E marte, 23.04.2024, 06:09 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Krimeja si “Casus Belli”

E hene, 03.03.2014, 09:05 PM


Krimeja si “Casus Belli”

Nga Elvi Sidheri

Shumëkush po pyet veten këto ditë, përse dreqin i është ndezur mendja Putinit për luftë?

Në fakt, veprimet luftënxitëse sa edhe provokatore të ushtrisë ruse dhe minoritetit rus në gadishullin e Krimesë e gjetkë në rajonet lindore të Ukrainës, janë sjellje të stisura që mbartin në vetvete vetëm një mesazh specifik, atë që shtyn artificialisht drejt një konflikti, të cilin Moska po e kërkon si ujët e pakët, pas përmbysjes së pakthim të autoritarit foli-rus Janukoviç në Kiev.

Në qoftë se Revolucioni i parë ukrainas, ai i paqti “Portokalli” dështoi në shumicën e qëllimeve të tij, për shkak të përçarjeve mes krahut pro-perëndimor (ish kryeministres Timoshenko dhe ish presidentit Jushçenko) si dhe për pasojë të presioneve ruse të lidhura me furnizimin me gaz natyror të Ukrainës, në rastin e revolucionit të dytë, fantazia dhe loja gjeopolitike e Moskës zyrtare, duket të ketë ngecur në cektinë...

Prandaj përse vallë të mos kthehemi tek veprimtaritë tipike të para dyqind vjetëve (siç citohet të ketë thënë edhe sekretari amerikan i shtetit Xhon Kerri duke e cilësuar sjelljen ruse kundrejt autoriteteve të reja të Kievit, si politikë të shekullit të XIX-të)?

Në këtë mënyrë, kur në një vend fqinj (apo siç e mendojnë në Moskë, duke treguar shenja të qarta refraktare ndaj një evoluimi eventual nga mendësitë sovjetike...pra në një vend “satelit” ose për t’a thënë ndryshe “vasal” të Rusisë)...ndërron pushteti që deri në atë pikë ka dhënë prova të forta besnikërie ndaj Moskës (e për rrjedhojë ka vrarë, torturuar e masakruar me gjithë mjetet, popullin e vet, të cilin supozohet të përfaqësojë)...atëherë mjaftojnë një dorë tankesh dhe njësish ushtarake, që t’a kthejnë gjendjen në favor të orekseve ekspansioniste të “Carit” të ri moskovit.

Pretekstet që në botën normale të qytetëruar të shekullit të XXI dhe të mijëvjeçarit të tretë në të cilin jetojmë, nuk do të qëndronin as në qiell e as në tokë, nuk është e vështirë të sajohen sa hap e mbyll sytë, fundja vetë presidenti në rrugë për t’u bërë “i përjetshëm” (Putini tashmë është zgjedhur tre herë në këtë post dhe gjasat e shenjat nuk janë që të jetë ngopur sadopak nga pushteti)...njihet si një ish funksionar i KGB-së në ish Gjermaninë Lindore.

Kështu revolucioni i dytë ukrainas që rrëzoi një “diktator në formim” si ‘muzhiku” tipik Janukoviç, pas shumë muajsh protestash që u shoqëruan me vrajse dhe dhunë të pashembullt nga regjimi filo-rus i këtij të fundit, nga Moska nis të cilësohet menjëherë si grusht shteti i ultranacionalistëve të cilët hipotetikisht (sipas traditës totalitare ruse...pa asnjë copë prove relevante)...do na rrezikuakan seriozisht jetët e minoritarëve rusë në Ukrainë!

Flasim gjithmonë për hipoteza, hamendësime që asnjëherë rusët nuk marrin as mundimin më të vogël për t’i ilustuar me ndonjë tip fakti sado të imët që të jetë...

Rëndësi ka që Putin e mendon kështu, se për të tjerat dhe të tjerët, nuk na intereson gjë veçanërisht!

Fakt është se përgjatë ditëve dhe muajve të qëndresës popullore në sheshin “Maidan” në qendër të Kievit, nuk është se në kryeqytetin ukrainas, të ketë mbretëruar (me shumë, po shumë të drejtë gjithësesi) ndonjë atmosferë e theksuar pro-ruse...dhe arsyet janë të qarta si drita e diellit!

Çdokush me pak mend në kokë dhe gjykim të kthjellët, do t’a mirëkuptonte qëndrimin e qytetarëve të thjeshtë ukrainas kundrejt Rusisë e cila ndërsa “delfini” i Moskës Janukoviç dërgonte njësitet speciale të policisë që të godisnin me çdo mjet (edhe me snajperistë të zgjedhur )...protestuesit civilë në shesh, guxonte me arrogancë përditë që opozitarët në Kiev, t’i cilësonte si kriminelë, fashistë e ultranacionalistë.

Të mos ndjesh sentimente “miqësore” ndaj atyre që njëherë hiqen si vëllezër të përkujdesur (rusëve) e pastaj shtyjnë me të gjitha mënyrat (antidemokratike, opresive) kanakarët e tyre (Janukoviçin dhe sistemin e tij gjysëm-diktatorial)...drejt shtypjes së protestave qytetare, nuk është aspak ndonjë mëkat!

Në rast se autoritetet zyrtare ruse, do të kishin tentuar që të qëndronin ndopak asnjëanëse në përballjen e hekurt midis shpirtit mazhoritar pro-perëndimor të Ukrainës dhe minorancës ruse bashkë me rusofonët e atij vendi, atëherë situata do të kishte marrë një drejtim shumë të ndryshëm dhe erërat e luftës në mes të Europës, nuk do të kishin nisur të frynin kaq fort.

Thënë kjo duke mirëkuptuar deri në njëfarë pike edhe preokupimin e ligjshëm të një shteti si Rusia, për bashkëpatriotët e vet me banim në Ukrainë (7 milionë).

Puna është se në botën moderne, atë të supozuarën si të civilizuar dhe ku ligjet ndërkombëtare kanë ende ndonjë vlerë që tejkalon peshën “simbolike”, askush, sado ushtri të fortë e burime të pasura energjitike të posedojë, nuk bën marrëzira të modelit të pushtimit të një vendi fqinj duke shpikur arsyetime pak të thuhet fëminore për të justifikuar një gjest të tillë mesjetar.

Duket sikur Putini, në të vërtetë as që e lodh mendjen për të kërkuar ndonjë lloj justifikimi të qënësishëm për pushtimin deri tani të heshtur faktik të gadishulit të Krimesë...

Për këtë arsye edhe shkaqet e trumbetuara fort nga rusët si gjenezë e përparimit të ushtrisë së tyre brenda territorit të një vendi sovran si Ukraina, janë realisht tejet qesharake e të tejkaluara prej së paku 46 vjetësh nga koha (qysh prej pushtimit rus-sovjetik me anë të forcave të Traktatit famëkeq të Varshavës të Çekosllovakisë në vitin 1968, pasi vendi i pati dalë duarsh vijës politike të Moskës).

Është po ashtu momenti për të kujtuar se sërish përvoja çekosllavake del në pah, kur zhvendosemi në kohë gjer në vitin e largët 1938.

Ishte periudha e ekspansionit madhor të Rajhut të Tretë dhe “Fyhrerit” megalloman Adolf Hitler dhe Gjermania naziste nën pretekstin e zakonshëm të rasteve të tilla (të njëjtin që përdorin rusët sot në Ukrainë e serbët dje në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë)...atij të mbrojtjes së të drejtave të “kërcënuara” të gjermanëve minoritarë që jetonin aty, në vitin 1938 aneksoi gjithë rajonet veriore dhe perëndimore të Çekosllovakisë (Sudetenland).

Arsye komike pa asnjë lloj verifikimi në terren, nazistët gjetën edhe për të sulmuar Poloninë më pas dhe gjithë Europën në pak kohë!

Janë të njohura tezat naziste që mbështetnin ekspansionin gjerman përveçse në teorinë haluçinante të “rracës superiore gjermanike”...edhe tek prania e shumë minoriteteve gjermane të shpërndara anembanë Europës së asaj periudhe.

Kështu ndër të tjera Franca u sulmua (dhe pushtua në pak ditë) edhe për shkak të krahinës së njohur të Alsasë Lorenës (banuar historikisht nga popullsi gjermanike, me kryeqendër qytetin e hijshëm të Strasburgut ku si shenjë e kohëve të ndryshuara, sot kanë selinë disa institucione europiane).

Ushtria gjermane shkeli e nënshtroi (shpesh duke vendosur regjime kuislinge) edhe Hungarinë me një prezencë të ndjeshme popullate gjermane, Jugosllavinë ku gjermanët jetonin në Vojvodinë, Rumaninë me pasardhës së kolonëve gjermanë saksonë të mesjetës, në rajonin historik të Transilvanisë, Ukrainën (ku gjermanë ka patur pikërisht në Krime dikur) dhe zonën e Vollgës me një komunitet të gjerë gjermanik.

Pas Luftës së Dytë Botërore, shumica e këtyre komuniteteve minoritare gjermane u “përzunë” me dhunë si raprezalje për krimet e tmerrshme të aparatit ushtarak nazist nëpër vendet e pushtuara, apo u internuan masivisht nga Stalini për në Azinë Qëndrore (Kazakistan, Uzbekistan, Kirgizistan) dhe në Siberi.

Por njëkohësisht sjelljet zjarrvënëse naziste apo serbomëdhaja, nën pseudo-pretekstin e mbështetjes së minoriteteve përkatëse gjermane ose serbe në Europë e ish Jugosllavi, mbeten si disa nga faqet më të errëta të shekullit të kaluar.

Pra eksperienca e gjerë historike, na tregon se jo rrallë Moska zyrtare, nën çdo regjim (carist, sovjetik apo putinist-oligarkik), ka tenduar që të përdori justifikime të tilla (herë politike, herë nacionalisto-protektive kundrejt bashkëatdhetarëve të vet minoritarë tjetërkund)...për të sulmuar dhe vënë nën “zgjedhë” vende apo popuj të ndryshëm sovranë.

Europa dhe bota e qytetëruar në këtë mënyrë nuk besoj të jetë ndjerë thellësisht e surprizuar nga reagimi arrogant rus ndaj revoltës paqësore qytetare në Kiev, që i dha dërrmën e merituar, një satrapi rusofon si Janukoviçi.

Rusia pas rënies së “kukullës” së vet në Kiev, praktikisht doli jashtë loje në Ukrainë e një përgjige do pritej.

Do të përdorej një ndërthurje e presionit të shtuar politik mbi autoritetet e reja filo-perëndimore të Kievit.

Do të luhej me aspektin e rënduar ekonomik (gazin dhe po ashtu edhe investimet e mëdha ruse në Ukrainë, bankat etj), do të hynin në lojë (siç hynë me prepotencë të padëgjuar) edhe rusët e Ukrainës, do të tensionohej artificialisht pa asnjë shkak situata në Krime, do të shfrytëzoheshin vështirësitë dhe destabiliteti financiar i fqinjit të pabindur, por përçapjen ala-sovjetike “model vitesh 50-të” të shekullit të kaluar, sikur të gjendeshim akoma në mes të Luftës së Ftohtë Lindje-Perëndim, vështirë t’a kishte pritur kush!

Thonë të mirëinformuarit se Vladimir Putin, si një skile e vjetër ish KGB, është gjithçka përveçse një i marrë ndërkohë!

Sepse që të tentosh zbatimin e sjelljeve sovjetike në vitin 2014-ë e të hysh në konflikt me gjithë botën normale, kur vetë ish Bashkimi Sovjetik ka mbi dy dekada që na ka lënë pendët pa asnjë lavdi, i rrënuar nga konkurrenca dhe rivaliteti i pamundur me zhvillimin marramendës teknologjik e ushtarak të tërë hapësirës Perëndimore e sidomos të superfuqisë të vetme të vërtetë, pra SHBA-së, kjo do të thotë dy gjëra kryesisht...

Ose që “koka e Kremlinit” ka luajtur mendsh (pak e mundur) dhe është bindur se mund të ndezi në zjarr e flakë një shtet të pavarur, duke prurë luftën në zemër të Europës, në kufi me disa vende të Bashkimit Europian dhe të NATO-s, pa hasur në asnjë pengesë apo reagim ...

Ose që kërcënimet ruse dhe sjellja në dukje plot vetëbesim e Putinit, janë pjesë e një loje ku Rusia me tanket e veta, synon që përmes Krimesë (ku rusët janë veçse 60 % e popullsisë, pra jo shumica dërrmuese) dhe rajoneve lindore (Donjeckut ose Kharkivit, ku rusët nuk janë kurrë mbi 40 %), të vijojë qënien faktor me rëndësi në jetën e Ukrainës së ardhshme e të mos mbetet me gisht në gojë.

Kësaj teze i shkon përshtatat fjalori luftënxitës plot me “fashistë dhe ultranacionalistë” ukrainas (tipik për një regjim si ai moskovit, që është për vete një përzjerje eksplozive fashizmi, ultra-shovinizmi dhe oligarkizmi ekonomik që kërcënon hapur fqinjët dhe botën e qytetëruar)...që po dëgjojmë shpesh këto ditë!

Por siç duket Rusia e sotme, po jeton dhe vepron jashtë epokës në të cilën gjendemi, pa kuptuar (ose bërë sikur) se koha ka ecur dhe ndryshuar...e kush nuk e kupton këtë gjë, është i destinuar të dështojë herët a vonë!



(Vota: 13 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora