E premte, 29.03.2024, 12:39 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Kush janë dy imamët e “xhihadit luftarak”

E merkure, 12.03.2014, 07:55 PM


Zbulohet rrjeti që rekrutonte luftëtarët shqiptarë të Sirisë, kush janë dy imamët e “xhihadit luftarak”

Nga Leonard Bakillari

Dy imamë dhe pesë besimtarë myslimanë u arrestuan si pjesë e një rrjeti që ka rekrutuar 50 shqiptarë, mes të cilëve gra e fëmijë për luftën kundër Bashar al Assadit. Shpallen në kërkim 5 persona të tjerë, që mendohet se ndodhen në Siri dhe Turqi. Prokuroria i akuzon për terrorizëm

Një hetim 1-vjeçar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda u finalizua me arrestimin e shtatë personave, imametqë dyshohet se rekrutonin dhe dërgonin shtetas shqiptarë për të luftuar në Siri. Bëhet fjalë për dy imamë, të cilët vepronin jashtë juridiksionit të Komunitetit Mysliman dhe pesë persona të tjerë, që kanë patur rol aktiv në atë që prokuroria e përkufizon si veprimtari terroriste. Dy nga të arrestuarit janë imami i vetëshpallur i xhamisë së “Unazës së Re”, Genci Balla dhe imami i xhamisë së Mëzezit në Tiranë, Bujar Hysa. Këta dy persona, sipas prokurorisë dyshohet se janë organizatorët e këtij aktiviteti, që niste me rekrutimin e të rinjve, të cilët pasi iu nënshtroheshin seancave të predikimit, rekrutoheshin dhe nëpërmjet Turqisë dërgoheshin në Siri për të luftuar. Prokuroria dyshon se janë rreth 50 shtetas shqiptarë, mes të cilëve gra dhe fëmijë, të cilët janë dërguar në Siri nga grupi i personave të arrestuar. Si pjesë e këtij rrjeti janë shpallur në kërkim edhe pesë persona të tjerë, të cilët ende nuk janë prangosur nga policia, pasi mendohet se ndodhen në Turqi dhe Siri. Hetimet për këtë çështje kanë nisur rreth një vit më parë, kur Shërbimi Informativ me ndihmën e shërbimeve partnere ka referuar në Prokurori informacione lidhur me një celulë të dyshuar për veprimtari terroriste, që rekrutonte shtetas shqiptarë, të cilët më pas dërgoheshin për të luftuar në Siri. Si baza të predikimeve të Xhihadit  dhe teorive ekstremiste përdoreshin xhamia e “Unazës së Re” në Tiranë, ku imam i vetëshpallur ishte shtetasi Genci Balla dhe xhamia e Mëzezit, ku imam ishte Bujar Hysa. Asnjëri prej tyre nuk kishte autorizim nga Komuniteti Mysliman Shqiptar për predikimin e fesë. “Janë arrestuar shtatë persona, të  dyshuar si të përfshirë në rekrutimin e disa qytetarëve shqiptarë për të luftuar në Siri”, -tha në një dalje për mediat kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci. Sipas hetimit, të gjithë personat e arrestuar në kuadër të këtij operacioni kanë patur rol të përcaktuar në rrjetin e dyshuar për veprimtari terroriste. Shtetasit Genci Balla dhe Bujar Hysa, të cilët ushtrojnë aktivitet fetar të palegalizuar në zonën e Unazës së Re dhe në fshatin Mëzez, Tiranë, dyshohet se kanë kryer veprime aktive për indoktrinuar persona të ndryshëm me ideologji radikale, për t’u angazhuar më pas në luftime në përbërje të grupeve terroriste ekstremiste, që janë nën sanksione nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”, -tha zyrtarisht Prokuroria. Dy të dyshuarit janë ndihmuar gjatë aktivitetit të tyre edhe nga persona të tjerë, një pjesë e të cilëve tashmë të arrestuar, ndërsa pesë të tjerë janë shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas prokurorisë, shtetasit Edmond Balla nga Elbasani dhe Vervi Morava nga Tirana, dyshohet se kanë kryer veprime konkrete për dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri. Edmond Balla në cilësinë e organizatorit, rekrutonte personat që praktikonin fenë në xhamitë e dy imamëve, të cilët dërgoheshin më pas në Siri. Ndërsa Vervi Morava dyshohet se ka paguar biletat e udhëtimit për disa nga shqiptarët e dërguar në Siri, por prokuroria nuk ka mundur të sigurojë ende të dhëna mbi burimin e këtij financimi. Në proces verifikimi janë disa kontrata bankare në emër të personave të ndryshëm që policia ka sekuestruar në banesën e imamit të Xhamisë së Mëzezit, shtetasit Bujar Hysa, të cilit i janë gjetur edhe pajisje ushtarake. Prokuroria thotë se tre të arrestuarit e tjerë, Fadil Musulmani, Zeqir Imeri dhe Astrit Tola dyshohet se kanë kryer veprime aktive për të ndihmuar organizatorët në rekrutimin dhe më pas dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri. Këtë persona konsiderohen respektivisht si organizatorë/pjesëmarrës dhe ndihmës, ndërsa dyshohet se shoqëronin shqiptarët e rekrutuar drejt Turqisë, aty ku rrjeti kishte disa pika kontakti. Vetëm pak kohë më parë, autoritetet turke arrestuan rreth 25 persona të dyshuar si të përfshirë në veprimtari terroriste kryesisht me rekrutimin e shtetasve shqiptarë që dërgoheshin për të luftuar në Siri.

Kush janë dy imamët e “xhihadit luftarak”

Genci Balla dhe Bujar Hysa, të dyshuar si organizatorë për rekrutimin dhe dërgimin e shqiptarëve në Siri janë mbajtur në vëzhgim për një kohë të gjatë nga autoritetet, të cilat kanë ndërtuar edhe profilin e dy imamëve. Genci Balla, i njohur me emrin Abdurrahim, pëshkruhet si përkrahës i rrymës radikale myslimane. Ai mendohet se ka rënë në kontakt me dijetarë të linjës së ashpër “tekfiriste” gjatë studimeve në Universitetin e Medinës, në Arabinë Saudite, rrymë të cilën e predikon edhe në Shqipëri. Sipas prokurorisë, imami i xhamisë tek Unaza e Re është një ndër personat që ka predikuar “xhihad luftarak” për në Siri. Ai akuzohet për nxitje urrejtjeje, jo vetëm ndaj besimeve të tjera, por edhe brenda Komunitetit Mysliman, si dhe është një nga frymëzuesit dhe organizatorët kryesorë në rekrutimin, organizimin dhe dërgimin e besimtarëve myslimane drejt Sirisë. Ky person, së bashku me elementë të tjerë, që prokuroria i përshkruan si pjesë të sektit “Selafi” është evidentuar në mënyrë të vazhdueshme nga prokuroria si përgjegjës kryesor për dërgimin e shqiptarëve në Siri, ku përfshihen gra edhe fëmijë. “Shumë prej tyre janë trajnuar për luftë dhe indoktrinuar me ideologji radikale, për t’u angazhuar më pas në luftime në përbërje të grupeve xhihadiste,  që janë nën sanksione nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”, thotë prokuroria. Sipas akuzës, thirrjet e imamit për xhihad të armatosur në Siri janë mbështetur nga disa elementë të rinj shqiptarë, të cilët kanë udhëtuar drejt Sirisë e ku u janë bashkuar grupeve në konflikt. Genci Balla ushtron prej 6 vitesh rolin e imamit, në xhaminë që nuk është nën juridiksionin e Komunitetit Mysliman. Ai ka hapur një shkollë fetare në ambientet e xhamisë së Unazës së Re, ku fëmijëve u jepen mësime fetare dhe të gjuhës arabe. Në këtë linjë konsiderohet edhe botimi prej tij i librit “Asgjësimi i teorisë së përzierjes së fesë islame me fetë e tjera” , i shpërndarë në Shqipëri dhe jashtë saj. Të njëjtin përshkrim, prokuroria bën edhe për shtetasin Bujar Hysa, i vetëshpallur si imam i xhamisë së Mëzezit, aktivitetin e të cilit e konsideron si radikal – ekstremist islamik, duke krijuar një rreth të ngushtë besimtarësh. Bujar Hysa është ndjekës i ideologjisë fetare të Genci Ballës, ndërkohë që predikon mosnjohjen e ligjeve të shtetit. Ai dyshohet se ka aktivitet në drejtim të përhapjes dhe nxitjes së urrejtjes ndërfetare, ndërsa sipas akuzës ka patur rol aktiv si rekrutues i një numri të madh shtetasish shqiptarë, të cilët u janë bashkuar formacioneve luftarake në Siri. Hysa është mësues i lëndëve fetare për fëmijët.

TË ARRESTUAR

Genci Balla, 35 vjeç, lindur në Librazhd, i vetëshpallur Imam i Xhamisë tek Unaza e Re (organizator)

Bujar Hysa, 43 vjeç, i vetëshpallur Imam i Xhamisë së Mëzezit (organizator)

Edmond Balla, 25 vjeç, lindur e banues në  Elbasan (organizator)

Zeqir Imeri, 34 vjeç, lindur në Dibër e banues në Yrshek, Tiranë (organizator, pjesëmarrës)

Verdi Morava, 48 vjeç, lindur e banues në Tiranë (financues)

Fadil Muslimani (Dervishi), 53 vjeç, lindur e banues në Elbasan (ndihmës)

Astrit Tola, 42 vjeç, lindur në Dibër e banues në Mëzes – Tiranë  (ndihmës)

Orion Reçi, 37 vjeç, lindur nw Peshkopi  (Ndihmws)

Masë arresti në mungesë:

Gerti Pashja, 30 vjeç, lindur dhe banues në Peqin (organizator)

Shkëlzen Dumani, 39 vjeç, banues në Laprakë (organizator, financues)

Shyqyri Kaca, lindur në Dragostunjë, Librazhd e banues në Mëzes (organizator)

Almir Daci, nga Leshnica, Pogradec. Ky shtetas ka qenë i vetëshpallur Imam i Xhamisë Leshnicë, Komuna Çerrave (organizator, financues, pjesëmarrës)

Medi Manallari, banues në Unaza e Re, Tiranë (financues, pjesëmarrës)

Sekuestrime:

Dy aparate telefoni celular

Disa karta memorie telefoni celular dhe aparat fotografik

Kartë identiteti në gjuhën arabe si dhe një sërë kontrata depozitash bankare në emër të shtetasit Bujar Hysa dhe në emër të disa shtetasve të tjerë

Disa libra fetarë, mes të cilëve “Asgjësimi i teorisë së  përzierjes së fesë Islame me fetë e tjera”.

Tri njësi kompjuteri

Çantë ushtarake kamuflazhi

Dy telefona celularë

15 fishekë të kalibrave të ndryshëm

8 telefona celularë

2 karta telefoni

Një granatë ofensive e pamontuar.

Një armë automatike e tipit “Kallashnikov”

Katër krehra automatiku.

320 fishekë të kalibrit 7.62

Një thikë me dorezë kauçuku të zezë

Dy radio dhënëse-marrëse.

Një xhup kamuflazhi

Një çantë sportive ku mbaheshin fishekët

Një armë gjahu çifte

12 fishekë

11CD

broshura fetare, fletore me shënime në gjuhën arabe

Një sasi kartash SIM dhe disa numra celularë

Një uniformë ushtarake

Akuzat

“Rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste”;

“Nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, “Nxitjes së urrejtjes ose e grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora