Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Putin për “Nobel”?

| E enjte, 06.03.2014, 09:24 PM |


Putin për “Nobel”?

Nga Elvi Sidheri

Kush nuk e njeh fjalën “thagmë” ja ku e ka një rast për t’u thelluar në brendësinë e saj, të përshkruar më së miri nga ky lajm i fundit që ka të bëjë me liderin e njohur të Federatës Ruse...

Thagma në fakt është diçka që tregon një ngjarje të habitshme, pra bizarre, të paparë e të padëgjuar ndonjëherë...pikërisht si edhe ky propozimi në fjalë i cili rreket që Putinin t’a “kurorëzojë” edhe me një çmim fisnik si Nobeli, pas fronit të “gjithë Rusive” (Federata e stërmadhe Ruse prej plot 17 milionë kilometrash katrorë, që fillon në Europë dhe mbaron në gadishullin e Kamçatkës deri tek  ishujt Kurile mbi Japoni, përbëhet nga shumë rajone dhe Republika të panumërta autonome).

Kandidaturat për Nobelin e ardhshëm për paqen që më ranë në vesh mua, ishin tre në të vërtetë.

Për zotërinë e tij Vladimir Putin, për Eduard Snoudenin (atë të përgjimeve të NSA, Agjencisë Kombëtare të Sigurisë amerikane) dhe për Papa Françeskun.

Po të më pyesnin mua (gjë me pak gjasa dhe totalisht pa shanse)...do votoja me këmbë e me duar për Papa Françeskun pa u menduar as edhe një sekondë të vetme...nëqoftëse lista e Nobelit të Paqes do të ishte e përmbledhur brenda këtyre tre emrave dhe asgjëje më tepër.

Thënë kjo megjithëse vetë Papa Françesku besoj se e ka të qartë faktin se në një vit ai akoma nuk ka patur kohën e mjaftueshme fizike për të treguar me vepra potencialin e jashtëzakonshëm të karakterit të tij unik, të përultësisë me të cilën i është futur punës titanike për t’a bërë kishën katolike, rrymën më të madhe të krishtërimit...më njerëzore, më të gjallë e më popullore...

...Nën shëmbëlltyrën e të varfërit shpirtpastër të periferive të Buenos Airesit ku Bergoglio (ende jo Papë)...pati njohur skamjen, vuajtjen, ndoshta dhe urinë e njerëzve të thjeshtë, por edhe besimin e tyre të papërlyer, as sa edhe të çiltër e të pakushtëzuar.

Të ishte për t’i akorduar Nobelin ndonjë Pape, mendoj se do të kishte qenë rasti që këtë gjë t’a kishin bërë (kompetentët) me Papa Gjon Palin e II-të, për rolin e tij të paçmuar në rrëzimin e sistemit totalitar komunist jo vetëm në atdheun e tij, në Poloni, por edhe në gjithë Lindjen komuniste, për imazhin dhe sjelljen e tij të dhimbsur atërore me besimtarët dhe për afrimin e kishës me vlerat e saj reale, përtej dogmave dhe rregullave të ngurta, për humanizmin dhe emocionet që dinte të shpërndante kudo, për memorien e pashlyer që la pas, pra për gjithçka që ngërthen figura e tij e ndritur.

Por përtej emrit të Papa Françeskut, përzgjedhja për Nobelin e Paqes, ndërkohë na bëhet praktikisht e pamundur!

Gjendemi në një “skizmë” të vërtetë, të ndarë në dysh midis një tip spiuni kompjuterash dhe një skileje të vjetër karrieriste që ka ditur me shkathtësi të ngjisi shkallët e hierarkisë nga KGB-ja gjer në majë të fronit të Kremlinit.

Sa për Snoudenin, megjithë njëfarë respekti për disa të dhëna që i bëri të ditura botës (jo se nuk imagjinohej fakti që telefonatat apo interneti përgjohen gjerësisht)...gjithësesi të arrihet deri aty sa të pretendohet që ky njeri t’i ketë bërë një shërbim aq të madh njerëzimit, sa të meritojë Nobelin e paqes, më duket paksa e tepruar.

Snouden mbetet një personazh atipik i ambientit të tij, kjo është e vërtetë.

Një njeri që në një moment, për arsye që ai më mirë se kushdo, i di vetë, vendosi që të lerë punën e tij, të mos përgjojë më e-mailet e njerëzisë apo telefonatat e ndokujt (funksionarë të lartë botërorë, por ndërkohë edhe terroristë të pashpirt) dhe t’ia mbathi me të katërta më parë për në Hong Kong (pra në Kinë) e më pas për në aeroportin e Moskës...(si rastësisht për në territorin e dy shteteve me rivalitetin më të theksuar me SHBA).

Pra kjo do të duhej të na jepte të kuptonim, se këtu mund të kemi të bëjmë padyshim edhe me ndonjë vrasje ndërgjegje apo rebelim ndaj politikës (normale) përgjuese të punëdhënësve (dhe bashkëpatriotëve) të tij amerikane, aq sa edhe me një luftë të kuptueshme spiunazhi midis këtyre tre fuqive botërore, ku ky djalë është bërë protagonist, me vetëdije apo jo!

Po qe se kriteri për të akorduar çmimin Nobel për Paqe, ka sadopak të bëjë me punën dhe qëllimet e ekzistencën e shërbimeve sekrete, atëherë pikësëpari, me një nderim të tillë, do të nevojitej që të ishin vlerësuar vetë CIA dhe ish KGB-ja si dy shembujt më të mirë dhe të arrirë të përparimit të kësaj fushe...

Në përvojën tonë të ngushtë shqiptare ndërkohë, duke u nisur sa nga filmat e shumtë të kohës së monizmit, aq edhe nga ngjarje të ndodhura vërtetë, mund të lindte sipas të njëjtit arsyetim nevoja, që ndokush mes trutharëve nostalgjikë “DumBabistë” (nga krahu enverist)...të propozonte për Nobel paqeje “in memoriam” edhe veprën dhe “sukseset” e shumta të ish Sigurimit të Shtetit megjithë fijet që priteshin rëndom atëherë, Pal Mëlyshët si dhe grupet diversante që hiqeshin me rradhë qafe.

Kurse lidhur me kandidaturën e Putinit, gjërat bëhen shumë më serioze.

Pra Putin të vlerësohet me Nobel...për paqe??

Paqe, cilën paqe, çfarë lloj paqeje, ku, në cilin rast konkret dhe në çfarë rajoni të planetit bëhet fjalë?

Ah po, paqen në Çeçeni për shembull!

Është fakt i pamohueshëm që udhëheqja çeçene, pas luftës së parë në atë vend të Kaukazit (luftë çlirimtare, për këtë arsye edhe u mbështet nga bota dhe përfundoi në triumf, ndërsa edhe rusët u detyruan të pranojnë një marrëveshje që “de facto” i jepte kontrollin vendasve mbi territorin çeçen)...u pri drejt islamizmit radikal, gjë që çoi deri në humbjen e respektit ndërkombëtar për çështjen çeçene.

Por po aq ka rëndësi të pohohet fakti që ky Putini “paqedashës” Çeçeninë e rrënuar nga lufta e parë, e rrafshoi me tokën duke kryer ushtria ruse krime të panumërta gjatë sulmit të dytë mbi këtë Republikë të Federatës Ruse.

Po i njëjti “pëllumb paqeje” nuk nguroi që të vrasë me dorën e vet (të mëkëmbësve të tij, kuptohet) edhe rreth 130 qytetarë rusë të pafajshëm (bashkë me 40 pengmarrësit çeçenë) me anë të një substance kimike gjatë marrjes peng të teatrit të Moskës në vitin 2002 (Teatri Dubrovka).

Dy vjet më vonë, në shtator të 2004-ës, sërish komandot islamiste radikale çeçene hynë me forcë në një shkollë të qytezës Beslan në rajonin e Osetisë Veriore dhe morën peng mbi 1000 të pafajshëm (afërsisht 800 prej tyre fëmijë).

Pas tre ditësh të tensionuara, me urdhër të Putinit, forcat ruse të sigurisë u futën në ambientet e shkollës me tanke, rraketa hedhëse e armë të tjera të rënda dhe si pasojë e kësaj ndërhyrje, mbi 380 pengje (186 fëmijë midis tyre) humbën jetën.

Shpjegimet për këtë qëndrim të hekurt të Kremlinit dhe liderit të tij të padiskutueshëm, janë të ndryshme dhe nuk do nënvlerësuar fakti që sipas autoriteteve ruse, terroristëve çeçenë u duhej dhënë mesazhi i qartë se këto tentativa nuk do të kishin sukses, sado të përgjakshme të rezultonin.

Por kjo gjë nuk mohon e as fshin dot faktin e dukshëm, që ky personalitet që tashmë mëton të marrë Nobelin e Paqes, nuk ka hezituar fare që të sakrifikojë edhe popullin e vet, në raste kur tjetërkund (në Perëndim për shembull) ndërhyrje të tilla gjakderdhëse dhe me plot viktima pafaj, do të qenë shmangur me çdo mjet dhe jetët e pengjeve do të ishin ruajtur deri në ekstrem.

I kemi të freskëta ndërkaq edhe kujtimet e ndërhyrjes së pjesëshme ruse në territorin sovran të Gjeogjisë në vitin 2008.

Pas shpërbërjes së ish Bashkimit Sovjetik, Gjeorgjia, mbeti thellësisht e ndarë brenda territorit të saj, me dy rajone praktikisht të ndara nga autoritetet e Tbilisit.

Kështu Abkhazia bregdetare (në brigjet e Detit të Zi, diku poshtë Soçit aq të dashur për Putinin, aty ku u zhvilluan së fundi Lojërat Olimpike Dimërore) dhe Osetia Jugore u shkëputën me bekimin dhe shtytjen e hapur të Moskës, nga kontrolli i gjeorgjianëve.

Në Abkhazi pati edhe një konflikt të përgjakshëm në fillim të viteve 90-të dhe si rrjedhojë edhe një pastrim të mirë etnik të banorëve gjeorgjianë që deri atëherë përbënin shumicën e popullsisë së atij rajoni.

Gjatë viteve Moska abkhazët dhe osetët, i pajisi me pasaporta ruse dhe në rastin e parë të një shkëndije të armatosur (si ajo e 2008-ës) hyri me ushtri në krah të tyre kundër qeverisë qëndrore të Tbilisit.

Konflikti i 2008-ës mbetet një rebus për t’u kuptuar, ka mjaft peshë në atë çështje edhe paaftësia e autoriteteve gjeorgjiane për të menaxhuar krizën, por fakt mbeten bombardimet pa kriter të rusëve mbi qytetet gjeorgjiane dhe njohja e njëanëshme pa asnjë kriter moral apo juridik nga Moska e pavarësive të këtyre dy mini-shteteve në tentativë.

Pra të Abkhazisë me 8660 km katrorë dhe 242 mijë banorë dhe të Osetisë Jugore me 3900 km katrorë dhe 55 mijë banorë.

Kur përmendim figurën e Vladimir Putin të kandiduar për Nobelin e Paqes, nuk kemi sesi të harrojmë edhe situatën e demokracisë së munguar në Rusinë e sotme, ku opozita nuk guxon të dali në protesta, pasi kushdo që ngre zërin kundër sistemit putinist, përfundon fale gjyqeve të montuara, menjëherë në burgje (porsi internimet staliniste në gulagët siberianë dikur...edhe tani kampe pune i quajnë ndër të tjera).

Putin qysh prej vitit 1999 kur presidenti i lodhur dhe i sëmurë Jelcin (figurë përgjithësisht e nderuar që kundërshtoi dhe mundi tentativën për grusht shteti filo-sovjetik të gushtit 91, duke u ngjitur dhe i folur popullit mbi një tank dhe që bombardoi parlamentin rus të pushtuar nga rebelët komunistë në vitin 1993)...i la pushtetin, diti të dominojë gjithë oligarkët e pasuruar skajshëm gjatë tranzicionit post-sovjetik, të vërë nën kontroll tërë mediat e pavarura dhe të nënshtrojë sipas dëshirave dhe përfitimeve të tij, jetën e Rusisë dhe qytetarëve të saj.

Po ky njeri këto ditë e ka prurë botën moderne në prag të një përballjeje globale të krahasueshme vetëm me krizën e raketave në Kubë, në vitin 1962, duke u përpjekur të pushtojë një shtet të pavarur si Ukraina, për arsyen e vetme se protestat popullore atje, kanë rrëzuar nga pushteti një diktator të parapëlqyer nga Kremlini, pra një të besuar të Putinit.

Po qe se Nobeli për paqe i jepet këtij njeriu, atëherë do pranuar se paska qenë gabim i “madh” që Nobel nuk kanë marrë plot diktatorë luftënxitës të tjerë, Mao Ce Duni, Millosheviçi, “Fyhreri”....