E enjte, 25.04.2024, 09:08 PM (GMT+1)

Mendime

Bedri Çoku: “Ushtria e të shenjtëve” dhe Ismail Kadare

E merkure, 11.06.2008, 05:45 PM


Ismail Kadare
“Ushtria e të shenjtëve” dhe Ismail Kadare 

Nga Bedri ÇOKU

Nuk e vë më në dyshim njeri në Shqipëri, pse tranzicioni tek ne po zgjatet kaq shumë.Madje, edhe fëmijët e shkollës, të cilët nuk e kanë idenë më të vogël se ç’ka ndodhur në diktaturën komuniste, nga bisedat e të rriturve thonë edhe ata se, në Shqipëri po qeverisin spiunët dhe të korruptuarit. Kaq! Ata nuk e dinë ta shtjellojnë më tej temën, por ama, rrudhin buzët vetvetiu sapo përmendin spiunët. Ndërsa për intervistën e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, botuar në gazetën e përditshme “Ballkan”, në dy data 7 dhe 8 Qershor 2008, me titull “Pritet një Ushtri e Shenjtë për rimëkëmbjen shpirtërore të Shqipërisë”, çuditërisht titull, që është i denjë për kryeartikull i të gjitha gazetave “të lira”, që botohen në Shqipëri nuk jepet as në faqen e parë, kaq shumë në siklet i kishte vënë botuesit e kësaj gazete, për të cilët kam për të thënë fjalë shumë të mira, sidomos për botimin e disa temave veçanërisht të ndjeshme, por njëkohësisht edhe të bezdisshme për qeveritarët e të gjitha ngjyrave gjatë këtij tranzicioni, siç është ajo e të persekutuarëve dhe të burgosurve politikë nga regjimi komunist. Unë, Bedri Çoku, ish i burgosur politik, kam pasur kritika dhe insinuata nga bashkëvuajtësit e mi pse them fjalë të mira për shkrimtarin Ismail Kadare, kur dihet që ai ka qenë “një shkrimtar oborri” në diktaturë. Zotëri, unë jam nga ata njerëz, që e dua Shqipërinë dhe shqiptarët me të mirat dhe të këqijat e tyre. I dua të gjithë ata që, siç thotë filozofi amerikan: “Nuk është i mirë sepse ka qenë i mirë dhe është bërë i keq, por është i mirë sepse ka qenë i keq dhe është bërë i mirë”. Për mua, shkrimtari ynë i madh dhe i nderuar në të gjithë botën (këto dy meritat s’kemi pse t’ia mohojmë, edhe nëse e kemi inat), me përmbysjen e diktaturës është i vetmi, nga e gjithë elita e nomenklaturës komuniste, që i thotë gjërat siç kanë qenë dhe siç fatkeqësisht, ato janë. Ndaj e nderoj dhe e përgëzoj për këtë gjë. As Lubonja, as Ngjela, as ndonjë tjetër që ka vuajtur nëpër burgje dhe internime, të cilët, po si ai janë zogj klloçkash nga furriku i “Bllokut” komunist nuk e trajtojnë temën e diktaturës, të kriminelëve dhe të viktimave të saj siç e trajton shkrimtari Ismail Kadare. Kujtoni parathënien e poetëve të pushkatuar, Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës, apo thirrjet e tij të herëpashershme për dënimin e krimeve të komunizmit, duke filluar sefte me demaskimin dhe dënimin e njerëzve që drejtuan dhe menaxhuan të gjitha krimet monstruoze nëpërmjet sigurimit famëzi të shtetit. Ndërsa për artikullin në fjalë, unë po përpiqem të jap disa pasazhe të tij, duke menduar se në këtë rast bëj mirë për ata, që nuk kanë proftasur ta lexojnë, por edhe bëj mirë për çështjen e madhe që Kadare e ngre me guxim dhe shqiptarizëm në këtë intervistë të rrallë e shumë të çmuar për shqiptarët e lodhur e të sfilitur gjatë këtij tranzicioni të stërmundimshëm. Ja ç’na thotë Ismail Kadare, pikërisht kur, shqiptarët po përgatiten ethshëm të hyjnë në NATO dhe BE, si asnjë komb tjetër me kaq andralla dhe armiqësia ndër vete. Pyetjes se: “A krijon probleme hapja e dosjeve (e bodrumeve të errëta të arshivës) në Shqipëri?”, ai i përgjigjet me shumë shqetësim. “Natyrisht që krijon, thotë ai, por....Ky është një problem serioz, me shumë peshë e përgjegjësi. Ndaj, askujt nuk i lejohet që pozitën e tij “superiore”(thënë ndryshe, pa dosje) ta përdorë në mënyrë abuzive për të terrorizuar sikur të ishte prokuror “inferiorët”, (thënë ndryshe, “me dosje”). Ndërsa, pyetjes shumë të rëndësishme dhe me peshë të madhe humanitare e patriotike, se: “A mund të ketë qasje njerëzore për çështjen e errët të ish-spiunëve?”, shkrimtari i nderuar i përgjigjet si një at i dhimbshëm për bijtë dhe bijat e tij që kanë braktisur rrugën e zotit. “Natyrisht që ka, thotë me keqardhje. Por, s’duhet harruar kurrë se kjo ushtri e trishtuar e ka dramën e saj të brendshme. Sepse, është rekrutuar me mënyra më ç’njerëzore që mund të përfytyrohen. Është kapur shumica e saj në gracka nga më makabret”. Dhe, për të qenë i drejtë me veten dhe ndërgjegjen e tij, shkrimtari shton: “Qasja njerëzore është ajo kur, sa më shumë të ndjeshëm të jemi ndaj kësaj katastrofe të ndërgjegjes, aq më të pandjeshëm na lejohet të jemi ndaj atyre që e kryen këtë punë me zell, e aq më të ashpër ndaj atyre që e kryen të njëjtën punë pa i detyruar kush. Ndërsa për ata që e krijuan këtë mjerim dantesk, që përbënin kupolën e nomenklaturës së kuqe, ata s’ka pse të presin mirëkuptim. Sa më i lartë ka qenë posti (i tyre), aq më i madh bëhet faj, për të arritur deri te maja e kupolës”. I ndërgjegjshëm, si shumica e shqiptarëve patriotë edhe ai është i bindur se: “Në Shqipëri duhet të shkulet një herë e përgjithmonë ideja e gabuar se, ishin si ishin udhëheqësit, punët e pista i bënin vetëm spiunët profesionistë. E vërteta është fare ndryshe, sqaron ai. Mbi të ashtuquajturit udhëheqës, jo vetëm rëndon krimi madhor, ai i krijimit të kësaj murtaje, por edhe në një rrafsh të rrokshëm, kjo e ashtuquajtura “elitë”, i ka bërë gjithmonë punët e pista të spiunimit. Qysh më 1941, në lindjen e partisë, krerët e saj, u mësuan të denonconin njeri-tjetrin te Stalini, te Titoja, te jugosllavët, te rusët. Ndaj më pas spiunimi u bë diçka familjare për ta , gjersa u kthye në një sistem zotërues”. Dhe për të dhënë më qartë tablonë e kësaj goditje me përgjegjësi të madhe kombëtare, ai shton: “Nuk është fjala për dosje të rëndomta spiunësh, e as për denoncime të vogla lagjesh, por për makinën kryesore të përgjimit e të terrorit kundra letërsisë dhe arteve. Është fjala për zyra të Komitetit Qendror, për anëtarët e tij, për anëtarë të Byrosë Politike, për kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve e të Artistëve të Shqipërisë, për gruan e diktatorit, për vetë diktatorin në zyrën e të cilit përfundonin denoncimet”. Dhe, i qartësuar për vete se pse këto gjëra nuk po marrin dënimin e merituar në një shtet, siç thuhet, demokratik, për t’u kumtuar të tjerëve atë që e mendon vetë, ai shton me vendosmëri: “Mesa duket, pikërisht kjo kapje për brirësh e problemit, ky vizion nga lart, që nuk i lë mundësi nomenklaturës të fshihet pas spiunëve të thjeshtë, ka qenë një nga arsyet e reagimit të keq. As (të përdorë) legjendën aq shumë të përhapur se ushtruan terror ngaqë ishin të keqinformuar. As drejtuesit e institucioneve kryesore të terrorit intelektual, nuk mund të justifikohen se ishin të detyruar nga lart të bënin ato që kanë bërë. Prandaj, të dyja palët janë të përlyera gjer në grykë, të pleksura në një aleancë monstruoze, rrallëherë të ndeshur në histori...”. Pastaj ngrihet vrullshëm mbi vete dhe na thotë: “ Këtë vizion të qartë, të tablosë nuk mund ta jap, veç bota e dokumentacionit. Natyrisht, që një botë e ngritur mbi mashtrim dhe mjegull mbulese më fort se çdo gjëje i trembet dokumentacionit. Në këtë ndeshje oralitetit (thënë ndryshe mjegullës mashtruese) nuk i mbetet veç humbja. Ky është edhe shkaku i panikut. Dhe shpjegon sesi shkrimtari i madh rus, Dostojevski, në romanin e tij “Djajtë” e profetizoi makinën e ardhshme të terrorit komunist. Në përmbajtjen e të cilët bëhet fjalë për katër revolucionarë rusë që mbytën të pestin, shokun e tyre për t’u lidhur pastaj, pas kësaj ngushtësisht me njëri-tjetrin me anë të të fshehtës së këtij krimit. Ishte pikërisht “kjo lidhjeje” nga sot e tutje që do të përcaktonte “qelizat e revolucionit” të cilat do të mbytnin botën me gjak, ishte thelbi i romanit të shkrimtarit të madh rus, thotë Ismail Kadare. Dhe i dëshpëruar shton: “Kori i bashkuar kundër hapjes së arkivave të fshehta, ato që janë kusht i domosdoshëm për çdo demokraci e çdo qytetërim, tregon qartë sesa larg qytetërimit ndodhet ende sot një pjesë e shoqërisë shqiptare....E keqja më e madhe është kur kori i solidaritetit ai që, jo vetëm është shpërfillës ndaj viktimës, por haptas bëhet kundra saj, duke marrë në mbrojtje shtypësit. Merret me mend se nga ç’njerëz përbëhet ky kor. Së pari, janë bashkëpunëtorët në krim ata që, sipas profecisë së Dostojevskit, i lidh e fshehta e denoncimit. Me këta bashkohen një tufë zyrtarësh të mesëm e të lartë, të cilët dje ishin buka dhe kripa e diktaturës, e që ende sot i gjen aty-këtu në jetën e sotme politike, deputetë të majtë e të djathtë, kryetarë partish, anëtarë të qeverisë, shefa, mbi-shefa e nën-shefa pa fund. Një shoqëri me ndërgjegje të gjymtuar, thotë shkrimtari, siç është sot një pjesë e shoqërisë shqiptare, gjëja e parë që bën kur dikush i vë përpara pasqyrën për të parë vetveten, është refuzimi i pamjes. Një reagim i dytë dhe më i keq, thotë ai, është përpjekja për ta thyer pasqyrën. E mësuar gjatë këtyre 17 vjetëve me mjegullën e mashtrimit dhe me dokrrat e kafeneve kjo shoqëri e ndjen veten kaq keq e të pambrojtur përpara saktësisë së pamëshirshme të dokumenteve. Dhe, do të bënte të pamundurën për të penguar daljen e tyre apo për të kufizuar veprimin e tyre shëlbues. Do të donte shumë që në vend të tyre, në vend të së vërtetës së arkivave, të vazhdonte në Shqipëri surrogati i së vërtetës. Ky surrogat është një mjet i vjetër, i përdorur shumë herë në periudha pas-tiranike. Mbulimi i drejtpërdrejt i krimeve, zhdukja, djegia e dokumenteve, është pa dyshim mënyra më e ngutshme e kryer shpesh në rrethana paniku. Dhe, që surrogati thënë ndryshe, mashtrimi, të ngadhënjej, i duhet patjetër pushtimi i hapësirës mediatike. Vërshimi në shtyp nën pasaportën e kujtimeve, i një vale nostalgjie për kohën e përmbysur dhe për personazhet e saj, ka shqetësuar me të drejtë pjesën më të shëndosh të opinionit shqiptar. S’do të kishte asgjë të keqe nëse këto dëshmi të njerëzve të ish nomenklaturës, qofshin edhe ata të kupolës komuniste, qofshin rojet e tyre, hetuesit, madje torturuesit, do të tregonin të vërtetën. Mirëpo, me përjashtime të rralla, rrëfimet e tyre s’kanë lidhje fare me të. Tabloja rozë, që del prej tyre është fyerje e rëndë për vuajtjet e këtij populli”. Së fundi, duke qenë një intervistë e gjatë, shumëfaqëshe unë mendoj se çka më interesonte nga thëniet e Kadaresë, ndoshta jo të gjitha ato që atij do t’i kishin pëlqyer më shumë, i thashë. Gjithsesi dëshira ime është kjo që është dhe kërkoj ndjesë nëse nuk përmenda të gjitha mendimet e tij shumë të vyera, megjithatë po e mbyll këtë shkrim me fjalët përmbyllëse të intervistës së tij. “Me këtë gjendje të frikshme morale, Shqipëria nuk mund të quhet sot një vend i lirë dhe sovran. Në këto kushte liria, demokracia dhe rendi republikan i saj nuk mund të jenë veçse virtuale. Brezit të ri shqiptar që po hyn në jetë, i bie barra historike e njëmendësimit të tyre. Me fjalë të tjera: Ta rifitojë Shqipërinë! Jo çdo brezi mund t’i bjerë një shans i tillë”. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora