Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kozeta Zylo: Një kupë muzgu si verë e piva

| E merkure, 19.03.2014, 07:05 PM |


Kozeta Zylo

 

Një kupë muzgu si verë e piva

 

Përhumbem e tëra në qiellin e muzgut,

Dhe si me magji hap portën e tij,

Hëna e malluar më shkel ethshëm syrin,

Si nje mjellmë fluturimthi atje mbërrij.

 

Ca yje të florinjta si qirinj ndizen,

Dhe ulem përmbi r?, rozë të sedefta,

Kopshti i Luksemburgut me dashnorë shfaqet,

Me misset e Botës me sy të blerta.

 

Është një udhëtim i purpurt krejtësisht falas,

E portokallta ndizet, ndizet në të kuqerremtë,

Rembrandtin kam përballë në një fron reje,

E kuqja e Onufrit nudo më mbeshtjellë.

 

Pikëzat e verdha flokët më mbulojnë,

Në poret e lëkurës një e zbehtë narkotike,

E qeshura pezull si petale sillet,

Dhe parfumos trupin me ëndrra erotike.

 

Njyrat e ndritshme cekin buzët e oqeanit,

dhe zjarr skuqin brigjet e tij,

Me gjokse të fryra dalin sirenat,

Neptuni pa frymë meket përbri.

 

Befas një kupë muzgu si verë e piva,

Në ekstazë të ngjyrave si robi në Liri,

Në mëndafshe fijëzash, ylberi u shtriva,

Dhe brenda tyre, malluar u shfaqe Ti!

 

19 Janar, 2014

Staten Island, New York