Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Themelore mes riteve dhe besytnive

| E merkure, 26.02.2014, 08:40 PM |


THEMELORE MES RITEVE DHE BESYTNIVE TË TRASHËGUARA NË SHEKUJ

Sa do të doja të më tregonte dikush se përse bëhen këto rite, më thoshte një i huaj që asistoi në një dasmë sulovare. Ritet e dasmës: kur nusja del nga shtëpia e hedhin kokrra orizi apo edhe kur nusja lyen dorën me mjaltë dhe thyen bukën mbi krye, e të tjera rite, që tregojnë se sjellin në shtëpi bollëk dhe ëmbëlsi.

NGA PËLLUMB GORICA

Krahina e Sulovës shtrihet në jug të shqipërisë së Mesme, në të manjtë të rrjedhës së poshtme të lumit Devoll. Ajo ka trashëguar e ruajtur tradita të lashta, rite, zakone, e besytni. Një pjesë e tyre, në rrjedhat e shekujve janë zhdukur, duke u zëvendësuar nga zakone e rite të tjera, por është akoma fatkeqësi, që përparimi i kohëve moderne ka çuar në zhdukjen e shumë të tjerave. Ato kanë luajtur rol të rëndësishëm, në jetën familjare, ekonomike e shoqërore. Studiuesit e etnografisë mendojnë se në themel të tyre qëndrojnë rite pagane. Ne do të mundohemi t’i rendisim më tipiket e themelore mes riteve të familjes, të trashëguara ndër shekuj, por edhe disa besime, paragjykime, syrin e keq e shumë fenomene të tjera, që nuk shpjegohen dot.

-Në qoftë se fëmija qante ose grindej shumë natën, për arsye, që të gjendej shkaku i shqetësimit mendohej se fëmija ishte i parë nga ata që kanë sy të keq dhe bëheshin këto veprime. Merrej një thëngjill nga vatra e zjarrit dhe e shuan me një filxhan me pak ujë të cilin pasi e kullon i japin fëmijës për ta pirë. Apo bëhej edhe ajo e hedhjes se kripës në një kaci me prush dhe nga avulli që dilte afrohej fëmija thuhet “o sy ik, plas ashtu siç pëlcet kripa!” Tjetër për të mos e marrë mësysh fëmijës i ngjitej në rrobet e trupit një nuskë.

-Ditën që mbushte vitin fëmija i viheshin në një sini (tavë alumini) përpara plot gjëra. Po të ishte djalë: pushkë, libër, sqepar, sende që i përkasin mjeshtërive në jetën e njeriut. Kur është vajzë i venë përpara pe, gjilpërë, fshesë, enë kuzhine, furkë etj. Atë send që do të kap me dorë fëmija, atë mjeshtëri do të marr kur të rritet.

- Dasmat bëheshin në kohën e hënës së plotë për të pasur siguri se çifti do të bëhej me fëmijë.

-Thirrësi në dasëm shpërblehej me para, vezë, arra e fruta të tjera.

-Dy ditë para dasmës në shtëpinë e nuses dërgohen rrobat.

-Kur krushqit niseshin për të marrë nusen e përcilleshin me këngë.

-Krushqit e djalit duhet të venë në dasmë një orë më vonë se të fillojë ajo dhe të ikin një orë më përpara.

-Gjatë kthimit krushqit duhet të mos kalonin rrugës që erdhën. Besohet se kthehej nusja në derën e babait po nuk ndërruan rrugën krushqit.

-Krushqit gjatë rrugës në rast se shkëmbeheshin me krushq të tjerë shkëmbenin faqoret e rakisë. Nuset shkëmbenin shamitë e dorës.

-Kur hynte në oborrin e shtëpisë i vinin përpara një djalë të vogël, që nusja të bënte djem. Nusja i jepte një palë çorape si dhuratë.

-Nusja kur hynte në derën e shtëpisë i vinin përpara një djalë të vogël, që ajo të bënte djem. Nusja i jepte një palë çorape si dhuratë.

-Nusja nuk duhej të shihte rrugën që bënte pasi do të ngelej pa fëmijë dhe nuk duhet të shihte njeri gjatë rrugës.

-Dikush lag përpara rrugën me raki, ku do kalojë nusja, që të mos i ndodh gjë e keqe dhe ta shpëtojë nga magjia që të mund ti ketë bërë ndokush.

-Sapo hyn në shtëpi me këmbë të djathtë, asaj i vihej një bukë në sqetull, i lyheshin gishtat me mjaltë dhe ajo e vinte në derë, nusja i bie gjymit të mbushur me ujë, me këmbë.

-E zonja e shtëpisë nuk harronte, që gjatë darkës në shtratin e nuses të vinte për të fjetur një djalë të vogël, me dëshirën e madhe që çifti i ri të lindte djalë.

-Në kohën kur dhëndëri do të hynte në dhomë te nusja, e goditnin me grushte në shpinë, një gjest ky gazmor, që i bëhej atij në momentin kur do të shihte nusen.

-Hapja e pajës së nuses bëhej të nesërmen. Nusja vendosej, në një kënd të dhomës dhe gjithë gratë e lagjes vijnë e shkojnë turma-turma, njëkohësisht ato shohin atë edhe ç’kishte sjellë ajo si pajë. -Kur vdes dikush ulet dhe ngrihet  arkivoli në derë të shtëpisë.

-Në festën e lashtë të motmotit: Ditën e Verës vendosin fëmijët verore në qafë të duarve. Veroret një kompleks penjsh të bardhë dhe të kuq. Ato hiqen nga dora vetëm kur fillojnë e vijnë pas shtegtimit dallëndyshet.

-Në Ditën e Verës mblidheshin lule e gjethe të freskëta, që vendoseshin jo vetëm mbi derën e shtëpisë, por edhe në vathën e bagëtive, në strumbullarin e lëmit edhe mbi parmendë.

- Atë ditë u bien zileve të këmborëve, trembin zhapikët, gjarpërinjtë e tërë të këqijat.

- I ndjeri nuk duhet të rrijë më shumë se një ditë në shtëpi.

- Çdo njeri hidhte nga një dorë dhe mbi trupin e të ndjerit.

- Familjarët rreshtohen pranë varrit dhe i takojnë të gjithë ata, që erdhën në ngushëllim.

-Varri orientohet lindje-perëndim dhe vendosin dy gurë simetrikë, njëra te koka e tjetra te këmbët.

-Për të nderuar mikun, duke e vënë në qoshen tjetër të oxhakut, përballë të zotit të shtëpisë.

-Miku vihej për të fjetur në dhomën e miqve dhe kur përcillej i jepej edhe ushqim për rrugë.

-Miqtë përcilleshin me nderime deri në të dalë të fshatit, zakon i lashtë, që dëshmonte respektin dhe kujdesin për mikun.

-Në truallin që mendohej për ndërtimin e shtëpisë një tufë bagëtish lihej tre net me radhë, nëse delet pushonin të qeta ai truall konsiderohej i mbarë dhe fillohej ndërtimi.

-Themelet e banesave hapeshin ditën e shtunë.Ustallarët nuk hedhin themelet e shtëpive apo ndonjë ndërtese tjetër të martën.

-Festohej kur hidhej themeli, por edhe kur hynte në shtëpinë e re. Zakonisht kur hidheshin themelet, do të therej dash nga i zoti i shtëpisë, jo vetëm për t’u çimentuar themelet e ndërtesës, por edhe për të përuruar fillimin e punimeve dhe për të gostitur ustallarët, që kishte pajtuar i zoti i saj.

-Kur përfundonte së ndërtuari shtëpia e re bëhej dreka e shtëpisë. Therej e bëhej kurban se besonin se nuk shembej shtëpia.

- Kur ndërtohej një shtëpi të re duhej të hyje për të banuar kur hëna ishte e plotë.

- Nuk duhet mbjellë njeriu arra para kohe se vdes kur ajo trashet sa qafa e atij që e mbjellë.

-Kanë besuar se të lashtat nuk duhen mbjellë në të ngrënë të hënës, përndryshe të mbjellat do të bënin vetëm kërcinj e gjethe pa kokrra fare.

-Kur dheu bëhet grusht, e dora e futur ndien të ftohtë mendohej se nuk ishte e përshtatshme për mbjellje.

-Koha e përshtatshme kur fiku çel tre gjethe nis mbjellja e misrit si shenjë paralajmëruese për fillimin e mbjelljes.

-Kur merimangat endnin fijet e tyre mbi tokë, që do të thoshte se ishte gati toka për të mbjellë.

-Druri i parmendës nuk digjej, por lihej diku e më pas kalbej.

-Pozicioni i vendosjes së parmendës kur fillonte puna ishte në drejtim të lindjes së diellit ndërsa kur mbaronte kthehej në drejtim të kundërt.

-Thyerja e parmendës në arë gjatë punës tregon prapsi.

-Parmenda zakonisht nuk vidhej, besohej se toka e punuar me parmendë të vjedhur nuk prodhonte e sillte fatkeqësi në familje.

-Në asnjë rast nuk lihej parmenda në mes të arës, por vendosej në një qoshe të saj. Lidhet me besimin që qetë nuk do të bëjnë gjumë rehat dhe si rrjedhojë të nesërmen nuk do të jenë në gjendje për punë.

-Besohej se sillte prapësi kapja e parmendës me duar të palara.

-Ditët kur fillonte së pari puna me parmendë kishte paragjykime si ditë që sillnin mbarësi ishin e hëna, e enjtja, e shtuna.

-Gruaja shtatzënë nuk duhet të dalë natën kur e zënë dhimbjet.

-Duhet të hapen ç’do gjë që është e mbyllur në shtëpi me kyç (derë, arkëza, valiçe) kur gruaja lind.

-Çasti i lindjes mbahej sekret, për arsye se siç thuhej duke mos u marr vesh gruaja shtatzënë nuk do të mundohej gjatë lindjes.

-Ai që sillte i pari lajmin (myzhdenë) e lindjes së fëmijës i jepnin para.

-Pas disa ditësh  të lindjes, fëmijës i vihej emri, ndërmjet një darke a dreke me  miq e të afërm.

-Vizitat për urim bëheshin ditën sepse natën nuk ishte mirë për lehonën.

-Kur miqtë largoheshin nga urimi, lehonën nuk e zinin për dore se i ikte qumështi. Për dyzet ditë asaj nuk i lejohej të dilte nga shtëpia natën.

-Edhe rrobat e lara të fëmijës nuk duheshin nderë natën jashtë.

- Kushdo që shihte fëmijën për herë të parë, për të mos e marrë mësysh e pështynin lehtë tre herë.

- Kur fëmijës i ndërrohen dhëmbët e qumështit, dhëmbi që bie e hedhin në çati. Njerëzit besojnë se dhembi që bie duhet të hidhet mbi tjegulla që të mos e gjejë asnjeri. Thuhet edhe kjo shprehje: “të jap një të vjetër më jep një të ri”

-Gruaja shtatzënë nuk duhet të hajë mish lepuri se fëmija lind frikacak. Nëse hanë speca do të lind fëmijë gjaknxehtë.

-Fëmijët e vegjël, bagëtitë e tufës ose gjërat me vlerë nuk bënë të lëvdohen para të tjerëve, në mënyrë që mund të mos i zërë syri i keq.

-Një thelb hudhre mund të përdoret për të mbrojtur fëmijën nga syri i keq.

-Dyzet ditë e para nuk duhet të japësh qumësht në komshi nga lopa që ka lind viç se  i ikën qumështi.

-Kur qa qeni i shtëpisë besohet se ai ndjell fatkeqësi. Besimi mbështetet në mendimin se qeni kupton dhe ndjen të keqen që vjen prandaj e mallkojnë ngrënç kokën tënde.

-Për të prishur syrin e keq, plaka me një kaci në prush hedh disa kokrra kripë dhe me avullin që nxjerrë ajo, qëndron fëmija.

-Kur të kruhet faqja besohet se të vjen një mik.

-Kur mbush filxhanin e kafesë dhe ai të derdhet, thuhet e pi shumë kafenë.

-Në qoftë se të zë lemza, dikush të kujton.

- Ai që ha kripën shumë do gruan shumë.

- Kur të hanë hundët, zihesh me dikë ose mërzitesh

- Ne qoftë se dikush të gjen duke ngrënë bukë, të do vjehrra shumë.

- Në qofte se të ndizet cigarja anash ke rrugë për të bërë.

- Kur të ha buza besohet se do të vije një mik në shtëpi i cili ishte rrugës.

- Kur të kruhet dora e majtë do marrësh para, kur të kruhet e djathta do japësh para.

- Po të djegë veshi i majtë të shajnë, po të kruhet veshi i djathtë të lëvdojnë.

- Kur këndon kukumjaçka mbi çati sjell fatkeqësi.

- Mos fërshëlle natën se ndjell shejtanin.

- Kur hyje e delje nga porta duhej me këmbën e djathtë.

- Mos hidh asnjë copë bukë në tokë se të zenë sytë.

- Mos i numëro yjet se s’është mirë, të dalin iriqë nëpër duar.

- Kur digjeshin drutë shumë ishte shenjë se do të bënte dimër i ashpër

- Kur hyn në dhomë dhe të ngec xhaketa në dorezë të derës ke pare borxh.

- Kur thyen një gotë ose një filxhan, prit një të mirë.

- Mos i fshi këmbët me fshesë se sëmuresh.

- Nuk duhet dhënë hua nga mielli i dasmës, se i ikën kësmeti dhëndrit e nuses.

- Mos e qep rrobën veshur se bëhesh harrakaq.

- Mos luaj me zjarrin në ajër se përmjerrë natën në gjumë.

- Mos pështy në zjarr se të behet goja me plagë.

- Kur kërcet zjarri në vatër do të thotë se po të zënë në gojë ata që s’të duan.

- Besohet se klloçka duhet shtruar kur hëna është e plotë, që të nxjerrë plot zogj.

- E marta quhet ditë ters sidomos për t’u nisur për udhë.

- Nuk lahet koka të hënave në darkë ose duke gdhirë e premte.

***

Në pamje të parë, ky studim eshtë një vlerë lokale, por me plot gojë mund të shprehemi se, është një pjesë e etnografisë kombëtare, që ka qenë dhe do të mbetet një ndër trashëgimitë që ka kombi ynë pas gjuhës shqipe. Njohja nga brezi i ri është me shumë se detyrim për të.