E shtune, 20.04.2024, 07:41 AM (GMT+1)

Mendime

Arban Bislimi: SHBA të garantojnë sovranitetin e ...

E marte, 04.03.2014, 08:59 PM


SHBA të garantojnë sovranitetin e Ukrainës, çdo hezitim do kuptohej si dobësi dhe nxitje për veprime tjera të njëanshme ruse!

Nga Arban BISLIMI

Konflikti në gadishullin e Krimeas dhe rreth bazës detare strategjike të flotës ruse në Sebastopol është një konflikt shumëdimensional në një hapësirë  ku konkurrojnë fuqitë perëndimore dhe Rusia për kontrollin e territoreve, burimeve natyrore dhe infrastrukturave strategjike energjetike dhe ushtarake të ish-BRSS. Përtej aspekteve strategjike, gjeopolitike dhe energjetike të konkurrencës së zakonshme të superfuqive për dominim dhe zgjerim të zonave të influencave, çështja ukrainase prek ndërgjegjen e njerëzimit të lirë dhe perëndimit mbi fatin e një populli trim i cili është përkrahur në revolucionin e tij demokratik përball një pushteti autoritar dhe tani nuk duhet len vet përball përbindëshit rusë. Njëherazi, agresioni rusë sfidon fuqinë e rendit botëror siç e njohim mbasi garantues të sovranitetit të Ukrainës janë SHBA, Britania e madhe dhe Rusia. Tolerimi i pushtimit të Krimeas do merrej si një shenjë dobësie dhe si nxitje për hapa të njëanshme edhe në vende tjera ndaj aleatëve të demokracive nga fuqi jo demokratike, hape që mund të shpien në një konflikt global me rreziqe të mëdha.

Kriza Ukrainase, një konflikt i ripërcaktimit të raportit të forcave në Eurazi dhe  nivel global

Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare njeh konflikte vendimtare të cilat shërbejnë si sprovë për të ripërcaktuar raportet e forcave ndërmjet superfuqive dhe vendosur rend të ri botëror. Konflikti aktual i Ukrainës dhe lufta për Krimean janë ndër ato konflikte ku Rusia rrezikon të humb kontrollin mbi një Shtet afro 50 milionësh me territorin më të madh në Evropë (603700 km katrore) dhe një rëndësie strategjike parësore si vend ku kalon mbi 60% e gazit rusë, një pjesë e bukur e naftës dhe ku gjendet flota strategjike kryesore ruse e jugut.

Krimea ka qenë dy herë në histori teatër i një konflikti me përmasa globale por me dy logjika të kundërta. Në tetor të vitit 1853 fillonte një konflikt  madhor për ridefinimin e raportit të forcave ku Rusia tsariste duke përfituar nga “kriza lindore” dhe dobësia e të sëmurit të Bosforit synon pushtimin e Rumelisë lindore duke synuar kontrollin mbi Gjirin e Dardaneleve dhe Bosforin.  Të vetëdijshëm për rrezikun gjeopolitik të një fitore ruse Francez e Anglez bashkërisht me ushtrinë Osmane bën ballë mbi 700000 ushtarëve të Tsarit rusë dhe aleatëve ballkanik (2000 serbo malazeze, 3000 bullgar, etj...) duke shënuar fitore në mars 1856. Asokohe synimi ishte të ndalet ekspansionizmi rusë i cili kishte arritur gjatë shekullit XIX një kontroll politike dhe aneksim të territoreve të Kaukazit dhe Krimes përmes politikës së “rusifikimit” të territoreve strategjike.

“Uria e madhe” që shkaktoj vdekjen e mbi 1 milion e gjysme ukrainas në 1921 dhe e afro 5 milion tjerëve në vitin 1933 (Holodomor), kryesisht në jug dhe lindje të vendit, ishte pjese e kësaj politike gjenocidale që bën që sot 8 milion rusë të jetojnë në Ukrainën lindore dhe juglindore, pjesa më e pasur me burime natyrore dhe e një vlere strategjike jetike për Rusinë. Baza e Sebastopolit në gadishullin e Krimes mbeti mbas pavarësisë me marrëveshjen e vitit 1997 nën sovranitetin Ukrainas por nën shfrytëzim të Rusisë. Duhet kujtuar se me Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, pas dy vjet negociatash SHBA, Britania e madhe dhe Rusia angazhoheshin të garantojnë "Pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës" në shkëmbim të pranimit të shkatërrimit të armëve atomike të saj, apo çarmatimit nuklear, nga ana e Ukrainës! Është pra një zotim i qartë i dy fuqive perëndimore që të sigurojnë qoftë edhe ushtarakisht mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës së çarmatosur përballë çdo rreziku të jashtëm (Rusisë) gjersa Rusia zotohej të mos cenojë sovranitetin e saj, Zotim të thyer në pabesë nga Putini. Mos intervenimi do ishte pra një tradhti ndaj popullit të Ukrainës por edhe një sinjal se perëndimi nuk është në gjendje të respekton përgjegjësitë për mbajtjen e rendit botëror.

Lufta e Krimes në vazhdën e kontrollit politik të territoreve përmes “rusifikimit” dhe krijimit të një “konflikti të ngrirë” për të mbajtur Ukrainën pengë
Ndryshe nga kontesti i luftës së Krimes (1856), konflikti i ri bëhet në kontestin e konflikteve të ngrira post-sovjetike ku Moska e frikësuar nga humbja e ndikimit synon përmes pushtimit apo krijimit të një vatre krize të përhershme në Ukrainën në ikje nga sfera e influencës së saj, për të bërë presion, për ta destabilizuar apo thjesht për të kontrolluar orientimet e mëdha të saj dhe penguar orientimin veri-atlantik të këtij vendi.
Rusia ka një praktikë të gjatë në këtë drejtim që nga “rusifikimi” i territoreve të pushtuara në shekullin XIX gjerë te krijimi i konflikteve të ngrira post-sovjetike në Transnistri, Abhkazi, Oseti, Estoni lindore (etj...). E njëjta politik u ushtrua edhe me rastin e Veriut të Kosovës dhe krijimit të enklavave serbe ku kontrolli politik dhe fizik mbi pjesën e "vyeshme të territorit" përmes popullatës dhe i pjesëve strategjike mban peng dhe nën ndikimin e ish-pushtuesit pjesën e çliruar që synon largimin nga influenca e huaj. Ashtu ne rastin e Kosovës vendi që mban burimet kryesore të ujit, minierave, vendet turistike, të burimeve të ndryshme natyrore dhe vendet strategjike kyçe mbeten nën kontroll dhe popullim serb. E njëjta gjë po ndodhë me Ukrainën ku flota kryesore ruse e Jugut qëndron si gryk topi kërcënuese mbi popujt e Kaukazit, Detit të Zi dhe Mesdheut. Nga Sebastopoli u nisen luftanijet dhe forcat amfibi që bën Gjeorgjinë shkrumb e hi.

Moskëmbëngulja për të mbrojtur sovranitetin e Ukrainës mund të nxisë iniciativa të njëanshme ndaj aleatëve të demokracive në vende tjera           
Në rastin e Krimes përtej çështjes së bastioneve ushtarake, gjeopolitike, strategjike apo te krijimit të punkteve të  avancuar strategjike të quajtur “konflikte të ngrira” që dëshiron të mban Rusia për kontrollimin e territoreve, është dimensioni tjetër rrëqethës mbasi garantues të sovranitetit të Ukrainës janë SHBA dhe Anglia. Parlamenti ukrainas me të drejtë u ka bërë thirrje me anë të një rezolute me datën 28 shkurt për të mbajtur zotimet e tyre. Të garantosh sovranitetin e një vendi nënkupton të hedhesh në luftë në rast të kërcënimit serioz të sovranitetit të tij. Një gjë e rrezikshme kur vetëm dy garantuesit kryesor kanë aftësi nukleare për të shkatërruar planetin mbi 50 here.          
Nëse Rusia merr vërtete iniciativën e pushtimit të njëanshëm të Krimes do të ishte një Casus Belli i vërtete ku SHBA dhe vendet perëndimore nuk munden, nuk duhet të qëndrojnë të palëvizur. Më e keqja mund te pritet! Nëse ata lënë në vetmi Qeverinë dhe popullin trim të Ukrainës përball agresionit të pabesë dhe te kundërligjshëm të Rusisë putiniste që dikur zotohej për garantimin e sovranitetit të saj ne shkëmbim të çarmatimit nuklear atëherë një sjellje e tillë do ishte përsëritje e historisë kur perëndimoret heshtën përball pushtimeve të Hitlerit dhe paktit sovjeto-gjermanik dhe u deshën vite të gjata dhe të kushtueshme luftë botërore dhe dhjetëra miliona viktima për të kthyer paqen. Nëse Perëndimi heshtë apo nuk merr masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë e Ukrainës do të konsiderohej si një dritë jeshile për vende tjera kërcënuese si Kina që të sulmojnë vende nën mbrojtjen dhe garantimin e sigurisë nga Amerika si Taiëani apo të nisen aventura ushtarake ndaj Japonisë siç ka shprehur tendenca Kina.        
Amerika dhe aleatet perëndimor nuk guxojnë në asnjë çmim të heshtin apo të kursehen të kërcënojnë me përdorimin e të gjitha mjeteve të nevojshme për të garantuar sovranitetin dhe rendin demokratik të Ukrainës. Nuk duhet kursyer as një kërcënim i përdorimit të forcës së ngjashme me atë të Presidentit Kennedy gjatë Krizës së raketave në Kuba përballë forcave jodemokratike lindore të cilat nuk i ndal gjë tjetër përveç forca brutale apo kërcënimi i përdorimit të saj.
Në çdo rast ndihma financiare, ushtarake dhe me mënyra e mjete tjera Ukrainës nuk duhet kursyer. Rusia ka treguar edhe në të kaluarën se din të tërhiqet nga veprimet aventureske përballë një populli të vendosur. Duhet kujtuar një situate të ngjashme me të cilën është përballur Shteti Shqiptar dhe marina jonë heroike në vitin 1961 atëherë kur Shqipëria e vetme, e vogël por patrembur përzuri nga baza e Pasha Limanit në Vlorë flotën ushtarake sovjetike e cila ishte edhe më strategjike se ajo e Sebastopolit mbasi e vetmja në Mesdhe e bllokut Sovjetik. Një betejë e tillë e lavdishme e fituar nga populli Shqiptar dhe udhëheqja e tij përball një përbindëshi të tillë duhet shërbyer si shembull dhe frymëzim ukrainasve por edhe kujtuar perëndimorëve se rusët dinë të tërhiqen përballë vendosmërisë.
Prandaj fuqitë perëndimore duhet të japin një përkrahje të parezervë revolucionareve të Ukrainës dhe aspiratave liridashëse të popullit të saj. Çdo hezitim, çdo hapë mbrapa, çdo diletantizëm nuk do merrej si tjetër veçse si shenjë e dobësisë dhe si dritë jeshile për hapa edhe më të guximshme nga forcat jodemokratike që kërcënojnë Sebastopolin, Tbilisin, Taiwanin apo Prishtinën!

Gjeopolitika e Ukrainës gazsjellesit, naftesjellesit dhe portet

Arban BISLIMI është Magjistër i Politikave Shtetërore dhe specialist i politikave dhe tregjëve të energjisë nga Shkencat politike të Parisit (Sciences Po Paris).Haut du formulaire



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora