E premte, 19.04.2024, 11:55 PM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Nga kush kërcënohet Qosja?

E merkure, 05.03.2014, 07:55 PM


NGA KUSH KËRCËNOHET REXHEP QOSJA?…

NGA NDUE DEDAJ

Nga rrethe akademike? Nga politika? Nga e djeshmja? E sotmja? Apo akademiku i njohur i letërsisë shqiptare nuk kërcënohet nga asgjë e tillë, por thjesht nga vetja?…

Një grup intelektualësh nga Shqipëria marrin në mbrojtje Rexhep Qosen, 37 vetë të këtushëm, pa asnjë nga Kosova. Ndërkohë që askush nuk e merr në “mbrojtje” Rugovën, dhe pse ai tashmë nuk mund të përgjigjet për akuzat që i bën Qosja për së vdekuri. E habitshme është se asnjë grup intelektualësh nuk është mbledhur për të bërë qoftë dhe një promemorie për Ukshin Hotin, le pastaj ndonjë manifestim proteste për filozofin e çështjes shqiptare, ndërkohë që Ismail Kadare i ka kushtuar një libër të tërë.

Qosja sulmon dhe ata që ai i godet pa mëshirë nuk paskan nevojë për mbrojtje, kurse ai e paska të nevojshme të mbrohet! Historia e memorieve të tilla është e vjetër, ajo zakonisht i drejtohet një strukture shtetërore represive, për të mos ndëshkuar dikë të famshëm, por ja që del një grup profesorësh në zë të marrë në mbrojtje një akademik, ndaj kritikave që atij i bëhen në shtyp nga të tjerë akademikë, që i mendojnë gjerat ndryshe nga ky akademiku i privilegjuar. Kjo është liria e shprehjes në demokraci dhe nuk mund të urdhërohet që të pushojë, kur dikush nuk ndihet mirë nga ato që thuhen për të në mediume të ndryshme. Rexhep Qosja nuk i ka kursyer kritikat ndaj gjithkujt që i ka interesuar, Kadaresë, Rugovës, Berishës, Mark Krasniqit, gjer Jozefina Topallit, atëherë është e natyrshme që dhe të tjerët ta “sulmojnë” atë pa u kursyer. Njerëz-mite në kohët moderne nuk ka, askush nuk është i pakritikueshëm. As etër e baballarë të kombit s’ka. As patriarkë ekskluzivë të letrave shqipe e të mendimit shqiptar nuk ka si të ketë qysh nga Barleti. Teoria me gjeneralë e me ushtarë nuk funksionon këtu. Nuk ka kurrfarë nevojë që dikush të merret në mbrojtje me “përkëdhelje” e dikush tjetër të lihet në shejninë e vet, punë e madhe se çfarë hidhet mbi figurën e tij, trëndafila apo baltë. Nuk ka qenë i pakritikueshëm as Ibrahim Rugova në të gjallë, puna është se tani nuk kanë më vlerë kritikat e bashkëkohësve për të, nëse “ai e përziente uiskin me ujë” apo jo, figurën e tij do ta rilevojë historia. Në qoftë se ai gëzon sot një nderim të posaçëm në Kosovë, kjo ndodh për shkak të kontributit të tij të madh demokratik, në vendin e tij dhe në kancelaritë euroatlantike, si frymëzues i paqes në një Ballkan asnjëherë të paqtë, dhe si i pari kryetar i shtetit të Kosovës. Të dy u nisën nga letërsia, kritika letrare dhe studimet letrare, por nëse Qosja mbeti titullari i padiskutueshëm i historisë së letërsisë shqipe, por nuk ndriti në politikë, përkundrazi kjo ndodhi me “rivalin” e tij, Rugovën, që u ngjit në majat më të larta të politikëbërjes kosovare, natyrisht duke e ndërprerë kontributin e vyer në letërsi. Kjo është historia që nuk e ke në dorë ta kthesh hullinë e saj andej nga do të vinte për mbarë. As rrethanat, as fati, as vetvetja nuk t’i japin dot të gjitha. Natyrisht që këto i di dhe akademiku kosovar dhe zotërinjtë që e marrin në mbrojtje, problemi është se ne ende ecim me paragjykime për disa e me lavde për disa të tjerë. Nga ana tjetër, sado mveshjes akademike të marrësve në mbrojtje të zotit Qosja, nuk mund të mos dallohet një sfond politik i njëanshëm dhe jo rastësisht, por se kundërvënia në vite e akademikut e atillë është, përgjithësisht ai ka qenë tepër kritik me intelektualët e djathtë dhe mbështetës i atyre me orientim të majtë.

Qosja mbrohet as më pak e as më shumë se sa nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Hivzi Islami, njeriu i “shtëpisë”. Lexuesi me të drejtë pyet, po pse e drejta nuk qenka në anën e këtij të fundit, në kuptimin që ai mund t’i drejtojë jo 55 pyetje, por dhe dhjetëfishin e tyre një kolegut të tij akademik, qoftë ky dhe zoti Qosja? Po sikur të ngrihet një grup tjetër profesorësh dhe të rreshtohet në mbrojtje të kryetarit Islami? Pastaj si nuk qëlloi ndonjë akademik i Kosovës në këtë rreshtimin e profesorëve nga Tirana? Kjo puna e rreshtimeve kësodore, që ka ndodhur jo pak këto vitet e pluralizmit politik në Shqipëri, ngjan si fort e tejkaluar. Në mos të shëmbëllen me ato përcjelljet me një duzinë nënshkrimesh, kur shuhej ndonjë nga anëtarët e Byrosë Politike në vendet e Lindjes. Praktika kur dikush shkruan një letër dhe nxiton për ta firmosur nxitimthi te një grup mbështetësish e ka origjinën nga politika, kur një grup deputetësh merr një iniciativë parlamentare etj., dhe deri te lobimet private të dikujt për ta shpallur tatën “Qytetar Nderi”, çka në qasjen akademike na duket e pavlefshme. Thua me vete si është e mundur që kaq shumë intelektualë të njohur të vendit të kenë një mendim të tillë “njëshkolonë” për një çështje (?), për më tepër me një shikim bardhezi, një tipar i shkollës së vjetër? Po ashtu gjykon si ka mundësi kaq shumë firma për një asgjësend dhe nuk janë bërë as gjysma e tyre për t’u shprehur për atë çka ndodh me Mitrovicën, për shtrembërimet në Enciklopedinë maqedonase të para disa viteve, le pastaj për lumin e Radikës? Për gjëra të tilla do të kishim dëshirë të mbanin qëndrime akademikët tanë dhe akademitë tona dhe jo se kështu i tha Qoses Islami dhe Qosja Islamit.

Nuk e fsheh që, në një anë, nuk ndihem mirë me këto radhë, pasi jo pak nga ata që kanë nënshkruar në mbrojtjen e panevojshme të Qoses janë pedagogët e mi të studimeve pasuniversitare në Tiranë, e të tjerë miq të nderuar krijues prej vitesh, por gjykoj se jam në të drejtën time ta them ashtu si e mendoj këtë punë, që është “ngatërruar” në Prishtinë e nuk ka arsye të “shkatërrohet” në Tiranë. Nuk është se bëhet fjalë për veprën studimore letrare të historianit skrupuloz të letërsisë, Rexhep Qosja, por për qëndrime të tijat individuale, për të cilat akademiku është vetë i zoti për t’u mbrojtur, siç dhe ka bërë përmes ndonjë deklarate, duke sqaruar pozicionin e tij për anë që kanë të bëjnë me jetën kulturore, akademike dhe etiko-morale në ish-Jugosllavi. Po të kishte qenë një rreshtim i tillë njëzet vite më parë kundër persekutimit të intelektualëve të Kosovës, përfshi dhe zotin Qose, nga regjimi çnjerëzor i Millosheviçit, nuk do të mjaftonin njëqind mijë fletë për të nënshkruar, por kjo mbrojtja e fundit “akademike” e Qoses nga Tirana nuk besoj se i hyn në punë as atij vetë, as atyre që e kanë firmosur në vrap.

Së fundi, akademikëve tanë të vyer, kudo që të jenë, shëndet e vepra të shquara për këtë komb, sa më pak zemërim energjibjerrës me njëri-tjetrin.

Dhe sidomos as-pak promemorie të tilla, për një flakë kashte…



(Vota: 6 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora