Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Udhë e re me vargje nisur

| E hene, 17.03.2014, 08:59 PM |


UDHË E RE ME VARGJE NISUR

Për vëllimin me poezi “ Si mund të të harroja unë ty!” i krijueses së re Sotiria Demaj

NGA PËLLUMB GORICA

Poezia si gjini kryesore e letërsise, por edhe si një dëshmitare e ndenjave, emocioneve jetësore, po lëvrohet shumë. Të vargëzosh është një pasion, të cilën nuk e kanë të gjithë dhe më e rëndësishmja akoma, të ngresh vargun në shprehi artistike është një shkallë më e lartë e talentit.

Në morinë e madhe të botimeve bashkohore, libri me poezi “ Si mund të të harroja unë ty!” i krijueses së re Sotiria Demaj, modest në paraqitje, meriton patjetër fukusim të vlerave. Në konteksin poetik, Sotiria Demaj, rrugëton mbi një shtrat të ndërtuar me lajmotive ndjeshmërie në mendim dhe domethënie vargjesh. Libri i kësaj krijuese tenton të flasë shumë, jo thjesht si një komunikim përmes vargëzimit me stilim të bukur të fjalës, por të shpërfaq vizione dhe përjetime të këndshme, kujtime, botën e brishtë femërore e sidomos e adoleshenteve të determinuar në hapësira përditshmrie.

“ Të pashë nga larg dhe pyeta veten:

Kush mund të jetë vallë?!”

Kur t’u afrova të njoha,

po ata sy si dikur...

u frikësova shumë nga shikimi yt

dhe të gjykova për shpirtin tënd...

Ai shpirt që më kishte bërë të vuaja kaq shumë!

Kisha menduar se do të ishim mikesha,

por ti u largove dhe nuk u bëre e gjallë, kurrë. ”

Poezitë e Sotiria Demaj, lexohen më tepër si portrete shpirti, të shkrira në rrëfime, dhe buqeta lulesh, ndëthurur me ngjyra, aroma moshe, zbehtësi, ndjesi. Është ekspozuar më shumë, tematika e kujtimeve,thërmijat shpirtërore të mallit, brengave, dëshirave, me ngjyrime detajesh. Impresionimi i thellë i trajtës së imazheve ndjenjësore, dominohet nga prekshmëria një telajo ku erozohen mezazhe, evidentohet shpirti human e respekti i thellë njerëzor, koha e hapësirat, përplasjet me sfida    vështira. Natyrisht dëshirat  e moshës, mozaiku i ngjarjeve të vrojtuara me syrin e hollë, të mbushura here me gëzim, por edhe dhimbje e ironi therëse, me refleksione dhe impresione të drejtëpërdrejta, vijnë së bashku me gjallërinë e potershme të moshës.

“Mos harroni moshën tonë të brishtë,

Kujdes, mos na vrisni shpirtërisht,

Ne jemi fëmijë,

na jepni pak dashuri!”

Në këtë zbulim e pasqyrim edhe të fateve të saj jetsore, me të vërtetën e heshtur, në mesin e të vërtetave, autorja  mundohet të ngrejë në art, simblolikën e jetës së saj reale. Frymëzim emocional, që është  motivuara edhe me dritëhijet njerëzore dhe analiza të vetvetes. Në vëllimin me poezi “ Si mund të të harroja unë ty!” elementët shpirtëror, detajet, gjetjet, fjalët janë të afta të trajtojnë edhe anët më të errëta të dhimbjes. Sotiria përthur autobiografinë jetsore me anë të klithmës së saj artistike dhe kërkon dritë shprese për padrejtësitë e mëkatet njerëzore, duke mos u pajtuar asnjëherë me to.

“Më falni, që intrigantit fjalët ia besova,

u them me gjithë shpirt, më falni se gabova!

Jeta është e mbushur me njerëz lloj-lloj,

e bëjnë dhe të sinqertin të gabojë.”

Ashtu, siç theksova më lart, poezitë e Sotiria Demaj dominohen nga sensibiliteti i kujtimeve që jepen, jo thjesht. Jeta ka ngjarje, të cilat shkaktojnë dhimbje, dhe që të detyrojnë  t'i analizosh. Në kompleksin e jetës edhe pse harresa bën punën e saj, kur kalon një kohë relativisht e gjatë, domosdoshmëria për ti kuptuar dhe investiguar, që ka ndodhur, natyrisht, le pasoja. Në vargje ajo i ka dhënë efekt kujtimeve të hidhura në jetë edhe pse fryma e shprehjes së këtyre kujtimeve  ka dhimbje.

“ Zëri më ikën,

lotët më ujëvaren ngadalë,

zemra fort më troket,

e thotë dy- tri fjalë.

Ledhatoj fotografinë kujdesisht

dhe me ngadalë,

afrohem dhe të puth në ballë.

Pse ike kështu

me aq nxitim,

pa t’i thurur dy varge

të shpirtit tim? ”

Gjuha e thjeshtë e shprehur nga Sotiria kundrohet në formatin e një poezie peizazhore të lehtë, të ndjeshme shpirtërore dhe depërtuese nga lexuesi.  Të thënat e Sotirias janë konkrete, detajuese, deklamuese të kompozuar brenda një nocioni. Koha, bota që e rrethon, njerëzit, thurja e shthurja e ëndrrave, simbolika e vendodhjes, njësitë natyrore, peizazhi logjik i përjetimeve, rrënjët e origjinës, kujtimet fëminore me përmallime ditësh të dallgëzuara, rrjedhin brenda kufijve të gjendjes së saj shpirtërore.

“Jashtë kufijve të atdheut u linda,

por brez pas brezi shqiptare jam.

linda në muajin e ringjalljes,

kur zogjtë shtegtarë rikthehen në fole,

Në muajin e pranverës,

në muajin e luleve

dhe të ripërtëritjes.

Nga një krahinë e bukur në jug vij,

nga Mallakstra brigje, brigje,

Vjosa fytyrën ia lan

dhe njerëzit bukurinë zili ia kanë.”

Ato kanë edhe një lloj dinamike, e cila e bën poezinë të gjallë, të kuptueshme dhe mesazhdhënëse edhe pse ndonjëherë poezia e saj bie në prozaizëm, në monotoni e përsëritje të tematikës. Ajo, që bie në sy është një ndrojtje e lehtë dhe e kuptueshme, në konteksin e shpërthimit të dhimbjes së saj, sens që duhej mënjanuar me doza të pakta në vargje për t’u faturuar sfiduese, jo deklamuese dhe me një gjuhë më të zhdërvjellët. Arsyetoj se përdorimi i retiçencës, në disa poezi të shprehej si mendim në vazhdim. Pra, është e nevojshme që  të rrisë regjistrin e fjalëve, të ketë mundësi të përdorë më shumë figurën, pa të cilin poezia humbet nocionin e saj.

Me vëllimin e parë poetik “ Si mund të të harroja unë ty!”,  Sotiria Demaj, është në kërkim të udhës së bukur dhe të vështirë të poezisë, duke  rendur drejt tempullit letrar për të krijuar profilin e saj.