E premte, 29.03.2024, 03:15 PM (GMT)

Mendime

Jozefina Topalli: Shqiptarët kanë zgjedhur ndryshimin për të siguruar perspektivën integruese

E hene, 09.06.2008, 06:38 PM


Shqiptarët kanë zgjedhur ndryshimin për të siguruar perspektivën integruese

Nga Jozefina Topalli*

Më lejoni të theksoj që në fillim se tema “Si të mbështesim dhe të rrisim interesat e investitorëve dhe projektet e investimit në Shqipëri”, që do diskutohet në këtë sesion është një temë e një rëndësie dhe prioriteti të vecantë për vendin tonë. Siç dihet qëllimi i Forumit Ekonomik të Vienës është promovimi i bashkëpunimit ekonomik midis vendeve dhe rajoneve nga Deti Adriatik deri në Detin e Zi. Pak ditë më parë mora pjesë në Konferencën e Network-ut Parlamentar të Bankës Botërore ku theksova rëndësine e një networku parlamentar pasi në shumë raste janë vetë deputetët që hynë në komunikim dhe diskutojnë për rrajonet, zonat e tyre , se cilat investime do të ishin më të logjikshme dhe efikase. Gjithashtu, më 26 maj unë mora pjesë në takimin e përbashkët parlamentar mbi Perspektivën Europiane të Vendeve të Ballkanit Perëndimor që u zhvillua në Parlamentin Europian në këtë takim u theksua nevoja e pranisë së BE-së në rajon me projekte të mëdha rajonale dhe gjetëm mbështetje dhe përkrahje nga Brukseli. Jam e bindur që edhe kjo konferencë do ti shërbejë rritjes së investimeve dhe bashkëpunimit të mëtejshëm për krijimi e një hapësire ekonomike Europiane.
Shkurtimisht po ndalem në zhvillimet ekonomike në Shqipëri dhe hapat e ndërrmarra në përmirësimin e ndjeshëm të legjislacionit në mënyrë që të krijohet një klimë sa më e përshtatshme dhe favorshme për forcimin dhe rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Në vitet e fundit Shqipëria ka kryer një revolucion të madh fiskal. Si rrjedhojë e luftës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal kemi rritur të ardhurat në buxhet me 23 %.
Janë kufizuar abuzimet dhe janë zvogluar shpenzimet administrative me 30%.
Rritja ekonomike është 6 % në vit dhe inflacioni ka mbetur 4%. Vetëm tre vjet më parë, Shqipëria ishte vendi i taksave ndër më të larta në Europë. Sot si rezultat i reformës fiskale, Shqipëria është një nga vendet me barrën fiskale më të ulët në kontinent.
Është një vend gjithmonë e më tërheqës ndaj investimeve dhe turizmit, një vend ku po zbatohet taksa e sheshtë prej 10 %. Rezultati i këtyre reformave identifikohet me rritjen prej 70% të investimeve të huaja direkte dhe nga ana tjeter vetëm vitin e kaluar kursimet e shqiptarëve janë rritur me 19%. Papunësia ka pësuar rënie, sistemi financiar bankar është tërësisht i privatizuar dhe i konsoliduar. Pra, ekonomia shqiptare po përjeton një periudhë optimiste. Investimet publike në infrastrukturë janë katërfishuar, Infrastruktura rrugore, është një nga prioritetet e cila po përmirësohet me ritme të shpejta. Investime të mëdha po bëhen ne akse të ndryshme rrugore nga Veriu ne Jug e nga Lindja ne Perëndim të Shqipërisë duke sjellë një ndryshim të dukshëm dhe të prekshëm për të gjithë shqiptarët. Pricipi (parimi) ynë gjatë gjithë kohës ka qënë ti kujtojmë vetes se janë paratë e taksapaguesve shqiptarë ato që po shpenzojmë dhe prandaj kemi treguar e po tregojmë përgjegjshmëri dhe efikasitet në gjithcka cpo bëjmë.
Krijimi i shtetit të ri shqiptar të Kosovës tashmë përbën një mundësi tjetër për të investuar në këtë vend dhe për rritjen e bashkëpunimik ekonomik me të. Këtij bashkëpunimi i shërben edhe projekti (ambicioz) (i shkullit për ne shqiptarët) ai i rrugës Durrës-Morinë i cili lidh Shqipërinë me Kosovën, Maqedoninë e Serbinë duke krijuar në këtë mënyrë një korridor të ri rajonal dhe në të njëjtën kohë i përgjigjet edhe një ndër objektivave të Forumit Ekonomik të Vienës atij të promovimit dhe implementimit të projekteve afatgjatë në rajon. Siç e përmenda edhe më lart, në parlament është punuar për përmirësimin e legjislacionit për të krijuar një klimë sa më të përshtatshme për rritjen e investimeve të huaja. Është debatuar shumë në komisione dhe janë miratuar në parlament ligje që ndihmojnë investitorët në aspekte të ndryshme. Përfitoj nga rasti të falënderoj të gjithë anëtarët e parlamentit që me mendimet dhe diskutimet e tyre kanë bërë të mundur miratimin e këtyre ligjeve të rëndësishme. Së pari, Paketa fiskale; Në 2005 investimet e huaja dhe vendase në Shqipëri përballeshin me taksat ndër më të lartat në Europë. Gjatë këtyre tre vjetëve paketa fiskale ka pasur një revolucion të vërtetë ku spikasin vendosja e taksës së sheshtë, 10%;një ulje me 130% dhe 150% përkatësisht të tatimit mbi të ardhurat personale dhe tatim fitimit. Rezultati i kësaj reforme të guximshme është bërja e Shqipërise vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë. Ne vertetuam se të ardhurat në buxhet mund të rriten, dhe se performanca fiskale mund të përmirësohet , edhe me ulje të ndjeshme të taksave, me kusht që të luftohet evazioni, vjedhja, kontrabanda. Së dyti; Përsa i përket përmirësimit të klimës së biznesit dua të theksoj se tashmë Shqipëria është përfshirë në proceset liberalizuese tregtare, dhe ka marrë një sërë angazhimesh serioze për zhvillimin ekonomik. Në këtë drejtim si dhe në forcimin dhe përmirësimin e partneritetit midis sektorit publik e atij privat, në Kuvend janë miratuar disa ligje që krijojnë mundësi konkrete për zhvillimin e ekonomisë kombëtare. Ndër këto ligje të miratuara do të vecoja: Ligji “Për koncesionet” i cili nxit financimet private në projekte të infrastructurës publike si dhe eleminon kufizimet e panevojshme për sektorin privat.
Ligji “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”. i cili sjell shfrytëzim më të mirë të burimeve vendase, rritjen e investimeve, transferimin e teknologjive të avancuara.
Po në kuadrin e përmirësimit të klimës së biznesit, një ligj shumë i rëndësishëm është dhe ai “Për Qendrën Kombëtare të Rregjistrimit”. Me anë të këtij ligji eliminohen barrierat burokratike si dhe përmirësohen dhe lehtësohen procedurat e hyrjes në treg të kompanive të reja; minimizohet kostoja dhe koha e rregjistrimit; rritet siguria dhe transparenca e informacionit për kompanitë. Së treti, Transparenca për thithjen e investimeve të huaja; Kemi miratuar ligjin mbi prokurimet elektronike (e-procurement). Janë përmirësuar procedurat e privatizimeve dhe shpalljes së tenderave. Informacioni mbi këto fusha gjendet në website të institucioneve, gazeta preztigjioze të vendit dhe të huaja duke rritur kështu ndjeshëm aksesin në të. Intensifikimi i vazhdueshëm i luftës anti-korrupsion ka ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen e kësaj transparence. Së katerti, Harmonizimi i legjislacionit; edhe kjo një pikë e rëndësishme. Të gjitha ligjet e miratuara këto vite duke përfshirë dhe ato të fushës së investimeve kanë qënë në përputhje me legjislacionin dhe standartet e Komunitetit europian. Ne zbatim të marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit çdo ligj kalon në komisionin e Integrimit Europian ku sigurohet përputhshmëria. Së pesti, Marrëveshje të ndryshme; Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje për promovimin dhe mbrojtjen e investimeve të huaja dhe shmangien e taksimit të dyfishtë me shumë vende të këtij forumi. Gjithashtu janë nënshkruar dhe marrëveshje për tregtinë e lirë ku do vecoja CEFTA-n.
Midis dy alternativave asaj të të menduarit për momentin apo për të ardhmen ne zgjodhëm të ardhmen zgjodhëm reformat,zgjodhëm ndryshimin dhe jam e bindur se vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë një prosperitet dhe perspektivë integruese për vendin tonë. Ne po përballemi me sfidat dhe po ju përgjigjemi me kurajo atyre me bindjen se po ndërtojmë një të ardhme Euro-Atlantike të cilën qytetarët e këtij vendi e meritojnë plotësisht. I gjithë ky process nuk ka qënë i lehtë, por u realizua falë reformave të guximshme dhe kjo falë një lidershipi të fortë me vetëvendosje e përkushtim të fuqishëm.Unë jam krenare që në sajë të reformave të gjithanshme, politike, ekonomike e sociale, të kryera veçanërisht në tre vitet e fundit, ne përjetuam ngjarje të mëdha historike për popullin shqiptar. Në prill të këtij viti, ne morëm ftesën për anëtarësim në NATO dhe shpresojmë që vitin e ardhshëm të bëhemi anëtarë me të drejta të plota. Po ashtu, ne besojmë që brenda këtij viti të përmbyllim ratifkimin e MSA-së dhe t’i kërkojmë BE-së të marrim statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Natyrisht mbetet akoma shumë për ta bërë vendin tonë një vend sa më atraktiv për investimet e huaja. Unë jam e sigurt se parlamenti shqiptar do vazhdojë të bëjë cdo përpjekje për përmbushjen e vizionit euro- atlantik të të gjithë shqiptarëve , kjo është dhe mbetet bindja jonë e palëkundur. Institucione të mëdha punojnë për qëllime të mëdha dhe une kam besim që me vendosmirëne tonë ne mund ti japim jetë ndryshimit të këtij vendi

*Fjala e mbajtur nga kryetarja e Kuvendit në Forumin Ekonomik të Vjenës



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora