E premte, 29.03.2024, 12:38 PM (GMT)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Varësia e Qeverisë ndaj Fazlliçit

E premte, 28.02.2014, 07:14 PM


Varësia e Qeverisë “Rama”, pas asaj “Berisha”, ndaj Fazlliçit, si nënprodukt i varësisë historike energjitike të Shqipërisë nga Serbia

Nga Kastriot Myftaraj

Kryeministri Rama duket se qenka i dënuar që të përsëritë në trajtë komike të gjitha fajet për të cilët ai e ka akuzuar paraardhësin e tij Berisha, kur ka qenë kryetar i opozitës. Nëse ka ndonjë akuzë konstante të Edi Ramës ndaj Berishës, gjatë tetë viteve që ky i fundit ishte Kryeministër, kjo ka të bëjë me z. Fazlliç. Opozita e majtë gjatë tetë viteve na e paraqiti Fazlliçin si provën kryesore që tregonte lidhjet e Berishës me Beogradin. Gjatë tetë viteve u krijua një situatë stereotipe që tenderët e përvitshëm për blerjen e energjisë elektrike nga Shqipëria, të përcilleshin nga opozita me një recitim akuze se përsëri Berisha po e blinte energjinë elektrike në Serbi, nëpërmjet sekserit serbo-boshnjak të tij, Fazlliç. Kulmi i këtyre akuzave arriti kur në vitin 2012 Qeveria e Shqipërisë nuk pranoi rekomandimin e Bankës shtetërore gjermane KFW (financuese e projektit) që tenderin për linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, ta fitonte, për pjesën e Shqipërisë, e njëjta kompani kroate, e cila ishte rekomanduar për të ndërtuar pjesën e linjës në Kosovë. Opozita e majtë atëherë tha se Berisha e bëri këtë për shkak se donte që tenderin ta fitonte kompania nga Bosnjë-Herzegovina “Energoinvest”, e cila ishte gjithashtu në garë për të fituar tenderin, dhe për të cilën u tha se një nga aksionerët e saj ishte Fazlliç.

Në të vërtetë, kompania nga Bosnjë-Herzegovina e fitoi vërtet tenderin, por e fitoi tani nga Qeveria “Rama”! Shfajësimi që kërkon të bëjë Edi Rama këto ditë me anë të ministrit të Energjitikës Gjiknuri, dikur një tjetër akuzator i ashpër ndaj Berishës për këtë çështje, është krejt i pabesueshëm. Logjika të thotë se 20 përqindshi i mitës (rryshfetit) për të cilin opozita tha se do ta merrte dikur Saliu apo Shkëlzeni nga Fazlliçi, tani e kanë marrë Edi ose i biri Gregori.

Madje Edi Rama duhet të ketë marrë më tepër se ai i dha kompanisë “Energoinvest” edhe një “thelë mbi bisht”, siç i thonë fjalës se ajo fitoi dhe të drejtën për të ndërtuar atë që njihet si unaza energjitike e Shqipërisë së Jugut dhe që nis nga nënstacioni i Zëmblakut në Korçë dhe përfundon në Babicë të Vlorës, si një linjë interkonjeksioni e brendshme. Për ndërtimin e saj qeveria gjermane ka dhënë 49 milion euro.

Por, varësia e qeverive shqiptare nga Fazlliçi është në fakt nënprodukt i varësisë historike energjitike të Shqipërisë nga Serbia. Pas vitit 1990 opozita në Shqipëri, pavarësisht se kush ka qenë në opozitë, e majta apo e djathta, e ka akuzuar qeverinë për blerje energjie elektrike nga Serbia me çmime të larta. Në të vërtetë qeveritë shqiptare nuk kanë pasur alternativë, për shkak se Shqipëria nuk ka qenë pjesë e UCTPE që është rrjeti europian i interkonjeksioneve, madje nuk është ende. Shqipëria vuante dhe ende vuan faktin që Enver Hoxha e vendosi vendin nën varësinë energjitike të Serbisë dhe Greqisë.

Në kohën që Enver Hoxha ishte në pushtet Shqipëria ndërtoi dy linja ndërkombëtare interkonjeksioni për transportin e energjisë elektrike, atë me Jugosllavinë në 1972 (linja Vau i Dejës-Podgoricë 220 KV) dhe atë me Greqinë, në 1985 (linja Elbasan-Kardhja 400 KV). Për shkak të realitetit gjeografik, Shqipëria mund të ndërtonte në atë kohë linja interkonjeksioni vetëm me fqinjët tokësorë, Jugosllavinë dhe Greqinë. Në atë kohë nuk ndërtoheshin ende linja interkonjeksioni nënujore, por edhe nëse kjo do të ishte e mundur, Enver Hoxha natyrisht se nuk do ta pëlqente lidhjen me fqinjin perëndimor. Enver Hoxha fliste shumë për mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë, dhe krenohej se Shqipëria ishte i vetmi vend i pavarur në botë, veç dy superfuqive, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik. Por në botën moderne një vend nuk mund të jetë i pavarur, pa pasur pavarësi energjitike, e cila mund të vijë ose nga zotërimi i burimeve energjitike, ose nga zotërimi i shumë alternativave për t’ u furnizuar me energji. Shqipëria e Enver Hoxhës kishte vetëm dy alternativa energjitike, Jugosllavinë dhe Greqinë, çka do të thoshte se kishte vetëm një, pasiqë Beogradi dhe Athina kanë qenë aleatë historikë dhe nuk pushuan së qeni të tillë as gjatë Luftës së Ftohtë.

Kur Tito u prish me Stalinin në 1948 dhe Enver Hoxha mbajti anën e Stalinit, ky i fundit ndjeu një detyrim për t’ i dhënë Shqipërisë një farë ndihme ekonomike, si viktimë e “klikës trockiste të Beogradit të shitur te Perëndimi”, siç e quante Stalini udhëheqjen titoiste. Sigurisht se një nga problemet më të mëdha për Shqipërinë në atë kohë, për zgjidhjen e të cilit vendi i duhej ndihmë e ngutshme ishte prodhimi i energjisë elektrike. Shqipëria ishte ende nën varësinë e sistemit energjitik të ngritur nga Italia fashiste në kohën e pushtimit. Pas vizitës së Enver Hoxhës në Moskë, në prill 1949, ku ai u takua me Stalinin, në Shqipëri erdhi i njëjti grup ekspertësh rusë të ndërtimit të hidrocentraleve, të cilët dy vjet më parë kishin qenë edhe në pjesën jugore të Jugosllavisë, pra në Maqedoni, Kosovë, Serbinë Jugore. Enver Hoxha u paraqiti specialistëve rusë projektin e vjetër italian për ndërtimin e hidrocentraleve në Lumin Drin, që u njoh më pas si Kaskada e Drinit. Projekti Italian parashikonte ndërtimin e hidrocentraleve të mëdha në Lumin Drin (segmenti i bashkimit të dy lumenjve) dhe në Lumin Drini i Zi, pikërisht atje ku janë sot hidrocentralet e mëdha të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Kryespecialisti rus, i cili e njihte projektin, e kundërshtoi atë duke thënë se ky projekt e vinte sistemin energjitik shqiptar nën mëshirën e Jugosllavisë. Me lapsin e trashë të kuq në dorë (sipas modës burokratike staliniane), kryespecialisti rus hoqi disa vija të trasha në hartë, brenda kufirit jugosllav, në rrjedhën e lumenjve Drini i Bardhë dhe Drini i Zi. Nëse jugosllavët ndërtojnë disa diga të mëdha këtu, i tha kryespecialisti rus, në stilin brutal stalinian, diktatorit shqiptar, atëherë ata mund ta ndalin rrjedhën e këtyre lumenjve deri në gjashtë muaj, madje edhe mund t’ i devijojnë krejt nëse duan ta bëjnë këtë gjë. Pastaj ju nuk u mbetet veçse që t’ i bëni thirrje rinisë tuaj entuziaste që t’ u bëjë shurrën turbinave për t’ i vënë në lëvizje.

Më tutje kryespecialisti rus i shpjegoi me durim Enver Hoxhës së habitur se italianët e kishin bërë këtë projekt duke llogaritur se rrjedha dhe burimet e lumenjve Drini i Bardhë dhe Drini i Zi do të qenë brenda kufijve të zgjeruar të shtetit shqiptar, kështu që nuk do të kishte rrezik që hidrocentralet të privoheshin artificialisht nga uji. Kryespecialisti rus i propozoi Enver Hoxhës që projekti i kaskadës së Drinit të lihej për një kohë të dytë, pasiqë Shqipëria të siguronte një “veto” energjitike ndaj Jugosllavisë. Specialistët rusë propozuan që në vend të kaskadës së Drinit, të ndërtohej ajo e Shkumbinit. Lumi Shkumbin zbriste nga lartësitë malore të Shqipërisë Qendrore dhe kalonte nëpër shumë lugina të ngushta malore që aty këtu zgjeroheshin, dhe që mund të shërbenin fare mirë si vende për të ndërtuar diga. Ishte e vërtetë se Shkumbini nuk kishte prurje aq të mëdha sa për të ndërtuar disa hidrocentrale të mëdha, por kaskada e Shkumbinit mund të shërbente si një armë energjitike e ngjeshur në brinjët e Jugosllavisë. Kjo e fundit do të mbahej nën kërcënimin permanent të hapjes së disa tuneleve që do ta çonin ujin e Liqenit të Ohrit në Shkumbin (e nëpërmjet këtij liqeni edhe të atij të Prespës së Madhe se ata siç dihet kanë komunikim nëntokësor). Kjo do të thante Drinin e Zi, që buron pikërisht në Liqenin e Ohrit. Vetëm perspektiva e zbatimit të një projekti të tillë, që dukej reale vetëm nëse ndërtohej një apo disa diga në Shkumbin, do ta bënte Jugosllavinë të mendohej mirë, dhe kështu kishte siguri se Beogradi nuk do të mendonte për të përdorur kundër vendit fqinj përparësitë që kishte në rast të ndërtimit të kaskadës së Drinit në Shqipëri. Është e vërtetë se të dy liqenet janë të rëndësishme për juve, i tha kryespecialisti rus Enver Hoxhës, por edhe për jugosllavët kanë shumë rëndësi. Dhe përgjegjësia do të bjerë mbi ata.

Enver Hoxha kishte arsye të tjera veç rëndësisë së liqeneve për të mos e pëlqyer projektin për kaskadën e Shkumbinit, por nuk i përmendi ato dhe nxorri vetëm problemin e rrugës automobilistike Tiranë-Korçë, e cila në pjesën më të madhe kalonte përgjatë Shkumbinit.Por specialistët rusë i treguan Enver Hoxhës projektin italian për ta ndërtuar këtë rrugë përgjatë Luginës së Lumit Devoll, që kalonte nga Korça në Gramsh, për të dalë pastaj pranë Elbasanit. Për ta bindur Enver Hoxhën, specialistët rusë i thanë se ndërtimi i liqeneve do të lehtësonte dhe transportin e mineralit të hekurit nga minierat e Pogradecit, pasiqë mund të përdorej pjesërisht rruga ujore e kombinuar me ndonjë traverbank. Arsyen e vërtetë rusët nuk ia thanë Enver Hoxhës, por ky me siguri që e merrte me mend atë. Stalini donte që të shkaktonte grindje mes Shkupit (Maqedonisë) dhe Beogradit, se Maqedonia do të ishte e dëmtuara e mëdha nëse Shqipëria zbatonte projektin rus për Shkumbinin.

Enver Hoxha e vonoi me të gjitha mënyrat projektin e kaskadës së Shkumbinit dhe kjo bëri që gjatë gjithë kohës që Shqipëria merrte ndihmë ekonomike sovjetike, të mos fillonte ndërtimi i kaskadës së Drinit. Ndonëse pasuesi i Stalinit Khruschevi (Hrushovi), u përpoq të afrohej me Titon, marrëdhëniet e tyre pësuan tensionime të herëpashershme, të mjaftueshme këto që edhe Khruschevi të ishte i dëshiruar për të pasur si rezervë në arsenalin e tij një armë hidrike shqiptare kundër Jugosllavisë.

Arsyeja se përse Enver Hoxha nuk e pëlqeu projektin rus ishte se ai nuk donte që ta godiste Jugosllavinë në një pikë kaq të ndjeshme. Kur Enver Hoxha nënshkroi traktatin shqiptaro-jugosllav të vitit 1946, gjë që e bëri personalisht si ministër i Punëve të Jashtme, ai me siguri nënshkroi edhe anekse të fshehta, siç ndodh në raste të tilla. Dhe një nga këto anekse të fshehta kishte të bënte me energjitikën, me siguri. Këtu e ka burimin varësia energjitike e Shqipërisë nga Jugosllavia në dekadat që pasuan. Kur në Shqipëri shkuan të dërguarit e Stalinit, për projektet energjitike, Beogradi ia ka kujtuar Enver Hoxhës këtë firmë, dhe i ka thënë se nëse ai nuk do t’a zbatonte projektin e Stalinit për Shkumbinin, atëherë kishte garanci se Jugosllavia nuk do të keqpërdorte përparësitë që kishte mbi ujërat e dy Drinave, në rast të ndërtimit nga Shqipëria të kaskadës mbi Drin. Dhe Enver Hoxha e pranoi ofertën jugosllave, ndonëse kjo do të thoshte shtyrje e ndërtimit të kaskadës së Drinit. Kur Khruschevi (Hrushovi) e akuzoi Enver Hoxhën se ishte shitur për 30 aspra te agjentët e imperializmit, me këtë lideri rus parodizonte retorikën e Enver Hoxhës kundër Titos, duke aluduar se Enver Hoxha vetë ishte shitur te Beogradi. Dhe kaskada e munguar e Shkumbinit ishte një nga gjërat që udhëheqësi i Kremlinit kishte parasysh kur fliste kështu.

Enver Hoxha mundi ta fillonte ndërtimin e kaskadës së Drinit vetëm pas prishjes me rusët. Pas kësaj kaskada e Drinit nisi të ndërtohet me ndihmën e Kinës. Shefi i ekspertëve ekonomikë kinezë që erdhën në atë kohë në Shqipëri, ishte padyshim një burrë i ndershëm, nëse gjykohet nga fjalët e tij. Kur Enver Hoxha i kërkoi ndërtimin e industrisë metalurgjike në Shqipëri, duke e quajtur këtë çlirimin e dytë të Shqipërisë, specialist kinez i tha se Shqipëria mund të siguronte shumëfishin e parave që i duheshin për të blerë çelikun dhe prodhimet e tij, që i nevojiteshin vendit, vetëm nga shitja e energjisë elektrike, nëse do të investonte për ndërtimin e hidrocentraleve të reja, dhe jo në industrinë metalurgjike. Këto fjalë u pritën ftohtë nga Enver Hoxha. Industria metalurgjike atij i duhej më tepër për propaganda, që shqiptarët të dëgjonin këngën e Albert Tafanit “Le të rrjedhë çeliku për dyfekë e plugje/le të pëlcasë armiku/moj kala e kuqe”. Paçka se çeliku që rrodhi nga Kombinati i Elbasanit nuk bënte as për brisqe, me të cilët të mund të rruante shqiptarët berberi-këngëtar nga Elbasani.

Për Enver Hoxhën kishte rëndësi marrëveshja e fshehtë me Beogradin. Dhe sipas marrëveshjes së fshehtë, kaskada shqiptare e Drinit u kyç në sistemin energjitik jugosllav në 1972, me ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Vau i Dejës (Tiranë)-Podgoricë. Kjo do të thoshte se Shqipëria ishte e kyçur në sistemin energjitik të Serbisë, se Mali i Zi kishte lidhje interkonjeksioni me kapacitet të madh bartës vetëm me Serbinë. Për të njëjtat arsye për të cilat Enver Hoxha nuk ndërtoi kaskadën e Shkumbinit, ai nuk ndërtoi as kaskadën e Devollit dhe të Vjosës. Këto dy të fundit nuk i pëlqenin Greqisë. Si shpërblim Greqia i dha mundësi Shqipërisë që të kyçet në rrjetin energjitik të Greqisë me anë të ndërtimit në 1985 të linjës së interkonjeksionit 400 KV Shqipëri-Greqi. Nëse Shqipëria do të kishte ndërtuar kaskadat në Devoll Vjosë, Shkumbin, përveç asaj në Drin, gjë që ishte shumë e mundshme të bëhej nëse vendi nuk do të investonte në projektet e çmendura të industrisë së rëndë, si Kombinati Metalurgjik në Elbasan dhe Kombinati i Autotraktorëve në Tiranë, atëherë Shqipëria do të ishte bërë me siguri një superfuqi energjitike rajonale. Pas rritjes së çmimit të naftës në tregjet globale që ndodhi duke nisur nga fillimi i viteve shtatëdhjetë, vendet fqinje do të qenë të varura në një masë jo të papërfillshme nga Shqipëria për importin e energjisë elektrike. Kështu Shqipëria do të ishte me të vërtetë një vend i pavarur energjitikisht. Me të ardhurat e siguruara, Shqipëria në vitet tetëdhjetë mund të niste ndërtimin e një linje interkonjeksioni nënujore me Italinë, çka do t’ i mundësonte Shqipërisë kyçjen e drejtpërdrejtë në rrjetin e interkonjeksionit të Europës Perëndimore. Por Enver Hoxha kishte në mendje izolimin energjitik të Shqipërisë, në kuadrin e izolimit të përgjithshëm të vendit.

Kështu që hapja e Shqipërisë pas vitit 1990 e gjeti vendin të izoluar energjitikisht dhe ky ishte një realitet i ndërtuar me djallëzi për dekada, që kërkonte shumë kohë dhe para për t’ u ndryshuar. Izolimi energjitik i Shqipërisë i dha mundësi Serbisë që të ketë një pozitë të privilegjuar duke qenë shitësi ekskluziv i energjisë elektrike për Shqipërinë. Kjo për shkak se Mali i Zi nuk ishte prodhues i madh energjie elektrike, dhe mund të shërbente thjesht si transportues, duke marrë pagesën për këtë gjë. Duke qenë se Mali i Zi vetë ishte i kyçur në rrjetin e interkonjeksionit të Serbisë, nga ku ka bërë përpjekje të dalë vitet e fundit me projektet për ndërtimin e linjave të interkonjeksionit në drejtim të Bosnjë-Herzegovinës (Kroacisë) dhe Italisë, atëherë praktikisht Shqipëria importonte dhe ende importon energji elektrike nga Serbia nëpërmjet Malit të Zi. Por ka dhe më. Vetë Serbia energjinë elektrike që i ka shitur Shqipërisë në dy dekadat e fundit, dhe që vazhdon t’ ia shesë ende, e ble në Bullgari, që është prodhues i madh i energjisë elektrike në regjion! Shqipëria nuk mund të blerë energji drejtpërdrejt në Bullgari, për shkak se nuk është ndërtuar një linjë interkonjeksioni që të lidhë Shqipërinë me Maqedoninë, e nëpërmjet kësaj me Bullgarinë. Ndonëse Shqipëria ka edhe një linjë interkonjeksioni me Greqinë, nga kjo e fundit nuk mund të blemë shumë energji për shkak se Greqia ka nevoja të mëdha të brendshme. Kështu që mbetet si alternative kryesore Serbia.

Falë një vendimi të Enver Hoxhës, të gjithë kryeministrat e Shqipërisë në këto më tepër se dy dekada që nga koha kur është hapur vendi, duke përfshire Sali Berishën dhe Edi Ramën, janë të detyruar që të blenë energji elektrike në Serbi.

Megjithëse Gjermania po investon për ndërtimin e disa linjave të interkonjeksionit me voltazh të lartë në Shqipëri, përsëri vendi ynë nuk do të kyçet as pjesërisht në rrjetin europian të interkonjeksionit. Linja e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë në fakt synon që ta bëjë Kosovën të pavarur energjitikisht nga Serbia, duke i krijuar një alternativë komplementare sistemit të saj të prodhimit të energjisë elektrike me bazë qymyr-gurin. Linja e interkonjeksionit Elbasan-Podgoricë, me kapacitet të madh, 400 KV, që përfundoi në 2011, në fakt deri tani nuk ka shërbyer për gjë tjetër veçse që Serbia të shesë në mënyrë më komode energji elektrike në Shqipëri. Se që kjo linjë t’ i shërbejë Shqipërisë, për t’ u kyçur në rrjetin europian të interkonjeksionit duhet që të përfundojë së ndërtuari linja e interkonjeksionit me voltazh të lartë Mali i Zi-Bosnjë Herzegovinë dhe më tutje Bosnjë Herzegovinë-Kroaci.

Ajo çka do t’ i shërbente më së shumti Shqipërisë për t’ u kyçur në rrjetin europian të interkonjeksionit do të ishte ndërtimi i kabllit nënujor për transportin e energjisë elektrike Shqipëri-Itali. Nëse Italia nuk do të bënte atë që nuk mund të mos quhet veçse si spaghetti gjeopolitikë, çka ndodh edhe në fushën e energjitikës, atëherë Italia do të kishte pasur mundësi që të kontrollonte tregun energjitik në Ballkan, nëpërmjet ndërtimit të linjave nënujore për transportin e energjisë elektrike. Në vend që të ndërtonte, së pari linjën e interkonjeksionit me Shqipërinë, nga ku mund të depërtonte lehtë në çdo skaj të Ballkanit me anë të linjave tokësore të interkonjeksionit, Italia pranoi në vitet nëntëdhjetë të lobonte pranë Bashkimit Europian për projektin grek të ndërtimit të një linje interkonjeksioni të voltazhit të lartë Itali-Greqi, e cila përfundoi në 2001 me një kosto prej 339 milion euro. Kjo linjë kalon vetëm pak kilometra larg kufirit jugor të Shqipërisë. Nëpërmjet kësaj linje Greqia mundi të shmangë izolimin e imponuar nga gjeografia prej rrjetit europian të interkonjeksionit, për të përmbushur nevojat e saj për energji elektrike dhe eventualisht për të rritur ndikimin gjeopolitik mbi fqinjët e saj nevojtarë për energji.

Italia as që kujtohet të lobojë pranë Bashkimit Europian për projektin e kabllit nënujor për transportin e energjisë elektrike që lidh Italinë me Shqipërinë, dhe që është në fakt një projekt për të lidhur tre vende: Itali-Shqipëri-Maqedoni. Kjo linjë e interkonjeksionit duhet të nisë në Foggia të Italisë së Jugut, të kalojë nëpër Adriatik, të dalë në Durrës, dhe pastaj nëpërmjet Elbasanit të shkojë në Manastir të Maqedonisë. Kjo do ta lidhte Shqipërinë me Italinë në perëndim, Maqedoninë në lindje dhe eventualisht edhe me Bullgarinë. I gjithë projekti kushton 450 milion euro.

Në vend të këtij projekti Italia zgjodhi që t’ i japë përparësi një projekti tjetër që kushton pothuajse sa dyfishi i këtij. Është fjala për ndërtimin e linjës nënujore të interkonjeksionit Itali- Mali i Zi, që kushton 760 milion euro dhe që duhet të kalojë për 390 km nën ujë. Përse i hyn në punë kjo linjë Italisë, kur nëpërmjet lidhjes me Shqipërinë që kushton shumë më lirë, Italia mund të blinte energji elektrike nga Mali i Zi, se Shqipëria ka tashmë një linjë interkonjeksioni të voltazhit të lartë që e lidh me Malin e Zi? Arsyetimi se Italia parashikon që të kursejë 225 milion euro në vit nga blerja e energjisë elektrike prej linjës që e lidh me Malin e Zi, nuk duket bindës. Mali i Zi nuk e zotëron këtë sasi energjie dhe ajo duhet të blihet në vendet fqinje me të. Në të vërtetë, linja e interkonjeksionit Itali-Mali i Zi do t’ i shërbejë eventualisht Serbisë dhe Republikës Serbe të Bosnjë-Herzegovinës. Nëse Italia donte të blinte sasi të mëdha energjie, atëherë linja shqiptare do t’ i shërbente mirë, se nëpërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë, Italia do të hynte në tregun bullgar dhe madje atë turk. Dhe dihet se tregu turk i ofron mundësi të mëdha Italisë për blerje energjie elektrike të lirë.

Në mungesë të ndërtimit të linjës së interkonjeksionit që lidh Shqipërinë me Italinë, vendi ynë do të mbetet edhe në dekadën e ardhshme jashtë rrjetit europian të interkonjeksionit të energjisë elektrike, pa ndonjë perspektivë të qartë për t’ u kyçur në të. Kjo do të thotë se Shqipëria do të vazhdojë të blerë energji elektrike në Serbi nëpërmjet Malit të Zi edhe në dekadën e ardhshme, dhe opozita e sotme që dje ishte në pushtet, do të fajësojë qeverinë e sotme me frazeologjinë që përdorte ajo dje kur ishte opozitë se po i shet interesat kombëtare në Beograd.

Në rrethanat kur Shqipëria dhe Kosova janë praktikisht jashtë rrjetit europian të interkonjeksionit, projektet turke për të depërtuar në tregun energjitik ballkanas, mund të mbeten për Shqipërinë dhe për ndonjë vend tjetër ballkanas, duke përfshirë edhe Kosovën, si alternative e vetme për t’ u lidhur me një superfuqi energjitike. Kjo gjë largon edhe më tepër perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Europian të Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës. Por depërtimi turk në tregun energjitik ballkanas është i papranueshëm nga pikëpamja gjeopolitike për Bashkimin Europian, që megjithatë ende nuk dëshiron të paguajë çmimin për ta shmangur këtë zhvillim të papëlqyeshëm.



(Vota: 8 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora