E shtune, 20.04.2024, 06:23 AM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Pulagjeli

E hene, 17.03.2014, 09:04 PM


PULAGJELI

NGA KALOSH ÇELIKU

Pulagjeli, që gjithë jetën kishte bërë furrikë nëpër hatullat e kasollave me kashtë të kojshive duke kakarrisur tra më tra, një ditë iu tek të bëhet gjel, hipi në gardhë me këngën e korbziut, thirrë agimin. Ama, pasi i kishte shëtitur të gjitha lëmët e huaja nëpër Katund. E shkreta haxhuze, e kishte harruar thënjen e Nënës sime, se: pula, kur këndon si gjel,  patjetër duhet vënë thikën në qafë, therë për darkë.

Lëmës tonë gjithmonë ka kënduar gjeli kryengritës dhe e ka thirrë në gardh para Diellit, agimin. Kurrë pula duke i përplasur fletët si gjel mbi pleh nuk është çjerrë si këngëtare majë plehu pas Shtëpisë. E sot, shumë pula qafërjepura e thirrin agimin me këngë patetike. Fatkeqësi kombëtare, që Nëna ime nuk është ende gjallë në Katund. Thikën t’ua vë në qafë, heshti qyqet.

Shkaku i këtij shkrimi: Përsëri, manifestimet kulturore dhe kalorësit e arratisur nëpër parti politike. Ende nuk e kanë të qartë, ose nuk duan të kuptojnë, se: politizimi deri në palcë i këtyre manifestimeve kulturore është kancer vdekjeprurës në Shoqërinë shqiptare. Partitë politike vijnë e shkojnë në pushtet, arsimi dhe kultura shqiptare (themelet e një shoqërie, shteti), janë përgjithmonë majat e një populli me traditë historike. Individë të papërgjegjshëm  pa bagazh kulturor e letrar, fare pa pikë turpi dalldisin dhe përhapin deziniformata në opinionin shqiptar. Politizojnë manifestimet kulturore shqiptare për interesa personale, grupore e politike. Lëmsh i bëjnë themeleusit e këtyre manifestimeve, përdhosin para syve të popullit shqiptar fytyra të mirënjohura e ndritura të kulturës shqiptare. Trusakatët, harrojnë se, ende nuk kemi vdekur të gjithë në luftën me penë, jemi gjallë siç thotë Naimi i madh te vjersha antologjike “Fjalët e qiririt:  Ne jemi në mesin tuaj, mos na merrni  për të huaj!” Realitet shqiptar, që kulturofagët sa herë dalin si kau nga vija e ugarit mes arës, t’ua përpalsim në sy përmes mjeteve të informacionit. Vërtetë, i kemi dururar mjaft si popull duke na krrokatur mbi kokë me vite sorrat e zeza. Vite e vite i kemi pritur që, të heshtin, mbyllin gojën. Por, me që nuk heshtin dhe nuk e mbyllin gojën e sorrëzezës, jemi të detyruar t’i zhveshim lakuriq e pisa deri në vdekje me të gjitha të palarat në shpinë si kulturofagë shqiptar.

Klubet e Shkrimtarëve Shqiptar në IRJ të Maqedonisë nuk janë themeluar kujt si t’i teket kokë më vete, deklarojë para mysafirëve dhe dashamirëve të poezisë dezinfromata kulturore e artistike. Klube letrare në atë kohë mund të kenë pasur disa shkolla fillore dhe të mesme nën petkun e “vëllazërim-bashkimit”, por jo edhe Klube të Shkrimtarëve Shqiptar. Nuk them për Klubet e Shkrimtarëve Shqiptar në Dibër dhe Tetovë, por në Shkup, Kumanovë dhe Kërçovë i ka themeluar Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptar, me iniciativën dhe prezencën time si nënkryetar i atëhershëm i Shoqatës me shokë.

Pulagjeli kulminacionin e fotografimit para kamerave televizive e arrin, pasi i ka shëtitur disa parti politike e “organizata humanitare” me referatin e tij “famëmadh”, se: Në fillet e pluralizmit, në vitin 1991 (1992), disa artdashës, të gdhendur me idenë fisnike të zhvillimit e përparimit kulturor të kësaj shoqërie, themeluan Klubin e Shkrimtarëve Shqiptar. Merreni me mend (ndërhyrja ime), artdashësit në atë kohë kanë qenë të “gdhendur”, prapë shtojë unë autori i këtij shkrimi: cungje, ose pyka shelgu.

Në krye të klubit u vu shkrimtari, për të renditur më pas një varg veprash dhe suksesesh. U themelua revista e parë e pavarur shqiptare në Maqedoni për art, shkencë dhe kulturë, dhe prej atëherë e deri më sot janë botuar dhjetëra e qindra libra mjaft me vlerë nga anëtarët e klubit. Burri i botës harron, ose nuk e di se në cilat kushte është botuar ajo revistë letrare dhe si është shpërndarë deri te lexuesi, jo vetëm nëpër qytetet e trojeve shqiptare, po edhe në Sërmnovë të Gostivarit falas para syve të Policisë letrare.

Budallaki e çuditshme shqiptare: “ardashës të gdhendur”, pse ato të pagdhendurit sipas Pulagjelit ishin cungje, apo pyka shelgu?! Klubi i cili ka botuar me “dhjetra e qindra libra mjaft me vlerë”. Qesharake: nëse janë botuar dhjetra, ose qindra libra, por jo edhe “dhjetra e qindra libra”. Dhe, kush ishin ato “artdashës të gëdhendur me idenë fisnike të zhvillimit e përparimit kulturor të kësaj shoqërie”?!

Fatkeqësia kulminante kombëtare,  që këtë Orë letrare e hap poeti dhe studiuesi i letërsisë (???!!!...), dëshmitari  (vetë i treti) i themelimit të Klubit të Shkrimtarëve Shqiptar, pa e pyetur veten se ku janë themeluesit e vërtetë të këtij Klubi të shkrimtarëve, së paku ndonjë anëtar i familjes ngushtë të Poetit në këtë Orë letrare?! Përmëtepër, edhe disa krijuesë mjaftë aktivë, poashtu bashkëthemeluesë me emra të mirënjohur anembanë trojeve etnike në letërsinë shqiptare?! Nevojë nuk ka t’i përmendim në këtë shkrim me emra e mbiemra, i di lexuesi shqiptar. Përjashtim bënë Poeti i ndjerë rebel, shkaktari kryesor i këtij manifestimi kulturor, që kulturofagët edhe atje, nga mesi i varreve nuk i len rehat, dhe me një emërim të një çmimi letrar duan ta heqin qafe nga Historia e Letërsisë Shqiptare. Përbaltin emrin e tij pas vdekjes, edhe pas disa shkrimeve duke ua tërhequr vërejtjen se, e kanë harruar Poetin miqtë e tij më të ngusht që mezi në ato kohë të vështira i bëri shkrimtar, së paku ta pagëzojnë Klubin e Shkrimtarëve Shqiptar me emrin e tij si parashikues i Ditës së Nesërme. Rrezik, që këtë manifestim kulturor me një karakter mbarëkombtar ta shndërrojnë në një manifestim lokal katundi. Shembull konkret për duartrokitje, krijuesit dibranë, që pas ikjes së papritur të gazetarit dhe aktivistit kulturor Lutfi Turkeshit, Klubin e shktimtarëve shqiptar e pagëzuan me emrin etij, “Dr. LUTFI TURKESHI”. Vërejte publike për Klubin e Shkrimtarëve të Tetovës ( “Klubi Letrar 94)”, që ende nuk kanë guxim për të vendosur për këtë dukuri negative te pragu i derës, pagëzojë Klubin e shkrimtarëve me emrin e ndonjë personaliteti letrar të asaj ane, që përsëgjalli heshtas para syve na i përbaltë penat e dëshmuara letrare historike.

Poetët me shokë, kur i themeluan këto manifestime kulturore, nuk i shpalosën në opinion si manifestime partiake e lokale, po gjithëkombëtare kulturore shqiptare. Asaj kohe në këto manifestime kulturore merrnin pjesë poetë nga të gjitha trojet etnike shqiptare: Tirana, Prishtina, Shkupi, Tetova, Struga Dibra, Kërçova e Gostivari. Publikisht, i pyes organizatorët e këtyre manifestimeve kulturore: Qëllimi i tyre kulturor, është përçarës apo i bashkimit të shqiptarëve?! Vërtet, më vjen keq, që jam i detyruar t’ua them me plot gojën: shumë larg jeni qëllimit kultoror-artistik dhe patriotik të atyre burrave të penës që me plot mund e djersë i themeluan këto manifestime kulturore. Prandaj, ndeleni turrin “patriotik kuqezi” partizan! Përvishnju punëve kulturore e leni anash përçarjet politike për interesa personale, grupore e politike. Arsimi dhe kultura shqiptare nuk i takon vetëm një partie politike, por popullit shqiptar. Sidomos, në këtë kohë, para zgjedhjeve presidenciale e parlamentare. Kohë kjo, kur këto manifestime kulturore duhet t’u prinë për bashkim Partive Politike Shqiptare. Mjaftë më e përçatë popullin shqiptar për një vend pune, banesë shoqërore, post politik,  një torbë taxhi!

Trusakatët, me manifestime kulturore “shkel e shko”, nguten të ma mbyllin gojën e heshtin lapsin, vrik e vrik duke veshur ferexhenë  e zezë kulturore, edhe cilit: bashkëthememeluesit që i ka ndjekur me vite hap pas hapi se si rriten këto manifestime kulturore duke lëshuar shtat nëpër çerdhet e strukura shqiptare. Pulagjelas, ndani një çmim letrar sa për sy e faqe me emrin e Poetit para kamerave televizive. Gabim historik, Poetit i ka hije të barti emrin e Klubit të Shkrimtarve Shqiptar, të cilin e themeloi vetë i treti me shokë dhe i doli zot sa qe gjallë me punë dhe djersë personale. Nuk e di, dhe as kam njohuri nga mjetet e informacionit, a i keni bërë deri më sot vizitë me poetët pjesmarrës mes varreve me nga një tufë lule, së paku kur i vizitoni varrezat e dëshmorëve. Mos e them dhe teproj se, keni vendosur në atë manifestim kulturor tradicional me emrin e tij të emroni ndonjë shtëpi kulture,  shkollë fillore ose të mesme. Pse jo, të ndërtoni edhe ndonjë përmendore për Poetin e Atdhedashurisë, në vendlindje.

Jo, o të arratisur e dalldisur nëpër parti politike! Dje, në Partinë Komunsite, sot nëpër të gjitha partitë politike shqiptare. Poezia është dhunti e Natyrës dhe do talent, tru e të tjerë burra mejdani. Nuk jeni ju ato burra  të penës, por trima pas lufte me brekët mbi pantollona, siç thoshte shpesh një poete e asaj ane nëpër takimet letrare. Prandaj, mirë do të ishte t’u ktheheni deleve dhe lopëve në katund. Këngës së mirënjohur të këngëtarit popullor: “Dhentë e mia kush i do, se nuk jam i zoti më për to”. Nevojë për të cilën më së shumti ka sot për sot populli shqiptar i nëpërkëmbur nga pjella e tij në mes të Lëmës.

Inati të vjen sot, që këto Manifestime Kulturore janë mbajtur shumë më në nivel artistik në kushte edhe më të vështira dhe rrethana më të rrezikshme me emra të mirënjohur të dëshmuar krijuesish nga të gjitha trojet etnike shqiptare. Vallë, nuk keni sy e veshë, apo me qëllim doni t’i përbaltni manifestimet kulturore shqiptare që me shumë mund dhe vështirësi i kemi themeluar në atë kohë edhe para syve të Dexhallit.

Thesin e keni mbushur plot me grykë me speca djegës arapi të arratisur, të cilët nuk i njeh as nëna e vet, e ku më katundi. Njeri i gjallë nuk gjëndet t’ia lidhë grykën me një kordhë kanapi. Nuk ka vend më për të hyrë në një thes me ju edhe ato pak emra që kanë mbetur gjallë e kanë kaluar nëpër pusi, plumba, përndjekje policore e burgje. Natën e kanë bërë ditë. Pasurinë e trashëguar e kanë shkrirë për arsimin, kulturën dhe Çështjen shqiptare, kur ju turreshit me të katra pas librezave të kuqe të Partisë Komuniste, posteve politike, vendeve të punës, banesave konforme dhe parave. Çmimeve shtetërore.

Pulagjeli, sot për sot kotnasikoti i përplas fletët dhe shterëzon mbi pleh pas Shtëpisë, nuk bënë asnjë furrik në kotec e as hip në gardh ta thirrë me këngë Diellin. Vështirë e ka sot, ky popull liridashës  me këto pulagjela dalë në dritë, kur nateditë në vend të agimit pulagjelat e thirrin Natën me ferexhenë krahëve…



(Vota: 135 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora