E marte, 23.04.2024, 07:31 AM (GMT+1)

Mendime

Mexhid Yvejsi: Shqiptarët në trojet etnike dhe integrimet Euro-Atlantike

E merkure, 11.06.2008, 06:09 PM


Mexhid Yvejsi
Shqiptarët në trojet etnike dhe integrimet Euro-Atlantike

Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë

Në jetën publike shqiptare nuk ka fjalë që përdoret më shpesh se fjala Integrim. Në jetën publike shqiptare nuk ka fjalë që shpërdoret më shumë se fjala Integrim. Ky përdorim, ky shpërdorim që po bëhet me fjalën Integrim bëhet në çdo vend, thuhet nga çdo kush, me çdo kënd, me vend e pa vend…
Nga çdo kush, me çdo kënd, me vend e pa vend, flitet e shkruhet, në të gjitha trojet entike për Integrimet Euro-Atlantike. Flitet e shkruhet në të gjitha trojet etnike për integrimet Euro-Atlantike, por pa e kuptuar thelbin, esencën, për çka janë duke kuvenduar, për çka janë duke shkruar…
Terma të tilla si integrimi, procesi i integrimit, vlerat integruese, kushtet e integrimit, janë shndërruar në kryefjalë, që dëgjohen edhe nëpër mëhallë…
Përse ndodh një gjë e tillë? Mbi të gjitha, Bashkimi Europian, Integrimet Euro-Atlantike, për shqiptarët në trojet etnike, janë shndërruar në idhull, në “tokë e premtuar”, një vend i ëndërruar, për çështje, kryesisht, ekonomike-politike…
Por, sa për fillim, çdo të thotë fjala apo termi Integrim?
Fjalori i Shqipës së Sotme, botuar në Tiranë, 2002, hartuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, në faqën 509, fjalën Integrim, e shpjegon kështu:
“Lidhje e ngushtë me të tërën, bashkim a shkrirje në njësi të vetme…”
Ky ishte shpjegimi. Por, si duhet kuptuar integrimi?
Këtë e ka shpjeguar bukur Aleksandër Bayer-i, shef i Zyrës Austriake në Prishtinë, i cili ka deklaruar, në Ditën e Evropës, me 9 maj 2006 se: “Integrimi duhet kuptuar si rezultat i mençurisë së njerëzve, jo kokëfortësisë.”
Dëshirat e shumicës së shqiptarëve në trojet etnike për integrimet Euro-Atlanike a duhet kuptuar si rezultat i mençurisë apo i kokëfortësisë? Kjo është pyetja. Pyetjet nuk vdesin, thoshte Neruda.
Në proceset integruese n’Europë, këtu me konceptin “Europë” përfshihet Perëndimi, Aleanca Atlantike dhe Shtetet e Bashkuara, ka parashikime që pas pesëdhjetë vjetësh të shkrihen popujt e vegjël dhe të dalin prej përdorimit gjuhët e tyre. Duket se ne, shqiptarët, siç i kemi punët, ndoshta do të jemi të parët… Zoti na ruejt!
“E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Europian”, kështu është theksuar në Samitin e Selanikut më 2003. Kjo është konfirmuar vazhdimisht nga institucionet dhe përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian.
Në një seancë plenare treditëshe në Bruksel, nëntor 2005, Komisioni i Konferencave Ipeshkvore të Shteteve të BE-së, që thonë se përfaqësojnë mbi 65% të qytetarëve të Bashkimit Evropian, krerët e klerit katolik janë shprehur se:
”Vendet si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Ballkani në tërësi duhet të lidhen me Europën Perëndimore, sepse kanë vuajtur duke qenë 450-të vjet nën sundimin otoman e pastaj në komunizëm.”
Këto kërkesa, këto dëshira të mira, të krerëve të Kishës Katolike, Evropa kurrë s’i muar parasysh… Pse?
Sepse, : “Në krizë është “Evropa Politike” jo “Evropa qytetare”. Bashkimi Evropian nuk është vetëm çështje politike, janë shprehur krerët e Kishës Katolike….”
Të alarmuar me rezultatet e referendumit në Francë dhe Holandë rreth ratifikimit të Kushtetutes së Bashkimit Evropian, liderët e BE-së janë zbrapsur në politikat, të cilat, në vend të transformimit të Ballkanit, propozojnë vetëm menaxhimin e status quo-së.
Në Takimin e Salzburg-ut, mars 2006, Bashkimi Evropian dështoi që të sigurojë njerëzit e Ballkanit Perëndimor se është pakthyeshëm e përkushtuar në integrimin e tyre…
Takimi i Salzburg-ut dërgoi një mesazh, porosi, se BE-ja as nuk është e gatshme e as e vullnetshme që të ofrojë prespektivë për antarësim. Pse? Sepse, popullata e vendeve të vogla të Ballkanit është rreth 4 për qind e popullatës së BE-së sot. Kosova ka banorë sa ka Bruksel-i. Sfida nuk është tek “kapaciteti absorbues”, por te kapaciteti moral i Bashkimit Evropian…
Cili është kapaciteti moral i Bashkimit Evropian? Cila është gjendja shpirtërore e morale e Evropës? Mbi gjendjen shpirtërore dhe morale të Evropës, ka shkruar në numrin e qershorit 2004 të revistës gjermane “ Cicero ” Kardinali Ratzinger, i cili u zgjodh Papë, me 19 prill 2005, Papa Benedikti i XVI-të, i cili, ndër të tjera, shkruan:
“Perëndimi vuan nga një vetëurrejtje e çuditshme, e cila s’mund të quhet ndryshe përpos patalogjike…Për të mbijetuar, Evropa duhet ta pranojë veten në një mënyrë të re, natyrisht kritike dhe modeste… Një botë pa Zot nuk ka ardhmëri… Evropa është e sëmurë…Nuk e dijmë se si do të zhvillohen gjërat në Evropë në të ardhmën….”
Për derisa Papa shprehet kështu për Evropën, duke thënë se edhe e di se nuk e di se si do të zhvillohen gjërat n’Europë në të ardhmën, atëherë duken qesharake çfarëdo deklarate që bëjnë shqiptarët, në të gjitha trojet entike, për integrimet Euro-Atlantike…!
Sa i përket integrimeve Euro-Atlanike, ne, shqiptarët, në trojet etnike, jetojmë në dy jetë, një jetë reale dhe një virtuale. Shpresën për një jetë më të mirë shqiptarët e mbajnë tek e ardhmja europiane. Por, shpresa është shpresë, ajo thonë se e fundit vdesë, por a është kjo shpresë reale apo virtuale?
Sipas hulumtimeve të fundit të “Eurobarometrit” të Komisionit Europian (mars-maj, 2006,) më shumë mbështetet, përkrahet, Maqedonia 49 %, Bosna e Hercegovina 48 % dhe Serbia 47 % nga evropianët se Shqipëria me 33%, kurse kundër janë 44%...
Qe dy shembuj, që dëshmojnë se çka mendojnë qytetarët europianë për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe qytetarët e Kosovës për intergrimin në Bashkimin Europian:
Agjencia e Komisionit Europian për Hulumtimin e Opinionit dëshmon
se vetëm 33% e qytetarëve europianë e përkrahin pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian…(Rexhep Mejdani, “Eurobarometri dhe barometri shqiptar”, “Panorama”, Tiranë, 11 janar 2005.) Pra, kaq e vogël është përkrahja dhe kaq e madhe është mos përkrahja e pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas një hulumtimi të opinionit në Kosovë, Mars 2006, të zhvilluar nga grupi “KOHA” si partner implementues i SOFRECO-s, në kuadër të Fushatës Informative Multimediale për ngritjen e Vetëdijes në Kosovë rreth Integrimeve Europiane, nga aspekti i kombësisë shqiptarët zënë vendin e parë pro antarësimit në BE-së me 97.O7 për qind…
Por, cilat janë mundësit e integrimit të Kosovës?
Lidhur me mundësitë e integrimit të Kosovës, i dërguari i
sekretarit të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana, diplomati suedez për Kosovë, Torbjorn Sohistrom, në një intervistë për KosovaLive, me 20 maj 2006, tha se: ”Mungesa e statusit të definuar politik e ka penguar Kosovën që t’i gëzojë të gjitha mundësitë e integrimit, mirëpo, koha e saktë se kur Kosova do të ecë drejt Bashkimit Europian do të varet shumë nga përparimi reformave.
Kosova, tani, me pavarësi të mbikqyrur, me misione ndërkombëtare, që me ne po bëjnë hajgare, e thonë ashiqare:
"UNMIK" "EULEX" do të qëndrojnë në Kosovë deri sa Kosova të hyjë n'Europë...
Asgjë nuk mund të kuptohet pa të kundërtën e saj…Pa besim, fe, nuk mund të ketë përparim n’Atdhe…Besimi, feja, ka qenë historikisht gjuha më e dobishme për njerëzit, për të folur për gjërat më të rëndësishme…
Besimi përfshin në vetvete identitetin e njerëzve, vendos rregull dhe parime vlerash morale në çdo shtëpi, për të cilat ka shumë nevojë kjo shoqëri…
Si në kaluarën, ashtu edhe sot, në kohën moderne, bashkohore, vetëm metoda shkencore kurrë nuk do të jetë e mjaftueshme, sidomos kur jemi duke u përpjekur të kuptojmë se kush jemi, të kuptojmë se si duhet të jetojmë këtu dhe atje ku po synojmë të shkojmë…
Dekart-i thoshte: ”Nuk është e mjaftueshme të kesh dije, është më e rëndësishme që atë ta shfrytëzosh si duhet”. A jemi duke e shfrytëzuar si duhet dijen? Duke qenë se është paragjykimi, mendje-ngushtësia-, kokë-fortësia, lakmia nga të cilat ne vuajmë më shpesh, më shumë.
Dëshira kaq e madhe e shqiptarëve, kaq e pakufi, për integrim, për antarësim, nga njëra anë dhe realitetet shoqërore, shpirtërore, arsimore, kulturore, ekonomike, politike ku jetojmë në trojet etnike, janë shpesh shumë kundërthënëse, janë shumë marrëmendëse…
Shqiptarët po kalojnë një një periudhë të vështirë. Ndryshku moral, gjuhësor, kulturor, shpirtëror, fetar e kombëtar po përhapet me shpejtësi ndër shqiptarë. Me çdo çmim, me çdo kusht dëshirojmë Integrimet Euro-Atlantike, duke mos menduar fare për interesa kombëtare, etnike. Me çdo çmim, me çdo kusht dëshirojmë Integrimet Euro-Atlantike, pa menduar, pa vepruar aspak, së pari, për Integrimet Shqiptare mbrenda trojeve tona etnike…
Aspiratat e djeshme demokratike, po mbyten sot nga iluzionet e Integrimeve Euro-Atlantike. Aspiratat e djeshme kombëtare, po shkelen sot nga politikanët tonë për interesa ndërkombëtare…
Në Zagreb, në Kuvendin Kroat, korrik, 2003, Kryetari i Komisionit Europian, Romano Prodi, mbajti një Fjalim, ku, ndër të tjera, tha: “Mbajini sytë tuaj fort tek interesi i vendit tuaj dhe aspiratat e tij pët t’ju bashkëngjitur familjes së madhe europiane të kombeve.”
Edhe ne, si komb, si shqiptarë, duhet t’i mbajim sytë fort tek interesi kombëtar. Por, interesi kombëtar pa udhëzim fetar, për ne, në veçanti si shqiptarë, është shkatërrimtar… Edhe nëse një ditë do të integrohemi n’Europë, s’duhet harruar se përfundimi i të gjithëve është në gropë… Në gropë, ku do të bëhemi pluhur, hi, të gjithë do të japin llogari…Secili do të japin llogari për shpirtin e tij, do të japin llogari për jetën e tij, çka bëri për Kosovë, për Çamëri, për Shqipëri…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora