E enjte, 25.04.2024, 09:44 AM (GMT+1)

Sport

Besnik Dizdari: Shqipëria, tifozja euforike e përhershme, dhe Austria…

E marte, 10.06.2008, 06:50 AM


Shqipëria, tifozja euforike e përhershme, dhe Austria…

Nga Besnik Dizdari

Shqipëria ka ndalë frymën. Ashtu si më 1970 kur për herë të parë televizioni iu dha shqiptarëve një fundore të Kupës së Botës drejtpërsëdrejti në ato pak shtëpi që e kishin aparatin e vogël magjik. Në Shkodër sa për një shembull, ndeshjet u panë me fletëhyrjet private më të çuditshme që mund të ketë krijuar ndonjëherë gjakimi për futbollin. Në oborre hyhej me këto fletëhyrje, gjithmonë nëse kishe një njohje me të zotin e shtëpisë i cili kishte mundur të siguronte një aparat televiziv. Në Tiranë, ndeshjet u panë ose në familjet me probleme biografie, të cilëve të afërmit jashtë kufijve ua kishin sjellë disi me frikë kutinë magjike, ose në familje pushtetarësh të cilët ende ruanin aparatin televiziv të sjellë nga Moska në ikje e sipër më 1960-61, apo që sapo e kishin siguruar përmes favoreve të detyrës.

Qysh në atë 1970, Shqipëria ka mbajtë frymën kësisoji për fundore të Kupës së Botës dhe të Evropës: 1970, 1972, 1974, 1976, 1980, 1982, 1984, 1986, 1988, 1990, 1992, 1994, 1996, 1998, 2000, 2002, 2004… Një herë në dy vjet me harmoninë e pagabueshme të alternimit Kupë e Botës - Kupë e Evropës. Kështu edhe kësaj here, 2008.

Kampionati Evropian i Futbollit. Edicioni i 13-të, në të vërtetë thjesht një dukuri televizive, jo gazetareske mirëfilli. Dhe natyrisht një dukuri loterije. Në vetëm 80 metra rrugë aty ku unë banoj, janë nja gjashtë a shtatë pika loterije! Po ta kishte menduar kështu, shpikësi i saj Massimo della Pergola, me të cilin ruaj tejet të çmueshme biseca e takime të paharrueshme, me atë fisnkëri dhe synim human që ka pasë, nuk do ta kishte krijuar. Ky hov loterish e bastesh është veçan një karakteriskë e vendeve ende të varfëra, më thoshte një mik i huaj. Ose i vendeve të prapambetura, shtonte me sinqeritet afrie.

Sidoqoftë, pavarësisht nga kjo hyrje e këtij tregimi tonë të sotëm, fundoret e Kupës së Botës dhe të Evropës dihet se përfaqësojnë spektakle të pashlyeshme në gjithë larminë paraqitëse të tyre. Dhe ndjekja e tyre të krijon kënaqësi të veçanta shpirtërore dhe estetike. Sidomos për shtetasit e atyre vendeve të cilët i kanë skuadrat e tyre pjesëmarrëse në fundoret. Në rastin tonë për 16 shtetet të cilët kanë fituar të drejtën të jenë së bashku në AustriZvicër 2008.

Shqipëria nga ana e saj mbetet ajo që ka qenë: një tifoze euforike edhe e EURO 2008. Jorrallë deri në një paarësye kulturore dhe dinjiteti. Të shtunën në mbrëmbje pesë televizione njëkohësisht kishin programe për EURO 2008. Dihet, kopje e njeri tjetrit, të ftuarit në të dy anët e palkut (nëse mund ta quajmë kështu), biseda të lira deri në shpërdorim të lirisë gazetareke (jo në kuptimin e keq), dhe mbi të gjitha me më tepër tifozë se sa ekspertë të gazetarisë. Deputetë (dhe ec e gjeje pse me deputetë), gazetarë, qytetarë, ambasadorë, vajza të bukura, falloxhore, futbollistë, trajnerë, specialistë të rréjshëm e të përnjimendtë, komentatorë e transmetues ndeshjesh nga studio. Dhe gjithçka deri në overdozë (mbisasi). Histori e vjetër tashmâ. deri aty sa dëgjon të thuhet përmes ekranit të vogël shqiptar: “ne gjermanët”, “ne italianët”, “ne holandezët”! Ose “unë jam gjerman”, “ti je anglez”! Vështirë të gjesh në ndonjë një vend të botës ku mund të shfaqet kjo lloj ksenomanie si në Shqipërinë e sotme televizive dhe gazetareske. Ngjet në vendet e varfëra, ose “të prapambetura”…

Shqipëria nuk përfaqësohet në EURO 2008. Ajo kurr nuk është përfaqësuar në një fundore të Kupës së Evropës ose të Botës. Dhe kjo është normale. Shqipëria është një vend i vogël, me një sport e futboll të vogël. Ndonëse duke filluar nga viti 1980 Shqipëria nuk ka munguar asnjëherë në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës dhe të Evropës. Natyrisht pa mundur kurrnjiherë të mbërrijë në fundoret. Ndonëse në tanësi ajo ka ardhur duke e rritur paraqitjen e saj në këto kualifikime. Kësisoji ajo nuk përfaqësohet as në EURO 2008. Përfaqësohet si pak kush me një larmi të papame tifozash në largësi. Dhe me një ndjenjë disi vetepërsie shpirtërore të pangjashme. Eshtë vërtet e çuditëshme sidomos ko lloj tifoje sui generis, kur zë vend kaq me prepotencë a vetsiguri tek njerëz të ashtuquajtur të politikës, të cilët është tejet e vështirë ta kuptosh përse thirren të flasin edhe për Kupën e Evropës, ndonëse kjo veprimtari nuk organizohet as nga zona e të zgjedhësve të tyre, as nga Këshilli i Evropës, as nga Bashkësia e Evropës, as nga OKB-ja, as nga NATO. Interesantja tjetër është se me çfarë pasioni nxitojnë të flasin kjo kategori shtetase e jona për ndeshjet e futbollit tash e parë, ndonëse shumica nuk zotërojnë kulturën e duhur për një gjë të tillë.

Kështu, Shqipëria jonë mbetet vërtet orgjinale në mënyrën se si e përjeton një Kupë të Evropës. Ndonëse ajo nuk përfaqësohet në fundoret e saj…

X X` X

Në një farë mënyre megjithate “përfaqësohet”. Eshtë në emër i vetëm: Ronald Gercaliu. 22 vjeç djalë, I lindur në Tiranë të Shqipërisë. 1.81 cm shtatlartë. 76 kg peshë trupore. Mbrojtës i krahut të majtë me përparësi sulmuese. Lojtar i Austria të Vjenës, 10 ndeshje me Kombëtaren e Austrisë. Me numër 12 në fanelë. I vetmi shqiptar, madje futbollist i lindur si i tillë prej futbollit të Shqipërisë. I vetmi futbollist i dalë prej futbollit shqiptar që arrin një fundore të Kupës së Evropës. Merret me mend, në këte rast nën fanelën e një shteti dhe kombi tjetër: Austrisë mike, një formacion i së cilës më 1913 i ka blatuar Shqipërisë ndeshjen e parë zyrtare të futbollit, datim që bën ardhjen zyrtare të futbollit në tokën arbnore. Gërcaliu i sotëm është i vetmi futbollist i lindur si të tillë prej futbollit shqiptar që arrin të veshë fanelën e një kombi dhe shteti tjetër. Valon Behrami, shqiptar i Mitrovicës së Kosovës, nuk i përket futbollit shqiptar. Ai është qytetar zviceran qysh gjashtë vjeç, e kësisoji si futbollist ka lindur, është zbuluar dhe formuar prej Zvicrës. Ronald Gercaliu është diçka krejt tjetër.

Ai e ka lënë Tiranën dhe Shqipërinë qysh kur ishte 12-13 vjeç djalë. Mori rrugën e bukur të Graz-it të Austrisë me synimin për t’u bërë futbollist i rangut. Mbas dhjetë vjetëve arrin ate që deri më sot në futboll nuk e kishte arritur asnjë shqiptar i Shqipërisë: shkon në fundoret e një Evropiani, këtij 2008!

Protagonisti ynë është nipi i portjerit tonë ndër më të mëdhenjtë, Muhamet (Met) Metani, portjeri emblematik i Punës së Tiranës, por edhe i Punës së Shkodrës, i Luftëtarit të Tiranës, por veçan edhe i Dinamos së Tiranës – Kampion Kombëtar me te më 1951. E kam treguar me kohë se si e kam njohur Met Metanin. Përsëris se ka qenë një ditë historike e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, më saktë, të Kampionatit të 15-të Kombëtar të Shqipërisë. 4 korrik 1952 në Fushën e Vjetër të Shkodrës. Luante Partizani dhe Puna e Shkodrës (Vllaznia). I ndodhur 3 pikë përpara Dinamos, vetëm 180 minuta para mbarimit, askush tashmâ nuk mendonte se Partizani mund të dorëzohej. Fëmijë 9-vjeçar, isha ngulur pikërisht prapa portës së portjerit Met Metani, ashtu në këmbë, kapur për duarsh në telat e kufizimit të Fushës së Vjetër të Shkodrës, pjesë e një publiku të pamatë, natyrisht shumica në këmbë, kur dihej se tribuna e Fushës së Vjetër ishte vetëm në një krah, në zonën e 100 metrave, siç mund të përcaktohet.

Serinë e çel Xhelal Juka i papërmbajtshëm qysh në të 10', duke i dhënë zjarr një entusiazmi të papamë të publikut dhe lojës. Pesë minuta më vonë Qamil Medja shfrytëzon rrufeshëm një top të ardhur prej goditjes së këndit dhe 2-0. Ndonëse në të 25' Refik Resmja shkurton në 2-1, mbas një goli që realizon falë teknikës së tij të gjuajtjeve të dënimit disi larg portës së Metanit, kjo nuk e trondit Punën. Kështu, mbërrihet te goli i tretë shkodran, më i bukuri, vepër e qendërsulmuesit shtatlartë, të paharrueshmit Zija Cungu. Dhe 3-1! Këtu Partizani merr fund si rrallë herë. Besim Fagu që është kapiten po dhe njëri nga trajnerët e skuadrës, lë qëndrën e mbrojtjes, dhe papritmas shfaqet në qendër të sulmit, duke lënë të habitur sidomos Loro Boriçin. Tashmâ nuk ka as taktikë, as 11-tësh serioz, as qetësi. Puna e Shkodrës mbërrin te goli i katërt: shënon Ali Kullolli në të 81' dhe 4-1-shi hyn në histori.

Shkodra përjeton një ngjarje të paharrueshme futbolli. Xhelal Juka e Muhamet Dibra nuk përmbaheshin. Për lojtarët e Shkodrës ka qenë e pamundur dalja nga fusha. Portjeri Met Metani është në krahët e tifozave. Unë e bashkëmoshatarët e mi jemi të shtangur te telat e fushës, teksa shohim lojtarët e Partizanit duke e lënë fushën e lojës me një shamatë midis védi. Mua më dukej se Shkodra më fort se të gjithë, nderonte pikërisht portjerin Met Metani si i vetmi joshkodran në skuadrën e Shkodrës: Metani, Gjoni, Dibra, Smaja, E.Dani, Gjeloshi, Kullolli, Juka, Z.Cungu, Medja, Tepelia! Nuk e harroj Metanin me fanelën dy ngjyrëshe të ndarë diagonalisht dhe me yll në mes të gjoksit, fanela tipike e portjerëve shkodranë të Vllaznisë së Paraluftës.

Do t’i kthehej Punës së kryeqytetit të tij për një dhjetëvjeçar e më tej, 17 Nëntorit të tij (SK Tirana), duke mos patur asesi rival. Ky ishte njëri prej portjerëve më të mëdhenj të Shqipërisë, Met Metani (1930-2003) i paharrueshëm. I dha futbollit kombëtar të katër djemtë e tij. Mbi të gjithë, natyrisht, qëndron Luan Metani, i njohur si Il Metani, futbollist i mrekullkueshëm i Shkëndisë, sulmues tipik i një lëvizshmërie të papushueshme, Kampion Kombëtar me 17 Nëntorin më 1982, duke i sjellë babait të tij titullin e dytë familjar mbas të tijit me Dinamon 1951. Biri tjetër është Blerim Metani, lojtar i Shkëndisë dhe i Shkumbinit; djali tjetër Altin Metani arrin deri te të Rinjtë si futbollist; djali tjetër Agron Metani është futbollist i të Rinjve të 17 Nëntorit dhe i të rriturve të Naftëtarit. Nuk dimë që një futbollist i vjetër shqiptar t’i ketë patur të katër djemtë e tij futbollistë në kampionatet shqiptare si në rastin e Met Metanit. Kjo èshtë “dinastia Metani”! Met Metani ia arriti megjithate, ta përjetonte edhe më thellë, edhe më tej dinastinë e tij futbollistike, duke vështruar ndërkohë nga larg nipin e tij, Ronald Gercaliun (Metanin), birin e djalit të tij Blerimit, që në mënyrën më sensacionale arrin ta bartë futbollin e Metanëve për në zemër të Evropës, në fushat e futbollit danubian, për të cilin dihet se ka bërë epokë në historinë e futbollit botëror: te Austria, pasardhësja e Wunderteam-it të famshëm – “Skuadra mrekulli”. E, tash është 2008. Shekulli XXI.

Për fatin tonë një futbollist i dalë prej farishtes së futbollit shqiptar. Qe kujdesur për këte natyrisht tejet babai i tij, Blerimi, si dhe xhaxhai i tij, trajneri i shkolluar Luan Metani, i cili e merr pranë ekipit, ndonëse Ronaldi është i datëlindjes 1986. Janë vite të vështira 1997-98. Në Graz të Austrisë nëna e Ronaldit, Dhurata, bashkëshortja e Blerim Metanit, ka motrën Shpresa që ka emigruar atje familjarisht. Talenti i Ronaldit nuk është për fushat ende me baltë dhe për moskujdesjen shqiptare. Merreni me mend, një familje që nis djalin e saj 12-13 vjeçar për në një shtet tjetër mbasi e ka zbuluar talentin e tij të madh. Tezja Shpresa dhe bashkëshorti i saj Besnik Gercaliu e presin me krahë hapur. Tash Ronald Metani është njëkohësisht edhe Ronald Gercaliu shtetas i Austrisë. Caqet e tij të futbollit janë Sturm Graz, Red Bull Salzburg, Austria e Vejenës. Shpejt në Kombëtaren e Austrisë “NEN17” i përzgjedhur deri në 11-shin më të mirë të moshës në Evropë. Mandej dita famëmadhe për te, ajo e 18 gushtit 2005, kur në ndeshjen miqësore Austria – Skocia 2-2, trajneri i Kombëtares, Hans Krankl – firmë e madhe në futbollin botëror - i bën një vend shqiptarit 19-vjeçarit Ronald Gercaliu (Metani)!

Ronald Gercaliu (Metani) është shqiptari i parë i Shqipërisë i cili luan në një edicion të fundoreve të asaj që është quajtur Kupa e Kombeve të Evropës e që sot quhet Kampinati Evropian i Futbollit, këte edicion i njohur si EURO 2008. Ose Edicioni i 13-të i Kampionatit Evropian në tokën austriake, në tokën e Austrisë, mikes tonë vetanake për kushedi sa kohë. Protagonisten e madhe të mbështetjes për Pavarësinë e Shqipërisë, sidomos për njinjishmëninë (identitetin) shqiptar. Lexoni vëllimin e Mentor Qukut për Mjedën, atë që i kushtohet Kongresit të Manastirit që i dha Shqipërisë alfabetin dhe do të kuptoni se pa mbështetjen politike, kulturore dhe sidomos financiare të Austrohungarisë së habsburgëve, ai Kongres nuk do të mbahej. Pa shkuar te qindra e qindra librat shkollorë që u shtypën në Vjenë e erdhën në Shqipëri për nxënësit shqiptarë.

“Populli i Shkodrës nuk mundet me harrue kurr t’mirat e panjehuna që n’t’gjitha rreziqet e kombit na kan ardh prej qeveris austro-hungare e cila posë tjerave na pshtoi dy herë prej zgjedhet t’anmikut, e mirnjoftje e pa masë na lidhë me t’mjerin axhen tand mbretin e rregjin Frano Zefin për kujdes e mirsi që ka diftue gjithmonë për ne.”

Janë rreshta të mara prej fjalës së Kryetarit të Perlimtares së Shkodrës, Musa Juka, mbajtur në Shkodër para Arqidukës Maksimilian, vëlla i Mbretit të Austrohungarisë, Karl, me rastin e vizitës së tij në Shkodër më 12 janar 1917. Një vizitësensacionale, hollësitë e së cilës i mësoj prej kronikës së At Gjergj Fishtës me titull “T’ardhunt e Arqidukës Maksimilian”, botuar te “Posta e Shqypniës” e vitit 1917, ndoshta kronika e vetme e botuar dhe e shkruar prej pendës së Fishtës, që për kah saktësia dhe kompozicioni ia vlen të studjohet në shkollat e sotme të gazetarisë shqiptare.

“Verigat, - shkruan Patër Gjergji në hyrje të kronikës së tij të jashtëzakonshme, - me t’cilat anmiku kishte pengue Shqipnin, spata ngadhnjyese e habsburgëve vjet e kputi prej duarve e kambve tona, e i vû trof? m’ therore t’ Drejtsìs: Arqiduka prû me vedi vetem pallmen e Lirís e t’ Qytetnís”.

Në fisin tim kemi të ruajtur foton e famshme të konsullit të Austrohungarisë në Shkodër, Von Kraal me Nasuf Beg Dizdarin (i jati i orientalistit të madh Tahir Dizdari dhe gjyshi i Ing. Nauf Dizdarit të sotëm), studjues i shquar dhe zyrtar i asaj konsullate, me të cilin kanë pozuar së bashku të dy të veshur me kostumin kombëtar shqiptar.

Si lidhen historitë, vërtet! E kjo Austri, sot organizatore e Kupës së EURO 2008, na kishte blatuar edhe ndeshjen e parë të futbollit në Shqipëri që daton më 1913, të cilën kurrnjiherë kjo Federatë Shqiptare e Futbollit, nuk e përkujtoi. Sivjet është 95-vjetori. E pat “përkujtuar” një herë, në shtatorine 1978, Vllaznia e Shkodrës e Xhevdet Shaqirit, në 65-vjetorin e saj përmes fitores që bëri bujë në gjithë Evropën, atë me Austria të Vjenës 2-0, në 11-shin e së cilës gjendeshin një tufë kombëtarasish të saj të cilët pak javë më parë e kishin çuar Austrinë e tyre në tetëshen e Kupës së Botës 1978: Robert Sara, Obermayer, Baumayster, Prohaska, Gaselich, Schahner. 30 vjet më vonë, më 2008, kjo Austri thërret në Kombëtaren e saj edhe shqiptarin Ronald Gercaliu, duke u bërë Austria i vetmi shtet në historinë e Evropës që sjell në “Ernst-Happel-Stadion” të EURO 2008, edhe pak shqiptarí përmes Gercaliut të saj. E çuditshme qe pak para fillimit të ndeshjes me Austri – Kroaci të së shtunës kur camera e televizionit austriak e mbajti përmbi një minutë në ekran Gercaliun, teksa Austria po bëhej gati të dilte në fushë. Mandej ndeshje e tij rreth 70 minuta dhe 11 pasime të pagabueshme për shokun e tij të skuadrës, Jurgen Saumel – shifër rekord statistikor e kësaj ndeshjeje simbas UEFA-s.

X X X

Shqipëria e sotme natyrisht nuk ka eufori për kësi faktesh, as edhe për të vetmin fakt “shqiptar” të EURO 2008. E ka mendjen te euforia e tifozave të saj të EURO 2008 të cilët çka nuk janë: deputetë (ec e gjeje pse deputetë), gazetarë, qytetarë, ambasadorë, vajza të bukura, fallxhore, futbollistë, trajnerë, ekspertë, komentatorë. Dhe deri në overdozë (mbisasi). Histori disi monotone kjo tashmâ, teksa dëgjon të thuhet përmes ekranit të vogël” “ne gjermanët”, “ne italianët”, “ne holandezët”! Vërtet, vështirë të gjesh një vend të botë ku mund shfaqet kjo lloj ksenomania si në Shqipërinë tonë televizive e gazetareske. Ngjet në vendet e varfëra, ose “të prapambetura”…

Paksa për hir të historisë, apo për hir të Ronald Gercaliut, ndoshta Shqipërisë i takon të jetë tifoze e Austrisë dhe jo tifoze euforike e EURO 2008.

E, prapseprap edhe kjo ka të bëjë me shijen personale ndaj futbollit. Ajo me të cilën ne nuk bijem në një mendje mbase, është euforia sportivo-politiko-konformisto-artificialo-gazetareske e mënyrës snobiste, krejt të panatyrshme se si kjo eufori shpaloset në përmasat e pakufij ndër ne. Ose ky “trend” (prirje) i trajtimit të EURO 2008, duke përdorur jo pa ironi “trend”-i, gjithashtu një tjetër fjalë e huaj që mbyti fjalorin shpesh herë të spitulluar që po shkatërron gjuhën e gazetarisë shqiptare sot (“event”, “trend”, “impakt”, “merkato”, “prezencë”, “impiant”, e shumë të tjera, të gjitha të zëvendsueshme me fjalë shqipe).

E marr me gjakftohtësi EURO 2008 – kultura më e re e futbollit evropian - i cili në këte festival të tij synon shfaqjen e madhe futbollistike të kontinentit të vjetër. Një kulturë që shkrihet si një e tanë midis dy shteteve model të saj: Austrisë me 37.000 USD për frymë dhe Zvicrës me 50.000 USD për frymë. Çështje niveli jetese, përveç të tjerave. Kështu edhe në lidhje me Kampionatin Evropian 2008, që është “zëri i Evropës”, siç e përcakton “France Football”. Ai shfaqet përmes vetë topit të titulluar “Europass”, një top që simbolizon sidomos dy flamujt e dy vendeve organizatore: Austrisë dhe Zvicrës. Një top përmes zotërimit të të cilit 16 fundoristët do të luftojnë të rrëmbejnë Kupën e Kombeve të Evropës Nr. 13, kësaj rradhe një variant i ri, pranë së cilës autori i këtyre rradhëve pati rastin të fotografohet (shih foton shoqëruese të shkrimit) në Bregenz të Austrisë një vit më parë. Nuk lejonin ta prekje me dorë. Për të mbërritur mandej te logo e Kampionatit: një top i rrethuar prej një vije reliefi që ngjitet lart si një majë mali, simbol i Alpeve AustroZvicerane, që siç thekson një kritik, nënkupton me delikatesë vetë rëndësinë e natyrës së këtij rajoni, vetë mpleksjen e gjakimit midis mjedisit dhe futbollit. Pa harruar të simbolizojë të kuqen dhe të bardhën - dy ngjyrat kombëtare të AustriZvicrës. Çka ruhet edhe në maskotin e dy binjakëve, Trix e Flix, bardh e kuq edhe ata, të përshkuar prej vijës së lartësive të malit dhe me 2008-ën që bashkohet përmes gjokseve të tyre.

Të gjitha kto hyjnë në kulturën e një EURO 2008. Një kulturë që ndihmon tejet qoftë edhe për me ulë tonet shpesh herë artificiale të Shqipërisë futbollistike – përherë tifoze euforike e një Evropiani apo Botërori, sidomos në këte Shekull XXI, kur ajo shpesh kujton se ia arrin përngjasimit evropian, duke u proklamuar si evropiane “par excellence” përmes përvetësimit apo gjykimit po artficial të skuadrës së një shteti tjetër, ciladoqoftë ajo…

EURO 2008, nisi kështu me katër ndeshjet së dielës e së shtunës. Ajo që mbeti në mendje qenë Portugalia e dy golave matematikë në përkryerjen e tyre intrepretuese; qëndrueshmëria e Republikës Çeke, e aftë tashmâ edhe për “të vjedhur” fitore të vështira; dhe po aq rrëmbimi i një fitooreje të çmueshme kroate përballë një Austrie, që hap mbas hapi erdhi duke e rritur deri në epërsi të plotë lojën e saj. Mandej Gjermania e një 2-0 të kundërsulmit dhe e forcës së zakonshme të karakterit të saj falë së cilës ia arrin të të mposhtë edhe në çastin kur ti kujton krejt ndryshe. Ishte një fillim disi enigmatik edhe pse triumfuan ata që priteshin. Ndoshta do të ketë befasina si më 2004 kur fitoi Greqia “e jonë”…

Të gjitha këto në Shqipëri bënë që të shumëzohet me zero rekordi i lartë kombëtar në kërcimin së gjati me 7.89 metra i Admir Bregut të Sportklub Tiranës – i treti në Kampionatin Kombëtar të një prej vendeve më atletike të Evropës, Rumanisë. Si të mos ishte rekordi i Shqipërisë! Kjo është njëanshmëria tipike shqiptare dhe madje harresa e madhe e gazetarëve sportivë të popullit tonë të dashtun…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora