E marte, 23.04.2024, 12:04 PM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Ali Ahmeti i bishton Presidentit

E diele, 02.03.2014, 07:02 PM


ZOT I MADH SHPËTOI SHQIPTARËT NGA VETVETJA! ALI AHMETI I BISHTNON PRESIDENTIT KONSENSUAL

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Dua të kthehem paksa prapa në kohë, kur në Maqedoni nuk kishte shpërthyer ende konflikti që do ta vinte në qendër të vemendjes Ali Ahmetin si hero dhe do të sillte për pasojë Marrëveshjen e Ohrit, e cila edhe sot e kësaj dite nuk është e implementuar.

Kur hymë në Maqedoni atë botë si gazetë, ishte viti 1999-2000, ne filluam të denonconim segregacionin sllavomaqedon kundër shqiptarëve, por nuk kaloi shumë dhe u shkua deri aty sa do të na akuzonin si shkaktarë që rrezikonim stabilitetin e Maqedonisë. Për të qeshur dhe qarë.

Nuk janë përralla, po realitet. Një realitet që ka ndodhur jo më larg se një dekadë e ca më parë. Mjerisht ata që i ngritën këto akuza kundër nesh duke i shtyrë militantët të pengonin shitjen e gazetës, e cila përpihej nga shqiptarët e Maqedonisë, ishin shqiptarë - atë kohë në pushtet. Si reaksion i këtyre akuzave monstruoze, gazeta Bota Sot digjej në Shkup e Tetovë dhe bëhej gjithçka që të pengohej shpërndarja deri sa iu ndalua botimi në Maqedoni.

Paralelisht në Zvicër u përcoll „akuza“ kundër gazetës dhe ne gazetarëve të saj për racizëm antisllav, e cila na solli andralla të tjera, por që në fund fitoi drejtësia dhe ne dolëm të pafajshëm, ndërkohë që ambasadori shqiptar i asaj kohe i Maqedonisë nuk do të vononte e do të shpallej non grata nga autoritetet zvicerane, sepse flitej se kishin kapur të ngiste makinën në gjendje të dehur!

Dolëm të pafajshëm, sepse drejtësia në Zvicër nuk është si në Ballkan! Dhe ne si gazetarë asnjëherë nuk përdorim gjuhën e urrejtjes dhe dasive, as kundër shqiptarëve dhe as kundër kombeve të tjera. Kështu, kush do t’i analizojë shkrimet tona me një lupë të madhe, nuk do të gjejë kurrë diçka që bie ndesh me principet demokratike, të cilat ne i kemi udhërrëfyese si profesionistë.

Ne kërkojmë që shqiptarët të jenë të barabartë mes të barabartëve, të jenë europianë midis europianëve. Dhe është shumë e lehtë të kërkosh të drejta nga këto pozita që i kërkojmë ne, sepse vizioni jonë është thellësisht Perëndimor, por problemi është kur përballemi me mendësinë arriviste dhe tribale të klasës politike shqiptare, e cila është kthyer në një hendikep të madh për integrimet e shqiptarëve në Europë.

Siç po flasin edhe lajmet e fundit që vijnë nga Maqedonia, ku Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partia e Ali Ahmetit, heroit të luftës dhe antiheroit të paqes, që bashkëqeveris vendin që pas konfliktit të Maqedonisë bashkë me VMRO-DPMNE ka deklaruar se do t’i bojkotojë zgjedhjet presidenciale.

Ky prononcim nga BDI vjen si kundërthënie në kohën, kur Partia Demokratike Shqiptare e opozitës ka paraqitur si kandidat të saj për president Iljaz Halimin, zyrtar i lartë i kësaj partie dhe ish-nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë.

Pra prapë shqiptarët janë të ndarë e përçarë. Në vend të bashkimit të të gjithë faktorit politik shqiptar, Ali Ahmeti i bishtnon bashkërendimit dhe mbetet nën varësinë e VMRO-DPMNE.

Rreth një presidenti të përbashkët konsensual të faktorit politik shqiptar në Maqedoni është shprehur edhe Rufi Osmani, kryetari i partisë Rilindja Demokratike Kombëtare. Rufi Osmani iu bëri thirrje dy partive më të mëdha shqiptare, BDI dhe PDSH, që pavarësisht ndarjeve, për këtë çështje duhet të bëhen bashkë dhe të dalin me një emër të përbashkët. Këto thirrje kanë rënë në vesh të shurdhët.

Tani qëndrimet e dy partive kryesore i kemi të qarta, ashtu si edhe qëndrimin e Ali Ahmetit që i bojkoton zgjedhjet presidenciale.

Edhe një herë u shfaq në dritën e diellit qëndrimi destruktiv dhe obstruksionist i faktorit politik shqiptar, në këtë rast i Ali Ahmetit i cili bllokon rrjedhat normale që duhet të ketë faktori shqiptar në Maqedoni.

Zgjedhja e një emri të përbashkët, e një shqiptari me integritet që e meriton të jetë kandidati i përbashkët për president i faktorit shqiptar, mendoj se është gjëja më e mundshme, por faktori politik sheh vetëm intersin e vet dhe pak interesohet për të përmirësuar dhe faktorizuar komunitetin e shqiptarëve si palë shtetformuese e vendit.

Klasa politike shqiptare në përgjithësi është mjeshtre për ta bërë të mundshmen të pamundshme në dëm të integrimeve të natyrshme të shqiptarëve në një shoqëri demokratike me perspektivë integrimin europian.

Por nëse shqiptarët nuk integrohen dot me veten, nuk gjejnë dot gjuhë të përbashkët, paçka se flasin të gjithë shqip, atëherë mbetet t’i lutemi Zotit që t‘i pështojë shqiptarët nga vetvetja!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora