Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Skënderbeu “pjesë” e pavetëdijshme e Reformës Territoriale!

| E premte, 14.03.2014, 09:05 PM |


Skënderbeu “pjesë” e pavetëdijshme e Reformës Territoriale!

Nga Elvi Sidheri

Kujtdo që ka patur fatin t’u hedhi një apo edhe dy copë sy dje edicioneve informative të televizoneve tona, padyshim që përveç lajmeve që kishin të bënin me parapërgatitjen e ballakumeve dhe atmosferës festive për Ditën e Verës...apo edhe një vrasjeje tipike për të ashtuquajturat “motive të dobëta” në Bushat, ku njëri fqinj kishte palosur tjetrin, për shkak se ky i fundit i pati krasitur pemët dhe hedhur degët në oborr...do ketë vënë re edhe një njoftim shkarazi lidhur me një takim ku qe diskutuar për ndarjen e re territoriale.

Nuk ka ndërmend ky shkrim që të flasë apo të thellohet në labirintet e detajeve të reformës së debatuar territoriale, që për arsye ende të mistershme, është shëndruar kohët e fundit në kryelajm mediatik...

Të thotë njeriu se vërtetë pas ndarjes së re territoriale vallë tritoli do të shpërthejë më pak gjë?

Apo që marjuana njëherë që Lazarati dhe zonat e tjera të nxehta të kultivimit të kësaj lënde haluçinante, të jenë përfshirë në një ndarje të ndryshme territoriale (në atë të “Kaonëve” më duket sipas propozimit që është bërë së fundi i ditur për opinionin e gjerë)...do të reshti së qëni e shpërndarë ilegalisht nëpër Shqipëri, Greqi dhe Itali?

Ose që njerëzia nuk do i qëllojnë tani e tutje (pas reformës “hyjnore” gjithë-problem-zgjidhëse territoriale) papushim njëri-tjetrit me çdo armë të mundshme, të ftohtë, të vakët apo të nxehtë (pra zjarri)...që ndonjë prind i marrosur mendjehumbur shqiptar nuk do theri më fëmijët e tij me thikë kuzhine, që dyqanet nuk do vidhen ditën për diell e që autobuzave të linjës nuk do u gjuhet me plumba apo gurë?!

Gjithësesi, puna është që këtë të bekuarën reformë territoriale në fund t’a bëjmë, se kjo na paska rëndësi më tepër sesa gjithçka tjetër në vendin tonë.

Sidoqoftë faktin që në Shqipëri ka shumë rrethe e komuna që nuk shërbejnë për asgjë, që parazitojnë në përjetësi dhe që i rëndojnë buxhetit të varfër të shtetit shqiptar pa i ofruar asnjë shërbim sado të vogël qytetarëve, s’e vë askush dot në dyshim!

Edhe që efiçenca e ndarjes aktuale territoriale nuk gjendet askund, është diçka e qartë.

Pra hapat e mëtejshëm përmirësues në këtë drejtim, s’do mend se do të qenë të mirëpritur po ashtu.

Gjithashtu dihet edhe nga ata që thonë të kundërtën, se asnjë reformë e një rëndësie të tillë, nuk mund të merret dot përsipër e aq më tepër të zbatohet vetëm me vullnetin e njëanshëm dhe votat e njërës palë, sado vota dhe mandate parlamentare të ketë ajo, për vetë faktin se Shqipëria banohet me të drejta të plota (demokracia i ka këto...ça t’i bësh?!) edhe nga ai 40 përqindëshi i votuesve që e ka dhënë votën për palën tjetër si dhe nga mjaft të tjerë që s’kanë dashur të votojnë fare.

Tani ndërkohë, sa për propozimet që janë dëgjuar, mua ajo që më bëri më tepër përshtypje, ishte emërtimi i disa prej rajoneve të reja që janë menduar sipas kësaj reforme territoriale...

Pra rajoni i “Kaonëve”...i ”Arbërit”...”Muzakajve”!

Bravo, vërtetë ju lumtë djema!

Këto po që janë ide brilante, të hatashme, që të lenë njëkohësisht sa pa mend, aq edhe t’a bllokojnë frymën në vend!

Po mirë ndërkaq sipas të njëjtit arsyetim, përse rajoni i madh i Shkodrës nuk u mor parasysh që të quhej si i Karamahmut Pashë Bushatlliut, i Marin Barletit ose edhe i Mbretit Gent që në Ilirinë e lashtë atje e pati pasur qendrën e tij derisa erdhën romakët pushtues për t’a nënshtruar?

Rajonin Korçë-Elbasan ndërkohë, në vend që t’a lemë me një emërtim kaq pa fantazi, të cekët e pa imagjinatë, mund t’a quajmë si rajonin e “Ballakumeve, Tavës së kosit dhe të Kërnackave e Serenatave” ose të “Myzyrëve dhe grupit Lira”.

Kurse Tiranën që mbetet në vete si kryeqytet i vendit, le t’a quajmë rajonin e “Topia-Toptanëve dhe Tavës së Dheut”!

Na lind për çdo rast problemi me shumë ish familje të mëdha princërore të njohura që sipas kësaj propozim-ndarjeje territoriale na mbeten thatë pa u përkujtuar në këtë mënyrë emri dhe kontributi i tyre i nderuar në historinë shqiptare-arbërore-ilire.

Fundja ky rajoni imagjinar i Arbërit përse të mos ishte direkt i “Kastriotëve” duke u nisur nga gjeneza dibrane e familjes së Heroit tonë kombëtar dhe nga rezidenca e tij në Krujë?

Po me Arianitët andej nga Vlora si do ja bënim sipas kësaj ideje ndërkohë?

Po me familjen feudale të Gropajve që dalin deri në Ohër që është edhe jashtë kufijve tanë fare?

Po me Balshajt dhe Crnojeviçët që kalojnë Malin e Zi dhe përfundojnë në Bosnje?

Po me Bue-Shpatajt që venë deri në Artë të Greqisë, se mos na plas sërish ndonjë palo skandal diplomatik edhe me fqinjët tanë jugorë tashmë?

Se me këto familjet e mëdha fisnike të mesjetës, gjërat venë e koklaviten pafund për faktin se kanë qenë edhe ca si shumë!

Dhe pastaj problemi na ngre krye sërish kur vjen fjala tek fillimshekulli i kaluar me familjet e tjera të mëdha të fundit të sundimit osman dhe fillesës së jetës së shtetit të pavarur shqiptar...pse ato nuk do i nderojmë njëçikë me emërtimin e ndonjë rajoni ne?

Familje të tjera me peshë siç e dimë u krijuan edhe pas 1945-ës dhe aty rivaliteti vjen deri në ditët tona...

Gjithësesi për t’i rënë shkurt mund t’a kishim emërtuar Matin si rajonin (ose nën-rajonin) e Naltmadhnisë së tij Zog dhe Mallakastrën si rajonin e Mehmet Shehut...pse jo?!

Kështu është puna pra!

Kur populli ka dashur të kujtojë ndonjë personazh të rëndësishëm ose familje historike shqiptare, e ka mbajtur vetë mend dhe trashëguar emrin e tyre nëpër breza.

Rrafshi i Dukagjinit ndërshqiptar, krahina e Kastriotit të Dibrës dhe fusha pjellore e Myzeqesë shërbejnë si shembull për t’a ilustruar më së miri këtë fakt të pamohueshëm.

Shteti ynë ka nderuar me të drejtë Bajram Currin si personazh të pavdekshëm duke e emërtuar një qytet me emrin e tij dhe populli e ka respektuar këtë veprim.

Njëlloj siç nuk ngjiti kurrë dhe ra në harresë emërtimi i detyruar si “Qyteti Stalin” (Stalingradi ynë qesharak) i qytetit naftëtar të Kuçovës.

Por ajo që më bëri të merrem me këtë shkrim, sidoqoftë nuk ishte asnjë nga këto që shkrova më lart, por vendzhvillimi i një takimi që kishte të bënte me reformën territoriale, pra mu brenda mauzoleut të Gjergj Kastriotit në Lezhë.

Po mirë o njerëz, po herën tjetër ku do e diskutoni reformën territoriale me autoritetet vendore dhe shoqërinë civile, tek varrezat e dëshmorëve, tek vendndodhja e ndonjë “tume” funerale ilire, në Butrint, brenda kështjellës së Krujës, tek amfiteatri i Durrësit apo tek Mozaiku i Tiranës?

Nuk kishte asnjë sallë konferencash të denjë për një takim të tillë gjithë Lezha apo Shëngjini turistik (që është pëllëmbë e hotele) kështu?

Prandaj patët mbetur me gisht në gojë dhe meqë s’u gjet asnjë ambient tjetër, vajtët për të bujtur tek varri i Skënderbeut?

Ah po, do ketë qenë ideja shumë e hollë që këtë reformën territoriale të 2014-ës, ndokush t’a krahasojë për nga rëndësia dhe vlera, me Kuvendin e Lezhës të 1444-ës!

Si jo...atëherë princërit arbërorë u mblodhën me shpata e kordha në duar dhe njëzëri u bashkuan e zgjodhën Gjergj Kastriotin si drejtues të rezistëncës ndaj pushtuesve aziatikë osmanë...kurse sot politikanë të ndryshëm, kryetarucushë komunash të panjohura, përfaqësonjës zëmëdhenj të shoqërisë sonë civile, mblidhen së toku për të kuvenduar (“Kuvendi” pra mbetet aktual) dhe reformuar ndarjen territoriaie të Shqipërisë post-arbërore.

Kuvendit dhe Lidhjes së Lezhës të 1444-ës duhet t’i skuqet faqja si spec djegës, kur e sheh veten të krahasuar qoftë edhe së largu, me këto takimet famëmëdha të reformës territoriale të 2014-ës!

Në qoftë se ata princat e 1444-ës me Gjergjin në krye, atë plakun e Arianitasve në krah dhe Donikën aty rrotull, diskutonin për gjëra “normale” si për shembull përballjen vetëmohuese heroike me qindra-mijëra turq të egër të armatosur gjer në dhëmbë që ia patën mësyrë Arbërisë me synimin e deklaruar për të arritur pa një, pa dy deri në Romë poshtë pallatit të vetë Papës...nuk do nënvlerësuar fakti që sot tek mauzoleu i Skënderbeut flitet për gjëra me peshë “kardinale” si do rrethe, komuna e rajone...

Nënkuptimi i këtyre takimeve sidoqoftë mund të ketë shpjegime të shumta.

Ndoshta dikush nëpërmjet kuvendimit për reformën territoriale brenda vendndodhjes së varrit (të zbrazur ndër të tjera, se kockat ia kanë marrë prej kohësh turqit) të Skënderbeut në Lezhë, dëshiron që të tregojë, se kur opozita refuzon të bëhet pjesë e këtij projekti, atëherë pushteti mund të hyjë direkt në tratativa me Heroin tonë kombëtar...

Ose kjo gjë mund të dojë të thotë se Reforma Territoriale, do apo jo opozita, e ka edhe bekimin e heshtur të Skënderbeut, “lejen” e të cilit, mazhoranca vajti t’a kërkojë me durim dhe ngulm e respekt, deri tek  mauzoleu i tij në Lezhë!

Por kjo synon ndoshta po ashtu të jetë një shenjë e mëtejshme e angazhimit qeveritar, për t’a diskutuar reformën territoriale, me të gjithë aktorët, qofshin ata të gjallë ose të vdekur prej 5 shekujsh e ca.

Pritet patjetër që takimi i rradhës për reformën territoriale të kryhet në Vlorë tek shtëpia ku kremtohet çdo vit shpallja e pavarësisë në 1912-ën.

Aty autoritetet e sotme, do të sigurohen që të marrin edhe “aprovimin” e Ismail Qemal Vlorës, të Luigj Gurakuqit dhe të Isa Boletinit lidhur me ndarjen e re territoriale!

Më pas do diskutohet për reformën territoriale tek shtëpia e Kongresit të Lushnjes (aty ku është marrë në fakt një vendim i njohur, si shpallja e Tiranës kryeqytet në 1920-ën)...dhe kam dyshime që do bëhet një xhiro edhe nga Përmeti për të folur për këtë temë edhe në qytetin ku u mbajt Kongresi para-diktatorial i Përmetit.

Në fund të këtij thellimi në një çështje kaq të ndjeshme, sido që të jetë, na takon të pranojmë pa ngurim, se tashmë reforma territoriale në tentativë, megjithë mungesën opozitare në tavolinat ku diskutohen detajet që kanë të bëjnë me të, është “konsultuar” së pari më Skënderbeun dhe pjesëmarrësit e tjerë të Lidhjes së Lezhës.

Priten gjithësesi zhvillime të reja dhe marrja e mendimit të figurave të tjera të së shkuarës sonë lidhur me të.

Në rradhë për t’u “konsultuar” mendohet të jenë edhe Mbreti Bardhyl, mbretëresha Teuta, mbreti Gent, kryengritësi Bato, Pirro i Epirit bashkë me tjegullën në kokë, Mic Sokoli dhe Selam Musai me gjoksin para topave armiq, Princesha Argjiro, Papa Albani...