E enjte, 28.03.2024, 03:56 PM (GMT)

Mendime

Imer Mushkolaj: Me kokë në thes

E enjte, 27.02.2014, 06:42 PM


Me kokë në thes

Nga Imer Mushkolaj

Gjuha e përdorur nga reperi Gold AG në këngën e re ndaj grupeve të caktuara shoqërore e personave të caktuar - gjithë kjo e përcjellur me videoklipin e neveritshëm me koka në thasë e shkop bejzbolli në krah – nuk është asgjë më pak se thirrje për urrejtje e linç. Është fashizëm.

Nëse dikush ka nevojë për udhëzues se si duhet sharë, fyer e urryer tjetrin, atëherë vetëm duhet ta dëgjojnë këngën më të re të një reperi shqiptar. Gjuha e përdorur në këngën e Gold AG ka kaluar çdo limit të shprehjes artistike, duke u kthyer në një ftesë të pështirë për linç, dhunë e urrejtje ndaj kategorive e personave të caktuar të shoqërisë. Gjithçka në emër të një feje të caktuar, të një etnie të caktuar.

Secili që mendon me kokë të ftohtë duhet të ndihet jashtëzakonisht keq këto ditë, kur sheh fëmijë e të rinj që e dëgjojnë nëpër celularë e në internet këtë këngë e cila, fatkeqësisht, mund t’iu shërbejë atyre si udhërrëfyes për sjellje dhe veprime karshi të tjerëve që nuk janë si ata, që i përkasin një grupi tjetër fetar, gjinor, seksual a shoqëror.

Nukështë hera e parë që ky reper dhe të tjerë si ai përdorin gjuhë eksplicite dhe të papranueshme në këngët e tyre, respektivisht promovojnë “vlera”, për të cilat në vendet normale do të duhej ndëshkuar.

Të gjithë ata që çojnë zërin kundër dhe reagojnë kësaj gjuhe, me premisa fashiste e raciste, assesi nuk e rrezikojnë ose kundërshtojnë lirinë e shprehjes. Përkundrazi, ata kundërshtojnë dhe luftojnë një model të keq të shprehjes së lirë, ku dikush lehtësisht i jep vetes të drejtë të shajë e fyejë të gjithë ata që nuk mendojnë si ai dhe, për më keq, këtë e bën në emër të një feje të caktuar, në emër të një kombi të caktuar.

Avokati Arianit Koci konsideron se me disa vargje të këngës së Gold AG’sëështë konsumuar vepra penale nga Neni 147 i Kodit Penal – “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Natyrisht, ekziston një kontekst në të cilin reperi e ka krijuar këngën. Disa nga pretendimet e tij ndaj sjelljeve e veprimeve të institucioneve e politikanëve janë të sakta dhe për to është shkruar dhe vazhdon të shkruhet e raportohet nga gazetarë e opinionistë. Po ashtu, për të bëmat e tyre kanë krijuar këngë edhe rok e rep grupe - me mesazhe shumë të fuqishme, por aspak banale e kurrsesi fyese.

* * *

Gjuha e përdorur nga Gold AG ndaj grupeve shoqërore e personave të caktuar – gjithë kjo përcjellë me videoklipin e neveritshëm me koka në thasë e shkop bejzbolli në krah - nuk ka të bëjë asgjë me lirinë e shprehjes, as me lirinë e besimit. Thjesht, e gjitha është një përpjekje promovimi opcionesh fetare e kulturore që e çojnë këtë vend drejt humnerës. Është promovim i urrejtjes, është fashizëm, racizëm.

Ata që e arsyetojnë gjuhën e përdorur nga reperi, në këngën që ka kaluar një milion klikime në Youtube, nuk bëjnë gjë tjetër veçse përkrahin një mendësi fashiste, e cila ka ditur të shkaktojë edhe katastrofa me përmasa botërore.

Ata që e arsyetojnë gjuhën e përdorur nga reperi këtë e bëjnë ose nga padija, ose nga dëshira për të qenë interesantë. Ose, edhe më keq, nga fakti se brenda asaj gjuhe dhe asaj kënge e shohin veten në raport me të tjerët që kanë zgjedhur të jenë ndryshe. Gjuha e tillë, mendësia e tillë janë të rrezikshme dhe duhet të kundërshtohen.

Ata që tumirin gjuhën e këngës i kanë vetë kokat në thes, i kanë mendjet e ndryra dhe shohin vetëm të vërtetën e tyre brenda thesit. Me kokë në thes ata janë përjashtues, refuzues, injorues, përçmues. Sytë e tyre nuk shohin jashtë thesit, mendjet e tyre nuk funksionojnë jashtë thesit.

* * *

Për gjuhën e përdorur, vërejtjen reperit “ia ka tërhequr” edhe hoxha Shefqet Krasniqi i cili, pas një takimi me të, e ka këshilluar “të jetë sa më i kujdesshëm në fjalorin e tij”. Por ky hoxhë, po ashtu, e ka falënderuar atë për “guximin, vendosshmërinë e tij për t'i mbrojtur interesat e Islamit dhe myslimanëve në vendin tonë”.

Ka qenë vetë Krasniqi e Krasniqë të tjerë, të përkrahur edhe nga qarqe të caktuara akademike, politike, fetare e mediale të cilët me diskursin e tyre skandaloz publik kanë mbjellë përçarje e mosdurim gjithandej. Janë ata që, në funksion të përmbushjes së agjendave dhe interesave të caktuar vazhdojnë misionin përçarës e perfid në shoqërinë kosovare. Kënga e reperit është produkt i gjithë kësaj.

Unë nuk besoj se interesat e myslimanëve dhe Islamit në Kosovë mbrohen kështu. Unë nuk besoj se kjo gjuhë, kjo mendësi ka fare të bëjë me myslimanët dhe Islamin. Thonë se Islami është fe e paqes, e në ligjërime mbjellin urrejtje. Viktimave të tyre u vendosin thasë në kokë, e vetë me kokë në thes jetojnë e me stupc në krah kërcënojnë. Në emër të fesë, në emër të kombit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora