E premte, 29.03.2024, 01:05 AM (GMT)

Mendime

Arbana Xharra: NATO ishte shpresa

E hene, 24.03.2014, 07:40 PM


NATO ishte shpresa

Nga Arbana Xharra

24 mars, 1999! Datë kjo historike ku secili prej nesh e ka një rrëfim për ta treguar. Zhurma e aeroplanëve të forcave ajrore të Aleancës Veri-Atlantike, më kujtojnë lotët e gëzimit që nuk i përmbanin fëmijë, të rritur e pleq, teksa shtrëngonim njëri-tjetrin të lumtur për ndërhyrjen e NATO-s.

Ne e dinim se ato sulme do të ishin liria jonë. Shpresonim se tashmë do të dëbohej pushtuesi i egër. As nuk mund ta imagjinoja se po atë natë, në Gjakovë do të nisnin me të madhe djegiet e vrasjet mizore, si kundërpërgjigje ndaj ndërhyrjes së NATO-s të udhëhequr nga SHBA-të. Me familjen, u ngjitëm në katin e dytë të shtëpisë për të parë tmerrin me sy: digjej Çarshia e Madhe, dëgjoheshin britmat e të shtënat që nuk kishin të ndalur.

Të nesërmen e shumë ditë pas saj, hakmarrja e forcave policore dhe ushtarake serbe mbi popullatën civile zgjidhte format më mizore për të vrarë. Edhe sot më tingëllon në vesh zëri i motrës së vogël, Jehona (12 vjeç) teksa lutej që kur të na vrasin ta kemi fatin të mos na masakrojnë, apo të mos na djegin për së gjalli.

“Nuk po tutna që kanë me na vra, por po i lutna Zoti që me na mbyt me plumb, se vdesim më lehtë, pa ndi shumë dhimtë”. Ishte e vogël për të kuptuar brengën më të madhe të dy motrave të saj, njëra 17 dhe tjetra 16 vjeç se mund të përdhunoheshin nga forcat paramilitare serbe. Lufta e 1999-s mori shumë jetë civilësh e ushtarësh të UÇK-së që ofruan jetën të gatshëm për të mos e duruar padrejtësinë. Por, pranvera e atij viti na dha edhe të drejtën për të jetuar.

Bombardimet zgjatën 78 ditë dhe përfunduan me dëbimin e forcave policore dhe ushtarake të regjimit të Serbisë nga Kosova. Trupat e KFOR-it u futën në Kosovë dhe në mendje më vijnë pamjet e qytetarëve teksa i puthnin edhe tanket nga gëzimi që shpëtuan. Kjo ishte data kur historia jonë ndryshoi. Por kësaj date shumë ngjarje i paraprinë, të cilat i hapën rrugë ndërhyrjes ushtarake. Thjesht nuk ka personalitet, ngjarje apo periudhë më të rëndësishme sesa tjetra, për të ardhur deri te shtetësia që sot e gëzon Kosova. Pavarësia e Kosovës, nuk është pronë e askujt.

Kjo ishte kërkesë e gjithë shqiptarëve që nga vitit 1912 kur na e ndanë fatin të mbetemi nën Serbi. Nuk mund të harrojmë as ata që u shpërngulën me dhunë, e as ata që pësuan deri në Luftën e Dytë Botërore, as viktimat e Rankoviqit, demonstratat e vitit 1968, ato të vitit 1981 e as qindra e mijëra vjet vuajtje në burgjet e Serbisë. Thjesht asgjë nuk fillon me një datë të caktuar. Sikur të fillonte lufta në vitin 1990 kur u hoq autonomia e Kosovës, zor se mund ta prisnim një mbështetje kaq të madhe ndërkombëtare. Kur minatorët u mbyllën në zgafellet e xeherores së “Trepçës”, përveç sllovenëve dhe deri diku kroatëve, askush nuk guxonte t’i përkrahte. Madje edhe sindikatat e fuqishme evropiane dhe botërore të xehetarëve heshtnin.

Nuk kishim mbështetje sepse Jugosllavia ishte e fortë, kishte autoritet të madh në botë. Por regjimi i ashpër që nisi me mbylljen e shkollave, vendeve të punës, si kundërpërgjigje mori rezistencën paqësore për shumë vjet, bota nisi të njihej me zorin tonë të madh. Por edhe lëvizjes paqësore i erdhi fundi, masakra e Reçakut dhe lufta e vendosur e UÇK-së i hapën rrugën ndërhyrjes ushtarake të NATO-s.

Sot, 15 vjet nga kjo ndërhyrje ka shumë për t’u numëruar ndryshe nga fjalimet që do të dëgjojmë nga krerët e shtetit. Thaçi dhe Jahjaga do të përsërisin fjalimin e tyre të përvitshëm se: “Republika e Kosovës është shtet i konsoliduar demokratik, në rrugë të sigurt drejt integrimit në BE dhe në NATO, një shtet i tolerancës etnike, qytetare, politike...”. Ata me siguri se do të përmendin sërish se “Kosovës i është hapur një kapitull i ri dhe vendimtar në procesin e shtetndërtimit të Kosovës”.

Por qytetarët do të pyesin: sa vrasje u kryen nga 1999 e këtej, sa njeriu me nam shkoi pa nishan, sa prona u uzurpua, kush u bë milioner brenda natës, ku i gjetën paratë për të privatizuar me mijëra hektarë tokë shoqërore, kush i ka në duar monopolet kryesore në vend? A ka prokurorë dhe hetues policorë?

E ndërkohë qindra e qindra kosovarë të cilët nuk po shohin ardhmëri në shtetin e tyre, po vazhdojnë të kalojnë kodra e male, duke paguar banda kontrabandistësh, të cilët herë i hedhin përtej kufijve të Schengenit, herë i lënë në breg të Danubit dhe në mëshirën e fatit.

Sot, 15 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s secili kemi nga një tregim për ta treguar, por një është e sigurt: askush për një Kosovë të tillë nuk ka luftuar!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora