E enjte, 28.03.2024, 11:29 AM (GMT)

Përjetësi » Lushaj

Zeqir Lushaj: Ky është Kleidoni, President i Rinisë

E shtune, 01.03.2014, 08:50 PM


KY ËSHTË KLEIDONI, PRESIDENTI I RINISË

-Intervistë me dhjetë pyetje e redaktorit të pergjithshem të ZSh-së Zeqir Lushaj, drejtuar Kleidon Ndreut, djaloshit bashkatdhetar nga Dibra e Shqipërisë, i zgjedhur President i Rinisë në shkollën 9-vjeçare nr. 6, në Cliffside Park të New Jersey-t, USA-

-Redaktori ynë Lushaj, në bisedë me Kleidonin, 1 Mars 2014-

Pyetje 1:  -Sa vjeç keni ardhur në Amerikë dhe çfarë mbani mend nga Shqipëria?

Përgjigje:  -Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kam ardhur në moshën 4-vjeçare. Pra, sapo kisha bërë hapat e parë në jetë. Duke qenë se u largova nga Shqipëria në një moshë kaq të vogël, edhe kujtimet prej saj më vijnë të vagëta, por gjithmonë më ka shtyrë kureshtia për të vizituar vendlindjen. Kjo nuk lidhet dhe aq shumë me faktin se nga Shqipëria ruaj kujtime të bukura, por edhe sepse sa herë jam rikthyer atje, kam gjetur e ndier atë ngrohtësinë që të ofrohet në një mënyrë krejt ndryshe nga vendet e tjera. Me sa duket, kjo është edhe arsyeja që, edhe tani, pas kaq shumë vitesh shkëputjeje fizike prej vendlindjes, vazhdoj të ruaj një ndjeshmëri të brendshme për atdheun tim, që herë-herë buron prej pavetëdijes e herë të tjera me vetëdije shkoj drejt tij.

Pyetje 2:  -Me çfarë lidhen mbresat tuaja të para të mbërritjes në Tokën e Shenjtë?

Përgjigje: -Përgjithësisht, përballja me një jetë të re, sidomos me një vend siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shihet si një fillim i ri, pozitiv. Kjo ndodh kur ke njëfarë përvoje nga jeta e mëparshme, kur je i vetëdijshëm për të. Në rastin tim nuk kishte si të ndodhte kjo, pasi unë u largova nga Shqipëria në një moshë kur nuk kisha as njërën e as tjetrën, pra, as përvojën e as vetëdijen. Që do të thotë se mbresat e mia të para pas mbërritjes në të ashtuquajturën “Tokë e Shenjtë” ishin ato të një fëmije që sapo kishte filluar të kuptonte. Megjithatë, më kujtohet shumë mirë se si e gjithë mërzitja që kisha prej ndarjes nga thuajse të gjithë të afërmit e mi, u kthye në një kureshtje: pallatet e larta, shtëpitë e bukura, qyteti i madh, i pastër, me pak fjalë një vend përtej imagjinatës sime fëmijërore dhe, absolutisht, diçka krejt ndryshe nga Shqipëria.

Pyetje 3:  -Ditët e para të shkollës në Amerikë?

Përgjigje: -Në të vërtetë, përshtatja, si gjithmonë e si kudo, ishte paksa e vështirë. Po përballesha me çdo gjë të huaj; me bashkëmoshatarë që flisnin tjetër gjuhë, që u përkisnin feve të ndryshme; me fëmijë me ngjyrë, me të bardhë e aziatik; domethënë, me fëmijë nga të katër anët e botës. Nga ana tjetër, unë isha një copëz e këtij mozaiku, një fëmijë që vija nga pjesa tjetër e botës, por që në vendin tim të gjithë flisnin të njëjtën gjuhë. Megjithatë, pak nga pak arrita të bëhesha pjesë e “grupit të të huajve”, duke mos u ndier më i huaj, por anëtar me të gjitha të drejtat, i këtij komuniteti.

Pyetje 4:  -Si është sistemi i zgjedhjeve në shkollën 9-vjeçare dhe a mendoje se një ditë do të ishit ju Presidenti i Rinisë së kësaj shkolle?

Përgjigje: -Sistemi i votimit në shkollë ka të bëjë me disa hapa dhe procedura, të cilat mund t’i kryejë secili prej nxënësve që ka dëshirën dhe vullnetin për të qenë kandidat për President të Rinisë. Fillimisht plotësohen disa formularë me të dhëna të përgjithshme, por edhe specifike; më pas duhen siguruar 40 nënshkrime nga nxënësit që e konfirmojnë dhe janë dakord me kandidaturën; përveç këtyre, nevojiten edhe dy nënshkrime nga dy mësues të kësaj shkolle dhe një nënshkrim nga administratori i shkollës. Pasi janë siguruar këto, fillon ajo që mund të quhet punë individuale, pra, që nuk varet nga të tjerët: përgatitja e programit, e posterëve, bisedat me nxënësit. Fillon ajo që mund të quhet fushatë parazgjedhore, e cila zgjat dy javë. Në fund të dy javëve, secili prej kandidatëve, që në rastin në fjalë kanë qenë katër, duhet të mbajë një fjalim. Në fund është dita e zgjedhjeve, ku votojnë të gjithë nxënësit për kandidatin që ka qenë më bindës në ato që ka thënë e ofruar.

Pyetje 5:  -A pate emocion kur u zgjodhe me votim në këtë detyrë shoqërore?

... Kleidoni..., gjithnje prane shkolles, prane problemeve te saj

Përgjigje: -Është pak të thuash se u emocionova. Madje, tani që po rikthehem në kohë, emocionet e ditës kur u zgjodha në këtë detyrë, mund të krahasohen me emocionet e ditës së parë të shkollës, vetëm se ndryshon natyra e emocionit. Tashmë emocioni kishte fituar natyrë të disafishtë. Ndjesia e parë kishte të bënte me faktin se u ndjeva një person i rëndësishëm, një ndjesi kjo që forcohej edhe më tej kur kisha parasysh se deri këtu kisha arritur me forcat dhe aftësitë personale. Nga ana tjetër u ndjeva në të njëjtën kohë amerikan me “të drejta të plota”, por edhe krenar që një shqiptar kishte triumfuar mbi të tjerët. Amerikan sepse kjo përgjegjësi e re më bëri plotësisht shtetas të Amerikës dhe, shqiptar, sepse kisha prekur ëndrrën amerikane pa e mohuar për asnjë çast prejardhjen time.

Pyetje 6:  -Konkretisht si është veprimtaria juaj në kuadër të detyrës që të kanë zgjedhur?

Përgjigje: -Aktivitetet e mia si President i Rinisë janë të disafishta: fillimisht kam si detyrë të njoftoj/informoj nxënësit për çdo mbledhje apo takim që zhvillon këshilli i studentëve të shkollës. Po ashtu, jam i angazhuar në gjetjen dhe mbledhjen e fondeve apo në organizimin e veprimtarive me karakter bamirësie; gjithashtu duhet të ofroj/jap ide në lidhje me mënyrën e mbledhjes së këtyre fondeve. Të gjitha këto për sa u përket aktiviteteve të mia në bashkërendim me individë apo struktura të tjera. Por, që të vazhdoj të mbetem President i Rinisë duhet patjetër të ruaj rezultatet e larta të notave që kam marrë deri tani, nuk duhet të bëj veprime që bien në kundërshtim me ligjin, si dhe duhet të jem gjithmonë shembull pozitiv për të gjithë nxënësit.

Pyetje 7: -Cili nga prindërit të ka qëndruar më pranë dhe të ka ushqyer më shumë me dëshirën për punë shoqërore, babi Agroni apo nëna Shega?

Familja e dalluar dibrane “Ndreu”, Agroni e Shega me tre feminjtë: (Kleidoni në mes, Liza ne prehrin e Sheges dhe Ema  në dore të babait. USA, 1 mars 2014)

Përgjigje: -Kjo është një pyetje që nuk mund të marrë përgjigje të prerë. Pra, nuk mund ta them prerazi se kush se kush më ka mbështetur më shumë e kush më pak. Të dy kanë qenë, le të themi, krahu i djathtë në këtë sipërmarrje që për mua ka një rëndësi të veçantë. Nëse mami më ka ndihmuar praktikisht me ndonjë detyrë që mund të më ketë dalë si pasojë e mbërritjes në këtë post, babi, i angazhuar vazhdimisht me punë, më ka dhënë më shumë mbështetje teorike dhe prej tij ruaj këshillën e parë të vyer që më dha: "Mos harro se kush je e nga ke ardhur! Vetëm kështu do të mund të arrish e të mbetesh pronar i botës, por edhe shërbëtor i saj.”

Pyetje 8:  -A i ke treguar gjyshit tënd, Bajramit, i cili për shumë vite ka qenë arsimtar dhe tani është pensionist në Tiranë, për arritjet e tua në shkollë dhe si i ka pritur ato?

Përgjigje: -Gjyshi im, pikëmbështetja ime morale, por edhe këshilluese, ka qenë dhe vazhdon të jetë udhërrëfyesi më i madh. Gjithmonë është ndier krenar për mua, për arritjet e mia mësimore dhe, sa herë që më “kontrollonte” listën e notave, fytyra i përshkohej nga një emocion i veçantë. Por, fakti që u zgjodha President i Rinisë në shkollën time, e emocionoi edhe më tepër, aq sa u përlot. Jam i sigurt se, ashtu siç ai, në rolin e mësuesit, ka rrezatuar dije te të gjithë nxënësit e vet në Shqipëri, ashtu edhe unë do të përpiqem të bëj të njëjtën gjë këtu, sigurisht duke vazhduar të ndjek këtë rrugë që kam nisur.

Presidenti i Rinisë..., me motrat e dashura Liza dhe Ema Ndreu

Pyetje 9:  -Kur do të shkosh në Shqipëri dhe si e ndien veten dhe e realizon lidhjen me atdheun?

Përgjigje: -Shqipëria, një vend i vogël, por një emër i madh, shumë i madh. Që prej ardhjes sime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë e kam vizituar thuajse çdo vit. Të njëjtën gjë shpresoj ta bëj edhe në vazhdim. Vizita e radhës do të jetë verën që vjen dhe mezi e pres këtë çast. Shqipëria nuk është thjesht atdheu im; është shtëpia ime, vendi ku, pavarësisht të gjithave, ndihem i plotë. Atje kam të afërmit dhe gjithë pjesën tjetër të familjes, të cilët më falin lumturinë dhe dashurinë më të madhe. Shqipëria është vendi i mungesës së trefishtë: larg saj mungon atdheu, mungon familja, mungon ajo përmasa që më bën të ndihem i plotë.

Pyetje 10:  -Sot je President i Rinisë në një shkollë të Amerikës. A mendon se një ditë mund të jesh edhe President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Përgjigje: -Kur isha i vogël, gjyshja, e cila ka edhe një emër domethënës, Shpresë, nuk më thërriste asnjëherë në emrin tim, Kleidon, por gjithmonë në emrin e Presidentit të asaj kohe, pra, të Klintonit. Le të themi se ajo ishte e para që më shtyu drejt kësaj ëndrre. Pse jo, të mos udhëheq një ditë Amerikën?! Edhe pse në shumë raste ëndrrat mund të mbesin thjesht ëndrra, janë ato që na e zbukurojnë jetën dhe që na shtyjnë të luftojmë për një të ardhme më të ndritur. Kështu që do t’ju gënjeja nëse do t’ju thosha se nuk e kam një ëndërr të tillë. Deri dy dhjetëvjeçarë më parë, askush nuk e mendonte se “Toka e ëndrrave” do të udhëhiqej nga një njeri me ngjyrë, por ja që ndodhi. Edhe tani, ndoshta askush s’e mendon se një ditë Amerika do të udhëhiqet nga një shqiptar, por gjithçka mund të ndodhë.

Të falënderojmë për bisedën e këndshme dhe kur të bëhesh i madh në moshë e detyrë, mos harro se intervistën e parë të jetës tënde ta ka marrë e publikuar revista “ZemraShqiptare”, e cila botohet në Londër por është prezent në të pesë kontinentet si pjesë e Internetit.



(Vota: 46 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora