E enjte, 21.11.2019, 10:28 PM (GMT)

Editorial » Çeliku

Kalosh Çeliku: Lufta vazhdon me penë

E enjte, 13.03.2014, 08:05 PM


LUFTA VAZHDON ME PENË

NGA KALOSH ÇELIKU

Krijuesi rebel shqiptar, nuk ka pasur fat në kohën e sistemit komunist të marri lirshëm frymë, shalojë lapsin tymemjegull mes faqeve në libër. Majemalit, në Çelëvjollcë ta përqafojë Diellin. Fatkeqësisht, nuk e ka as sot atë Liri hyjnore në mesin e librave. Individë të paktë kanë qenë ato, që i kanë përgëzuar këto “shpërblime” të Oborrit. Patjetër, është dashur të jesh i sojit të tyre, ose t’u biesh duarve shuplakë para këmbëve të politikanëve të shitur me pak pare. Nateditë t’u thurrësh himne prijësve të partisë “shpëtimtare” në pushtet. Ose, këndosh këngë patriotike me çifteli në stilin e Hashim Shalës: “Zogun e Tunës, ne ndryshe e kena pa”. Zëra të shumtë kryengritës shqiptar i kanë rrasur papritur në burg. Shumica kanë përfunduar edhe në mesin e varrezave kolektive, që nuk u dihet as nami e nishani edhe sot e kësaj dite.

Pak veta në atë kohë të egër komuniste kanë pasur fatin  të studiojnë në Prishtinë dhe t’i kënë si mësuesë të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe: Anton Çetën, Latif Berishën, Fehmi Aganin, Hasan Mekulin, Enver Gjerqekun, Shefqet Pllanën, Hilmi Aganin, Gjyltekin Shehun e Gani Lubotenin. Dhe, miqtë e penës: Frederik Rreshpjen, Pano Taçin, Mehmadali Hoxhën. Abdylazis Islamin, Hida Halimin, Ymer Shkrelin, Musa Ramadanin, Teki Dërvishin, Beqir Musliun, Mirko Gashin, Qerim Arifin, Gani Xhafollin, Fadil Bekteshin e Shaqir Sadikun.

Mësuesë të penës që edhe sot nga ecin rrugës së tyre qiellore plot pusi partizane pas ferre, kokë më kokë bëjnë dritë matanë malit. Dje, i ndiqte hap pas hapi për së gjalli “shkau”, sot i ndjek edhe mes varreve “shqiptari”. Fati ynë krijues, që fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite i ke në arenën politike sorrakët e qytetit. Luftën për pushtet. Tjetër punë është ajo se, shqiptarët kurrë nuk kanë pasur pushtet, por kanë qenë brez pas brezi argatë historik të qeverive të huaja në Ballkan. Edhe, atë: argatë të tmerrshëm që për poste politike e kanë “hëngër” të gjallë edhe vëllain.

Populli shqiptar edhe gjatë kohë do të ketë probleme me vetëveten si ngatërraçë nëpër këmbë në Shtëpinë e Babait. Shkaku, se: edhe sot e kësaj dite është duke plaçkitur artistët e gostitë rrufjanët dhe partizanët e partive politike. Publikisht, nën shkrimet e tia publicistike t’i thonë Shkrimtarit, se shkruan: “budallalliqe dhe gënjeshtra”. Gjithë këtë e bënë për “famë dhe lavdi”. Halldupët, siç i ka pagëzuar publicisti, harrojnë se Shkrimtari ka edhe famë edhe lavdi. Gjithë jetën e ka kaluar në mesin e librave në bibliotekë. Salloneve aristokrate dhe nën Rrap me Miken me dy shtamba verë mbi tavolinë, që i ka dhënë gji për luftë. Kokë më kokë me poetët që nuk ikin nga Atdheu. Kurrë, nuk e ka arratisur veten mes “bardakeve” të çajit rusit. Tri Mike i kanë dhënë gji për luftë nën Rrap. Njëra i ka pri para e Dy të tjerat e kanë mbajtur për krahu rrugës për në Baba Tomor. Arusha me dajre, o dudumë Bit - Pazari nuk fshihet në thes. E, as sëpata e Nuses me pashterkë të kuqe pas dere.  Kotnasikoti e provokoni Shkrimtarin se, edhe u ka dalë bashkëpuntor i sigurimit të shtetit – kodosh. Njëfarë Hilmije Hanmi i porositë lexuesit: “Merni dosien e ketij dhe do shifni edhe emrin tim qe ka spiunuar ky kodosh. A e dini se sa njerëz ka mare ne qafe. Dhe tani shitet patriot. Urdhno le ta jap deklaraten ne kmision dhe do e shofim si do i del puna..” Askushi, Ilmije Hanmi që mezi e flet dhe e shkruan gjuhën shqipe, e rren mendjen se Shkrimtari do të merret me theshetheme. Anonimus në familje, katund dhe jetë me të cilin Shkrimtari në jetën e vet nuk ka pi as edhe një kafe, dhe nuk ka pasur nevojë ta spiunojë këtë alamet “patrioti kuqezi”. “Bukuroshja”, kërcnohet dhe vazhdon me provokimin: E “këshillon” Shkrimtarin që të bëjë kërkesë te Komisioni Lustrues se nuk është spiun – kodosh, e pastaj do të shohim ku do t’i dalë puna. E mjera haxhuze, e “mëson” Shkrimtarin (autorin e mbi pesëdhjetë librave) si duhet të veprojë në jetë, “rehabilitojë” veten para dudumëve, a ka qenë apo nuk ka qenë spiun - kodosh. Pavetëdije se, askush nuk e di më mirë këtë “aktivitet artistik” sesa Shkrimtari. Haxhuzja, që harron se Shkrimtari: ka lindur në komunizëm, është rritur në komunizëm, është shkolluar në komunizëm (Kërçovë, Shkup dhe Prishtinë), ka punuar dhe jetuar në komunizëm dhe jo rastësiht i ka shpëtuar pa asnjë ferrë në këmbë këtij bërlloku shqiptar, në Kërçovë, Shkup e Prishtinë. Kurrë nuk ka qenë i shpërblyer me vende pune, banesa “sindikati të pëllumbave postier”, çmime shtetërore e poste politike. Koha erdhi, tashti një qyqe e skubitur Bit-Pazari me dy-tri pupla në shpinë e zorrët nëpër këmbë, që gjithë jetën vezët i la nëpër çerdhet e huaja, sot ta provokojë me kësi metodash të njohura policore ish komuniste të këtij niveli kaq të ulët njerëzor e “humanitar” nga strofullat e shoqatave “joqeveritare”. Kot e keni, o “patriotë kuqezi” me kokën në grazhd e palarenë për mejdani në livadh (siç thotë Shkrimtari nëpër shkrimet e tia publicistike)! Veç më, që nuk i thoni: edhe xhipin nën dritare para banesës në Çair të Shkupit e ke djegur vetë, ia ke vënë flakën pasmesnate për “famë dhe lavdi”.

Arsyeja dihet, për interesa të ngushta personale, familjare e politikë “madhore”. Kurrë, nuk ka ndodhur që ky bërllok shqiptar t’i plaçkisi politikanët, po gjithmonë artistët kryengritës, e ka ngulfatur e rrok për fyti fjalën e lirë. Mos e dhashtë Zoti t’i djegi makinat e tyre të shtrenjta qeveritare, para dritareve të banesave të Shtetit, zjarrin t’ua vë shtëpive të ndërtuara me parat e popullit. Prandaj, ky popull është i nemur nga turku, ende e mbytë veten në hurdhën e lumenjëve që e kanë krijuar shirat gjatë Dimrit Madh. Kurrësesi të dalë mbi sipërfaqe të ujit me dorën lartë për ndihmë. Dorën nuk ia ka shtri intelektualëve profetë, po rrufjanëve dhe partizanëve qorra të partive politike. Moti e kam thënë: një popull për të dalë nga gremina ku ka rënë bythekrye që nga Perandoria Osmane dhe ka vazhduar “lumturinë” me pushtuesit sllavopronar, në ballë duhet t’i ketë njerëzit e ditur, pastaj të pasurit dhe në fund popullin. E, a i ka sot populli shqiptar këto tre faktorë kryesor në ballë?! Fatkeqësisht, ende jo për në Liri.

Frika historike: Popullit shqiptar në ballë po i pri byku e jo koka. Ofenduese është për një popull, që Ditën e Re e nis me “Allahu Ekber”, e jo me Tungjatjeta Tiranë, Prishtinë e Shkup në gjuhën shqipe.  Flamurin turko-arab në minare, e jo me flamurin kuqezi në xhamitë shqiptare. Lutje drejtuar Muhamedit a. s. (Pejgamberit të fundit) e jo Skënderbeut (Profetit të shqiptarëve). Dënim të cilin ia kanë përcaktuar pushtuesit, e jo ai vetes si popull me tradita të lashta kombëtare. Tjetër punë është ajo se, ai si popull vetë e ka zgjatur robërinë mbi kokë shekuj me radhë me bërllokun e vet mbi shpinë, që i ngatërrohet edhe sot e kësaj dite nëpër këmbë si kërroca të gardheve në mes të Shkupit. Pavetëdije, brez pas brezi e zgjatë nëpër shekuj Robërinë.

Populli, që vetë nuk e pastron bërllokun nga pragu i Shtëpisë, kurrë nuk mund ta pastrojë oborrin e kojshisë matanë gardhit. Përçudi, populli shqiptar me vite përpiqet ta pastrojë lëmën e kojshive duke e lënë të veten ta mbulojnë ferrat. Askund në botë nuk ndodhë një dukuri e këtillë e Shoqatave “humanitare”. Tjetrin ta duash më shumë se veten në Ditën e sotshme. Ose, pa qenë nacionalistë, nuk mund të bëhesh internacionalist. Ligje të Zotit Madh janë këto, dhe rregulla të Natyrës. Ferra nuk bënë kumbulla. Dardha – mollë. Ose, kërroca – rrush. Përfundimisht, siç thotë populli shqiptar: Ferra bënë ferra. kumbulla bie nën kumbull, molla nën mollë e dardha nën dardhë. Kurrë, nuk ka ndodhur që ferra të bëjë kumbulla, mollë, dardha ose rrush.

Rruga e vetme kjo, nga e cila duhet të eci populli shqiptar për në Baba Tomor: Patjetër, krah për krahu me Natyrën. Krijuesja e vetme e përkryer në vepra artistike para së cilës ka rënë në të dy gjunjtë Njeriu. Pse nuk e them me Zotin?! Shkaku se, Zotin e krijuan njerëzit njësoj si partitë politike për t’u ikur përgjegjësive. Mëkateve, që përditë i ngarkojnë në shpinë. Ndonjërin e krijoi të verbët me sytë në ballë, shurdhmemec, tjetrin trusakatë. Rebelët të flasin vetmevete rrugëve. Përpjekje të dështuara për ta imituar Natyrën. Përmëkeq, në emër të Zotit fshihen dhe veprojnë “misionarë” të shitur me pare e pa pare. Krah për krahu me lidershipët e partive politike të vetëshpallur “fitues” para e pas zgjedhjeve presidenciale e parlamentare, që nateditë bëjnë luftë për pushtet në emër të popullit shqiptar, ashtu si dy deshët mbi vigun e drurit mbi lumë te Abetarja.

Koha është, kokës t’i bieni me të dyja duart me grushta si shqiptarë, pasardhës të Skënderbeut dhe Rilindasëve. Herët në mëngjes t’i lani sytë me të dyja duart, krah më krah t’i hapni dritaret, mirë ta shkundëni veten nga ëndërrat e rrejshme. Premtimet e Dexhallit. Atëherë, do të arrini te Liria. Maja e Shenjtë, në Baba Tomor. Malin e Perëndive. Tyrben e Babashehut, ku pihet vera, lindë poezia. Dhe, bëhet dashuri.

Lufta vazhdon me penë…



(Vota: 71 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT