E premte, 29.03.2024, 03:05 PM (GMT)

Mendime

Arben Idrizi: E keqja nis nga budallallëqet

E diele, 02.03.2014, 05:05 PM


E keqja nis bash nga budallallëqet

Nga Arben Idrizi

E vetmja gjë për të cilën vazhdimisht i kam lejuar vetes të parashikoj, por duke u thirrur tek arsyeja, është pikërisht kjo: shumë shpejt edhe në vendin tonë do të nisin të shpërthejnë bombat e terrorizmit islamik! Asaj kasaphane i hapin rrugë dhe e dëshirojnë pikërisht këta reperë e imamë e intelektualë!

Është për t’u diskutuar, ma ha mendja, e për ndonjërin tjetër, më mendjeprehtë, gjërat mund të jenë më të qarta, nëse persona të caktuar publikë, por pa ndonjë autoritet të njohur dhe pranuar gjithaq, mund të paraqesin rrezik për demokracinë dhe shoqërinë po aq sa personat publikë me një autoritet të njohur dhe pranuar, institucional, moral a tjetër.

Nëse e përjashtojmë mundësinë që të paraqesin po aq rrezik, atëherë edhe mund të mos shqetësohemi gjithaq nëse një këngëtar, pavarësisht se është një analfabet funksional, me muzikën e tij nxit dhe përhap urrejtjen fetare, etnike e seksuale.

Megjithatë, sidomos në ditët e sotme të këtij progresi tekonologjik, ku mundësitë e qasjes në dhe distruibuimit të cilësdo formë artistike a tjetër të nxitjes dhe përhapjes së urrjejtes janë jashtëzakonisht të hapura, nuk do të duhej të kishim mbarë atë rehati të injorimit dhe neglizhimit. Ngase, me këto mundësi, edhe injoranti më i humbur i vrimës më të largët, arrin të dalë në sipërfaqe dhe të tërheqë vëmendjen e qindra, mijëra e miliona vetave. Prandaj, edhe një analfabet funksional, me dy nota dhe me një përroskë të turbulltë vërshimi fjalësh urrejtjeje arrin, me anë të mediave, rrjetit social, ueb faqeve dhe hapësirave të tjera promovuese e transmetuese, të fitojë simpatinë e qindra, mijëra e miliona vetave të gatshëm të urrejnë po sa ta kenë konsideruar (po sa t’u jetë dhënë shenja) se janë duke u thirrur ta bëjnë atë gjë.

Me këtë dua të them, më konkretisht, se, sado që për ndonjë moment mund të na bëhet se budallallëqeve të ndonjë reperi si Gold Ag as që duhet t’ua vëmë veshin, urtësia na thotë se e keqja, së cilës gjithmonë duhet t’i vihet veshi, nis pikërisht nga budallallëqe të tilla. Se, natyrisht, vetëm budallallëku është ai që e bën njeriun të urrejë dhe vrasë.

Pra, një reper i tillë paraqet rrezik për demokracinë, vlerat humane dhe parimet universale po aq sa edhe një autoritet fetar i njohur dhe pranuar, në këtë rast, imami ekstremist Shefqet Krasniqi, apo një autoritet tjetër intelektual me prirje ekstreme nacionaliste e fetare, si Milazim Krasniqi.

Sharjet, fyerjet, deklaratat si ato të reperit, imamit apo atij tjetrit janë vetëm një fije floku larg, në cilësinë e formës praprijëse, veprimeve fizike, dhunës dhe terrorizmit. Janë përjashtime të rralla rastet kur dhuna fizike shpërthen para se të ketë hapur hullinë e thellë e të kapërcyeshme dhuna verbale. Që fanatikët dhe urrjejtësit të nisin të hanë kokat e “të pafeve”, duhet së pari që autoritetet fetare t’ua mbushin mendjen me fjalë në tubime, media, rrjete sociale, se ata “të pafetë” janë e keqja e parë dhe e fundit dhe pa i zhbërë ata nga faqja e dheut s’ka shpëtim, e cilido që arrin të zhbëjë sa më shumë të tillë, aq më i fituar do të jetë në sytë e Atij.

E vetmja gjë për të cilën vazhdimisht i kam lejuar vetes të parashikoj, por duke u thirrur tek arsyeja, është pikërisht kjo: shumë shpejt edhe në vendin tonë do të nisin të shpërthejnë bombat e terrorizmit islamik! Asaj kasaphane i hapin rrugë dhe e dëshirojnë pikërisht këta reperë e imamë e intelektualë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora