E shtune, 20.04.2024, 12:28 PM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Tërbimi i kulltukofagëve

E hene, 24.03.2014, 10:02 PM


TËRBIMI I KULLTUKOFAGËVE

ME KOKA NËN SJETULLA

NGA KALOSH ÇELIKU

Vetëvrasja është e njohur si fenomen shoqëror nëpër botë. E kanë bërë artistë, politikanë dhe njerëz të sëmurë psikik për shkaqe mendore. Kohën e fundit, vetëvrasje bëjnë edhe partitë politike shqiptare për një “president koncensual”. Veten e vënë në rolin e peshkut, “shehid” shkojnë vetëm për një krimb. Nami u bë në mjetet e informacionit. Mendja ta thotë, se: shqiptarët nuk kanë probleme të tjera kombëtare, përveçse “presidentit konsensual”. Këmbë ngulin, që presidenti patjetër duhet të jetë “konsensual”. Ose, e gjithë puna është si jorgani i Nastradin Hoxhës, kur ia vjedhin hajdutët. Jakup Kalliri i Al Pazarit do të thoshte: “pak rëndësi ka”. Edhe, unë pajtohem. Shqiptarët në ish Jugosllavi kanë pasur president të gjashtë republikave e dy Krahinave Autonome (Kosovës dhe Vojvodinës), Sinan Hasanin. Punemadhe, që tashti do të kenë një president “konsensual” të një IRJ të Maqedonisë me dy miljonë banorë, aqsa ka vetëm një lagje e Stambollit. Përditë e vrasin veten me zgjedhje të parakohshme lokale, parlamentare e presidenciale. Fatkeqësisht, mbi njëzetë vjet me radhë në politikën “madhore” pa ndryshime deri më sot për Çështjen shqiptare. Herë i hipin e herë i zbresin gomarit të Nastradin Hoxhës. Barrën më të rëndë në shpinë, dihet e ka Nastradini. Edhe, atë: zakonisht para zgjedhjeve lokale, presidenciale ose parlamentare. Ndonjëra, më “patriotja”, në prag të zgjedhjeve ngritet nga varri lugat për vetëvrasje të dytë në jetën politike. Tjetra “kuqezi”, ngutet në mënyrë vullnetare vetë ta vë litarin në qafë në një degë të thatë lisi, në “kryeqytetin” e shqiptarisë. E shpallë Presidentin “konsensual” Iljaz Halimin, e provokon Partinë shqiptare politike në pushtet.

Menduh Thaçi, kësaj radhe na delë edhe “profet” i madh, pas Pejgamberit të fundit Muhamedit a. s.: “PDSH –ja pjesë e qeverisë pas zgjedhjeve, unë do jem zv/ kryeministër! Gruevski, s’është aq i fortë, sa është i ligë Ali Ahmeti. E pyes Aliun, a ka Allah, ai thotë jo, Marksi është Allah! Estagfurullah, shumë ka e prapa. Në këto zgjedhje kam një dëshirë të flaktë, do ta shpalosi në formë të mesazhit: Ta shkelim Marksin, Engelsin e Leninin, dhe njëherësh, ta ngrisim lartë Zotin, kombin, PDSH –në dhe Iljaz Halimin.”  Them unë: pse jo të bëhesh edhe kryeministër, o Menduh Thaçi?! Shqiptarët, a gjithë jetën do të kënaqen me zv/ drejtorë e zv/ ministra?! Tekefundit, e kënaqën zv/ ministrat e BDI –së, tashti i ka mbetur gomarit t’i hipë edhe Nastradinica me ferexhenë e zezë krahëve, cofi në mes të rrugës. Kryetari i RDK –së Rufi Osmani, pas BDI –së turr edhe ky në Zvicër në përurimin e kandidatit për deputet në diasporë të kësaj partie, në vend t’i mobilizojë forcat partiake në Gostivar. Pak u duket përçarja politike në vendlindje, prandaj nguten edhe atje t’ia rrasin pykën e shelgut vëllazërisë shqiptare. Gabim politik, që ka gjasa shqiptarët si në zgjedhjet e kaluara të mbesin pa asnjë deputet në diasporë. Shkaku se, rrema e tyre politike përcjellë ujë në tjetër mulli.

Gurë e dru hudhin mbi njëra-tjetrën para vdekjes me pak shpirt në jetën politike: Korrupsioni me të dyja duart i ka rrok për fyti. Edhe atë, para syve të botës u vdesin intelektualët edhe për bukën e gojës. E këta burra mejdani, partizanëve të tyre me dy-tri vende pune e poste qeveritare u shprëndajnë edhe honorare me shuma marramendëse materiale mbi nivelin e pagës mujore të mësuesëve. Ryshfete marrin për vende pune, tenderë e firma private. Kohë kjo, kur shumë shkrimtarë enden rrugëve pa vende pune. Fatin e tyre e kanë në dorë kulltukofagët e dy partive politike më të mëdha shqiptare, që moti kanë lëshuar rrënjë dhe bëjnë luftë politike si Dy dhitë kryeneçe mbi vig të lumit te Abetarja, cila do ta fitojë postin e argatit e jo të pronarit të Shtëpisë. Vite me radhë gomarit i hipë e i zbretë Nastradini (60 kg.), përpiqet t’i hip Nastardinica (120 kg.).

Hë për hë, vërtetë shqiptarët nuk kanë opozitë të fuqishme politike, ose një kalorës të Ri për ndryshime politike. Njëzetë vjet me radhë, individë të njëjtë rrotullohen në skenën politike shqiptare. Gati të gjithë liderët e partive politike shqiptare opozitare i dogji Menduh Thaçi. Gomarit, pse mos t’i hipë pak edhe Xha Deralla?! Parashikim për Nesër, guxim politik të cilin patjetër një ditë do ta përqafojnë shqiptarët si rrugë qiellore. Shkaku se, nuk kanë rrugë tjetër për freski politike. Arsye, që më në fund pajtohen me fatin, gomarit t’i hipë përsëri në shpinë Nastradini. Nuk e di pse e kanë frikë Nastradinicën?! Veprime politike këto, që për momentin më së shumti i konvenojnë dhe ia zgjasin jetën Njerkës të Babait. Livadh u lënë kulturofagëve të bëjnë kërdi në popull: arsimin duke e shti për së gjalli në varr pa prift e hoxhë, kulturës shqiptare moti ia thirrin “ezanin” përmes altoparlantëve në minare. Përditë, mbeturinat e tyre partizane partiake ngulfasin dhe varrosin manifestime kulturore tradicionale ndërkombëtare, libra e revista letrare që i kemi mbajtur gjallë deri në Ditën e sotshme me plot mund, pasuri e djersët rrëke deri në fund të këmbëve mes dy zjarreve.

Shqiptari, historikisht gati gjithë jetën është duke ecur me kokën e “fshehur” nën sjetulla. Pavetëdije, apo nga frika me dhunë e ka strehuar nën struke. Ndoshta, edhe ka menduar se e ka “fshehur” në vend të sigurtë para syve të Dexhallit. Rrugës ka ecur pa kokë, ose me kokën e huaj në qafë. Kundërshtari historik si burrë legjitim i Njerkës me sëpatën nën setre e ka ndjekur hap pas hapi nëpër histori. Herë duke ia treguar bishtin e sëpatës nën setre, herë çykën e herë prerësen e mprehtë gjoja të mbështjellur me gazetë nëpër Qytet. Pykën e shelgut, dihet e ka pasur në xhep. Dhe, sa herë që ka pasur nevojë e ka nxjerrë nga strofulla politike, gjoja se e lusin Partitë Politike Shqiptare për deputet.

Ditë për ditë e natë për natë është trembur nga ferra që i ka dalë para si “armik” i papritur në rrugë. Duaji i grurit më këmbë si njeri, që ia kanë nxjerrë bashkëfshatarët rrëzë Çukës ta provojnë sa është trim. “Armiku” i pabesë, nga frika e ka shti kaçakun e malit të nxjerrë “nagantin” dhe me nëntë plumba në ballë e ka ndezur flakë  pasmenate “tradhtarin” në errësirë, në prag të agimit.

Ditën e nesërme, përsëri ka ecur me kokën nën sjetulla e “nagantin” në brez. Bombat nëpër xhepat e strukes krahëve. Kësulën e bardhë, në kokë. Arat i ka lëruar me pllug e me qetë asht e lëkurë. Livadhet i ka kositur me kosë. Ferrat i ka krasitur me kizë rreth oborrit të Shtëpisë. Pazarin, ditën e shtunë e ka bërë me kalë me shalë.

Përçudi, përsëri nuk ka bërë gjumë të rehatshëm me kokën e tij nën sjetulla. Gjithë natën është rrotulluar në shtrat. Edhe pse, dritaret i ka mbyllë me kapakë druri. Shulin ia ka vënë pas derës. Qenin besnik, Murgo e ka zgjidhur nga zingjiri nëpër Lëmë. Parashikues ka qenë se, dikush e pret në pusi në fund të livadhit, mund t’i vijë tinëz pasmesnate edhe në dritare. Përmes shtambës me ujë t’ia shkrepë në dritën e zbehtë të qiririt, nëpër errësirë dy-tre plumba mu në lule të ballit. Palojë sa gjërë – gjatë në mes të dhomës, pranë oxhakut të ndezur me dru lisi, shuaj tymin mbi çati.

Fakt historik, që kaçaku i malit ende është gjallë në mesin e “patriotëve kuqezi”. Vetëmse, tashti është kohë tjetër me të tjera armë e zakone. Kokën duhet ta nxjerrë nga sjetullat dhe vë në qafë. Anash t’i lë thirrejt parazgjedhore të partive politike për “fitore”. Theshethemet e tyre nëpër fushata parazgjedhore. Sharjet, fyerjet, shpifjet dhe etiketimet e njëri-tjetrit para zgjedhjeve për “pushtet”. Rrugës të eci pa frikë. Votën e lirë t’ia jap atij personi që e meriton si kandidat serioz, e jo partive politike. Matanë malit, në pusi nuk e pret “hasmi”, siç e kanë trembur gjithë jetën, po Fitorja historike. Përfundimisht, t’i thotë jo, kokës së huaj në qafë! Dhelprës dinake duke hequr valle me pulat qafërjepura t’ia këpusë bishtin, edhe kokën mbi cung në mes të Lëmës. E dini pse, shkaku se: nuk duhet më të ecë me kokën nën sjetulla, po në qafë. Vetë t’i dalë zot kokës së tij e jo “probatimi”, që me shekuj e mbanë nën zgjedhë me argatë politik e masha shqiptare.

Koha është, shqiptari si pasardhës i Rilindasëve (jo i rilindasëve të Edi Ramës), edhe në këto zgjedhje presidenciale e parlamentare të dalë, ose të mos dalë me kokën e vetë në qafë, e jo të “fshehur” nën sjetulla. Kokën e huaj në qafë ta flukë në përrua. Thirrjeve përçarëse të partive politike t’u japë një mësim të mirë politik e historik. Nuk ka nevojë as shoqatat “joqeveritare” ta “mësojnë” e thirrin derë më derë: të dalë, apo të mos dalë në zgjedhje presidenciale. Populli shqiptar e ka kokën e vet në qafë, që e ka dëshmuar nëpër shekuj, në histori. Fatmirësisht, sot për sot është mbi nivelin patriotik të politikanëve. Shqiptarët, sot nuk kanë nevojë për matrapazë e profiterë politik, që me vite na kanë shitur me pare e pa pare nëpër pazare politike te ‘vëllezërit”, na e kanë zaptuar ajërin, ujin, bukën dhe gjelbërimin. Livadhet na i mbushën me beton politik, në  vend të çerdheve të fëmijëve dhe shkollave në gjuhën shqipe.

Frikë kam se, në momentet më të vështira vendim-marrëse historike, popullit shqiptar i prinë në ballë të sëmurë psikik. Vështirë e ka edhe mjeksia t’ua përcaktojë diagnozën shkencore. Ndodhë të kenë simptome tërbimi. Shembull i freskët, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me Rrotën e K****. Gratë e burrave dhe nënat e fëmijëve duke i përgojuar nga foltorja e Kuvendit si “viagër” të kundërshtarëve politik. Dashuri publike duke i shpallur njëri-tjetrit para kamerave televizive përmes Kandarit të Çajupit.

Populli i dalldisur shqiptar, symbyllazi u bie duarve shuplakë, sikur para tyre të vallëzonte Arusha me dajre në Katund. I pafuqi për momentin ta ndryshojë situatën para hazdisjes të liderëve politik me pak shpirt në mes të Ballkanit. Ndoshta, edhe i pëlqen kjo gjendje agonie para “fitores” historike. Kutadi unë, i duket si ëndërr. Sytë për ndihmë i ka hapur në qiell. Varka e Noes për shpëtim nuk duket në horizont. Rrugë nuk ka për shpëtim nga Përmbytja e madhe: shiko lartë, larg. Shiko poshtë, thellë. Hip se të vrava, zbritë se të vrava! Përsëri si popull me traditë dhe vetëdije të lartë politike, prej dy të këqijave mbi tavolinë, duhet të zgjedhë atë më të mirën: Porosinë e madhe të Naim Frashërit. Votën e shejntë demokratike, më në fund mos t’ua jepë hiç pa menduar fare “bashibozukëve”. Kurrë, mos e “shesë” me pare nëpër pazaret e partive politike. Turret me të katra si pakokë në rrugë, kur Dexhalli me trumbeta delë Tri ditë para Kiametit t’ua vë nga një vulë në ballë të arratisurve politik.

Ditën e gjykimit, Xhebrahili kur i merr në pyetje dhe kërkon ta zbulojnë ballin, mbesin si huj gardhi në mes të Livadhit. I ka mashtruar Dexhalli me trumbeta kur doli Tri ditë para Kiametit nëpër Bit - Pazar.

Dënimi i merituar dihet, bythekrye në Xhehnem (Ferr). Gojën plotë do t’ju thotë: Palarenë mjaftë e keni përdredhur nëpër instutucione të Shtetit “përbashkët”, kisha dhe xhamia! Koha është t’i përpëlisni pak, piqni ato të shkreta edhe në shpuzën e zjarrit të Xhehnemit (Ferrit). Flaka t’ua pastrojë, lëpijë me gjuhë nga mëkatet.

Profeti më veç e ka hapur krah më krah portën e Xhehnetit (Parajsës). Lumë ato gra e burra, që do ta shohin veten në mesin e luleve. Malin e Perëndive: Baba Tomor…



(Vota: 79 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora