Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Për një shoqëri si jona...

| E diele, 09.03.2014, 08:19 PM |


Për një shoqëri  si jona...

Nga Entela Binjaku

Nëse përpara disa ditësh nuk do të kishte “bërë gabimin kapital”  dhe nuk do t’i kishte thënë një prokurori se “nuk e njihte”, as nuk do ta kishte mësuar se ai ndjehej si “njeriu që ishte i njohur për  gjithë Shqipërinë,  përvec katunarëve”.

Ajo patjetër duhej të dinte se ai dilte njëherë në jave në televizor, sepse ishte prokuror  dhe se ishte i rëndësishëm, e ndaj për këto mosnjohje nuk futej në “sërën e intelektualëve”.  Me pak fjalë kjo ishte ngjarja.

Jeta e gjallë dhe puna në terren,    sjell përballë situatash që flasin për  natyrat e ndryshme njerëzore, për  raportet që ata krijojnë  dhe që hera-herës krijon  vështirësi për  për  të pasur një  qëndrim të  paanshëm dhe sa më pranë reales. Kjo ishte një situatë e kësaj natyre ku puna vëzhguese e sociologut ndërthuret  me  përvojën njerëzore dhe ku  rrezikon të humbasë  ekuilibri i  vlerësimit.

Biseda nisi sjellshëm, e  shtirur nga njëra anë, dhe me etiketën e rastit nga ana tjetër. Them  “e shtirur” sepse mënyra si vijoi dhe u mbyll, me fyerje dhe e vrazhdë  dëshmoi pikërisht këtë përceptim fillestar.

Sikur të mos  njihnim  fjalorin fyes dhe prepotencën tipike të disave  që gjenden në këto pozita, kjo bisedë do të mbetej vetëm në nivelin e perceptimit për  mirësjelljen formale, pa  asnjë të përbashkët më atë të brendësuar dhe të kultivuar natyrshëm.

Për të përforcuar fjalorin fyes dhe qëndrimet diskriminuese ndaj dikujt që shprehu  thjesht mosnjohjen  e  “famës    tij”, qëndrimet e këtilla  zotëria i vazhdoi edhe në sy të të birit për të ngritur edhe merakun se  “ dardha nuk bie nën dardhë”.

Kjo panoramë  plotësohet  edhe më shumë duke treguar se i pranishëm ishte dhe një i katërt, që shërbeu si strumbullari i takimit . Ky zotëri ishte që këmbënguli  që zonja t’u bashkohej  dhe që heshti gjithë kohës që dëgjonte sesi fyhej një grua.

Kjo nuk është ndonjë histori e re. Ka situata që flasin hapur sesi një grua nëpërkëmbet vetëm sepse një burrë apo disa burra ndjehen superiorë prej gjinisë. Kur i shton këtij superioriteti edhe atë të statusit ekonomik apo pozicionit të privilegjuar, të tipit  “Made in Albania”, diskriminimi mbi gruan është edhe më i plotë në formën që merr. Ai shfaqet në cdo aspekt të jetës shqiptare: në jetën brenda dhe atë jashtë familjes.

Për një shoqëri mendjembyllur si jona, me psikë kolektive uniformiste,  të pamësuar me diversitetet, të papërqëndruar në qëndrimet e reja,  të mbajtur fort  lidhur pas mendësisë së konsoliduar në kushtet e mbylljes, është  e vështirë të presësh një qëndrim të ri  ndaj të ndryshmes.

Për një shoqëri të mbyllur si jona, kur edhe hapja u shoqërua me pamundësi ekonomike për  lëvizje, me pamundësi shkëmbimesh kulturore me të tjerë, më  pasiguri  në përballjet  e  arritjeve apo  aftësimeve  vetjake, qëndrimet diskriminuese ndaj “atij që nuk mendon si ne” apo ndaj “asaj që nuk sillet si të tjerët duan” , i gjen thjeshtë fare.  Kudo.  Por  jo vetëm kaq. Në shoqërinë tonë, të varfërin nuk e do njeri afër, por edhe të rinjtë nuk është se i marrim seriozisht, një njeri që “nuk ka njohje” është i parëndësishëm, dikush që vjen nga fshati është i paditur, ndonjë që vjen nga veriu e quajmë shpejt “malok”, po të takojmë ndonjë që ka  orientim seksual të ndryshëm nga yni jo vetëm që nuk duam ta dëgjojmë, por ndërrojmë menjëherë temë, kur  dikush nuk ka bindjet tona politike, ato  të partisë në pushtet,  e quajmë si të dobët. Ndërsa të flasim për cështjet që lidhen me gratë, thjesht i quajmë “muhabete grash”.

Shembujt që flasin për diskrimimin në shoqërinë shqiptare nuk i ke të vështira t’i gjesh.  Më i zakonshmi është ai gjinor. Gruaja shqiptare diskriminohet në shumë dimensione: në punë, në familje, në shoqëri, në politikë, në sipërmarrje.  Për shembull, nëse për të njëjtin pozicion pune paraqiten një burrë dhe një grua, më shpejt pranohet një burrë,  kur ka një cështje për të zgjidhur, kërkohet të bisedohet me burrin, kur një grua shkon në intervistë pune, diskriminimi qëndron  pas pyetjes se  a është e disponueshme të lëvizë pas orarit të punës; diskriminimi qëndron edhe  kur paraqitja fizike bëhet përcaktuese në punësimin e saj;  kur aftësitë profesionale nuk kanë ndonjë vlerë  sepse vlerësohen angazhimet që flasin për kohën jashtë pune, sërish kemi qëndrim diskriminues.

Edhe pse shkollimi tek vajzat shqiptare ka ardhur në rritje, dhe vitet e shkollimit ato i kanë zgjatur sa kanë mundur, sërish gruaja shqiptare është në qendër të diskriminimit. Nëse është e re, është tepër e re, nëse është disi e avancuar në moshë, është  e papërshtatshme, nëse nuk është e pashme  as nuk konsiderohet, nëse është e pashme le të jetë e paaftë, do të jetë gjithmonë një  e aftë që bën punën e saj.

Në kuptimin  e zakonshëm qytetarët shqiptarë  për paragjykimin   shprehen se “ nuk paragjykoj njeri” ndërsa diskriminimin e quajnë një gjë aq të largët, sa nuk ka  lidhje me ta.

Edhe pse refuzojnë t’i  pranojnë  këto koncepte,kur jua ilustron  me disa shembuj, për paragjykimin binden që edhe e  shprehin, ndërsa për diskriminimin as që bëhet fjalë ta pranojnë.

Sikur qëndrimet diskriminuese të mos ishin kaq  të lidhura më paragjykimet, ku këto të fundit janë hapi i parë drejt diskriminimit, nuk do të kishim filluar të shkruajmë për të.

Të lindura herë nga padija,  herë nga refuzimi për të ditur më shumë apo për të njohur, herë nga stereotipet e rrënjosura, herë nga kokëfortësia për të mbajtur qëndrimin tonë, paragjykimet i hapin rrugë diskriminimit, që  gjendet i shprehur në qëndrimet përjashtuese,  apo trajtimit përcmuese  dhe  me inferioritet  ndaj cilitdo që nuk qëndron brenda kornizëz së botëkuptimit tonë.

Sikur të kishim mundësinë “të harronim”  këto stereotipet me të cilat jemi mbrujtur dhe të përparonim në drejtim të ndërgjegjësimit mbarë shoqëror se gruaja  dhe burri ka të drejta të barabarta, do të bënim shumë  në promovimin e gruas shqiptare si në familje, në tregun e punës ashtu edhe në jetën publike. Sikur të edukonim fëmijët dhe të rinjtë me respektin për gruan, me vlerësimin për të  lartësuar  sakrificën e  gruas shqiptare, ndoshta do të ndeshnim më pak “prokurorë” të mendimit të superioritetit mashkullor.

Nëse zotëria do ishte prezantuar  natyrshëm si prokuror, ndoshta të dy do të kishin nisur të flisnin për cështje të drejtësisë dhe padrejtësive që nuk mungojnë tek ne.  Nëse ai do të kishte pohuar se në cdo javë ishte në median televizive, ndoshta sëbashku do të mund të ndanin të njëjtën përvojë kur media i ka ndihmuar të përcjellin të tjera shqetësime.  Nëse do të kishte pranuar se jo cilindo që del në tv. e njeh gjithë Shqipëria, ndoshta do të kishte kursyer shprehjet diskriminuese për origjinën nga  fshati.

Por jo, ai me prepotencën “ Made in Albania” asnjë nga këto nuk bëri.

Nëse do të ishte kështu nuk do të  flisnim sot për diskrimiminim, por mendësia e vjetër, nën lëkurë,  brenda një  mendjeje të mbyllur, e veshur dhe me injorancën tipike primitive, krijon këtë gjendje diskriminimi dhe dhune të neveritshme që e hasim kudo, kudo.