Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sylejman Morina: Intervistë ekskluzive me arbëreshin Dino Peroviq

| E shtune, 01.03.2014, 09:44 PM |


Dino Peroviq: “Dëshira ime është t'i vizitojë e t'i njoh ato shtete, Shqipërinë dhe Kosovën”


Ekskluzive nga Sylejman Morina

Në Arbanas (Arbnesh) jetojnë pjesëtarët e familjes së madhe të arbëneshëve –Peroviqët, të  parët e tyre u vendosën  në këto anë, sbashku me  familjet tjera arbëneshe, të fshatrave të Malësisë Mbi Shkodrës, duke filluar nga viti 1726. Ata u vendosën    pjesët  ku dikur jetonte fisi ilir Liburnët. Por, më vonë sikurse familjet tjera arbëneshe që u shpërndanë në shumë anë të botës që nga Australia e deri në Kanada, ashtu ndodhi edhe me Peroviqët. Por, edhe ata që mbetën në Zarë nuk jetojnë të gjithë aty, për shkaqe të ndryshme jetojnë nëpër vende të ndryshme në Kroaci e jashtë saj. Edhe nga Peroviqët kanë dalë emra të në njohur në fusha të ndryshme, si në shkencë, politikë, kulturë dhe sport. Po i përmendim vetëm disa: Dr.Ivo Peroviq-ban i banovinës së Kroacisë (gjatë diktaturës së mbretit Aleksandar Karagjorgjeviq), fra.D r. Bonaficije Peroviq-sociolog, pediatri i njohur prof. Dr. Slavko Peroviq (si e quajtën zarasit “Shpirti i mirë i Zarës”), Slaven Peroviq- shkrimtar, këshilltar i muzeut Mimara në Zagreb, teknologu ushqimor, ekspert i FAO-s Velko Peroviq, Dorotea Peroviq-gazetare, shkrimtare dhe redaktore në Radio Zarë, Budimir Peroviq, gjuhëtar, shkrimtar, djali i tij inxh. Zhelko Peroviq,d eputet lokal në Kuvendin e Zarës, Kreshimir Peroviq-këngëtar, Shime Peroviq -restaurus në muzeun e Zarës, futbollistët Branko Peroviq, Kruno Peroviq, basketbollisti Enco Peroviq, lundruesi Mario Peroviq, xhudisti Kristijan Peroviq, vëllëzërit  Edi dhe Dino, i pari  drejtori i NK ”Arbanasit” dhe vëllai i tij inxh, Dino Peroviq. E zhvilluam një bisedë me inxhinierin e kimiko-teknologjisë z. Dino Peroviqin. Duke e pyetur se a ndieni veten arbënesh dhe a po vazhdon tradita  e sukseseve e peroviqëve?

Po e vërtetë është se kam origjinë arbëneshe dhe si pjesëtar i tillë i takoj bashkësisë, e cila afërsisht për 290 vjetë jetonë në zonat e qytetit të Zarës. Arbëneshët deri më tash, kanë nxjerrur një numër të madh të intelektualëve, ku secili prej tyre, me punën e vet dhe diturinë, i kanë sjellë përparim bashkësisë së fisit dhe ma gjerë  Një numër i madh i arbëneshëve, tani studion në universitete të ndryshme të Kroacisë. Disa nga ata pas përfundimit të studimeve mbetën të jetojnë aty, e disa kthehen në vendlindjen e tyre, natyrisht sipas mundësive që të gjejnë punë. Situata e njëjtë është edhe me familjen time. Unë kam mbaruar fakultetin e kimisë inxhinierike dhe teknologjinë. Me 1992  Fakultetin e Kimiko Teknologjisë në Zagreb, ndërsa vëllai i im Edi e ka mbaruar në Zagreb Fakultetin e Ndërtimtarisë. Tradita vazhdon edhe në familjen tonë. Vajza e ime Klara studion drejtimin tim, ashtu që vazhdon shkollimi i peroviqëve të rinj.

2.Keni punuar në shumë institucione, po së pari në metropolin kroat -Z agreb, ku  e ëndërron çdo i ri, si vendoset që të ktheheni në vendlindje?

Pas mbarimit të fakultetit, pata sukses që pas pak kohe të punësohem në kompaninë e njohur farmaceutike kroate “Pliva”, ku kam punuar afër tri vjet. Në atë kohë ajo punë ishte e përkryer për mua si  inxhinier ri. Pra, kishte të bënte me një vend pune ku mund të arrihej shumë dituri dhe përvojë, e cila më ka shërbyer më vonë në karrierë. Mirëpo, atëherë veç sa isha martuar dhe më kishte lindur vajza ime Klara. Ashtu që jeta në metropol si qiraxhi nuk ishte e lehtë edhe pse të ardhurat e mia ma mundësonin një jetë të mirë. Disi në atë kohë në mbarim të vitit 1995 m’u krijua rasti për punësim në Zarë, në ndërmarrjen “INA POLIKEM” e cila më nuk ekziston. Edhe pse nuk e pata lehtë të largohem nga Zagrebi isha i detyruar të kthehem në Zarë, ku e kisha të siguruar çështjen e banimit, dhe jeta me fëmijë ishte shumë më e lehtë se në Zagreb.

3. Momentalisht punoni si drejtor në kompaninë  EKO d.o.o.  për  menaxhimin e mbeturinave në Zhupaninë e Zarës?

Është një kompani që fokusohet në krijimin dhe ndërtimin e një qendre moderne të menaxhimit të mbeturinave. Me shaka, gjithëherë shprehem, si: karriera ime filloi me barna arriti në mbeturina. Me problematikën e mbeturinave merrem prej shumë vitesh, saktësisht nga viti 1997. Kur jam punësuar në Entin  për Rregullimin Hapësinor të Zhupanisë së Zarës , si këshilltar për mbrojtjen e ambientit. Gjatë vitit 2002 kam kaluar në ndërmarrjen higjienike, si drejtor teknik.  Pas dy vjetësh si drejtor kryesor. Momentalisht, Kroacia punon në vënien rregull në hapësirat të cilat janë shkatërruar nga deponitë ku duhet sanuar dhe mbyllur, ndërsa kusht është ndërtimi qendrave bashkëkohore për menaxhimin mbeturinave, përpunimin në mënyrë të sigurt. Mirëpo, ato mbeturina që nuk mund shfrytëzohen, të largohen në atë mënyrë që mos të jenë të dëmshme për ambientin jetësor. Përndryshe ka të bëjë me projektin shumë të kërkuar, që për përgatitjen e tij kemi punuar 5 vjet. Tani jemi kah përfundimi, në vitin 2016 do të fillojë ndërtimi, ndërsa më 2017 do të fillojë lëshimi në punë; kurse të gjitha qendrat për grumbullimin e mbeturinave, duhet aktivizohen deri në 2018 sepse në të kundërtën Republika e Kroacisë do të paguajë dënime të mëdha. Projektin që e udhëheq është në vlerë të 57 milion euro.

4. Merreni me përkthime, merrni pjesë në simpoziume, a keni pasur kontakte me organizata të njëjta nga Kosova dhe Shqipëria?

Me përkthime jam marrë rastësisht, bëhet fjalë për një libër profesional, “Teknologjia e ndërtimit ndërtesave prej druri". Ajo ishte në mbarim të viteve nëntëdhjeta të shek. Të kaluar gjatë qëndrimit njëmujor në Kanada, së bashku me vëllain e kam bërë përkthimin. Kam marrë pjesë në simpoziume, pothuajse asnjëherë nuk kam takuar kolegë nga Kosova dhe Shqipëria që më vije shumë keq. Kisha dëshiruar që në të ardhmen e afërt të vendosim kontakte të caktuara me kolegët nga Kosova dhe Shqipëria. Natyrisht duke bashkëpunuar në projekte të menaxhimit të mbeturinave, si dhe duke e ndihmuar në realizimin e projekteve të tyre. Dëshira e ime është t'i vizitoj e t’i njoh ato shtete Shqipërinë dhe Kosovën, pasi që asnjëherë nuk kam qenë atje.

5.Në historinë e Zarës dhe tani , arbëneshët kanë pasur rolin e tyre dhe e kanë dhënë kontributin në çdo kohë , a është fjala për dhunti apo ishin pragmatik?

Gjatë historisë kanë dhënë kontributin që është vulosur në zhvillimin e Zarës dhe më gjerë. Këtu mund të flasim për një kombinim të dhuntisë dhe pragmatizmit, e cila ishte e nevojshme si të ruhet identiteti kulturor gjatë shekujve, sepse nuk ka qenë lehtë të ruhet gjuha, e me të edhe identiteti kulturor nën pushtete të ndryshme. Vështirë të numërohen tani sa arbëneshë të shquar kanë lënë vulën e gjurmëve në kulturë, art ,shkencë, jo vetëm në Zarë por në terë zonën kroate.

6.Pasi që flisni shumë gjuhë a dini dhe arbënisht?

Aktivisht flas anglisht dhe italisht ndërsa shfrytëzoj (kur ka të bëj me literaturë profesionale) frëngjisht ,gjermanisht, dhe rusisht, arbnishten e flas 60%. Të shkruaj dhe lexoj nuk di, për çka më vjen shumë keq. E veçanta e kësaj gjuhe që t’ua përcjellim(bartim) gjeneratave vetëm gojarisht . Siç e dini kemi të bëjmë me një gjuhë arkaike e cila nuk u zhvillua si një shqipe moderne, dhe si e tillë ekziston  afër 300 vjet. Gjeneratat e reja tani më nuk e flasin fare e as që e kuptojnë .Unë jam nga të rrallët e gjeneratës sime që tërësisht e kuptoj  dhe pjesërisht e flas.

7.Gjuha arbënishte është regjistruar në Ministrinë e Kulturës si trashëgimi jo materiale  në republikën e Kroacisë, a do të thotë  kjo  shpëtim  i arbënishtes nga  zhdukja?

Absolutisht nuk pajtohem që ai veprim është i mjaftueshëm për të ekzistuar ajo gjuhë (arbënishtja S. M) është e nevojshme të ndërmerren aktivitete të ndryshme në zhvillimin e mëtejshëm të mësimit të kësaj gjuhe. Për fat të mirë ka disa njerëz entuziastë në kuadër të shoqërisë së arbëneshëve, ku përmes një sërë aktivitetesh, duke u përpjekur për të ruajtur gjuhën nga harresa, duke organizuar kurse të ndryshme, ku brezi i ri mund të mësojë në lidhje me gjuhën në këtë rast dhe të mësojë për të lexuar dhe shkruar, e që është shumë e rëndësishme për ta shpëtuar gjuhën nga zhdukja.

8.Komuniteti i arbëneshëve sa është e organizuar në kuptimin e ruajtjes së identitetit?

Sa i përket organizimit të bashkësisë arbëneshe në ruajtjen e identitetit, jam i mendimit se në kohët e fundit punohet shumë në ruajtjen e trashëgimisë tradicionale të arbëneshëve. Veçanërisht, vlen të përmendim rolin e Shoqatës së Arbneshëve të Zarës , ku me veprimet e tyre janë mjaft aktiv dhe çdo ditë janë më mirë të organizuar. Mirëpo në të ardhmen, duhet të bëhen shumë përpjekje dhe shumë mund dhe dëshirë që identiteti i arbëneshëve  dhe trashëgimin e tyre kulturore për ta ruajtur. Për atë e thash që duhet të bëhen shumë përpjekje me vullnet dhe mund. Por duke e marr parasysh sot mënyrën e jetesës, që është e përshpejtuar dhe obligimet që shkojnë me të, mjerisht do të jetë shumë vështirë.