Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Abaz Pllana: Vizitë e paharruar në Stubllën e Vitisë

| E enjte, 12.06.2008, 04:35 PM |


Vizitë e paharruar në Stubllën e Vitisë

Shkruan: Abaz Pllana

Pas luftës çlirimtare të Kosovës, disa herë me ra rasti të vizitoj fshatrat e Kosovës që nuk i kisha parë ndonjëherë gjatë jetës sime edhepse kisha kaluar pjesën më të madhe të jetës sime në Kosovë. Ndër të gjitha këto vizita që bëra deri sot, padyshim e paharruar, më e ëmbël se të tjerat ishte vizita ime në fshatin Stubëll të Vitisë. Vizitën e parë në këtë fshat e bëra në vitin 2002 kurse çdoherë kisha mendjen që ta vizitoj edhe shumë herë tjera por vizitën e dytë arrita ta bëj vetëm në prag të festës së ndërrimit të motmoteve, në dhjetorin e vitit 2007.

Pse ishte kaq e veçantë vizita ime në një fshat në lartësitë e bjeshkëve shumë të bukura të rrethit të Vitisë? Janë njerëzit, banorët e Stubllës që më lanë mbresa shumë të mira, por edhe natyra, historiku, zhvillimi, kultura dhe solidariteti i këtyre fshatarëve që kanë mbetur nga ajo ditë për gjithë jetën në kujtesën time.

Që të dyja vizitat i bëra për shëtitje, pa pasur asnjë hall, që të kënaqem me bukuritë e Kosovës dhe me bujarinë e njerëzve të mirë të Vitisë.

Të dyja vizitat e mia do të ishin më pak atraktive po që se nuk do të ishin me mua tre njerëzit më të mirë që njoh në rrethin e Vitisë : Xhevat Bislimin - veprimtarin e madh të çështjes sonë kombëtare dhe një ndër personalitetet më të spikatura të intelegjencës dhe politikës në Kosovë, Daut Xhemajlin – një ndër intelektualët më të njohur të rrethit të Vitisë dhe kryetar i Degës së PDK-së në Viti si dhe Gaspër Demaj - një intelektual dhe organizator me zotësi të mëdha që ishte edhe Kryetar i fshatit Stubëll.

Pas vizitës sonë në kishën e Binçës, ku u kënaqa me ikonat dhe reliefet me motive kombëtare, morëm rrugën për fshatin në majën e një kodre, që quhej Stubëll. Në hyrje të fshatit vëreheshin një numër i madh fshatarësh që kishin dalë në buzë të asaj mbrëmje të shëtisnin dhe të këmbenin mendimet për punët e ditës apo edhe të çështjeve tjera që mund të bëheshin në takime të këtij lloji në rrugën kryesore të fshatit. Nga dhjetëra e dhjetëra të rinjë e të reja që pashë, krijova përshtypjen e parë se ky fshat kishte më shumë kulturë, më shumë edukatë dhe më shumë njerëzi se shumë qytete tjera të vendit apo perëndimit. Asnjëherë nuk më zuri syri kthiza të nxjerrura jashtë, tatuazhe apo persingje në fytyrë apo trup, veshje të çoroditura e të tjera tipare të tilla si këto që fatkeqësisht përveç në rrugët e "famshme" të Hamburgut apo Parisit kanë vërshuar në sheshe, rrugë madje edhe në shkolla e fakultete të Kosovës.

Pasi pimë një kafe në restorantin që gjindej në mesin e fshatit, na ftuan të vizitojmë edhe pjesët të tjera të këtij fshati që filloi të më pëlqente.

Pamë shkollën e fshatit që ishte ndërtuar me kontributin e fshatarëve dhe mirëmbahej akoma me kujdesin e shtuar të këtyre fshatarëve arsimdashës.

Kaluam skaj ambulancës së fshatit që edhe nga dyert e oborrit të saj dukej se ishte e tillë sepse higjiena oborrit, hyrjes dhe ndërtesës e tregonte një gjë të tillë, gjë që nuk vihet re në ambulancat tjera të qyteteve më të zhvilluara të Kosovës e lëre më të atyre ambulanacave që mund të jenë të ndërtuara në fshatra. Gjithashtu edhe kjo ambulancë ishte ndërtuar me vetëkontribut të fshatarëve.

Pastaj kaluam skaj varrezave të fshatit. Varreza që kishin gjurmët e banorëve më të vjetër të fshatit dhe nga gurët me mbishkrime tregonte respektin e banorëve të Stubllës për të parët e tyre. Me gurët dhe mirëmbajtjen e varrezave Stublla reflektonte kulturë, besim, dashamirësi dhe patjetër vetëkontributin e pashembullt të fshatarëve të saj.

Më vonë hymë në kishën e fshatit dhe mu kujtua në çast edhe strehimi i nxënësve të helmuar në fillimin e dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Mu kujtuan motrat e nderit të kësaj kishe që me aq njerëzi, trimëri e vendosmëri iu patën dalë në ndihmë këtyre nxënësve, që kishin përjetuar nga pushtuesi serb një terror të paparë ndonjëherë. Ato thjeshtë nuk u lutën për fëmijët e Kosovës, por vepruan në ndihmë të tyre.

Në çastet kur vizitoja kishën e Stubllës mendoja për këtë ndërtesë të kultit fetar që ishte njëri ndër vendtakimet e fshatarëve të Stubllës, që frymëzoi me vite e dekada të tëra banorët e Stubllës për të qëndruar përballë pushtimit të vendit, siç i kishte qëndruar Stublla me shekuj radhë edhe pushtimit turk. Në mbrendësi të këtyre mureve fillonte solidariteti i fshatarëve të Stubllës, mirrte rrugë humanizmi i këtyre njerzve kaq të mirë. Një kishë që nuk shërbente vetëm për tu lutur, por edhe për të mësuar e vepruar për të jetuar jetën me dinjitet si i ka hije njeriut.

Nga aty shkuam në ndërtesën ku banonin priftërinjtë dhe motrat e nderit që shërbenin në Stubëll. Afishet, mbishkrimet, prospektet dhe dokumentet tjera që binin në sy, nuk ishin vetëm fetare. Ishin nga letërsia, mjekësia, arti, historia dhe nga fushat tjera të kulturës.

Në anën tjetër të ndërtesës që vizitonim ishte edhe barnatorja, që me barnat e së cilës motrat e nderit të Stubllës i vinin në ndihmë banorëve të të gjithë Kosovës dhe viseve tjera shqiptare.

Duke zbritur rrugës së fshatit, pas vizitës që kishim bërë, pamë një shtëpi që i ndërtohej kati i dytë i saj. Kryetari Gaspër Demaj na tregon se ishte shtëpi që ndërtohej me ndihmat dhe solidaritetin e fshatarëve për një bashkëfshatar që ishte në gjendje më të dobët ekonomike. Ai do të kishte së shpejti shtëpinë e tij dykatëshe dhe nuk do të merrte vesh kurrë se cili bashkëfshatar dhe sa dha për shtëpinë e tij të re, sepse njerëzit e Stubllës me besimin e madh që kishin nuk ishin mësuar të bënin lista, të iu dilte emri në gazetë apo radio apo televizion për ndihmat që jipnin. Ata kënaqeshin me ndjenjën që ndihmuan. Kaq iu mjaftonte njerzve të mirë që donin të ndihmonin.

Njëri nga fshatarët lidhur me këtë temë na tha : "Nuk është tragjike të jesh i varfër në fshatin e Stubllës. Do bëhesh me shtëpi, do mobilosh shtëpinë sikur të gjithë të tjerët e fshatit, do hash pastërmen sikur gjithë fshati. Fshati nuk të lë në varfëri." Edhe mësuesit e fshatit ndihmoheshin me mjete përveç rrogave të ulta që mirrte nga shteti. Atë që qeveria e Kosovës nuk mund ta bënte, e bënin fshatarët e Stubllës dhe atë pa asnjë hezitim për të mirën e fëmijëve të tyre, për arsimimin sa më cilësor të tyre.

Gjatë shëtitjes sonë në fshat, një fshatar iu afrua kryetarit të fshatit, zotit Gaspër Demajt dhe i foli diçka me zë të ulët. Dukej i shqetësuar dhe iku pasi ndërroi dy tre fjalë me kryetarin e fshatit. Më vonë edhe zoti Demaj dukej i nevrikosur dhe filloi të tregojë një lajm jo të zakontë për fshatin që kishte indinjuar fshatarët e Stubllës. Në një kopsht të një fshatari ishte vjedhur një pompë elektrike e ujit. Në shumë vende të tjera do ishte diçka e zakontë, por në Stubëll vjedhja shkaktonte neveri, indinjatë dhe diçka tragjike. E si mund që vjedhja të mos përjetohej kaq rëndë për këtë fshat ku sundon solidariteti, humanizmi, shpirtdëlirsia dhe vëllazëria.

Para se të mbaronim vizitën tonë, një veturë "golf cabriolet" afrohej në drejtimin tonë. Njeriu që ngiste makinën na njohu se nuk ishim banorë të fshatit. Ndaloi makinën dhe duke zbritur pashë se ishte i një moshe rreth dyzet vjeçe apo diç më tepër. Me këmishë të bardhë, me syze kundër diellit, me telefonin celular në brez dhe me një buzëqeshje na uroi mirëseardhjen në fshat. Ishte prifti i fshatit. Nuk do ta kisha njohur një prift në këtë veshje asnjëherë nëse nuk do prezentohej ai vetë. Kisha pasur një parafytyrim për klerin në Kosovë se duhej të i përmbahej çdoherë "uniformës" që i kishte caktuar religjioni. Por, kjo nuk ndodhte me priftin e Stubllës, që nuk arrita t'ia mbaj mend emrin. Gjatë vizitës sime të dytë, ai prifti që më kishte lënë mbresa shumë të mira, të një njeriu modern, me kulturë të gjerë dhe nikoqir zemërgjerë ishte transferuar në një pjesë tjetër të Kosovës. Dëshira ime që ta takoj edhe njëherë priftin e Stubllës nuk u realizua, por u kënaqa edhe njëherë tjetër me Stubllën dhe veçoritë e saja që i thashë më lartë për të cilat kishte kontribuar shumë edhe ky prift.

Këto ishin mbresa nga dy vizitat e mia që i bëra Stubllës. E përsëris se herën e parë e vizitova në vitin 2002 kurse herën e dytë pesë vite më vonë.

Dëshira ime është që të shkoj prapë në Stubëll. Nuk do të shkoj as herën e ardhshme vetëm, por do të lus çdonjërin që e njoh që të bëjnë së paku njëherë një vizitë këtij fshati të jashtëzakonshëm për shumë cilësi të larta dhe njerzore. Dëshirë e imja do të mbetet çdoherë që fshatra dhe qytete të Kosovës të ndjekin shembullin e fshatit të Stubllës.

Edhe zoti ndihmon Stubllën dhe fshatarët e saj. Zoti i ndihmon ata se përveç që i luten atij, ata punojnë me dëshirën dhe besimin e zotit, me porositë e tij. Stublla është e tillë me punën e madhe që bëjnë vetë fshatarët e saj.

Falemnderit Stubëll për kënaqësitë që më dhurove gjatë dy vizitave të mia që ua bëra.