E premte, 29.03.2024, 08:33 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Dy faqe të ndryshme të Shqipërisë!

E hene, 10.03.2014, 08:05 PM


Dy faqe të ndryshme të Shqipërisë!

Nga Elvi Sidheri

Brenda pak ditësh, mediat italiane folën shpesh për Shqipërinë dhe shqiptarët në mënyra kategorikisht të ndryshme, duke u nisur nga dy ngjarje që shkundën dhe tronditën për mirë, sa edhe  tejet për keq, ambientin e shoqërinë italiane.

Për publikun shqiptar dhe për këdo që nuk është pjesë e fushës së botimeve, ishte një surprizë e jashtëzakonshme, lajmi për publikimin në italisht të librit madhështor të At Zef Pllumit “Rrno për me tregue”...

Prezantimi i këtij libri, këtij rrëfimi me vlera universale tashmë siç është faktuar, jo vetëm për Shqipërinë dhe popullin e saj, por edhe me një rezonancë të gjerë jashtë kufijve administrativë të shtetit shqiptar, ishte në fakt një margaritar në kurorën shëndritëse të veprës dhe kontributit të shquar të shqiptarëve për Europën, që falë përkushtimit të At Zef Pllumit, i mbeti si dëshmi e gjallë, brezave të ardhshëm në atdheun e tij të përvuajtur si dhe kujtdo europiani që do të ketë fatin që t’i lexojë faqet e atij libri.

“Il sangue di Abele-Vivi per testimoniare”- siç titullohet kjo vepër në gjuhën italiane, është botuar në Itali me një parathënie të ndjerë dhe tepër të gjallë, nga ish kryeministri italian Silvio Berluskoni, i cili duket qartë se ka kuptuar në thelb qëllimin e librit, vuajtjet e popullit shqiptar nën eksperimentin tragjik sa edhe vdektar e monstruoz të “komunizmit”.

Berluskoni në një pikë të parathënies i bën thirrje opinionit italian, që ndoshta ky libër, kjo dëshmi më tepër unike sesa e rrallë, që tregon versionin europian të “Pol Potizimit” kamboxhian, mundësisht të hyjë edhe në programet shkollore në mënyrë që të rinjtë të njohin pasojat dhe përvojën e errët të atij sistemi të marrë, që Italisë iu afrua pa e prekur dot.

Italia siç dihet ka qenë ndër vendet perëndimore, shteti me partinë më të fortë komuniste, e cila me apo pa revolucion, do të kishte arritur që përgjatë 45 vjetëve, nga 1945-a deri në 1990-ën, t’a merrte pushtetin, po të mos kishte qenë për syçeltësinë e theksuar të amerikanëve, të cilët pasi e patën çliruar nga pushtuesit (dhe ish aleatët e Duçes) nazistë Italinë me gjakun e djemve të tyre, nuk mund t’a linin atë në dorë të komunistëve që çanin përpara me forcën e idealeve utopisto-diktatoriale të Lenin-Stalinit dhe financimet e pakufizuara të Moskës.

Por sidoqoftë fryma filo-komuniste në Itali, e fortë ka qenë dhe e pranishme mbetet sot e kësaj dite.

Kush i ka jetuar vitet e diktaturës në Shqipëri, padyshim që arrin të kujtojë krahas shumë “entuziastëve” dhe përkrahësve të tjerë nga bota dhe Europa, të Partisë tonë të Punës, edhe ndoca shokë (compagni) prej Italie, që jo rrallë edhe vinin e mbanin do fjalime përdëllyese me lavde e debilitete të ngjashme, në favor të vijës së udhëheqjes së Tiranës, duke ngritur në qiell shokun Enver dhe quajtur të realizuar misionin e komunistëve shqiptarë, për t’a transformuar Shqipërinë, në parajsë së komunizmës më të kulluar.

Qarkullojnë dëshmi dhe legjenda të ndryshme, të cilat në Itali ende nuk janë sqaruar dhe verifikuar përfundimisht, se edhe automatiku që pati pushkatuar në kohë të vet Duçen dhe shoqëruesen e tij totalisht të pafajshme, Klareta Petaçin, ndodhet në kryeqytetin tonë Tiranë, i ardhur aty si dhuratë për komunistët e Shqipërisë, nga shokët e të njëjtit ideal nga ana përballë e Adriatikut.

Pa i hyrë me detaj, figurës karizmatike të ish kryeministrit Berluskoni, një njeriu plot dritëhije, biznesmeni tejet të suksesshëm “self made” (i bërë vetë) që pati ditur të ngrejë nga asgjëja, një perandori të tërë ekonomike, me degë në ndërtim, media, botime, futboll etj (Mediaset, Mondadori, AC.Milan), politikanit që në 20 vjetët e fundit, ka dominuar sidoqoftë, çfarëdo që të mendohet për të, skenën e ngatërruar skajshmërisht të politikës italiane...pa u marrë me andrallat e veta gjyqësore, gjithësesi kujdesi dhe vëmendja e tij ndaj trashëgimisë së shkruar të At Zef Pllumit, të bën përshtypje.

Berluskoni është një personazh i veçantë, që në Itali shkakton emocione mikse, pra që ose urrehet në kulm, ose dashurohet, vijë të mesme lidhur me të, nuk para ka!

Fakti është që e djathta e vërtetë italiane, e mbetur nën hijen e kërcënimit komunist deri para 90-ës dhe e përfshirë në koalicionin e gjerë demokristian (ku bënin pjesë edhe shumë të majtë të moderuar katolikë që nuk binin dakort me ekstremizmin e pashërueshëm dhe gjenetik të komunistëve)...tek Berluskoni gjeti liderin e munguar.

Mandati i vetëm që një qeveri italiane ka mundur t’a shpjerë deri në fund me të njëjtin kryeministër, pa lëkundje të mëdha e lojëra tipike italiane kabineti, ka qenë po ashtu, ai i drejtuar nga Berluskoni në vitet 2001-2006.

Akuzat për të (të shtyra përpara nga një sistem gjyqësor italian, i akuzuar shpesh edhe me të drejtë, si tepër pranë së majtës)...janë të panumërta dhe përveç fakteve të pakundërshtueshme, rëndom bien edhe në absurde proceduriale që vetëm në Itali mund të ndodhin.

Po aq ndërkohë, megjithë teoritë e pafundta të konspiracionit lidhur me figurën e tij, akuzat e së fundi dënimet e formës së prerë, edhe admirimi popullor kundrejt tij, nuk është se ka ardhur në rënie, gjë që u provua edhe nga zgjedhjet e vitit të kaluar, kur për “habinë” e madhe të shumëkujt, koalicioni i djathtë, sërish praktikisht arriti të dilte barazim me të majtën që favorizohej në çdo sondazh.

Parathënia e Berluskonit në librin e At Zef Pllumit, mbyllet me një shprehje ku popullin shqiptar, ai e cilëson si “vëlla”, gjë kjo që vjen në vijim të fjalës së presidentit plak (ish komunist historik) të shtetit italian, zotit Napolitano, i cili popujt tanë, në fjalimin e tij përpara parlamentit tonë në Tiranë, i quajti të afërt jo vetëm për nga distanca, por edhe kulturalisht.

Dhe në të vërtetë, me shumë pak përjashtime (si 7 prilli i 1939-ës), Italia historikisht, ndër fqinjët tanë, ka qenë dhe mbetet një vend më tepër se mik, që ka pritur qindra-mijëra shqiptarë në kohët më të vështira në territorin e saj bujarisht, qysh pas vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit e deri tek eksodet masive të viteve 90.

Një vend që na është gjendur pranë dhe na ka mbështetur (qoftë edhe për arsyet e veta gjeostrategjike) pavarësinë dhe sigurinë e kufijve të brishta të shtetit të ri shqiptar dhe që asnjëherë nuk ka nguruar që të na ofrojë dorën e ndihmës në kohë të rënduara, ashtu siç ka rrezatuar me kulturën e vet botërisht të njohur e vlerësuar, në zbrazëtinë e herë pas herëshme kulturore shqiptare (të imponuar në faza të ndryshme mbi popullin tonë, nga pushtimi i stërgjatë otoman, prapambetja, injoranca dhe analfabetizmi që e pasuan, si dhe nga sistemi i mbrapshtë monist).

Pa u larguar nga thelbi i këtij shkrimi, dikujt në sferat e larta të qeverisë sonë, do bënte mirë t’i kujtoheshin këto fakte, para se të nxitonte që të “pagëzonte” me pompim të madh, të pavend, aq sa edhe të ekzagjeruar, si “partnerë strategjikë” shtete të tjera...

Si për shembull Turqia, vend me lidhje të padyshimta kulturore-historike me popullin tonë, por që ende ngërthen në vetvete, njolla të pashlyeshme, që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të tashmen e përqasjes turke kundrejt mesjetës, shtetformimit dhe identitetit shqiptar, si dhe me përçapjen aktuale neo-otomane për të zeruar çdo të vërtetë historike që osmanët dhe sundimin e tyre mbi tokat shqiptare, i ngarkon me përgjegjësitë përkatëse të pamohueshme.

Kështu prezantimi plot dinjitet i veprës së At Zef Pllumit në ambientet e Senatit italian përpara disa ditëve, ishte një rast për t’u ndjerë të nderuar si shqiptarë nga kujtimi i këtij burri të mrekullueshëm, këtij njeriu të fesë, penës dhe atdhetarisë, i cili mesazhin e tij për gjeneratat e të ardhmes, qofshin ato shqiptare apo të huaja, e shkroi me forcën e vet të pakufijshme, që i tejkaloi vargonjtë e shtypjes së diktaturës dhe që sot na e zbardh faqen përballë lexuesit italian si fillim dhe patjetër, çdo lexuesi tjetër që do të ketë shansin të zhytet në rreshtat e atij libri.

Por (për arsye të mistershme, me ne shqiptarët, përherë ka një “por”)...e diela e 9 marsit, si për rastësi një ditë pas “8 marsit”, ditës ndërkombëtare të gruas, na solli sërish nga Italia, lajmin e kobshëm, të tmerrshëm, të pakomentueshëm, të një familjeje të tërë shqiptare me banim në Itali, të shfarosur në 3/5 e saj, nga veprimi i pakualifikueshëm i një nëne të marrosur.

3 vajza të mitura shqiptare të vrara, të therura me thikë nga e ëma e tyre!

E çfarë mund të thotë njeriu më tepër për një ngjarje të tillë??

Që e keqja nuk ka fund?!

Mesa duket po...

Ndërsa në Elbasan u gjykua dhe u “dënua”...(i thënçin dënim këtij!) në mënyrë fyese e tepër të turpshme me vetëm 25 vjet burg, babai që vrau me dorën e vet të birin dhe nusen e huaj (italiane)...pa u shuar akoma mirë jehona e këtij vendimi pak të thuash gjysmak, na vjen edhe lajmi i kësaj mënxyre të padëgjuar.

Thonë se kushtet e mjera ekonomike e patën shpënë nënën në fjalë drejt këtij gjesti antinjerzor, të pakuptimtë e makabër që askush nuk mundet t’a shpjegojë apo t’i gjejë një shkak të mirëqenë apo të mirfilltë.

Ajo thuhet t’u ketë treguar policëve dhe hetuesve kur e kanë marrë në pyetje, se nuk donte kurrësesi që vajzat e saj të ngrata, të pësonin në jetë, të njëjtat vuajtje si e ëma e tyre...

...dhe prandaj, meqë i “donte kaq fort” e kujdesej për mirëqënien e tyre, i vrau, i theri, ua ndërpreu jetën e tyre të njomë që në fëmijëri!

O Zot!

Çfarë mund të thuash për një njeri të tillë?

Po përse vallë, kur e kishte kaq shumë përzemër të ardhmen e tyre, kur donte patjetër me çdo kusht që t’ua kursente vajzave të veta të mitura, vuajtjet që ajo siç duket pati hequr në kurrizin e saj, përse nuk i dorëzoi ato tek autoritetet sociale të shtetit italian të paktën?

Ose edhe më mirë, përse nuk ia la në përkujdesje kishës katolike apo një çfarëdo institucioni bamirës italian?

Sido që të jetë, ato vajza të pafajshme, po të qenë marrë në kujdestari nga shërbimet sociale përkatëse të shtetit italian apo edhe më mirë, po të merreshin në përkujdesjen e kishës dhe organeve të saj të shumta bamirëse, do të kishin “JETUAR” së paku, nuk do të qenë therur si kafshë dhe një të ardhme do t’a kishin patur...



(Vota: 20 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora