E shtune, 20.04.2024, 02:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Lule Nela: Vath Koreshi - ''Ulku dhe Uilli''

E merkure, 05.03.2014, 09:05 PM


“Ulku dhe Uilli” romani i  Vath Koreshit

Nga Lule NELA

Romani “Ulku dhe Uilli”, fillimisht është botuar në Tiranë në vitin 1997 (Onufri); botimi i romanit që në fillim tërhoqi vëmendjen e lexuesit dhe kritikës. Romani u ribotua në Prishtinë (Buzuku) dhe në vitin 2005 u përfshi në Kolanën - Biblioteka “Koha ditore”, në Prishtinë, në 20 romanet e përzgjedhura. Romani “Ulku dhe Uilli”, e ka fituar statusin e të qarkulluarit si një vepër cilësore.

Kjo, për shkak të cilësisë së lartë të tekstit: dramatika e tij dhe veshja e kësaj dramatike me pejza të vetvetishme të lirizmit, duke na dhënë kësisoj në formën më sugjestive lëngatën e shpirtrave njerëzorë.

“Portretizim i shpirtrave në periferi”

Në një intervistë të vitit 1997, shkrimtari është shprehur se “...këtë libër e kam shkruar për të treguar se ç’ndodh me shpirtrat njerëzorë kur janë të detyruar të jetojnë në skajet e qytetërimeve. Skajet janë anët e livadheve, ku bari është më i shkurtër dhe më i pazhvilluar se ai që rritet në mes”. Në pamje të parë, autori ka bërë një paraqitje të fabulës së rrëfimit të tij, por kjo është vetëm pamja e jashtme e kundrimit të veprës. Nga brendësia e tekstit është njëri prej personazheve që përpiqet të shpjegojë labirinthin e një jetë të tillë: (“- Jemi në skaj, - ia mori këtë fjalë nga mendja Frederiku - dhe skajet janë të shkelme dhe barin s’e kanë fort rritë”).

Kjo do të thotë se fabula ka jetuar më së pari intensivisht në trurin e shkrimtarit dhe më pas është lëngëzuar dhe ka marrë formë si tekst artistik, çka e bën të besueshëm faktin se në raste të tilla shkrimtari kthehet lehtësisht në interpret të ngjarjeve, i gdhend dhe i lëmon me syrin e mjeshtrit. Ngjarje të tilla dalin para syve të lexuesit rrjedhshëm, herë si pamjet e një filmi, herë si peizazhe të mbuluara me një gri të errët, herë edhe si copëza imazhesh që zëvendësojnë njëri-tjetrin sipas një rregullsie të caktuar. Për sa u shtrua më sipër, kjo ka të bëjë me të jetuarit intensivisht me veprën në çastin e krijimit, ndërsa sendërtimi i tekstit, s’është gjë tjetër veçse ana formale apo teknike që kryen shkrimtari.

Në krahasim me novelat “Dasma e Sakos” dhe “Haxhiu i Frakullës”, ku lexuesi duhet të përfundojë leximin për të mësuar se ç’ndodh në të vërtetë, në romanin “Ulku dhe Uilli”, është operuar krejt ndryshe. Në kësi rastesh, shkrimtarët prezantojnë një ngjarje pikante të veprës, ose fundin e veprës, që në fillim të saj. Në romanin Ulku dhe Uilli, që në fillim paralajmërohet se ngjarjet e veprës do të futeshin nëpër labirinthe: (“Ka ndodhë nji ngatrresë, nji grua e ka ngatrrue munshinjur Agushtinin dhe e ka marrë për të vëllanë e tij, munshinjur Bdekun”).

Prezantimi i dramatikës në fillim s’e ftoh lexuesin, përkundrazi e grish atë për të ndjekur me intensitet rrjedhën e ngjarjeve. Hapja e perdes do të paraqesë një grumbull pamjesh që jetësohen nën një qiell të ngrysur. Në rast se do të flitnim për trazime shpirtërore të personazheve apo mungesë të theksuar të drejtpeshimit të tyre, kjo ka të bëjë me çorganizim (luhatje) të veprimtarisë së tyre, me një trazim të kohës në të cilën veprojnë, me fjalë të tjera, me prishjen e sistemit normal të jetesës së tyre. Në këtë rreth vështrimi kryhet edhe anatomia e shpirtrave të periferisë, ndërsa lexuesi vazhdon të kundrojë pamje realisht estetike.

Ikja prej demonëve të së keqes:

Romani “Ulku dhe Uilli”, është një vepër mbi vetërrënimin dhe ringritjen morale, një vepër mbi ankthin ekzistencial; ky roman është një requiem i munguar për vlera të humbura, por njëkohësisht edhe për rigjallërimin e tyre; është një roman për trandjen shpirtërore të personazheve, mbi krizën shpirtërore dhe ripërtëritjen morale.

Përshtypja më e parë që krijohet është se kemi të bëjmë me një jetë të turbullt, të shkrumbtë dhe të ankthshme, të veshur me një pëlhurë absurdi, që sillet brenda një rrethi vicioz. Ndërkohë, segmente të absurdit janë vizatuar përmes dridhjeve më të holla të penës së shkrimtarit, duke na dhënë peizazhe të lëvizshme të një jete të ngrirë. Secili prej personazheve është kryepersonazh më vete me gjurmë të veçanta dhe të dallueshme brenda mjedisit dhe në rast se për një kohë të caktuar nuk shfaqet nëpër ngjarje të veçanta, ndihet fuqimisht prania e tij. Kësisoj është i përfshirë në merimangën e jetës së vranët dhe turbulluese.

Kur shkrimtari në fillim të veprës informon lexuesin se “...Ka ndodhë nji ngatrresë...”, dhe prezenton vëllezërit, Bdekun dhe Agushtinin, që “ngjanin si dy pika uji me njeni tjetrin”, ka paralajmëruar, sidoqoftë, për fatin e ndryshëm të dy vëllezërve, të cilët do të rrjedhin secilin në hullinë e vet. S’është e vështirë të vërehet se kemi të bëjmë me një trupëzim të së mirës me të keqen, një ngjitje, pra e mira me të keqen pranë e pranë. Personazhet lëngojnë, lëngon i gjithë mjedisi mu për shkak të vlerave të vetërrënuara: demonët e së keqes kanë lëshuar rrënjë në shpirtin e personazheve dhe shkrimtari intuitivisht krijon një realitet tragjik të prekshëm, të gjallë, estetikisht të besueshëm, ku dhe fryma e personazheve është natyralizuar dhe mu këtu qëndrojnë vlerat më të qenësishme dhe të spikatura të romanit. Kur shkrimtari lëshon këmbanat e alarmit për largimin e demonëve të së keqes, në tekst shihet se kjo gjë bëhet krejt natyrshëm dhe nis të lëvizë drita edhe në mes të territ. Mund të përmendnim vetëm dy shembuj: Julias së vogël i vijnë sytë dhe aty kah fundi i romanit Zonja Hura dhe munshinjur Agushtini vërejnë se ikona nuk është djegur; gjithsesi lëviz drita e lartë e arsyes, e mbledhjes së vetvetes dhe zona e shkrumbtë tani nis e merr frymë, merr frymë dalngadalë, por në fund të fundit, nis e merr frymë lirshëm.

Është e natyrshme që vepra të këtij lloji si romani “Ulku dhe Uilli”, po të ekzistonin dy dekada më parë, do të anatemoheshin prej kritikës socrealiste pikërisht për nxirje të realitetit, dmth. do të qortohej aty ku ishin vlerat më të mëdha të veprës.

Në romanin “Ulku dhe Uilli”, Vath Koreshi ia ka arritur të krijojë artistikisht zonën ku vepron njeriu, e ka delegjendarizuar realitetitin, e ka demitizuar personazhin. Por shkrimtari me këto ndërthurje të situatave dhe fateve të personazheve, me këto ndriçime të labirintheve të kohës për të cilën bën fjalë, përpiqet gjithashtu të ridimensionojë vlerat njerëzore, për mungesën e të cilave vegjetonte një situatë absurdi si ajo që paraqitet në romanin në fjalë. Në hapësirë të ridimensionimit të vlerave, shkrimtari e ka parë të arsyeshme të ballafaqojë situata paratraumatike dhe pastraumatike dhe këtë e zgjidh në roman përmes ndjesës që kërkon njëri nga personazhet, gjë që njëkohësisht ka të bëjë edhe me rikthimin e besimit tek vetvetja: (“O, oh moj Zonja e Lumnueme, moj nëna jonë e shenjtë! Na i fal mëkatet dhe na i pastro shpirtërat!”)

Dalngadalë prishet rrethi vicioz ku vegjetonte jeta e personazheve; një nga shenjat më të dukshme të saj është edhe mbyllja e romanit ku veprojnë personazhe të tillë si Zonja Hura dhe Agushtini që sjellin mesazhe të rëndësishme dhe plot dritë, në krahasim me fillimin e romanit ku veprojnë Bdeku dhe Agushtini, në situata krejt të tjera.

Mëvetësia e stilit:

Mund të thuhet në prozën e Koreshit, sidomos tek “Konomea” dhe “Ulku dhe Uilli” hetohet perfeksionimi i stilit që shpesh arrin deri në virtuozitet. Arti i tij i sugjestionit përmban në vetvete, veç të tjerave, edhe metaforifikimin e rrëfimit, lirizmin e plotë, latimin e fjalës, fjalisë dhe në këtë rast sintaksa e pastër që i jep lëmueshmëri fjalisë jo vetëm në formë, por dhe në kuptimshmërinë e saj.

Në pamje të parë, duket sikur mungon hapësira vepruese e personazheve ose këto personzhe kanë hapësirë shumë të ngushtë veprimi. Kjo ka të bëjë me konceptimin e përgjithshëm të veprës për një kohë të caktuar: profili i një jetë të tërë njerëzore që dalngadalë del nga një tunel i errët; drita e atmosferës thyhet dhe në vend të saj nis dhe vepron drita e arsyes. Prandaj lexuesi mund t’i referohet një kohe të caktuar, një situate të caktuar, aq më tepër që kjo vepër merret me zonën e shpirtrave të autoktonisë.

Kur kundrojmë më nga afër stilin e romanit, pa hyrë në të gjithë mekanizmat a pjesët e veçanta stilistike, do evidentuar stili telegrafik i rrëfimit; ngjarjet në roman rrjedhin me një shpejtësi marramendëse që të kujtojnë rendjen në nja garë të fuqishme vrapimi dhe ku spektatorët mbajnë më në mendje vetëm fituesit ndërsa humbësit i fshijnë me të parën herë nga kujtesa sikur të mos ishin fare pjesëmarrës të garës. Kjo është një dukuri e njohur në letërsi, por kur përdoret me sukses, rrafshi i veprimit të personazheve zgjerohet, lihen menjanë ngjarjet thuajse periferike dhe i mëshohet së tepërmi ngjarjeve më pikante që i japin frymë veprës.

Për shembull, romanet “Qyteti i fundit” i Petro Markos, “Oh” i Anton Pashkut” apo dhe tregimi “Saku” i Ymer Shkrelit.

Në romanin “Ulku dhe Uilli”, edhe kapitujt e shkurtër bëjnë pjesë në këtë lloj stili dhe kapërcehen vite dhe ngjarje të tëra, për të mbërritur aty ku e ka synimin artistik shkrimtari dhe çdo gjë të shkojë në përshtatje me idenë e tij. Në kapitullin e fundit ngjarjet rrjedhin aq shpejt, si të thuash telegrafisht, sikur përplasen njëra me tjetrën, saqë personazhet sikur mezi marrin frymë (është fjala për Zonjën Hura dhe munshinjur Agushtinin); dinamizmi i këtyre personazheve tashmë është në shkallën më të lartë.

Fragmentarizmi në strukturë të veprës:

Më sipër prekëm kalimin e ngjarjeve pikante në mënyrën më të shpejtë dhe mënjanimin e atyre ngjarjeve të dyta e të treta që shpesh quhen edhe si periferike. Kjo mund t’i japë romanit pamjen me pjesë të fragmentarizuara. Do thënë se fragmentarizmi nuk e zbeh rrëfimin, s’e humb lidhjen organike ndërmjet pjesëve.

Përkundrazi. Fragmentarizmi trupëzohet krejt natyrshëm në arkitekturën e përgjithshme të veprës: ngjarjet duke u paraqitur si të shpërndara, mund të japin jo vetëm çrregullsinë e një kohe të caktuar, por edhe si shenjë për të tërhequr lexuesin vetëm në ngjarjet më pikante, më të domosdoshme. Kjo gjë e dendëson rrëfimin dhe e mbush atmosferën me peizazhe që ndërrohen ngutshëm. Tek De Rada, tek “Këngët e Milosaos”, dihet për shembull se ç’rol luante fragmentarizmi në krijimin e përgjithshëm të atmosferës.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora