E premte, 19.04.2024, 03:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Milazim Kadriu: Adem Ajvazi - “Orientalizmat në Llap”

E merkure, 05.03.2014, 08:39 PM


ORIENTALIZMAT U LARGUAN  NGA GJUHA LETRARE SHQIPE POR NJË PJESË ENDE PËRDOREN NË GJUHËN E FOLUR

Adem Ajvazi “Orientalizmat në Llap”, botoi QK- Besianë, 2014

Nga Milazim KADRIU

Pas tri librave të botuar me tematikë historike ,historiani llapjanë Adem Ajvazi vjen me librin e tij të katërt por kësaj radhe me një tematikë tjetër. Kështu ai para lexuesve sjell librin me titull “Orientalizmat në Llap”në botim të qendrës për Kulturë në Besianë. Në këtë libër Ajvazi ka zgjedhur të trajtoj fjalët,fjalitë e frazat me burim oriental që janë përdorur e përdoren në Llap e Galab.

Siç dihet pushtimi i gjatë i trojeve shqiptare ka lënë  vragë të pashlyeshme në të gjitha portet  e jetës si në gjuhë , ekonomi , politikë dhe në jetën e gjithmbarshme. E më së tepërmi u godit toponimia iliro-shqiptare , që  në masë të madhe u tjetërsua në gjuhën e pushtuesve romak , bizantin , serb e së fundit dhe me atë turke.

Është e njohur se në gjuhën shqipe, ashtu si edhe në gjuhët e tjera të Ballkanit kanë hyrë një numër i konsiderueshëm fjalësh me burim nga gjuhët orientale të fesë islame; arabishtja, turqishtja, persishtja.

Siç thotë edhe autori po të ndalemi dhe t`i analizojmë këto dukuri në ditët e sotme , gjejmë emra , fjal , fjali , fraza nga ato më të ndryshmet që kanë ardhur deri në ditët e sotme , të cilat pasqyrojnë ato kohë. Në antikë dhe mesjetë kemi vendbanime si dhe qyteza dhe qytete të cilat mbajnë emra që ende nuk janë të deshifruar përfundimisht se nga e kanë origjinën.

Depërtimi i tyre lidhet në radhë të parë me shtrirjen e Perandorisë Osmane në Ballkan, me përhapjen e qytetërimit të saj dhe të fesë e të kulturës islame. Për këtë shtresë fjalësh, të quajtura herë turqizma e herë orientalizma, ka shumë studime e botime.  Ky ndikim është bërë pjesë e kulturës kombëtare shqiptare që u zhvillua gjatë shekujve të përfshirjes së Shqipërisë në Perandorinë Osmane.

Por, orientalizmat, që kanë hyrë përgjithësisht si emërtime të nevojshme për sende e dukuri të këtyre sferave të jetës, kanë kaluar pak e nga pak edhe në sferën e letërsisë gojore popullore, janë bërë pjesë e leksikut të saj, duke marrë dhe vlera stilistike.

Autori në librin e tij thotë se ka  edhe shumë njohuri për emra , fjali si dhe fjalë që janë deshifruar dhe janë të vërtetuara se janë të natyrës së shqipes , por mbajnë formulime pellazgo-ilire. P.sh : Naissus ilirisht , Nish shqip, Ulcinium ilirisht , Ulqin shqip , Scupi ilirisht , Shkupi shqip. Në mesjetë kemi pjesë të caktuara të territoreve shqiptare të Kosovës, e në këtë rast , edhe në Llap që ndikim kishte edhe sllavishtja sepse sundoheshin territoret nga princat serbë si Brankoviqi , Llazari etj. Dhe përgjatë këtyre vendeve kemi emra të vendeve nga leksiku sllav si : Dobratini, Livadicë , Dvorishtë, Dobërdol etj. Me pushtimin e territoreve shqiptare , ashtu edhe vet Llapit dhe Gollakut , rrethanat shoqërore dhe politike si dhe shumëçka ndryshoi në jetën dhe kulturën e shqiptarëve të këtyre anëve .

Me vendosjen e pushtetit turk pos tjerash u  bë edhe ndërrimi i emrave të vendeve , fushave , maleve ,   si dhe vet njerëzve nga burimorja iliro-arbërore në atë turko-islame. Kjo dukuri vazhdoi një kohë të gjatë dhe u bartë deri në ditët e sotme, duke ngulur rrënjë thellë në jetën e këtyre anëve në të gjitha portet e jetës.

Gjatë Rilindjes Kombëtare shqiptare, kur politika gjuhësore e kësaj lëvizjeje ishte pjesë me rëndësi e përpjekjeve për një shtet shqiptar të mëvetësishëm, u kërkua të mënjanoheshin orientalizmat nga gjuha shqipe, sidomos nga gjuha e shkruar.

Naim Frashëri i ka lavdëruar poetët që kanë shkruar me alfabetin arab për talentin e tyre poetik, por i ka qortuar ashpër se kanë përdorur shumë fjalë të huaja (orientalizma) në vend të fjalëve shqipe. Puna e rilindësve për pastërtinë e gjuhës solli një përtëritje rrënjësore të fjalorit të gjuhës shqipe dhe të vlerave të fjalës shqipe. Pas krijimit të shtetit të pavarur shqiptar në qëndrimin ndaj orientalizmave gjuhëtarët ndoqën në përgjithësi vijën e Rilindjes Kombëtare, por përdorimi i tyre në letërsi erdhi duke u shtuar. Kjo lidhet edhe me kalimin e letërsisë shqipe nga rryma letrare e romantizmit në rrymën e realizmit, që kërkon edhe një realizëm gjuhësor. Por orientalizmat fituan ndërkohë edhe vlera stilistike. Kjo lidhet me luftën që u bë kundër tyre gjatë Rilindjes. Si pasojë, një pjesë e mirë e tyre pak e nga pak dolën nga gjuha letrare dhe mbetën në gjuhën e folur bisedore, pra rrafshi i tyre stilistik u ul. Për këtë arsye ato u përdorën për të karakterizuar mjedise të kohëve të kaluara ose persona me mendësi të prapambetur. Megjithatë , një numër i madh i fjalëve , fjalive , shprehjeve turke që në masë të madhe përdoren nga të moshuarit si në vendet tjera edhe në trevën e Llapit përdoren ende.

Ajvazi në librin e tij është munduar që të përfshijë të gjitha fjalët,fjalitë,frazat që fatkeqësisht ende gjejnë përdorim në këtë mes duke I regjistruar sipas radhitjes alfabetike. Për çdo fjalë ai jep sqarime për prejardhjen  e sajë dhe kuptimin që ka në gjuhën shqipe. Kështu që sqaron që lexuesi ta ketë të qartë dhe të përdor fjalën adekuate shqipe në mes fjalës së huaj.

Autori me librin e tij ua bënë me dije gjithë atyre që ende përdorin fjalët e huaja në vend të fjalës shqipe që është koha e fundit që të përdoren këto fjalë që na I lanë okupatorët e ndërruar njëri pas tjetrit në trojet tona ilire.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora