E enjte, 25.04.2024, 06:49 AM (GMT+1)

Mendime

Ilir Shallo: Milazim Krasniqi i paditur apo i poshtër?

E enjte, 27.02.2014, 08:59 PM


Milazim Krasniqi i paditur apo i poshtër?

Nga Ilir Shallo

Mora shkak për këtë shkrim, pasi dëgjova intervistën shumë të përfolur të Milazimit. Përvec fyerjes ndaj Cajupit, intervista ishte e mbushur me gënjeshtra dhe mashtrime. Milazim Krasniqi ato, që thotë, nuk i thotë nga padituria, por nga ligësia, që ta paraqesë pushtimin turk sa më liberal, dhe sa më të mirë për ne, si shqiptarë. Diku në këtë përsiatje, Milazimi ngatërron si në mjegull kombin me fenë.

Emisioni ishte në studion e kanalit “Nektar”. S’kisha dëgjuar ndonjëherë për të, por nga mënyra se si shtroheshin pyetjet, kisha dyshimin që ishte një kanal fetar, islamik. Reklamat në mes të intervistës ma vërtetuan këtë gjë.

Fyerja e vjershës se Cajupit, “si një poezi idiote”, më la me gojë hapur, m.gj.s. duhet të isha përgatitur për një gjë të tillë, duke e ditur “tribunin” e bisedës.

Milazimi na thotë që s’është e drejtë ta paraqesim turkun sic thotë Cajupi. Përse vallë? Do të na tregojë Milazimi se si ka qenë turku në periudhën, kur ka jetuar Cajupi?!? Ma do mendja që Cajupi e ka njohur mjaft mirë dhe nga afër turkun e kohës së tij, në një kohë që Milazimi nuk ka qenë as projekt-ide për të ardhur në këtë botë.

Sipas Milazimit ne duhet të rishikojmë historinë tonë që të kënaqim turkun.

Nëse lexon një libër historie britanike dhe një amerikan, në lidhje me Revolucionin Amerikan, do të gjesh dy qëndrime të ndryshme. Nuk ma do mendja që britanikët tu kërkojne amerikanëve të rishikojnë këtë pjesë të historisë për arsye të marrëdhënieve të mira që kanë.

As nuk di ndonjë rast, ku gjermanët tu kenë kërkuar cifutëve, të rishikojnë historinë e Holokaustit, se nuk ju pëlqen gjermanëve.

Pra historianët gjithmonë nisen nga motive nacionale. Kur dëgjon tek ligjëron Milazimi, e ke të veshtirë të kuptosh se kujt kombi i përket, sepse flet shqip, por i bën reklamë osmanizmit.

Tek dëgjoje se si e paraqiste pushtimin osman Milazimi, nuk kishte se si mos të të vinte ndërmend Robert Ndrenika tek “Prefekti”, kur po mundohej tu sqaronte fshatarëve se c’ishte fashizmi:” Façizmi osh si ajo hallva me shumë sheqer.”

Dhe per Milazimin pushtimi turk ka qenë hallvë me shumë sheqer, bakllava e tullumba me shumë sherbet, mish shelegu e kabuni.

Kur foli per betejën e Fushë Kosovës, Milazimi mbrojti tezat serbe që shqiptarët nuk kanë qenë pjesëmarrës në këtë betejë. Në këtë mënyrë ai pranon teorinë serbe që shqiptarët s’kanë qenë në Kosovë, por kanë ardhur atje në shekullin XVII. Milazimi na e paraqet këtë betejë si luftë mes princash serbë. Unë nuk e di se ç’profesor eshte Milazimi, por dhe amatorët e historisë e njohin faktorin shqiptar në betejën e Fushë Kosovës.

Britaniku Sutherland Menzies, ne librin e tij “Turqia e vjetër dhe e re”, kur flet për këtë betejë thotë:

“Plani (i aleatëve të krishterë) ishte për të sulmuar natën kampin turk, por Kastrioti (Pal) kërkoi që sulmi të bëhej ditën, pasi natën do të ishte më e vështirë, për të ndjekur ato, që do të merrnin arratinë.”

Përderisa sugjerimi i Pal Kastriotit është marrë parasysh, kjo tregon që jo vetëm shqiptarët kanë marrë pjesë, por kanë qenë nje faktor kryesor dhe kanë prirë. Gjithashtu është e dokumentuar dhe vrasja e një pinjolli të Muzakajve në këtë betejë.

Për shqiptarët beteja e Fushë Kosovës ka patur shumë rëndësi, për vetë faktin e gjurmëve, që ka lënë në ndërgjegjen shqiptare. Në studimin e tij “A mundet që serbët dhe shqiptarët të jetojnë së bashku”, britaniku Patrick Hondus, thotë që e marta (dita e betejës) është konsideruar si ditë ters tek shqiptarët që pas humbjes së betejës së Fushë Kosovës.

Nëse beteja e Fushë Kosovës paska qenë një zënkë mes princësh serbë, si i shpjegon Milazimi, keto gjurmë të thella, që ka lënë ajo ngjarje në kujtesën e popullit shqiptar? Apo mos vallë Milazimi ngatërrohet me këmbët e tij përsëri, duke bërë çorap binomin popull-fe? Me sa duket për Milazimin, historia e “popullit” të tij e ka zanafillën me pushtimin osman të Shqipërise, pasi, Milazimi e identifikon veten me osmanët. Për Milazimin këta shqiptarë, që morën pjesë në betejë, nuk mund të konsiderohen të tillë, se nuk kanë të njëjtën fe me të. Nuk është çudi që ky përdor kutin e serbëve dhe grekëve, kur njëson fe dhe komb.

Mashtrimi tjeter i Milazimit është se, sipas tij, osmanët na paskan shpëtuar nga asimilimi sllav, pasi ne ishim nën Perandorinë Serbe!!! Kjo është vërtet për t’u habitur, se dihet botërisht që Perandoria e Dushanit qe jetëshkurtër dhe nuk di asnjë rast nga historia, ku një popull të jetë asimiluar brenda një periudhe 25-vjeçare, aq sa zgjati kjo perandori.

Perandoria Serbe u shpërbë në vitin 1371 dhe fill pas kësaj princët shqiptarë filluan të zgjerohen dhe të fuqizohen. Nga sa mësojmë nga historiani turk H. Inalcik, sipas regjistrave osmanë të vitit 1432-1433, për territoret shiptare rezulton:

70% e timareve ishin në zotërim të shqiptarëve dhe 30% ishin në zotërimin e turko-mongolëve.

Serbët nuk duken gjëkundi në këtë mes. A mos vallë i janë ngjitur faqet e librit Milazimit dhe ka kapërcyer datat? S’ma do mendja! Duhet të jetë ajo historia e hallvës me shumë sheqer, që ia errëson shikimin.

Me Lidhjen e Lezhës keta turq në tokat tona u shporrën. Nga kush asimilim na mbrojti turku në këtë mes? Nga asimilimi i vetvetes?!?!

Po katolikët shqiptarë si i shpëtuan asimilimit sllav, duke mos u islamizuar a s'na thotë Milazimi i ndritur?

Meqë po flasim për asimilim, dua ta pyes Milazimin:

Si asimilohet një komb?

Përgjigja është e thjeshtë:

Mohimi i gjuhës.

Me sa duket, Milazimi nuk e di që gjuha shqipe ishte e ndaluar me ligj dhe jo vetëm kaq, por dhe letërkëmbimi në shqip dënohej me ligj, në Perandorinë e tij të dashur Osmane. Cudi se si bashkohen në këtë pikë "shpëtuesit" tanë turq me armiqtë tanë asimilues serbë dhe grekë!

Një statistikë kuptimplotë për Milazimin:

Porta, 1/6 e taksave që mblidhte nga Vilajetet Shqiptare, duhet ta përdorte për arsimin. Në vitin1898, kishte një apo dy shkolla shqip, ndërkohë që kishte 5 000 të tilla në gjuhë të huaja, kryesisht greqisht dhe turqisht. Me sa duket, turqit e Milazimit, na deshën kaq shumë sa nuk deshin të na e lodhnin trurin me gjuhën tone.

Osmanët bën c'kobtarizimin dhe me anë të një mënyre tjetër, me miletin. Osmanët na cveshën nga kombëtarja duke na flakur një pjesë në miletin myslyman, me në krye sulltanin, një pjesë tjetër në atë ortodoks, me në krye patriarkun ortodoks. Në këtë mënyrë ata jo vetëm na lane si një masë pa identitet, pasojat e së cilës ndihen edhe sot, por edhe fuqizuan armikun tonë grek, duke rritur në mënyrë artificiale numrin e "grekëve". Se c'pasosja katastrofike pati kjo, mjafton të kujtojmë copëtimin e trojeve tona dhe shpërnguljet e shqiptarëve myslymanë, të cilët konsideroheshin turq.

Drejtuesi i emisionit paraqiti një pyetje, që s’e kisha dëgjuar më parë: A ishte pushtim apo sundim ai osman? Një pyetje vërtet për t’u habitur, se njëra është rrjedhojë e tjetrës, pushtimi sjell sundimin. Dhe sigurisht Milazimi tha:”Ka qenë thjesht sundim.”

Se si, qysh dhe nga erdhi ky sundim këtë nuk na e sqaroi Milazimi. Kam dëgjuar shpesh termat: administrim, konkuest (!) etj, por këtë s’e kisha dëgjuar kurrë.

Meqë po na bëjnë të dyshojmë dhe për kuptimin e fjalëve që tashmë i dimë, vendosa të hap fjalorin dhe të gjej kuptimin e pushtimit dhe sundimit:

Pushtoj - 1.Fut ushtrinë në një vend tjetër dhe shtie në dorë tokat e tij, e shkel një vend tjetër dhe ushtroj pushtetin mbi të; i rrëmbej larine dhe pavarësinë një vendi, e robëroj; zë me force një vend.

Sundoj - 1. Kam pushtetin në një vend, jam në fuqi në një shtet a një popull, që kam nënshtruar.

Tani mund të na sqaroj Milazimi si arritën të sundojnë në një vend të huaj osmanët e tij? Fjalori na thotë që sundimi qenka pushteti mbi një vend, që ke nënshtruar. Me sa di unë osmanët nuk u pritën me lule në Shqipëri dhe shumë gjak është derdhur. Milazimi nuk ka dëgjuar vallë per Aranitin, Depën apo Kastriotin? Mos vallë është shurdh nga ai vesh?

Milazimi na tregon që Perandoria Osmane ishte liberale dhe e përparuar. Atëhere desha të di nga Milazimi, si i shpjegon ai rreth 200 000 shqiptarë të hedhur përtej Adriatikut, në Itali? Nëse Milazimi do të dhëna, mjafton tu referohet arkivave italiane, që i kanë të regjistruar deri në një të gjithë të ikurit.

Ka dy arsye për shpërnguljen e dikujt nga toka, ku ka lindur: arsye ekonomike apo për të shpëtuar kokën.

Të gjithë e dimë përgjigjen e kësaj pyetjeje, vetëm Milazimi, me sa duket, nuk e di, se i ka zënë sytë hallva me shumë sheqer.

Se sa liberal kanë qenë osmanët e Milazimit, mjafton të pyesësh dhe sot e kësaj dite arbëreshët dhe do të shikosh që urrejtja e tyre për murtajën osmane nuk ka ndryshuar as sot e kësaj dite, mbas pothuajse 6 shekujsh.

Milazimi na tregon që osmanët na shpëtuan dhe na shtuan si popullsi. Mbase Milazimi nuk i zë besë “qafirëve", që guxuan të sfidojnë osmanët e tij të dashur, atëherë le tu referohemi kronikanëve të kohës:

Më 1438 Turhan Pasha largohet me bishtin nën shalë, pasi nuk mori dot Beratin dhe ia nxjerr inatin popullsisë së Myzeqesë, duke ngritur një piramidë me koka të prera. Pesë princërit e Myzeqesë i vrau, duke ua thyer kockat me çekiç.

Për fushatën e Mehmetit II, kronikani i përkëdhelur i Mehmetit, Kristovoulos shkruan:

E kuqja dhe jo vjollca është ngjyra më e drejtë për të përshkruar ngjyrën e Shkumbinit pas ardhjes së Mehmetit. Ai së bashku me ushtrinë e tij, kryen një akt të paramenduar terrorizmi ndaj ilirëve (Kristovoulos përdor për shqiptarët emrin e lashtë ilir). Numri i atyre, që shkuan në shpatë osmanët e Milazimit, llogaritet midis 20-25 mijë. Kjo ndodhi, sapo vunë këmbë në Shqipëri, pa llogaritur shkatërrimet, djegiet dhe ç’ vranë më vonë.

Dihet se si i shkoi në shaptë dibranët dhe krutanët Mehmeti, pasi u premtoi jetën.

Milazimi mbase kënaqet tek lexon këto "bëma" të sulltanit të tij, pasi tek e fundit, ai po hiqte qafe "qafirët e ndyrë", pasi për Milazimin feja dhe populli janë e njëjta gjë.

Jo vetëm kaq, por osmanët e lane pa krye vendin, pasi paria u detyrua të largohej. Vendin e Kastriotëve, Dukagjinëve, Muzakajve, Topiajve, Aranitëve, Balshajve e zunë spahijtë e stepave aziatike.

Nuk e di ku e shikon shtimin e popullsisë Milazimi, por nëse ai i referohet shtimit të miletit myslyman në territoret shqiptare, atëhere unë jam dakord me Milazimin në këtë pikë.

"Dashuria" osmane ndaj nesh, na jepet dhe nga osmanologia e njohur Caroline Finkel, kur në librin e saj "Ëndrra e Osmanit" thotë që turqit i përdornin shqiptarët si mish për top, sa here që i nevojitej.

Përsa i përket përparimit dhe zhvillimit të Perandorisë Osmane, siç na e paraqet Milazimi, mjafton të shikojmë Ballkanin, që pati "fatin e madh" të lëngonte nën Perandorinë Aziatike dhe Shqipërinë me Kosovën, dy territoret shqiptare, që ndejtën më gjatë nën pushtimin turko-osman. Ballkani është rajoni më i prapambetur i Evropës dhe Shqipëria me Kosovën janë më të prapambeturat e Ballkanit.

Shkëlqimi dhe përparimi i një pernadorie nuk shikohet në qendër, por në periferi.

Për këtë pikë mund të shkruaj faqe dhe kapituj të tërë, por mjafton të përmend faktin, që, kur Shqipëria u pranua në Ligën e Kombeve, më 17.XII.1920, ishte i vetmi komb evropian, që kishte akoma në fuqi marrëdhëniet feudale.

Si përfundim, a është Milazimi i paditur apo i poshtër? Mund të jenë te dyja bashkë. Për Milazimin, kombi i tij është bashkësia islamike, prandaj ai i bën dëm çështjes shqiptare, kur e paraqet veten si shqiptar. Nuk je shqiptar, kur ve fenë para kombit.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora