E marte, 23.04.2024, 09:41 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Karter, presidenti i famshëm, pas Shtëpisë së Bardhë

E merkure, 11.06.2008, 12:52 PM


Të jesh ish-president i Shteteve të Bashkuara mund të jetë një biznes më i mirë se të jesh President. Njerëzit e përdorin shumë titullin tënd të vjetër dhe është tërheqëse të bësh pjesë në klubin më ekskluziv të botës: klubit të ish-presidentëve, të cilit Bush do t‘i bashkëngjitet 20 janarin e ardhshëm. Anëtari më i vjetër i këtij klubi, që nga dalja e tij nga Shtëpia e Bardhë në vitin 1980, është edhe i vetmi që ka rishkruar rregullat e tij. Ky ish-president është Xhimi Karter, i cili u parapri nga presidentë me shumë probleme. Franklin Rusvelt dhe Xhon F. Kenedi ndërruan jetë, ndërsa ishin në krye të detyrës, Lindon Xhonson u largua shumë shpejt, Riçard Nikson u tërhoq dhe preferoi që ta "ndëshkonte" veten me vetmi. Por, nëse ish-presidentët që pasuan kanë një karakteristikë që i bashkon, janë leksionet universitare, apo pjesëmarrja në bordet e korporatave të ndryshme, pa përmendur këtu përkushtimin ndaj çështjeve të bamirësisë dhe sigurisht pjesëmarrjes së zellshme në lojën e golfit. Ky lloj shablloni u përcaktua nga paraardhësi i Karterit, Xherald Ford, dhe është respektuar pak a shumë nga të gjithë, përveçse nga Karteri. Ndërsa ish-presidentët e tjerë e kanë kthyer në biznes pozicionin e post-presidentit. Kështu, Bill Klinton, që kur ka dalë nga Shtëpia e Bardhë ka grumbulluar nga fjalimet e leksionet plot 109 milionë dollarë. Për Karterin kjo nuk ishte një mënyrë tërheqëse e kalimit të viteve pas detyrës së rëndësishme. "Një gjë e tillë nuk më josh. Unë preferoj të jetoj me pensionin tim dhe me paratë që marr nga librat që botoj", thotë ish-presidenti. Ndërkohë, ai ka hapur një qendër me emrin ku janë punësuar 150 persona, qëllimi i së cilës është përqendrimi te çështje me rëndësi globale, si monitorimi i zgjedhjeve problematike, sëmundjet masive e së fundi, por kjo e fundit çështja e paqes në Lindjen e Mesme. Ky pozicionim post-presidencial i dha Karterit çmimin "Nobel" për paqen në vitin 2002 dhe bëri që edhe kritizerët e tij më të zellshëm ta quanin si ish-presidentin më të suksesshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që me punën e tij duket se ka frymëzuar edhe Klintonin që t‘u përkushtohet çështjeve të tilla si SIDA në Afrikë. Me gjithë moshën shumë të avancuar, është 83 vjeç, ai mbetet aktiv dhe njëherazi është një figurë shumë më tepër interesante dhe kontradiktore sot, se sa kur ishte në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë tre dhjetëvjeçarëve post-presidenciale të Karterit me punën dhe shprehjet e tij, Karter ngriti shumë pikëpyetje edhe në lidhje me vetë ekzistencën dhe rolin e politikës: "Përse ndodh që persona të cilët për kompromise të caktuara ndodhen në majat e politikës nuk janë shumë të efektshëm në pushtet, por jashtë tij ka raste që mund të shndërrohen në ikona të vërteta të një çështjeje të caktuar? Përse, për shembull, Al Gore për sa kohë që ishte zv/president i SHBA-së nuk ishte shumë aktiv dhe sapo u largua nga kjo detyrë është bërë një nga mbrojtësit më të mëdhenj të çështjes së ngrohjes globale? Në fund të fundit, përse vetë Karteri është shumë më aktiv në pozicionin e ish-it se sa në atë të Presidentit aktual? Vetë Karteri është një person shumë modest. I veshur gjithmonë sport dhe thjesht, me të shoqen, Rozalin, pranë ai ngjan si një pensionist i zakonshëm amerikan. Por, nga ana tjetër, ai është tërësisht i përfshirë në jetën politike, të paktën nga pozicioni i tij vëzhgues. Së fundi, deklaroi se dëmi i madh që i ka bërë imazhit të Shteteve të Bashkuara politika e 8 viteve të fundit e Shtëpisë së Bardhë në arenën ndërkombëtare nuk do të riparohej me ndonjë fushatë 100-ditëshe, por vetëm me një fjalim 10 minutësh, në të cilin të përfshihej fjalia: "Amerika nuk do t‘i torturojë kurrë më të burgosurit, nuk do të sulmojë kurrë një tjetër vend, përveçse në rastin kur siguria e saj do të jetë e kërcënuar seriozisht dhe do të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, duke bërë të gjitha përpjekjet për mjedisin". Vetë Karter thotë se gjatë viteve që ishte në pushtet ai ndërmori disa masa që i shkojnë për shtat filozofisë së tij aktuale: vumë në bazë të politikës sonë të jashtme çështjet e të drejtave të njeriut. Në të shkuarën qeveritë amerikane "kanë shkuar në shtrat" me çdo diktator. Normalizuam marrëdhëniet diplomatike me Kinën, sollëm paqe në Lindjen e Mesme, mes Izraelit dhe Egjiptit. Mbajtëm marrëdhënie paqësore me Bashkimin Sovjetik. E mbajtëm vendin tonë në paqe dhe nuk hodhëm kurrë një bombë, apo nuk lëshuam kurrë një raketë". Karterit i pëlqen shumë shpesh të përdorë frazën: unë kam autoritet moral, deri në momentin që nuk e kam shkatërruar atë. Kjo do të thotë se ai e konsideron veten më shumë si një lider shpirtëror, sesa si një lider politik, pra e gjen veten më shumë te Dezmon Tutu sesa te Bush. Ai është edhe një person shumë i lidhur me fenë. Është një lexues i mirë i Biblës dhe çdo të diel shkon në kishë.

Një ndër sukseset e qendrës së tij "Karter" është edhe ndërmjetësimi i paqes në konfliktin e Guinesë. E, megjithatë, suksesi i ish-presidentit është shumë më i madh jashtë Shteteve të Bashkuara se sa në Shtetet e Bashkuara. Kjo, sepse aty ku një evropian sheh një pëllumb, një amerikan (administrata) sheh një skifter. Nëse evropianët, ose më gjerë e konsiderojnë Karterin një person të paqtë, amerikanët e konsiderojnë një njeri të dobët. Për disa amerikanë, Karteri përfaqëson krizën e vetëbesimit të kombit të tyre, i cili gjatë presidencës së tij zgjati krizën e 52 diplomatëve amerikanë të zënë peng për 444 ditë në Teheran, pa bërë ndërhyrje të dhunshme. Karteri ishte shumë më i dhënë ndaj aspektit humanist, sesa atij të përdorimit të forcës. Në këtë këndvështrim, kontrasti me Presidentin Bush mund të jetë shumë më i madh. Për sa i përket qendrës "Karter" ajo tenton të jetë e dobishme në rastet kur ka vakume nga institucionet ndërkombëtare, veçanërisht të çështjeve që janë injoruar nga shumica të tilla, si sëmundjet apo uria në Afrikë, çështje të cilat një politikani nuk do t‘i sillnin asnjë votë në kutinë e votimit. "Unë nuk e konsideroj një sakrificë që të shkoj në Nepal, apo të flas me përfaqësuesit e Hamasit. Është sfiduese, e dobishme, e paparashikueshme, mbresëlënëse dhe mbi të gjitha nga arritja pozitive e një negociimi paqeje të gjithë kanë të mira". Në vitin 2007, Karteri ishte iniciatori i një polemike ndërkombëtare me titullin: "Paqe dhe jo Aparteid në Palestinë", duke vënë kështu shenjën e barazisë mes Aparteidit dhe Izraelit. Për shumë palestinezë dhe paqedashës ky ishte një lajm i mirë, pasi më në fund një person i këtyre përmasave mund të fliste kaq hapur dhe me forcë për ata fatkëqij që jetojnë nën dhunën e Izraelit. Së fundi, Karter ka shkuar edhe më përtej, në lidhje me çështjen e vuajtjeve të palestinezëve, duke thënë se: burgosja e disa personave nga Gaza është një nga krimet më të mëdha të njerëzimit të të gjitha kohërave. Edhe në këtë rast reagimi ndaj deklaratave të Karterit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte shumë i ndryshëm. Krahasimi me aparteidin u pa nga shumë politikanë si një deklaratë që shkonte shumë më përtej asaj çka një amerikan duhet t‘i lejojë vetes kur flet për Izraelin. Në fakt, Karter sqaron se ai nuk i referohet Izraelit, në të cilin jetojnë palestinezë, por vetëm territoreve të pushtuara palestineze. Në muajin prill, Karter konkretizoi disa veprime. Ai u nis në një udhëtim diplomatik të nivelit të lartë në Lindjen e Mesme, gjatë të cilit takoi Presidentin e Sirisë dhe mbi të gjitha, ajo çka bëri shumë zhurmë ishte takimi i tij me liderin e Hamasit. Një organizatë, e cila konsiderohet terroriste nga amerikanët. Në Shtetet e Bashkuara, një ndërmarrje e tillë u dënua ashpër, madje edhe nga vetë demokratët dhe kur Karter shkoi në Izrael për të përcjellë mesazhet e eksponentëve të rëndësishëm politikë që kishte takuar, asnjë politikan i rëndësishëm nuk doli që ta takonte.

Takimet me liderin e Sirisë dhe Hamasit ishin të gjata dhe në to Karter pa shpresë se paqja, kur ka vullnet pozitiv mund të arrihet edhe në një rajon të trazuar si Lindja e Mesme. Ai i vlerësoi shumë liderët e Hamasit, të shkolluar e të diplomuar, e mbi të gjitha i konsideroi si njerëz me mendje të hapur e jo ashtu siç përshkruhen rëndom nga politikanët apo shtypi perëndimor. Pas takimeve me ta, Karter jo vetëm që deklaroi se ishte e drejta e tyre që të qeverisnin vendin, duke qenë se u ishte dhënë vota në zgjedhjet parlamentare, por ai madje i lavdëroi ata, duke e konsideruar fitoren e tyre zgjedhore si "të lavdishme", e madje duke sugjeruar se formimi i tyre mjekësor i bënte domosdoshmërisht paqësorë. Karteri lavdëroi edhe inteligjencën e Presidentit sirian, Assad, inteligjencë të cilës ai i shtonte kompetencë dhe forcë. Karter është i ndërgjegjshëm për reagimet që sollën deklaratat e tij, madje edhe për hamendësimet se ai është shndërruar në një përkrahës të sirianëve e palestinezëve. Megjithatë, për pjesën e mbetur të jetës dhe veprimtarisë së tij ai është betuar që të vazhdojë të mbrojë çështjet delikate të paqes e të luftës dhe këtë ta bëjë pa asnjë lloj kompromisi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora