E enjte, 25.04.2024, 12:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Ndrek Beltoja, stërnipi i Ded Gjo Lulit, që themeloi humorin skenik fierak

E marte, 10.06.2008, 08:46 PM


Çaplini shkodran i Myzeqesë

(Vetëm pas pak javësh, Estrada e Fierit dhe ajo e Patosit festojnë gjysmëshekullin e krijimit të tyre. Ndërsa organizatorët e ceremonisë që do të mbahet me këtë rast, kanë nxjerrë kujtimet dhe materialet nga errësira e pluhurave të bodrumeve, ku dhe u vendosën pas viteve ‘90, vjen si rreze drite dhe buzëqeshje magjepsëse tabloja e artistit Ndrek Beltoja. Dikur nëpër ato të pakta dyqane, apo dhe studio fotografësh, portreti i tij zinte vend. Ai njihej nga të gjithë. Ai pëlqehej, duartrokitej)

Vitet nuk mundën të shuajnë përfundimisht dëshirën e tij të madhe për të prurë art, dhe të arrirë madje, në ato kohë kur vendi ishte nën varfëri. Edhe pse gjurmët e tij në ditët e sotme janë shumë të pakta, ai la pas një plejadë të tërë artistësh, që si origjinë dhe start arti kanë qytetin e Fierit. Disa nga bashkëkohësit e tij jetojnë ende. Janë të paktë këta të fundit, pasi në kohën e shkëlqimit artistik të tij ishin fëmijë e adoleshentë, kurse kolegët dhe shokët e tij më të ngushtë kanë "ikur". Familja e njohu për aq sa ai u dha e u përpoq për të, kurse brezi artistik dhe arkiva e këtij të fundit e cilësuan si vazhduesin më të mirë, me frymën e re dhe moderne të viteve ‘40 e ‘50, kur edhe luajti. Ishte shkodrani që u kultivua fuqishëm nën gjenezën e tij formuese artistike në Fier, duke prurë prej vendit të lindjes, Shkodrës, atë traditë të njohur ndër vite. Edhe pse nuk vazhdoi asnjëherë shkollë arti, edhe pse gjendja e tij ekonomike ishte tepër e brishtë, ai diti të luajë mjaft bukur dhe të sjellë me rolet e tij të larmishëm karaktere dhe personazhe të veçantë, që edhe sot njihen nën autorësinë e tij. Në profesion ishte shofer, ndërsa një pjesë të mirë të jetës së tij, që u pre qysh në moshë të re, ia kushtoi artit dhe skenës. Pati fatin e keq të mosregjistrohej në celuloid, apo shirita të vjetër bobinash filmi, kurse i vetmi kujtim i epokës së tij ka mbetur në arkivat me pluhur të RTSH-së, ku zëri i tij melodioz dhe jo shumë i fryrë nga teknika që zhurmon sot, u bë një hit i atyre viteve. Atë dikush e thërriste Çaplini shqiptar e dikush tjetër Toto, sepse plastika e tij dhe mënyra interpretative ishte shumë pranë figurave të këtyre komikëve. Kishte aftësi të pamatshme komunikuese me të gjithë brezat, ndërsa preku në jetën e tij artistike mjaft labirinte të artit, që nga ai skenik aktorial e deri te teatri me hije apo dhe këngë. Jo pa qëllim atë e kanë cilësuar si artist i lindur shumëplanësh. Ndrek Beltoja rridhte nga një familje e varfër. Fisi i tij njihet e përmendet si familje patriotike e kulturore. Ndër të gjitha mund të përmendim atë që Ndrek Beltoja është stërnip i Ded Gjo Lulit. Karakteri i Ndrek Beltojës u krijua dhe u formua nën këtë frymë patriotike dhe ngjarjesh të mëdha që ishin lidhur ngushtë me fatet e Shqipërisë, si dhe të shtëpisë së tij. Jeta e tij artistike fillon në sokakët e Shkodrës, ku këndonte e bënte humor me bashkëkohësen e tij, Marie Logoreci. Shkon ushtar në ushtrinë e Zogut ende pa e mbushur moshën. Ai e mëson shumë shpejt gjuhën italiane, ndërsa qysh pas kryerjes së ushtrisë nis punë në kompaninë e huaj të naftës AIPA. Në vitin 1920, kur filloi të konsolidohej shteti shqiptar, vëllai i Ndrekës, Kol Beltoja, ka qenë në kabinetin e shtetit shqiptar. Kur është vrarë Avni Rustemi ka qenë vëllai i Ndrekës, Kola, ai që e ka prurë trupin e tij deri në Vlorë. Me këtë makinë erdhi dhe Ndreka në Vlorë. Në Vlorë, Ndreka është njohur me një nga komikët më të mëdhenj të Vlorës, Gaqo Visha. Kur flasin vlonjatët për humorin dhe për skenën e humorit, ata kujtojnë dy personalitete: Leka Krutën dhe Gaqo Vishan, por më i madhi nga këta të dy ka qenë Gaqo Visha, i cili ishte dhe koleg i Ndrek Beltojës. Në vitin 1926 ai merr patentë të klasit të tretë për të drejtuar automjet. Po në këtë vit ai shkon në Milano, Itali, ku blen një makinë me të cilën u njoh në të gjithë zonën e Tiranës, Shkodrës e Vlorës. Pas qëndrimit për pak kohë në Tiranë, ai vendoset në Vlorë për pak muaj, për të vijuar në Fier e Kuçovë përfundimisht, kur dhe u shënua vdekja e tij në qytetin e Patosit. Ai nuk pati asnjë lloj kushti dhe mundi të ecë në disa rrugë krejtësisht të reja dhe të bukura. Ai dallohej si kupletist dhe si parodist. Ndrek Beltoja ka shkëlqyer në zhanrin e parodisë, pasi dinte të krijonte dhe të lëvizte brenda saj mjaft mirë si një profesionist i vërtetë. Ai ishte një gazmor optimist. Bashkëkohësit e tij, por edhe ata me të cilët Ndrek Beltoja punoi apo dhe mësoi, e cilësojnë artist të lindur. Ai dinte të përdorte mjaft mirë serenatën edhe pse vinte nga Shkodra dhe u kultivua e u formua në Vlorë e Fier. Ai përcolli deri në kohët e sotme atë bindje që lëkundet pas përplasjeve artistike, sepse serenata korçare nuk i përket vetëm qytetit të Korçës, por gjithë vendit. Një miku i tij, që për shumë vite ka qenë mësues, Thanas Kondili, këndonte me kitarë së bashku me të dhe shpesh herë edhe pse ishte nga vendi i serenatës, vlerësonte mënyrën interpretative të Ndrekës. Ndrek Beltoja ishte një artist poliedrik. Ai i jepte gjallëri skenës dhe mbante lidhje shumë të ngushta me spektatorin. Ky është vazhduesi i fijes artistike fierake që thelloi përmbajtjen dhe frymën demokratike të gjinisë së humorit. Arti i tij u shfaq dhe u zhvillua atëherë kur njerëzit sapo kishin dalë nga revolucioni. Në radhë të parë Ndrek Beltojën e favorizonte shumë aparenca, pamja e tij e jashtme. Pamja e tij të provokonte humor. Ndreka ishte një kopjo e Çarli Çaplinit. Për ta bërë më të ngjashëm Çaplinin me figurën e tij, mbante po atë lloj veshje si Çaplini. Ai e kishte parë patjetër këtë aktor dhe donte që në ato kohë ku shkolla, biblioteka, libraria, zhvillimi ekonomik i vendit ishte i dobët, të mund ta afronte atë perlë të artit kinematografik. Ai vishte pantallona të gjera, këpucë të gjata me majë, mbante papjon, mbante një kapele republike në majë të kokës, me mustaqe "alla Hitler" dhe në hundë vendoste gjithmonë një maskë për ta treguar atë më të madhe. Edhe lëvizjet e tij ishin njësoj si Çaplini. Edhe xhaketa që vishte si në jetën e përditshme dhe në skenë ishte shumë e shkurtër dhe e ngushtë në pjesën e poshtme.

Ai kishte një aftësi të jashtëzakonshme imitimi. Ai imitonte çdo lloj artisti dhe çdo lloj njeriu në mënyrë të çuditshme. Kjo aftësi e tij nuk ishte vetëm në skenë, por ai bënte imitime të tilla sa që ai gajaste çdo lloj moshe. Aftësi tjetër e tij ka qenë përdorimi i teatrit me hije, duke bërë përtej një perdeje figura të çuditshme që shoqëroheshin edhe me zërin e tij, jo vetëm në formën e një bashkëbisedimi mes njerëzish, por edhe me kafshët. Ai bënte si mi, si mace, si qen, duke u cilësuar kështu si imituesi më i madh i kohërave. Ndrek Beltoja ka pasur aftësi të jashtëzakonshme improvizuese. Duke qenë në aftësi jo të zakonshme improvizuese në skenë, ai përdorte situata të tilla të habitshme. Nuk kishte regjisor. S‘kishte askënd që ta mësonte, por dinte si t‘i bënte e mbronte të gjitha lojërat e tij skenike. Frymëzimi, rolet, ngacmimet, emocionet që merrte, i administronte në mënyrë të tillë që të krijonte me to situata të larta humoristike. Fjalori i tij ka qenë i kuptueshëm. Nuk mund të thuash se ka qenë brenda normës së gjuhës letrare, se në vitet që ai shkëlqeu dhe luajti nuk kishte gjuhë letrare, por ai përdorte një fjalor të kuptueshëm dhe të thjeshtë. Vende-vende përdorte edhe fjalë të vjetra, si të thuash fjalë "plaka", por dhe fjalë "nuse", fjalë të reja. Ndreka ishte një artist i lindur. Ai devijonte në interpretimin e tij nga një kulm serioz drejt një vije më romantike, madje duke kapur dhe prekur kufijtë e erotikës. Ai e shfrytëzonte mirë situatën emocionale dhe medoemos përpiqej që të përcillte, të transmetonte te dëgjuesit emocione të tilla, për të cilat ngjallte krenari dhe guxim. Ai e bënte shumë të lehtë ndjenjën e urrejtjes ndaj të keqes dhe përqafimin e së mirës mes një dëshire të veçantë dhe admirim. Ai përveçse magjisë së humorit dhe këngës, ishte dhe një prestigjator, sepse bënte numra shpejtësie në skenë. Ai njihte në mënyrë të përsosur edhe shumë vegla muzikore si mandolinën, kitarën, çiftelinë, becin etj. Ndrek Beltoja ka qenë themeluesi i Cirkut të Patosit, i cili para viteve ‘90, së bashku me Cirkun e Tiranës kanë qenë të vetmit në vend. Këta krijuan personalitetin artistik të tij, i cili nga një brez i vjetër njihet mjaft mirë, ndërkohë që brezi i ri e njeh dhe përballet me të në të paktat foto që janë mbajtur nga nostalgjikët apo të afërmit e tij.

Ndodhi tragjike në skenë: Kur Ndreka ishte në skenë duke interpretuar një rol që simbolizonte pushtetin ushtarak, epshin e madh të pushtimit sundues kundër popujve, vijnë dhe e lajmërojnë për humbjen e vajzës, të cilën e kishte lënë tepër të sëmurë. Ai nuk largohet nga skena, ai qau në heshtje. Është një rast shumë i rrallë, unikal. Mund të përmenden aktorë që kanë vdekur në skenë, ka aktorë që kanë pësuar kriza apo janë sëmurë në lojë, por edhe kjo ndodhi e Ndrek Beltojës është një ngjarje shumë prekëse, me emocione të fuqishme, e cila tregon respektin dhe adhurimin e tij për pasionin dhe për skenën. Ndrek Beltoja lindi në vitin 1909, në fund të muajit tetor, në qytetin e Shkodrës. Nëna e babai e lanë jetim shumë shpejt. Dhe vdes po në datën e lindjes të vitit 1963. Ndërsa martohet me një vajzë të bukur vlonjate, gëzon gjashtë fëmijë, dy vajza e katër djem.

Kanë thënë për Ndrekën

Luftar Paja, aktor

"Jam zbulim i Ndrek Beltojës. Regjisori i parë që më ka futur në rrugën e artit ka qenë një shofer, Ndrek Beltoja, në Patos. Ai ishte një aktor amator, pasionant. Hunda, mustaqet, gjyzlykët që i kishte të ngjitura në fytyrë, bashkë me rolet e shumtë e të ndryshëm, kanë lënë mbresa të pashlyera tek unë"

Fuat Boci, aktor

"Në vitin 1944, kur dhe kam nisur punën si aktor amator, kam gjetur në skenat e Fierit Ndrek Beltojën. Beltoja ishte imitues i zoti, krijues i përsosur dhe improvizues në çdo lloj situate. Ai kishte për zemër Çarli Çaplinin, vishej si ai, mbante në skenë poture të gjera si ai. Shpesh herë në kupletë satirike të Ndrekës, në mungesë të kitarës dhe si mbushës i zërit të Ndrekës, unë imitoja vetëm melodinë e kitarës, ndërkohë që Ndreka të pushtonte me zërin e tij"



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora