E enjte, 25.04.2024, 12:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Vataj: Mirënjohje për mësuesit

E premte, 07.03.2014, 08:31 PM


Mirënjohje për mësuesit, ata njerëz ngadhënjimtar që na dhanë hyjnoren

Nga Albert Vataj

Në këtë 7 mars, ngucem prej një dëshire të zedhshme e yshtem prej një zani që m’përpush prej ndërkohjesh t’largta, me kumtu mirënjohje teme ma t’përunjur për ata që duke u kujdes për ditunimin na e dhanë, me toksoren e tyne ngadhënjimtare, shenjtnimin.

Duke na mëku dije, ata na kungun dritën e shëmbëllimeve të mrekullive, duke na hov nëpër botë të panjohuna, na krodhën në njasi bukurish që përtërijnë çdo moment ngurimi e hopin çdo përulje tonën, tuj e ep natltësimeve.

Hynë dhe mbeten brenda nesh shumë e shumë prej tyne, duke u ba limfa e gjallimit tonë në ngulm.

Jetojmë nëpër çaste t’patëdyta, të cilat na lidhin me ta, na tushkitin në pendim për hokat tona fëminore dhe na përpushin në kreni për ç’ka prej tyne u ba në ne, amanet Prometeu.

E s’reshtim së nxëni dhe s‘mrekullumi prej atij kremtimi të madhnushëm, siç asht dija, tuj pranu njiherash, se atë gjunjëzim i’a kena borxh çdo ditë, shërbestarëve të dijes dhe si fli kena dëshirimin tonë t’pasosun, për me u hedh duhishëm në flakët e këtij shenjtënimi.

Kanë rrakëdhuar shumë vite, i pasosun asht karvani i kësaj yjësie që ka ndrit dhe kjartëson çdo ditë ngarëndien tonë drejt pafundësisë. Megjithatë unë ruaj në kujtimet e mia si t’pashlyer tre emna, Drita Matohiti, Angjelin Shiroka dhe Prel Grimaj. Janë pikërisht ata, që më kungun në vogli pjalmin e hyjnores, e s’mujta sa ishte koha me i falenderu, gja të cilën e kam ba me të tjerët, me petka ose jo të mësuesit, por që m’dhan prej vedit atë që u ba përgjithmonë e jemja. Gjithqysh asht t’nxënit, dija, ajo që i ka naltësu ata, e na ka hyjnizu ne.

Duke udhëtu në mbamendjen këto emna, kanë bashkëjetu me ngarëndien teme drejt dijes së pasosur, si drejt dritës, ata kujtime që na mallin e na kandin me ambëlcim.

Duke u kalit me dritën e dijes, duke u pamjaftu me t’xënin, ne kena pranu gjunjëzimin e naltësum të hyjnores, kena rrok me nji dashuni t’amshumë e mall t’paanë vullnesën e njeriut si qenie galaktike, si shugurues i t’përjetshmes në kremten e besimit te dija, në atë që ata kishin besim.

Unë nuk jam ai, por njimendem krenueshëm në atë që ai mbamendet të ketë thënë:

E pyetën njëherë Aleksandrin e Madh se përse nderonte më shumë Aristotelin, mësuesin e tij, sesa babanë e vet?

- Sepse, - u përgjigj Aleksandri - mbreti Filip duke më dhënë jetën më zbriti nga qielli në tokë, ndërsa Aristoteli me mësimet e tij, më bëri të ngjitem nga toka në qiell.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora