E merkure, 16.10.2019, 03:32 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Në çfarë planeti jeton ambasadori rus?!!

E premte, 21.03.2014, 10:00 PM


Në çfarë planeti jeton ambasadori rus?!!

Nga Elvi Sidheri

Pikëpyetje legjitime kjo duke gjykuar nga konferenca për shtyp e ambasadorit të Federatës Ruse në Tiranë ku ky i fundit, ndërsa gënjente duke e ditur se po mashtron publikisht në mënyrë tejet të cekët e fëminore, përpiqej edhe të jepte mend sa djathtas-majtas.

Ja disa nga “tezat” e tij kryesore...

1)Në Krime nuk ka patur ndërhyrje ushtarake të huaj (kurse në Kosovë PO).

2)Populli shqiptar dhe rusët e Krimesë, e njohin të drejtën e vetëvendosjes.

I gjithë ky fjalim pra, që për habi mblodhi gazetarë të shumtë shqiptarë, sikur të bëhej fjalë vërtetë për ndonjë ngjarje të rëndësishme dhe jo për përsiatjet e mërzitshme justifikuese të një palo emisari të një shteti të madh që është bërë “gazi i botës” me pushtimin e jashtëligjshëm të një pjese të një vendi të pavarur fqinj, pa asnjë arsye apo motiv realisht sadopak të qënësishëm...konsistonte vetëm në këtë logorre  arsyetime në tentative.

Asgjë më tepër!

Pastaj padyshim që sipas tij qeveria shqiptare e kishte shumë gabim (sadoqë me mjaft vonesë dhe hezitim e sforcim të dukshëm e bëri një veprim të tillë)...që e dënoi pushtimin e armatosur dhe gjasme-referendumin për mëvetësinë përbashkuese me “Nënën Rusi” të gadishullit ukrainas të Krimesë.

Kurse qershia mbi tortë, ish kryeministri shqiptar Berisha...nuk e njihte aspak historinë (kur qe shprehur se rusët në Krime dhe me Ukrainën në përgjithësi, qenë sjellur dhe po silleshin fiks porsi Hitleri dhe Gjermania e Rajhut të Tretë megalloman në fundvitet 30-të të shekullit të kaluar, kur pushtuan tërë territoret gjermanisht-folëse të fqinjëve të tyre bashkë me Austrinë...nën të njëjtat pretekste komike dhe fyese për inteligjencën njerëzore, sa edhe atë të paevoluarën e një babuini apo zvarraniku të çfarëdoshëm, që po përdorin tashmë rusët 75 vjet më pas).

Është një e vërtetë e pamohueshme që siç thonë miqtë tanë italianë...: “Ambasciator’ non porta pena”...pra që: “Ambasadori nuk është kurrë fajtor për lajmet që sjell, transmeton”...por zotëria e tij ambasadori rus, mund të qe munduar gjithësesi që të mos e trajtonte audiencën mediatike dhe shoqërinë shqiptare, si të paaftë mendorisht të paktën.

Agresioni i hapur dhe i pashkak rus në Krime, në fakt pati një efekt të mirë në Shqipëri...

Ashtu siç pas shiut mbijnë disa lloje kërpudhash...edhe në ambientin tonë ngritën kokë filo-rusë të shumtë shqiptarë që porsi agjentët e fjetur të ish KGB-së dikur (ata që nëpër filmat hollivudianë të epokës së Luftës së Ftohtë, teksa jetonin të asimiluar në dukje brenda shoqërisë amerikane, ngjalleshin pas ndonjë telefonate me fjalë në kod dhe që më pas venin e hidhnin në erë impiante, fabrika apo baza ushtarake amerikane)...nxorrën kryet jashtë nga letargu i gjatë që pati nisur qysh prej prishjes me ish Bashkimin Sovjetik.

Kjo për të treguar se pro-amerikanizmi i deklamuar anembanë, nuk është edhe 100 % i mirëqenë sa ç’mendohet, për arsye se ndokush, flamujt sovjetikë, siç i ndërroi me ato të kinezit dhe të amerikanit, mund t’i valëvisë sërish tashmë pa problem nën shenjën e prepotencës së re rusomadhe putiniste.

Shoqëria jonë është realisht pro-amerikane dhe shkaqet nisin qysh nga mërgata shqiptare e fillimshekullit të kaluar drejt ëndrrës amerikane që Shqipërisë dhe pavarësisë së saj i kontribuoi në mënyrë vendimtare me mundin, fondet, influencën dhe njohjet politike, djersën dhe përkushtimin e përfaqësuesve të saj më të mirë.

Ndërhyrja e presidentit Uillson në favor të çështjes dhe kufijve të shtetit shqiptar, vizioni i lirisë dhe prosperitetit amerikan gjatë viteve të skamjes dhe marrëzisë komuniste, mbështetja e pakufizuar amerikane ndaj Shqipërisë së varfër post-moniste dhe Kosovës së shtypur nga Millosheviçi, janë shkaqe të mjaftueshme për të shpjeguar po të jetë nevoja, ndjenjat e mirëfillta pro-amerikane të shumicës absolute të popullit shqiptar.

Amerikanët ndërkaq nuk e bombarduan Serbinë,kryeqytetin e saj Beogradin dhe Novi Sadin (për irritimin dhe marazin e pallogaritshëm të shumëkujt edhe ndër aleatët e tyre më të ngushtë europianë) duke ndjekur justifikimet qesharake të rusëve sot.

Kur vetë Vladimir Putini apo ambasadori i tij në Tiranë, mëtojnë të vizatojnë paralele të sforcuara midis rastit të Kosovës dhe Krimesë, ata së paku tregojnë një injorancë të thellë historike, tipike për regjime gjysëm-autoritare si ai i Moskës së ditëve tona, që gjithçka dhe çdo veprim, ia faturojnë si faj apo përgjegjësi dikujt tjetër.

Po të ndiqej në fakt arsyetimi i ambasadorit rus dhe shefit të tij të plotëfuqishëm në Kremlin, atëherë vetë rusët në vitin 1999 do të ishte dashur që të ndërhynin ushtarakisht kundër regjimit brutal të Millosheviçit për shkak të së drejtës legjitime për vetëvendosje të popullit shqiptar të Kosovës...

Por kujtojmë qartë që në atë kohë Moska zyrtare ishte kryekëput kundër sulmit amerikan ndaj trupave serbe në Kosovë, siç ishte dhe vijon të jetë kundër pavarësisë së shtetit të Kosovës...shtet që ndryshe nga rasti i Krimesë, i gatuar keq në kuzhinat sovjetiko-caristo-oligarkike të Kremlinit, e ka me kushtetutë të ndaluar t’i bashkohet ndonjë vendi tjetër, ndryshe nga ç’po ndodh tani me gadishullin ukrainas të pushtuar nga rusët që po bëhet me shpejtësi marramendëse pjesë e Federatës Ruse sa hap e mbyll sytë.

Ambasadori rus në Tiranë, përpara se të fryhet si kaposh dhe të deklamojë pallavrat e zbrazëta që i transmetohen nga Moska, bën mirë që të ketë parasysh se Kosova që ai përmend vend e pavend, ka qenë ilire dhe shqiptare, qysh prej mijëra vjetësh (ndryshe nga Krimeja që ruse është bërë me detyrim shumë vonë)...

Kosova ka qenë përherë shqiptare si Dardani apo nën emrin e tanishëm, edhe mijëvjeçarë më parë, me një zhvillim të admirueshëm urban dhe shoqëror, me perandorë të mëdhenj romakë e bizantinë me origjinë iliro-dardane, në një epokë kur të parët e rusëve të sotëm, gëzonin akoma çiltërsisht stadin e tyre tejet të mangët evolutiv, majë degëve të ndonjë peme, në pritje që historia botërore t’i hidhte një sy rracës së tyre, shumë shekuj më pas.

Jo rastësisht...dhe kjo gjë i do treguar këtij ambasadorit llafazan, ndërsa perandori romak me gjak dardan, Kostandini i Madh njihte krishtërimin si religjion të perandorisë, shpallte Kostandinopojën si kryeqytet të ri perandorak dhe i falte Bizantit edhe 1000 vjet të lavdishme ekzistence, paraardhësit e rusëve, ende nuk i njihte askush, jetonin si fise të egra të pagdhendura pa asnjë lloj kulture dhe do të pritej nja 5 shekuj akoma përpara se disa tregtarë vikingë t’i nxirrnin nga prapambetja e tyre e thellë, duke i bashkuar dhe ndërtuar kështu themelet e identitetit të tyre të parë kombëtar.

Për të arsyetuar aneksimin ushtarak dhe kurrësesi demokratik të Krimesë, Putin fliste para Dumës ruse me të njëjtin pathos nacionalist që pati karakterizuar dikur Adolf Hitlerin dhe së voni edhe Millosheviçin, duke sajuar shpjegime që e transformonin hipotetikisht këtë copë tokë ukrainase, në një pseudo-tempull historik të rusizmës, ashtu siç për teoritë serbomëdha, Kosova është djep i Serbisë ose siç për nazistët toka e banuar nga gjaku “superior” gjermanik, ishte pjesë e shenjtë e Rajhut të tyre gjakatar.

Putin dhe ambasadori i tij fjalëshumë në Tiranë, harrojnë të përmendin disa fakte që nuk u shkojnë shumë përshtat hipotezave të tyre ndërkohë...

Si për shembull faktet që flasin për një Krime ku deri në 1945-ën kanë jetuar me shumicë përveç tartarëve...edhe grekët, gjermanët, hebrenjtë e shumë të tjerë.

Të tëra këta elementë jo-rusë u patën përzënë masivisht nga Stalini pas Luftës së Dytë Botërorë sipas pretendimit të zakonshëm në atë kohë, të “bashkëpunimit” me nazistët (ashtu siç e pësuan çamët në Greqi) dhe me atë rast, krejt gadishulli qe pastruar me themel etnikisht nga banorët vendas (gjatë këtij deportimi të dhunshëm patën vdekur mbi 100 mijë tartarë të Krimesë)...dhe kolonët rusë qenë shëndruar në etnitetin shumicë të këtij rajoni në mënyrë totalisht artificiale.

Për këtë arsye të gjitha pretendimet e Kremlinit për një Krime historikisht ruse, bien në ujë fare thjeshtë e mund të kundërshtohen me argumenta të forta dhe të patjetërsueshme, nga kushdo njeri që historinë e njeh edhe përciptazi.

Popullata e sotme ruse e Krimesë (60 %) është e përbërë si edhe tjetërkund në hapësirat e ish Bashkimit Sovjetik, nga pasardhësit e kolonëve të shpënë aty me qëllime rusizuese nga autoritetet e Moskës, gjë që ka ndodhur njëlloj sa në Kazakistan, Uzbekistan, Turkmenistan, Kirgizistan...aq edhe në 3 republikat balltike, që tashmë e kanë kaluar rrezikun, duke u bërë pjesë e BE-së dhe NATO-s.

Sikur kryeministri tepër kërcënues me fjalë dhe pak realizues me vepra i kanosjeve të tij verbale, Erdogan, t’i hakërrehej më shumë Moskës zyrtare sesa Twitter-it dhe Facebook-ut, atëherë Rusia do të ishte menduar mirë përpara se t’a vinte edhe në kontroll “de jure” përveçse siç e kishte, pra “de facto” Krimenë (rajon ku ndodheshin qysh më parë 15 mijë ushtarë rusë, mënjanë popullsisë shumicë ruse të gadishullit që edhe duke bërë pjesë në Ukrainë, sërish gëzonte statusin e lartë të Republikës)...si pasojë e pranisë atje të minoritetit autokton tartar, etnikisht dhe gjuhësisht të afërt me turqit.

Në Europë sot, faktikisht zonat e nxehta të konflikteve të pazgjidhura e me prirje serioze për të degjeneruar në përplasje të armatosura, gjithmonë kanë të bëjnë me Rusinë.

Nisur nga rajoni separatist i Transnistrias në Moldavi (një rrip toke i banuar nga moldavë, rusë dhe ukrainas, i gjendur në kufirin midis Moldavisë dhe Ukrainës, që kontrollohet nga autoritetet filo-ruse me bekimin e Moskës)...tek republikat e vetëshpallura brenda territorit gjeorgjian Abkhazia dhe Osetia e Jugut dhe së fundi Krimeja.

Rusia pra dhe lideri i saj i pakundërshtueshëm Putin, janë shkaktarët dhe gjeneratorët kryesorë të destabilitetit në kontinentin tonë.

Dikush ndërkohë ishte rasti që ambasadorit rus në Tiranë t’i bënte thirrje që t’a lante gojën me detergjent enësh së paku, kur tentonte më kot që t’a krahasonte dëshirën për vetëvendosje të shqiptarëve të Kosovës, me synimet aneksioniste të rusëve të Krimesë dhe ndërsyesve të tyre në Kremlin.

Kur nga Moska botës t’i paraqesin një fakt të vetëm të krahasueshëm sikur edhe largësisht me vuajtjet, vrasjet dhe shfarosjet masive, përzënien e organizuar, përdhunimet, apartejdin, dhunën e gjithanëshme të pësuar nga shqiptarët e Kosovës nën pushtetin serb, që eventualisht mund t’a kenë provuar edhe rusët e Krimesë nga autoritetet e Kievit, atëherë dhe vetëm në atë rast, një paralelizëm i tillë do të mund të merrej parasysh.

Në rast të kundërt, ata që tingëllojnë sa hipokritë, aq edhe tejet qesharakë në këtë mes, janë vetë ambasadori i nderuar rus në Tiranë (si edhe shefi i vet në Moskë)...pasi të dy rreken të fyejnë inteligjencën e botës së qytetëruar me pohime të tilla groteske, irreale dhe të pabesueshme.



(Vota: 27 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT