E enjte, 25.04.2024, 11:49 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Erdon e përgjojnë (turp e faqja e zezë)!

E enjte, 27.02.2014, 09:05 PM


Erdon e përgjojnë (turp e faqja e zezë)!

Nga Elvi Sidheri

U përhap lajmi se liderin karizmatik turk Erdogan, janë duke e përgjuar...

Problemi siç shpesh ndodh në botën e qytetëruar në të tilla raste, nuk u fokusua vetëm ekskluzivisht tek përmbajtja e përgjimeve ku dëgjohet ai dhe i biri të komunikojnë lidhur me shpërndarjen sa më shpejt tek të njohur dhe të afërm, të plot 1 miliard eurove të thata (cash),  që ata mbanin në kasafortë brenda shtëpisë, por tek qënia e përgjimit, mjet legjitim apo jo?!

Ndoshta duke e parë nga ky këndvështrim, mund të rezultojë fare lehtë, se kryeministri pushtetmadh turk, të ketë rënë viktimë e ndonjë komploti të paprinciptë, që synon t’i rrënojë edhe atë pak imazh normal e të pangjyer me autoritarizëm, shkelje me të dyja këmbët (dhe jo vetëm) të laicizmit qemalist të Republikës (ish) sekulare Turke, korrupsion galopant, mënjanim nga liritë themelore të individit, bllokim të aksesit në faqet jomiqësore ndaj tij të internetit etj, etj!

Por, do thënë dhe pranuar, si dhe do dilte e nevojshme që qysh në këtë pikë të këtij shkrimi, të bëhej një marrëveshje me lexuesin, e cila do të na shpinte praktikisht në një udhë komplet dhe përfundimisht pakrye...

Sepse kjo marrëveshje fiktive do të konsistonte në faktin që duke u marrë si e mirëqenë pesha më e rëndë eventuale e legjitimitetit apo jo të përgjimeve ndaj kryeministrit turk, sesa të dhënat e qarta dhe të padyshimta që bëhen të dëgjueshme dhe të lexueshme për publikun nga biseda në fjalë brenda klanit të ngushtë “Erdogan”...atëherë gjithçka tjetër nuk ka më vlerë!

Ndërsa po të merret parasysh vlera e jashtëzakonshme e përmbajtjes së këtyre përgjimeve, domosdo që “u përgjua, kush e përgjoi, si e pëgjuan?” etj, bie në plan të dytë si temë dhe parësore bëhen fjalët e shkëmbyera mes baba dhe bir Erdogan.

Bota e vlerave perëndimore, ku ende në dukje apo realisht (benefici i dyshimit nuk i mohohet askujt)...pretendon se bën pjesë edhe Erdogani dhe qeveria e vet, njeh mjaft raste ku përgjimet kanë tronditur nga themelet qeveri e presidentë...

Mjafton të kujtojmë ish presidentin Nikson, i cili u mor në qafë për shkak të spiunimit të selisë së komitetit kombëtar së Partisë Demokratike në kompleksin Watergate dhe u detyrua të jepte dorëheqjen nga posti i tij.

... Duke mbetur kështu në histori me një njollë të madhe mbi figurën e vet e duke iu eklipsuar një karrierë e gjatë mjaft e suksesshme, që u mbyll me fundin e luftës së përgjakshme të Vietnamit dhe shkrirjen e marrëdhënieve me Kinën komuniste (president që u pasua nga Xhimi Karter...në mandatin e vetëm të të cilit ndodhi për shembull dhe Revolucioni Islamik në Iran, megjithë krizën e pengjeve amerikanë në ambasadën e Teheranit).

Ndërkohë jo shumë vite më parë (17 shtator 2006), në Hungari shpërthyen protesta tepër të fuqishme, kur u shfaqën në publik regjistrimet e një mbledhjeje qeveritare, ku vetë kryeministri Ferenc Gyurcsány pranonte me gojën e tij se “Përgjatë një viti e gjysëm ose dy kemi gënjyer popullin tonë”.

Vetë lideri i së majtës hungareze e pësoi nga ky regjistrim dhe partia e tij socialiste përfundoi në opozitë me një humbje apokaliptike.

Pra regjistrimet, kur flasin për skandale të mëdhaja, rezultojnë me indinjatë në popull (siç ndodhi para gati tetë vjetësh në Hungari) ose me filma të shumtë Hollivudianë, si në rastin e presidentit Nikson, në skandalin Watergate.

Duke mos e marrë realitetin shqiptar në konsideratë (njësi matje më vete atdheu ynë...edhe përsa i përket këtyre “ngjarjeve”, për të tjera jo aq të rralla kohët e fundit)...tjetërkund, ndoshta tashmë edhe në Turqi, një eveniment i tillë, do t’i japë efektet.

Fakti është që kryeministri Erdogan, prej njëfarë kohe tashmë, nuk noton më në ujëra të ngrohta.

Prova e vërtetë e zjarrit për partinë e tij (AK partisi) priten të jenë zgjedhjet e ardhshme lokale, ku do të vihet re më mirë, sesa do të kenë ndikuar skandalet e fundit që kanë të bëjnë me figurën madhore të Erdoganit, liderit të padiskutueshëm, përveç se të Turqisë (me pikëpyetje të forta tanimë)...edhe të partisë së vet.

Do të shihet se sa do të jetë në gjendje opozita laike turke, edhe në ditët e sotme akoma tejet e përçarë dhe e padrejtuar nga ndonjë figurë e fortë me staturë të atillë, sa të vihet përballë një njeriu të plagosur e të dobësuar (përkundër pamjes përherë të hekurt dhe fjalimeve të zjarrta që mban përditë kryeministri anembanë Turqisë), por gjithnjë mjaft të fuqishëm (thonë edhe të kamur) si Erdogani.

Do të jetë për t’u parë nëse opozita do të mundë t’i zgjerojë zonat e saj të influencës përtej qytetit më laik dhe europian (për nga prirjet, sjelljet dhe traditat) të Turqisë, pra Izmirit të bukur buzë detit Egje, Antaljas turistike dhe Edrenesë në pjesën europiane të shtetit modern turk, apo sërish partia e kryeministrit Erdogan, do t’u rezistojë valëve të pakënaqësisë së shtuar popullore.

Nisur nga përleshjet dhe dhuna e pashembullt e ushtruar nga aparati policor erdoganist kundër protestuesve paqësorë në Parkun e gjelbërt Gezi në mes të Stambollit, shumëçka ka tronditur Turqinë ndërkohë.

Situata ekonomike nuk është më kurrësesi e njëjta e para ca kohëve dhe lira turke ka nisur të lëkundet fort duke u kujtuar shumë turqve, epokat e errëta të zhvalutimit të tmerrshëm të monedhës vendase kundrejt valutave të huaja (Lira turke që deri në vitin 2004 njihte vlera “milionëshe” apo “miliardëshe” edhe kur ishte fjala për çmimet e një palltoje në butik apo buke në dyqan, por që më pas u ndryshua në Lirën e Re Turke ose Yeni Türk Lirasi, që paraqiste një monedhë dukshëm më të fortë e të besueshme).

Që prej muajit dhjetor të kaluar, disa fëmijë të ministrave të qeverisë Erdogan, qëndrojnë në burg, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në një mega skandal korruptiv, që ka përfshirë shumë të dyshuar të tjerë, të gjithë të rrethit të kryeministrit dhe të partisë së tij.

Është pikërisht ky moment që duket se ka të bëjë ngushtësisht edhe me përgjimin i cili po qarkullon këto ditë.

Data kur është bërë regjistrimi, është 17 dhjetori, kulmi i valës së arrestimeve që çuan edhe në ndalimin e djemve të disa ministrave të kabinetit Erdogan e më tej deri në riformatimin e gjerë të qeverisë nga ana e kryeministrit, në përpjekje për t’i dhënë një përgjigje gjysmake pakënaqësisë së përgjithshme.

Siç diskutojnë edhe vetë analistët në Stamboll, problemi nuk qëndron fort në faktin nëse përgjimi është apo jo autentik, por në atë që kurrë më parë, megjithëse hijet e dyshimit për afera të ndryshme korruptive, për favore nga njerëz të afërt me të, për tendera dhe fitime të paligjshme, i qenë rrotulluar Erdoganit, sërish kjo është hera e parë që ai vetë përfshihet personalisht dhe familjarisht në një skandal të padëgjuar të këtyre përmasave marramendëse.

Ndoshta falë edhe këtyre fakteve të fundit që po dalin në sipërfaqe, populli turk, mund të ketë nisur të kuptojë veprimet dhe fundja pse jo...edhe mënyrën tinzare sesi punon dhe vepron ky lider padiskutueshmërisht karizmatik, deri diku edhe inovator e me nuhatje të fuqishme në biznes, i cili citohet që njëherë të jetë shprehur në një mënyrë që edhe mjaft “liderucëve” të tjerë “Authoritarian wanna be” (me dëshirë për autoritarizëm)...do t’u shkonte shumë për shtat, pra që: “Demokracia është si një tren në të cilin njeriu hipën dhe qëndron aq kohë sa i intereson, më pas zbret”!

Askush nuk mund të mëdyshet tashmë për faktin që kryeministri Erdogan, nga ky tren demokratik ka zbritur prej kohësh, të paktën ndoshta që prej fitores së parë në zgjedhjet parlamentare turke në vitin 2003.

Turqia e sotme është një vend ende me një stabilitet të pëlqyeshëm ekonomik, me industri të zhvilluar, turizëm tejet në modë, destinacion investimesh dhe turistësh të panumërt.

Një vend që eksporton gjithçka ku të mundet, që nga rrobat e tekstili e deri tek serialet e pafundmë televizivë që ndër të tjera, kanë vënë në totalisht nën “zgjedhë” tërë Ballkanin tonë deri vonë otoman.

Por ky vend ka ngecur prej një kohë të pakujtueshme në kufijtë e Europës së qytetëruar (BE-së) dhe nuk bën hapa përpara në këtë drejtim shpesh qëllimisht, duke u strehuar në vetë-arsyetime të zbrazëta që e kërkojnë fajin tek Europa anti-turke (paralelisht sipas këtij këndvështrimi tejet të cekët...edhe jo simpatizante ndaj popullsisë 99 % myslimane të këtij vendi të madh).

Kjo ndërkohë që edhe përpara epokës “Erdogan”, Turqia shquhej për shumë lloj shkeljesh së të drejtave të njeriut në fusha të ndryshme (minoriteti i gjerë kurd të cilit i mungon praktikisht gjithçka...integrimi në shoqëri, shkollat, njohja e lirisë për gjuhën e vet, ndonjëfarë autonomie), mosnjohja apo “largqoftë” edhe ndonjë tip ndjese për “Genocidin Armen” të fillimshekullit të shkuar e mjaft gjëra të tjera.

Kurse në kohën e sotme, pra në vitin e 11 të drejtimit të vendit nga kryeministri Erdogan, teksa fare mirë në televizionet e shumta dhe tepër të zhvilluara e profesionale (si dhe moderne) turke, të qëllon të shohësh publicitete ose fushata të shumta të sponsorizuara nga BE-ja dhe Ministria Turke për Marrëdhëniet me Bashkimin Europian, të cilat synojnë sensibilizimin e popullatës për riciklimin e mbetjeve plastike, mosderdhjen në lavaman të vajit për skuqje (se vret peshqit në det) apo ruajtjen nga zhdukja të specieve në rrezik nëpër pyjet turke...nga ana tjetër po kjo qeveri përpilon dhe aprovon ligje represive që kufizojnë skajshmërisht lirinë e përdorimit të internetit dhe së fundi edhe pavarësinë e policisë dhe gjithë sistemit gjyqësor në vend.

Një lojë e dyfishtë pra, që duket sheshit.

Një fasadë gjasme me prirje dhe qëndrim integrues në BE nëpërmjet harmonizimit të legjislacionit turk me atë europian, ndërkohë që shteti dhe qeveria e drejtuar me grusht të hekurt nga kryeministri Erdogan, tenton me çdo mjet (dhunë, presion, shantazhe, blerje të mediave të ndryshme, ligje të posaçme) që t’ua mbylli gojën oponentëve të saj, qofshin ata përfaqësues të shoqërisë civile apo të kundërshtarëve politikë të sistemit erdoganist.

Por muri i lartë erdoganist po cedon ditë pas dite, armiqësimi me ish aleatin vendimtar (për financa dhe vota) Gylen, përplasjet e vazhdueshme me faktorin e brendshëm dhe të jashtëm (BE-në dhe Perëndimin si dhe gjithë shoqërinë civile dhe laike turke ashtu si tashmë edhe krahun konservator fetar të Fetullah Gylenit), dështimi i qartë i politikës turke në konfliktin sirian, zgjimi i ndërgjegjësimit në Ballkan, për synimet ekspansioniste neo-otomane, bashkë me skandalet e fundit korruptive, nuk premtojnë mirë për Erdoganin!



(Vota: 31 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora