E premte, 29.03.2024, 04:43 AM (GMT)

Kulturë

Xhevat Rexhaj: Intervistë me publicistin Ndue Ukaj

E merkure, 05.03.2014, 07:55 PM


INTERVISTË ME KRIJUESIN DHE TANI NËNKRYETARIN E PSHDK- së Z. NDUE UKAJ

Shqiptaria jonë e përbashkët, është europiane

“Dishepujt e mirësisë dhe së vërtetës, s'mund të jenë individët që e luftojnë një të keqe, për ta zëvendësuar me një te keqe tjetër, por ata qe kane synime te larta e ideale mireberesie. Ky është misioni im.”

Intervistoi: Xhevat Rexhaj

Z. Ukaj jeni pra një krijues në disa fusha jetësore, ku e gjeni veten më shumë?

Shkruaj vetëm aty ku ndjehem mirë, prandaj mes bukurive magjepse që më jep shkrimi, përpiqem të jem sa më autentik dhe kjo më bën të ndjehem mirë në gjitha format e shkrimit që i kultivoj. Megjithatë, mendoj se poezia është kurora e letërsisë imagjinatave, siç thotë një studiues, sepse është ma filozofike se çdo komunikim tjetër. Mirëpo, e dua edhe prozën, sidomos për mundësitë e pakufishme që të jep për të rrëfyer dhe për t’u shprehur, e gjej vetën po ashtu mirë edhe në publicistikë, ku mund të shprehi botëkuptimet e mia për shoqërinë, shtetin e kombin. Ndërsa kritika letrare, është një fushë pak ma e disiplinuar, ku duhet dije dhe përkushtim.

Duket se ka një rënie të interesimit të lexuesit shqiptarë për vargun dhe prozën, apo ka ndryshime këto vitet e fundit pozitive?

Krizat morale nëpër të cilat po kalojmë, e kanë degdis njeriun tonë. Ai është preh e një politike pa parime e moral.

Letërsia, është preh e lëngatës që po përjetojmë si komb. Jemi në llogoret e një jetë të zymtë, ku politika zotëron çdo gjë, e ku shija për të bukurën, po shkërmoqet nga shëmtia. Të mos harrojmë, që të kemi një lexues të kultivuar, duhet media cilësore, institucione akademike serioze, universitet që jep dije dhe jo diploma. Neve na mungojnë sot gjitha. Letërsia kështu bën jetë paralele, në një shoqëri, ku fokusi kryesor është te godina e qeverisë.

Njiheni edhe si publicistë i guximshëm dhe i lexuar, sa përçohen sot mendimet dhe opinionet e njerëzve të penës në këto ecje nganjëherë edhe të përçudshme të shoqërisë shqiptare?

Kur shkrimtarët shkruajnë për çështje të shoqërisë, ata ndjejnë dramat shoqërore, klithmat e shoqërisë dhe zëri i tyre, përpiqet të jetë zë i arsyes dhe ndërgjegjes, thjesht, zë alternativë. Sa herë shkruaj publicistikë, përpara më shfaqen kolosët e mendimit shqiptar, si Faik Konica, Gjergj Fishta, Branko Merxhani, Vangjel Koça, Anton Harapi, Fan Noli, Mithat Frashëri, e shumë të tjerë, që shkrinë talentin e tyre, duke rrahur tema të ditës dhe kështu duke kultivuar ndjenja shprese e mirëbërësie. Atë e ndjenë këtë jo si luks, por si thirrje, si detyrim, si nxitje për të kultivuar mendime mirëbërësie për shtetin dhe progresin e tij.

Thjesht, është e pamundur për një shkrimtar me ndërgjegje kombëtare të shëndoshë, të rri duarkryq e të soditë, kur përbalten figurat themeltare të kombit të tij, kur mohohet e kaluara e tij, kur synohet të tjetërsohet historia e tij.

Dihet se tani më kemi 15 vite nga përfundimi i luftës, dhe kemi 6 vite shtet të njohur ndërkombëtarishtë, ku gjendet sot Kosova?

Kam droje të ankthshme: Kosova e ka humbur një shans, që popujve ju vjen rrallë. Ajo ka humbur shansin ma të madh, që të përfitoj nga simpatia ndërkombëtare dhe kështu të hyn dinjitetshëm në rrethin e kombeve dhe vendeve të përparuara. E vërtet, Kosova e ka humbur shansin e simpatisë ndërkombëtare. Atë simpati, që e kemi fituar me mund, sakrificë e viktima, po e humbim me arrogancën tonë ndaj shtetit, me papërgjegjësinë tonë ndaj shtetit, me rrënimin e imazhit ndërkombëtar, me agresionin e hapur që po i bëhet identitetit e kulturës shqiptare. Thjesht, kemi humbur atë simpati ndërkombëtare që e kishte fituar populli ynë me mund e sakrificë.

Pos krimit dhe kriminlaitetit politiko-ekonomik, Kosova sot ballafaqohet edhe me disa probleme serioze identitetare, historisë së bujshme dhe futjes së disa rrymave ekstreme, nga po vijnë me aq shpejtësi gjitha këto të këqija te ne ?

Jemi ne shekullin e proceseve, thotë shkrimtari i madh Milan Kundera. E pikërisht në  këtë shekull, shqiptarët kanë rihapur dilemën për identitetin e tyre, janë europian apo antieuropian. Kjo dilemë, ishte zgjedhur me një ”kompromis” të shkëlqyeshëm nga rilindësit e mençur dhe atdhedashës, të cilët pavarësisht përkatësisë së tyre rajonale, fetare dhe gjuhësore, kërkon një shqiptari europiane, si te vetmen alternativë shqiptare.

Çfarë do të thotë te jesh shqiptar sot? Apo, kush janë armiqtë e Shqipërisë?

Në këtë holli të debatit që s’pushon, shqiptarët janë taborrizuar ne dy kategori: në ata që identitetin europian të shqiptarëve e shohin natyrshmëri dhe përparësi për të ardhmen dhe në ata që nisen nga simpatitë e ndryshme dhe u ofrojnë shqiptarëve identitete të shumta, që mund të ndërrohen sa herë ndërrojnë stinët. Këto të këqija vijnë nga disa intelektualë mohues, nga parti pa identitet, nga mosreagimi i atyre që mendojnë ndryshe, nga heshtja apo nga bashkëjetesa tinëzare e disa intelektualëve me të keqen dhe nga neglizhenca e qeverisë, që bën vazhdimisht bën politika improvizuese.

Z Ukaj ju kohëve të fundit keni pranue që edhe aktivisht të kyçeni në politikë, nga doli ky vendim i juaji ?

Përballë krizës nëpër të cilën kalon Kosova, nuk mund të rrimë duarkryq. Duke e njohur kontributin e kësaj partie për të mirën e vendit, duke qenë në dijeni për mundësitë që ka kjo për të hap porta për Kosovën, duke e njohur programin e saj europian dhe kombëtar, pas shumë konsultimeve me miq e dashamirë të shumtë, vendosa të hyjë në PSHDK. Unë besoj në parimin se ata luftojnë të keqen në vendin tonë, s'duhet ta bëjnë atë për shkak të agjendave të fshehta personale, por nga besimi te e mira dhe drejtësia.

Dihet, dishepujt e mirësisë dhe se vërtetës, s'mund të jenë individët që e luftojnë një të keqe, për ta zëvendësuar me një te keqe tjetër, por ata qe kane synime te larta e ideale mireberesie. Ky është misioni im.

Të qenit nënkryetar i PSHDK se , dikur një parti me bazë të fortë dhe bashkudhëtare me Presidentin Rugova, por fatkeqësisht e dobësuar viteve të fundit, a do të thotë se ju keni me sjell risi në organizimin dhe fuqizimin e PSHDK-së ?

Po, PSHDK-ja tanimë po freskohet me kuadro të reja dhe ka një disponim për t’ia dhënë asaj vendin që e meriton. Për këtë duhet të falënderojmë strukturat e tanishme të PSHDK-së, në krye me kryetarin Dr. Ukë Berisha, që janë hapur për forca të reja. Të kujtojmë vetëm një gjë: PSHDK-ja ishte porta nëpërmjet së cilës Kosova ka hapur shumë dyer. Ajo ishte urëlidhëse mes Europës e Kosovës, në ditët më të vështira për vendin, duke luajtur kështu një rol të rëndësishëm në afrimin e saj me Europën. Këtë rol ajo mund ta luaj edhe sot, sidomos pas hovit të degradimeve që përjetuam këto vite.

Flitet kudo se Kosovës i duhet doemos një PSHDK e fortë dhe edhe të përfaqësuar në Parlament, a jeni të fokusuar qysh tani për dhe rreth zgjedhjeve nacionale që mundtë ndodhin shpejte ?

Po punojmë vazhdimisht që të fuqizohemi. Ka shumë dashamirë të demokristianzimit në Kosovë. Fokusi ynë është ta rikthejmë PSHDK-në si një lojtare në skenën politike të vendit.

Më intereson të dijë, besoj edhe lexuesve, se a jeni duke punuar në drejtimin që të ofrohen të gjithë krahët e PSHDK se në një amë, pra të tejkalohen kapriciozitetet dhe bajraktarllëqet e disa individëve ?

Ne po mësohemi me jetën demokratike, e në këtë kuadër, natyrshëm pakënaqësitë e individëve a grupeve, reflektohen edhe me organizime tjera. PSHDK-ja është e vetmja forcë demokristiane solide, e që ka ambicie të rritet dhe të luaj një rol aktiv në proceset politike në vend. PSHDK-ja është shtëpia e demokristianizmit në Kosovë dhe gjithë janë të mirëseardhur.

Dihet se historia e prej themelimit të PSHDK se me Z. M. Krasniqi gjithnjë ishte bashkudhëtare dhe partner me LDK-në, po a keni ndonjë preferencë për zgjedhjet që janë në prag ?

Ky binom politik, LDK-PSHDK, ishte frytdhënës nëpër kohë. Sot ka preferenca të riforcohet kjo aleancë, mirëpo duhet vlerësuar realitetin e ri politik dhe duhet krijuar një partneritet strategjik mbi principe të shëndosha. Po shpresojmë në mirëkuptim të palëve, meqë tani konstulacioni i forcave dhe interesave politike e ideologjike, ka ndryshuar shumë.

Ne mendojmë që LDK-ja duhet të luaj një rol më proavtik në jetën politike, duke demonstruar kështu kulturën e saj politike të thadruar nga ideologu dhe ati i pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova. PSHDK-ja është dishepull besnike e filozofisë së Ibrahim Rugovës. Ne besojmë se kjo kulturë, është një vlerë suprme nacionale, të cilën kemi nevojë ta ngrisim sa më lartë, sepse kështu lartësohemi gjithë.

Ka ende shqiptarë që fatkeqësisht PSHDK ne e trajtojnë vetëm si parti e shqiptarëve të besimit të krishterë, a qëndron kjo apo është vetëm mosdije e një pjese të shoqërisë tonë?

Kjo është një marrëzi e orkestruar nga qarqe jodashamirëse. Dihet, demokristianizmi ka vu themelet e Unionit Europian dhe sot fuqia kryesore, Gjermania udhëhiqet nga demokristianizmi. Demokristianizmi i duhet Kosovës, si një vlerë e politike, e jo fetare. Në PSHDK, nga themelimi ka pasur aderues dhe veprimtaritë dhe kështu vazhdon të jetë gjer me sot.

Nëse kthejmë kokën prapa, në historinë e disa dekadave në Europë, mund të pohojmë lehtësisht, se është pikërisht demokristianizmi që ka ndihmuar sistemin vlerave të sotme europiane, të lirisë, barazisë, drejtësisë sociale, synime këto fundamentale edhe të Kosovës.

Europa dhe bota demokratike ne krye me SHBA ishin dhe janë në përkrahje të Kosovës. Kam vërejt kohëve të fundit një angazhim shumë të madhe të PSHDK se për Kosovën me partitë dhe institucionet europiane. A mendoni se në këto rrethana më shumë mundë të bëjë lidershipi i PSHDK se me demokracitë perëndimore sesa edhe vet qeveria e korruptuar, gjithnjë e kam në mendje edhe aspektin fetar kur dihet se na shqiptarët ishim dhe duhet të mbetemi pjese e civilizimit perëndimor ?

PSHDK-ja, është ajo ura lidhëse e përhershme me Europën dhe për këtë arsye, me të drejt presidenti i Senatit Demokristian Shqiptar, Lazër Stani, e quajti PSHDK-në, një medaljon të çmuar për Kosovën. Po e përsëris atë që e thash, PSHDK-ja mund të jetë një portë e rëndësishme, nëpërmjet së cilës Kosova mund të hap shumë shtigje dhe dyer të mbyllura në Europë. Asaj duhet t’i jepet mundësia që ta luaj këtë rol.

Ju faleminderit për kohën dhe suksese në angazhimet e juaja.

Ishte kënaqësi të bisedoi rreth PSHDK-së dhe momentumit në shoqërinë tonë. Respekt i thellë gazetës kombëtare Bota Sot e cila në vazhdimësi ruan vijën kombëtare dhe atë institucionale. Përshëndes edhe në emër të PSHDK-së të gjithë shqiptarët që gjenden edhe në mërgatë e pa të cilët Kosova nuk do ishte këtu ku jemi të çliruar dhe të pavarësuar.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora