E enjte, 18.04.2024, 06:55 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Efekti “Timoshenko”!

E diele, 23.02.2014, 09:05 PM


Efekti “Timoshenko”!

Nga Elvi Sidheri

Dje ishte një ditë e madhe sa për Ukrainën si vend dhe popull, aq edhe për botën mbarë e prapë, ditë që u kurorëzua me shfaqjen prekëse, emocionuese dhe shpresëdhënëse për ata mijëra të pranishëm në sheshin “Maidan” të Kievit të përgjakur si dhe auditorin planetar me vëmendjen e ngulitur në fjalët dhe fytyrën ende të bukur, të Julia Timoshenkos.

Jetojmë në kohë kur me fjalën e rëndë dhe kuptimplotë “Revolucion” është lozur pak si tepër, duke e shpënë këtë term, në një keqpërdorim ekstrem.

Ka patur në të vërtetë përgjatë historisë njerëzore revolucione prej vërteti me “R” të madhe.

Mjafton të kujtojmë atë francezin, që ndryshoi njëherë e mirë faqen e Europës dhe jo vetëm (me pasoja jo edhe aq të tërthorta, si për shembull lindjen dhe apogjeun e demokracisë së perfeksionuar amerikane nën parimet e barazisë, vëllazërimit dhe lirisë franceze), por që njëkohësisht na la si trashëgimi makabre edhe gijotinën, jakobinizmin, “Komunën e Parisit” (jo lagjen tiranase të ndërtuar kaotikisht rishtazi, por atë ngjarjen pariziene me djaloshin Gavrosh) etj.

Po aq nuk mund të harrojmë sidomos ne shqiptarët, si pësues në kurrizin tonë të vuajtur të mizorive që u gjeneruan nga suksesi i tij në vendin ku së pari gjetën zbatim teoritë leninisto-staliniste...patjetër Revolucionin e Tetorit të 1917-ës në Rusi.

Iran ndodhi Revolucioni Islamik i ajatollahëve që përmbysën Shahun e në Rumaninë e përdhosur nga autoritarizmi komunist i Nikolae Çausheskut, shpërtheu një tjetër revolucion popullor i armatosur, që u mbyll me eliminimin e diktatorit.

Shekulli dhe Mijëvjeçari i ri e gjetën Europën plakë, në përpjekje të ethshme për bashkim moral, ekonomik dhe politik, po aq sa edhe në zjarrmi revolucionare në krahun lindor të ish satelitëve të Moskës.

Së pari ra në “kthetrat” revolucionare Tbilisi dhe Gjeorgjia e Eduard Shevarnadzes, ish ministrit të jashtëm sovjetik të Gorbaçovit, që në atdheun e tij, me kalimin e kohës, qe shëndrruar në një figurë tejet autoritare dhe armiqësore ndaj popullit të vet (porsi “kolegu” Stalin, një tjetër gjeorgjian, që me popullin e tij të një gjaku, nuk pati shkuar edhe aq mirë).

Si u rrëzua Shevarnadze dhe Gjeorgjia iu largua pakëz hijes së rëndë të Moskës, rradha i erdhi Ukrainës.

Viti 2004 shënoi “Revolucionin Portokalli” ku “Delfini i Moskës” rusofoni ukrainas Janukoviç, fitoi me manipulime, zgjedhjet e kontestuara presidenciale ndaj kandidatit filo-perëndimor Jushçenko, të cilin ndër të tjera, rusët e mençur, qenë përpjekur më parë që t’a “mënjanonin” nga skena, me një helmim shenjat e të cilit, atij i dallohen ende lehtë në fytyrë.

Ukrainasit e lodhur nga “përkujdesja vëllazërore” ruse, që në të vërtetë, prirej vazhdimisht edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, që të mbante në gjumë letargjik ndjenjat kombëtare dhe pavarësinë e vërtetë, aq sa edhe distancën nga Moska të Ukrainës dhe popullit të saj, u ngritën në këmbë dhe ngulmuan paqësisht, gjersa drejtësia u vu në vend dhe Jushçenko fitoi presidencën.

U duk se gjërat patën hyrë në rrugën e duhur dhe për këtë vend të madh 50 milionësh, me burime të pasura minerare, bregdet të gjatë, gadishullin filorus të Krimesë dhe bazën themelore për nevojat ruse për ujërat e ngrohtë të Detit të Zi, të Sevastopolit, do të frynin erëra lirie dhe prosperiteti.

Por nuk ishte aspak e thënë!

Sepse me Moskën nuk bëhen “rrengje” të këtij lloji, pa u pritur ndonjë “përgjigje” dikur...dhe së dyti, për shkak se në brendësi të rradhëve të vetë palës triumfuese në ditët e Revolucionit Portokalli të filo-perëndimorëve anti-rusë, u dukën menjëherë të çarat e para.

Më tej edhe kriza e fortë dhe e gjithëbotëshme ekonomike e 2008-ës, me valët e saj dërrmuese, kapi edhe Ukrainën e brishtë, akoma të varur thellësisht nga Moska, sa i përket furnizimit jetik me gaz.

Rubinetat e gazit rus, nisën të hapen (rrallë e më rrallë) e mbi të gjitha, që të mbyllen (shpesh, shumë shpesh) si me magji apo “urdhër të peshkut”, sa herë që tekat dhe tendencat për presion të Moskës zyrtare, bëheshin të nevojshme për të përforcuar mesazhet kërcënuese të rusëve ndaj ish vëllezërve ukrainas.

Për t’a bërë më të qartë këtë “kontest” apo përballje midis këtyre dy popujve sllavë, duhet vajtur larg në histori...

Njohim mjaft fakte lidhur me sllavët e jugut, thënë ndryshe, ata që me shumicë na kanë rënë në qafe neve shqiptarëve prej shekujsh tashmë, ata që dikur  vërshuan drejt tokave ilire dhe thrake (popuj tejet të afërt gjuhësisht dhe gjenetikisht) duke përmbytur gati krejt gadishullin ballkanik në shekujt 5-6 pas Krishtit.

Por ndërsa sllavët që na u bënë fqinjë me pahir, pra serbët, kroatët, bullgarët, sllovenët, boshnjakët dhe bullgaro-maqedonasit, i njohim sa fizikisht, aq edhe historikisht, për shkak se i kemi patur pranë, për lashtësinë e rusëve dimë më pak.

Popujt sllavë ndahen në tre pjesë, ata të jugut (këta tanët), sllavët perëndimorë...polakët, çekët e sllovakët dhe sllavët lindorë, domethënë rusët, ukrainasit e bjellorusët.

Formacioni më i vjetër shtetëror rus i njohur në histori është ai që njihet si “Kievi Rus” (“Kievan Rus” në anglisht) me jetëgjatësi nga viti 882 në 1283-in që shtrihej nga Balltiku në Detin e Zi, duke bashkuar shumicën e fiseve sllave të atyre trevave.

Shtet apo thënë ndryshe, federatë fisesh sllave të drejtuara (nënshtruara) për qëllime tregtare dhe jo vetëm, si fillim nga një grup i vogël, por mjaft i fuqishëm, skandinavësh (vikingësh) që me kalimin e kohës u asimiluan nga popullata sllave që ata qeverisnin.

Dëshmitë historike për fillimet “vikinge” të entitetit të parë shtetëror rus, janë të shumta dhe përbëhen nga kronikanë perëndimore, bizantine, arabe e sllavë, ashtu si dhe nga fjalë nordike të mbijetuara në gjuhën ruse, por edhe nga emrat e fisnikëve të parë që drejtuan principatat, dukatet dhe që themeluan vetë Perandorinë Ruse (Ruriku, vikingu që i dha jetë dinastisë së Rurikidëve, që drejtoi tokat ruse gjer në fillim të shekullit të 17-të, apo emrat e njohur rusë si Oleg nga Helgi, Olga nga Helga ose Igor nga Ingvar).

Por po qe se lidhur me trashëgiminë vikinge të fillesave të Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë moderne, ka një dakordësi të përhapur, lidhur me gjithçka tjetër, primati mbahet me të mirë apo të keq nga rusët.

Qyteti Novgorod në Rusinë e sotme, ku vikingu Rurik nisi dominimin mbi fiset sllave kohë më parë, u pasua nga qyteti i Kievit që u transformua, për një periudhë të gjatë, në zemrën e shtetit të “Kievit Rus”.

Historianët rusë, këtë fakt e shohin sot e kësaj dite, si dëshmi të “rusizmit” të Ukrainës dhe popullit të saj, ashtu siç ndërkohë, nacionalistët ukrainas, një gjë të tillë e konsiderojnë si provë që tregon se në realitet janë ukrainasit, pasardhësit dhe trashëgimtarët e vërtetë të këtij formacioni të parë shtetëror të sllavëve lindorë.

Sot pakkush në qarqet akademike ruse, njeh apo vlerëson sadopak ekzistencën e gjuhës ukrainase, traditat e veçanta të popullit të këtij vendi, kombësinë e ndryshme të banorëve të atjeshëm, shumëkush në Rusi ende fajëson Krushovin (ukrainas edhe ky), për përfshirjen pa të drejtë të Krimesë në këtë shtet etj.

Në Ukrainë jetojnë rreth 17 % rusë (kolonistë të ardhur në shekuj me valë të ndryshme migratore, teksa Perandoria Ruse përhapej dhe turqit ose tartarët tërhiqeshin), por njëkohësisht gjuha ruse është mjaft e përdorur në jetën e përditshme edhe nga vetë ukrainasit (Kievi ku po valon protesta, ka 13.1 % rusë, por është gjithësesi rusofon gjuhësisht).

Shkaqet e konfliktit, pa hyrë në dimensionin e gjerë gjeopolitik të ngjarjeve, janë të shumta pra.

Por ajo që i shtyu ukrainasit në sheshin e “Pavarësisë” në Kiev...përkundër shkopinjve të gomës, gazit lotsjellës, lëndëve të rrezikshme për shëndetin, dhunës së shpeshtuar nga organet policore, torturave dhe rrëmbimeve të njerëzve të thjeshtë e gazetarëve ose kundërshtarëve të Janukoviçit...e në fund edhe përballë plumbave të snajperëve të njësiteve speciale të policisë së regjimit, ishte pikërisht “përçmimi” poshtërues  që atyre iu dedikua nga presidenti kukull filorus i vendit e mbi të gjitha, nga manovruesit e tij në Moskë.

Shkëndija që ndezi zjarrin e që përshkallëzoi protestën popullore, ishte mosfirmosja e marrëveshjes së Stabizilim-Asociimit të Ukrainës me BE-në nga Janukoviçi dhe pranimi i një mega huaje monetare nga Moska.

Ukrainasit kuptuan ç’u kanosej (ndonjë bashkim doganor-ekonomik me Rusinë dhe vende çerek ose fare demokratike si Kazakistani e Bjellorusia).

Protestat nuk reshtën dhe u menaxhuan zgjuarsisht nga tre partitë opozitare (ku spikati boksieri me famë botërore Kliçko) dhe trimërisht e me vetëmohim nga populli i Kievit, Lvivit e gjithë Ukrainës, edhe në breshëritë e plumbave të regjimit, duke zmbrapsur vazhdimisht njësitet elitë të policisë e duke mbrojtur sheshin papushim.

Nga ana tjetër presioni i hapur i BE-së dhe SHBA-së ndaj Janukoviçit, krijoi mbështetjen e duhur ndërkombëtare për opozitën dhe njerëzit në shesh.

Të tjerat megjithëse sapo kanë ndodhur, janë tashmë HISTORI.

Kulmi arriti më 22 shkurt, ditë e shtunë, kur ndërsa Janukoviç ia mbathte për në zonat filoruse të lindjes së vendit (apo për në arrati), sheshi gëzonte triumfin mbi regjimin dhe “banditët” e tij, e liderja e burgosur Timoshenko, lirohej nga burgu në Karkhiv e nisej me avion për në qendër të Kievit.

Pasoi një shfaqje për të mbetur në kujtesat jo vetëm të ukrainasve që dëgjonin fjalët e saj, por edhe kujtdo që shikonte nga ekranet televizive atë grua në karrige me rrota, një zonjë tejet pasionare sa edhe elegante dhe të bukur në pamje, që pas disa vitesh burgimi, keqtrajtimesh fizike, torturash psiqike dhe rëndese të pamendueshme emocionale, kthehet mes njerëzve të saj, atyre që u dolën plumbave përpara pa frikë për t’a parë sërish të lirë...dhe gjen forcën të flasë!

Flet, e shikon në sy masën qindra-mijëshe njerëzore përballë saj dhe teksa qan për martirët e revolucionit të dytë, i kërkon popullit të mos t’a lëshojë më atë shesh, derisa gjithçka të ketë përfunduar vërtetë.

Karakteri dhe forca e brendshme duken të mos i jenë shteruar nëpër labirintet e vuajteve dhe qelive të burgut, trajtat i janë rënduar, mban të njëjtën krehje që i ka bërë jehonë botërisht figurës së saj fort hijshme, sa të vendosur, aq edhe tejet femërore.

Shëndeti duket haptazi që i është dobësuar skajshmërisht, këmbët e thonë edhe shtylla kurrizore nuk e mbajnë dot, por shpirtin del t’a ketë më të fortë sesa mangësitë fizike, privimet dhe dëmtimet e panumërta të burgosjes së gjatë.

Të them të drejtën kur qeshë duke ndjekur fjalën e saj “live”, nuk prita që ajo të çohej nga karrigia ku janë orvatur t’a burgosin “persekutorët” e saj, ashtu siç njëherë pati bërë presidenti i madh amerikan Franklin D Roosevelt i cili thuhet të jetë çuar prej saj pas sulmit me tradhëti të japonezëve mbi Pearl Harbor.

Jo, sepse çdokush reagon në mënyrën e vet ndaj fatkeqësive personale trupore, qofshin ato natyrore apo të stisura qëllimshëm si në rastin e dhimbshëm  të gruas në fjalë.

Për mendimin tim, Julia Timoshenko dje, por edhe përgjatë këtyre viteve kur është takuar personalisht me skëterrën në burgjet e Janukoviçit, duke pësuar gjithëçfarë lloj poshtërimesh e linçimesh nga rojet e burgut të saj...u ngrit shumë më lart sesa do t’a kishin lejuar këmbët e saj elegante apo takat e modës që me aq finesë ka ditur të veshë.

Në burg, ajo diti të dalë përmbi dyshimet lidhur me rolin e saj në përçarjen e frontit filo-perëndimor ukrainas në 2009-ën dhe për takimet “tête à tête” me Putinin në Moskë (që falë një dredhie dhe loje tipike ala-KGB, i kushtuan asaj me burgun dhe akuzat për humbje në bilancet financiare të shtetit ukrainas, pas një marrëveshje për gazin rus).

Fundja sjellja e saj gjatë kohës kur ushtroi funksionet e kryeministres së vendit të vet, flirtet me Rusinë ashtu si edhe roli aktiv në të dy revolucionet pro-perëndimore, janë një shëmbëlltyrë e qënësisë së paqartë të vetë popullit të saj, që akoma endet në kryqëzimet historike që të shpien prapa në moçalet ruse apo në Europën e qytetëruar.

Një gjë është e sigurtë sidoqoftë, paraqitja dhe fjala e saj në sheshin “Maidan” të Kievit, Julia

Timoshenkon ia dorëzoi historisë së atdheut të vet, por edhe imazhit europian, si një grua që nuk heq dorë nga parimet e veta, nga bindjet politike, nga ndjesia kombëtare, por edhe nga të qënit grua e vërtetë, nënë, femër që fiton në hijeshi...në vend që të vulgarizohet e mashkullizohet teksa çan përpara nëpër udhët pakrye të politikës...

Grua që mbetet e bukur edhe kur në fizik i peshojnë tentativat e panumërta për t’a dërrmuar moralisht, për t’ia zvetënuar pamjen e për t’ia mpakur forcat, për t’a vdekur kështu pak nga pak, për t’a vrarë si njeri, si femër dhe si simbol.

Por në qoftë se ndokush pati menduar se burgu do t’ia pakësonte rrezatimin magnetik që i buronte nga fytyra sharmante, sytë shprehës dhe gjestet e rafinuara plot feminilitet, kam përshtypjen se qenë gabuar të gjithë rëndë!

Ja që Julia doli edhe më tërheqëse se më parë nga qelia e saj!

E gjallë, e fortë, e guximshme dhe në posedim të aftësisë së saj tërheqëse, ndoshta tani edhe më tepër se dikur, pasi tiparet ku i lexohen qartë ato çfarë ka përjetuar, e lidhën edhe më tepër emrin dhe personalitetin e saj, me popullin e vet.

Pra për t’a mbyllur, ata që supozuan se me këtë grua do të bënin “shembullin” e provës së forcës së tyre, që do të duhej të nënshtronte një vend të tërë (Ukrainën), dolën vendosmërisht...HUQ dhe efekti “bumerang” nuk vonoi t’u materializohet pamëshirë.

Ndërsa mesazhi për të tërë diktatorucët dhe liderët autoritarë (ose në tentativë) të rrethinave të Europës, erdhi më shumë se qartë.

Mjafton të kthejnë shikimin nga sheshi “Maidan” në Kiev dhe të shohin tek flet plot dinjitet një grua të ulur në karrocë me rrota...



(Vota: 24 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora