E merkure, 24.04.2024, 01:38 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

CD-të, thirrje për Xhihad dhe Bin Ladenin

E enjte, 13.03.2014, 06:52 PM


Në CD-të e sekuestruara, thirrje për Xhihad dhe Bin Ladenin

Video dhe CD me thirrje për Xhihadin islam. Thirrje kundër feve të tjera, kundër Perëndimit dhe propagandë për një shtet islamik. Mbi të gjithë, jehonë për pjesëmarrje në luftën e Sirisë. Të gjitha këto të dokumentuara në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, me fytyrat e disa prej të dyshuarve dhe me zërat e tyre në rastet ku nuk shfaqen me pamje. Por nuk mungojnë edhe thirrjet në emër të martirit siç e quajnë, Osama Bin Laden, kreut të Al Kaeda, i vrarë nga forcat speciale amerikane. Burime të sigurta nga grupi hetimor thanë se 13 pjesëtarët e dyshuar të grupit terrorist, 8 prej të cilëve të arrestuar dhe 5 të arratisur drejt Sirisë dhe Turqisë, mbanin lidhje të ngushta me celula të Al Kaedës, për të cilat rekrutonin edhe luftëtarë. Bëhet fjalë për grupimet rebele të armatosura që janë kundër grupimeve rebele të moderuara siriane, opozitës dhe kundër Bashar Al Assad njëkohësisht. Janë gjetur kontrata bankare me shuma të ndryshme, deri në 1 mijë euro xhiruar për të dyshuarit, në emra të ndryshëm. Por dërguesit dyshohet se janë financuesit e vërtetë të këtij rekrutimi masiv dhe nxitje e Xhihadit terrorist nga vendet Arabe, kryesisht Siria.

Videot dhe CD-të

Medi Manellari, 65 vjeçari me origjinë nga Dibra, është një prej personave të kapur në filmimet e hedhura deri në internet, ku bëhen thirrje për Xhihad islamik. Familja e tij jeton në zonën e Unazës se Re në Tiranë dhe është njeriu që ka falur tokën për ngritjen e xhamisë. Në filmime ai bën thirrje që të luftohet në Siri në emër të Xhihadit. Manellari është në kërkim ndërkombëtar për terrorizëm, me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe vendndodhja e tij mendohet Siria, pjesë e luftimeve. Imami i vetëshpallur Genc Balla, tashmë i arrestuar, i njohur mes besimtarëve me emrin Sheh Abdurrahim Balla, është një tjetër person i kapur vetëm me zë në regjistrimet e sekuestruara. Në filmime bën thirrje për nxitje të urrejtjes fetare, shtetërore dhe ndaj perëndimit, ngre lartë figurën e Osama Bin Laden, fytyra e të cilit gjendet në pamjet filmike gjatë kohës që Balla flet. Por imami është personi që dyshohet se ka shpërndarë në rrjetin “Youtube” shumë video, ku është treguar i kujdesshëm, të mos shfaqë fytyrën, por vetëm zërin.

Në disa nga këto video, Balla bën thirrje për Xhihad në Siri, “për luftë të shenjtë në emër të islamit”. Bëhet fjalë për të paktën 11 CD dhe video të ndryshme, USB apo njësi kompjuterike. Kurse imami i dytë i arrestuar, Bujar Hysa, i vetëshpallur në xhaminë e Mëzezit dhe i njohur me emrin Ebu Usama, nuk ka shpërndarë video, por është autori i librit “Asgjësimi i teorisë së përzierjes së fesë Islame me fetë e tjera”, i sekuestruar si provë dhe që nxit terrorizmin dhe urrejtjen ndërfetare. Libri u gjet në xhami ku dhe predikohej si lëndë fetare. Ditën e sotme pritet që 8 të dyshuarit e arrestuar, të dalin para Gjykatës së Krimeve të Rënda, për t’u njohur me vendimet e dhëna në mungesë, ndërsa me interes priten dëshmitë e tyre në gjykatë.

Largohen fëmijët nga xhamia

Xhamia pranë Unazës së Re, përveçse një objekt kulti në të cilin bashkohen për të ndjekur ritet e besimit të tyre qindra qytetarë të besimit mysliman, përdorej edhe si një vend, ku fëmijë të dërguar nga rrethet ndiqnin në mënyrë jo zyrtare një shkollë që kishte si mësues disa nga të arrestuarit, mes tyre edhe imamin Genci Balla. Në katin e fundit të xhamisë është edhe vendi i fjetjes së fëmijëve. Në këto ambiente kanë mbetur vetëm katër fëmijë, ndërkohë që mësohet se 16 të tjerë janë marrë nga prindërit e tyre, menjëherë sapo Prokuroria bëri publike arrestimet. Besimtarët që falen aty këmbëngulin se “nuk kemi dëgjuar asnjë predikim që nxit luftën dhe urrejtjen, vetëm ato që thuhen në Kuran”. Edhe Asllani, babai i imamit Bujar Hysa shprehet i habitur për akuzat e ngritura rreth rekrutimeve të luftëtarëve në Siri. Hetuesit kanë si prova edhe shumë armatim dhe municion.

Pesë të arratisurit drejt Sirisë

Grupi hetimor deklaron se nga verifikimet e kryera dhe përgjimet, Gerti Pashaj, 30 vjeç nga Peqini, Shkëlzen Dumanit, 39 vjeç nga Dibra, (që ka marrë edhe dy fëmijët e mitur me vete), Shyqyri Kaca, 40 vjeç nga Dragostunja e Librazhdit, Almir Daci, 30 vjeç, imam nga Leshnica e Pogradecit dhe Medi Manallari, 65 vjeç nga Dibra, ndodhen në formacionet e luftës në Siri. Sipas SHISH, Prokurorisë dhe autoriteteve amerikane të hetimit që ndihmuan palën shqiptare, mund të ketë edhe të tjerë persona nga Shqipëria, të implikuar në celulë. Gjithashtu dyshohet edhe për grupime të tjera që mund të jenë aktive në vend dhe jashtë.

Kreu i Komitetit të Kulteve: Imamët emërohen nga KMSH, ka dhjetëra xhami të palegalizuara

Ilir Hoxholli ka pak muaj në krye të Komitetit të Kulteve, por në një deklaratë të shkurtër për median ka dhënë disa detaje sesi mund të ndërtosh një xhami. “Ato ndërtohen në formën e donatorëve, donacioneve të ndryshme, të cilat kalojnë nëpërmjet Komunitetit Mysliman, i cili shikon se ku mund të jenë nevojat për tu ndërtuar një xhami tek zona të ndryshme për besimtarët, që nuk mund të kenë xhami diku afër për të prezantuar në faljet e tyre. Pas ndërtimit, objekti i dorëzohet Komunitetit Mysliman, që më pas emëron Imamët dhe merr në mirëmbajtje xhaminë dhe fillon dhe kontrollon situatën brenda tyre dhe besimtarëve”, tha ai. Ai thotë se Imamët emërohen nga Komuniteti Mysliman, normalisht duhet të kenë arsimin përkatës, pjesë e arsimit teologjik. “Emërohen direkt nga Komuniteti Mysliman, njihen prej tyre. Dhe çdo imam që njihet nga Komuniteti Mysliman, ky i fundit merr dhe përgjegjësinë e vet institucionale ndaj asaj xhamie dhe Imamit”, deklaroi Hoxholli. Ai beson se dukuri të kësaj natyre nuk e lëkundin besimin mysliman. Ndërkohë që Komuniteti Mysliman mohoi që 3 imamët të ishin të zgjedhur, por të vetëshpallur dhe nuk i njihte si të tillë, pavarësisht se predikonin në xhamitë e ndërtuara me leje nga KMSH. Në Shqipëri ka rreth 650 xhami të njohura nga Komuniteti Mysliman. Por ka me dhjetëra të tjera kryesisht në fshatra, të cilat janë të palegalizuara. Ato jo vetëm janë ngritur si ndërtime pa leje, por as nuk kanë ndjekur procedurën e hapjes, kompetencë kjo që i njihet komunitetit. Kreu i Komitetit të Kulteve, Ilir Hoxholli, pohon se “duhet ndërhyrë për të bërë sa më shpejt të ligjshme këto objekte kulti, të cilat për shkak të ndjeshmërisë së tyre nuk mund të prishen”. Një çështje e ndjeshme në funksionimin e xhamive është ajo e financimit. Aq më tepër për xhamitë e palegalizuara, për të cilat nuk ka të dhëna se nga sigurohen të ardhurat për pagesat apo mirëmbajtjen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora