojnë dhe bashkëpunimet me Bujar Qamilin.

Po preferenca juaj nuk janë vetëm këngët "tironse"..?

Në muzikë, unë përzgjedh jo vetëm këngë nga Tirana, por dhe nga shumë treva të tjera, qofshin nga jugu ose nga veriu, mjafton që kënga të jetë profesionale. Më pëlqen të rrezikoj dhe kjo tentativë ka rezultuar e suksesshme dhe këtë e kam parë dhe nëpër koncerte.

Si është lidhja juaj me paratë, a shpenzoni shumë?

Rrobat i kam të mira, por më qëllon gjithmonë që xhepat të jenë të shpuar. (qesh) Nuk jam e fiksuar pas firmave, por më pëlqejnë shumë aksesorët, syzet dhe çantat. Tek bizhutë preferoj gurët e çmuar, por nuk do të thotë që nuk vendos dhe bizhu të thjeshta. Blej shumë dhe kam tipin që atë që blej, dua ta vesh shpejt dhe për dy javë më mërzitet, kështu që nuk dua të marr diçka të cilën e di që nuk do ta vesh shumë. Gjithashtu rrobat i fal, pasi mund t'i vesh dy-tri herë dhe sa të më qëndrojnë në dollap, ua jap të tjerëve. Në përgjithësi nuk jam tip i bezdisshëm që të shkoj shpesh në dyqan dhe të provoj e riprovoj. Fiksohem pas diçkaje dhe e marr menjëherë.

Ke menduar ndonjëherë të largohesh nga Shqipëria?

E kam menduar të largohem vetëm në vitin 1997. Më parë as që e kam menduar që të jetoj në një vend tjetër, edhe pse mundësitë i kam pasur. Ndoshta sepse jam shumë e lidhur me familjen, gjykoj se kjo mund të ketë qenë dhe pengesa kryesore. 1997-ën, unë e përjetova shumë keq, dhe pse nuk kam qenë këtu në mars të atij viti, por kam ardhur vetëm në qershor, kur ende ishte gjendja e jashtëzakonshme. Ka qenë pikërisht ajo periudhë, që mendoja të largohesha nga Shqipëria, por fati deshi që unë nuk mora vizë. Mendoj se ka qenë një çështje fati.

Meqenëse suplementi titullohet "Summer Pages", a keni ndonjë plan për pushime?

Nga planet e punës që kam, i bie që pushimet verore t'i bëj në janar (qesh). Sepse nga shkurti e deri në dhjetor jam shumë e ngarkuar. Dhe pse udhëtime me bashkëshortin bëjmë shpesh, por nuk mund të them që kanë qenë pushime në formë relaksi.

G. Shqiptare