E shtune, 20.04.2024, 07:10 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Margaret Theçer, femra joshëse, pas "zonjës së hekurt"

E diele, 08.06.2008, 07:34 PM


Jemi mësuar gjithmonë ta shohim të fortë, të rregullt, gjakftohtë e në komandë të situatës, të denjë për të merituar togfjalëshin: "zonja e hekurt". Në një film që pritet të dalë në Britani, Margaret Theçer, ish-kryeministrja që bëri epokë, shfaqet me anë të tjera të saj, të panjohura deri tani: joshëse dhe "përdoruese" e efektshme e feminilitetit.

Fillimi, që pritet të ngjallë jo pak debate, rrok periudhën e përpjekjeve dhjetëvjeçare të Margaretit së re për t‘u bërë anëtare e Parlamentit britanik. Rrëfen tentativat dhe këmbënguljen e saj për të çarë përpara në një botë të sunduar nga meshkujt, një botë që shpesh e ka përplasur dhe injoruar, por që më pas ajo arriti ta zotëronte. E në këtë përpjekje të gjatë dhe të ashpër i vlejtën, veç të tjerave, edhe feminiliteti dhe fuqia e joshjes. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe në ambientet e mbushur me meshkuj të bardhë, të shkolluar në shkollat më tradicionale londineze, që vinin nga familje të pasura. Në këto ambiente femrat ishin shumë të rralla dhe kur ato shfaqeshin tërhiqnin vëmendjen e të gjithëve. Dhe kjo vëmendje shndërrohej në temë bisede. Ato nuk kishin të bënin aspak me bindjet politike, apo preferencat partiake të zonjës, por me sensualitetin e saj. Margaret Theçer ishte femra që guxoi të ecte përpara dhe që nga momenti kur hyri në Parlament në vitin 1959 në moshën 33-vjeçare konsiderohej si një objekt i kuriozitetit seksual të parlamentarëve meshkuj, e pse jo edhe i fantazisë së tyre. Në film pasqyrohet se si diskutohej me shumë zell jeta personale e Theçerit dhe madje edhe preferencat që ajo mund të kishte për veshjet e brendshme. Në diskutime merrnin pjesë goxha parlamentarë, disa prej të cilëve kishin poste shumë të larta. Për meshkujt, biseda të tilla dhe vetë Margaret ishte "shpëtimtarja", femra e fantazive, ajo që ua nxirrte mërzinë ndërmjet seancave të gjata e të mërzitshme parlamentare. Ishte mësuesja e fantazisë së tyre dhe njëherazi muza. Por nga ana tjetër ajo ishte e paprekshme. Ata mund të thoshin gjithçka në rrethet e tyre për Theçerin, por nuk mund ta zgjasnin dot dorën. Kjo e dallonte nga të gjitha gratë e tjera që ndodheshin në Parlament, qofshin ato parlamentare, apo edhe sekretaret e shumta që kalonin korridoreve. Me këto gra flirtimi ishte i thjeshtë dhe i mundshëm, njëherazi. Kështu, si pasojë pati edhe shumë lidhje martesore mes parlamentarëve dhe sekretareve, librareve, apo femrave të tjera që punonin në godinën e Parlamentit. Por Margaret ishte e paprekshme. Asnjë mashkull, pa asnjë lloj përjashtimi, nuk do të guxonte t‘i vinte rrotull Margaretit, edhe kur ajo ishte e re dhe e freskët dhe e sapombërritur në dyert e politikës. Të gjithë preferonin fantazinë në distancë. Arsyeja nuk ishte martesa e saj me Denisin, por sepse ajo ishte unike, e veçantë dhe e përqendruar. Këto gjëra diheshin mirë nga të gjithë. Dhe përqendrimi i saj ishte një dhe i vetëm: politika. Kur me mbarimin e Oksfordit u punësua në moshën 23-vjeçare nga një kompani kimike, shefi i personelit ndër të tjera e pyeti se cilat ishin hobitë e saj, jashtë interesit profesional. Ai priste që vajza e re t‘i thoshte se preferonte qëndisjen, apo vajtjen në kinema, por Margaret e bindur dhe e qartë tha: hobi im është politika. Kjo ishte gjithçka që i interesonte Margaretit, e cila u përqendrua në dëshirën e saj me synimin që ta bënte realitet. Për të mbështetur ambicien e saj të madhe ajo përdori të ardhurat e punës. I duhej një rrogë nga një punë e mërzitshme dhe pa sadisfaksion që nuk të kërkon impenjim të madh fizik, apo emocional për ta përdorur më pas gjithë energjinë vetëm e vetëm për politikën. Idealistja e re, ndërsa bënte punën e mërzitshme, mendonte se cila do të ishte mënyra më e mirë për të bërë përpara dhe për t‘u zgjedhur në Parlament. Ideja e saj ishte që të ofronte zgjidhje liberale dhe racionale për problemet e çështjet e ndryshme. Por Britania e viteve ‘50 ishte një vend që qeverisej nga heronjtë e luftës dhe pleqtë që kishin pasur lidhje familjare e shkolle me njëri-tjetrin. Politika konsiderohej një punë vetëm për burra. Por Margaret vendosi ta ndryshonte situatën me shumë guxim. Kështu nisi që të hynte e të frekuentonte klubet ku lejoheshin vetëm meshkuj. Në këto vende ajo bënte propagandë për të mirat e Partisë Konservatore, për taksat që do të ulte kur të vinte në pushtet, apo favoret që do të kishin prej saj shtresa të caktuara të popullsisë. Vajza e re 23-vjeçare nisi që të bjerë shumë në sy dhe të vendosej gjithnjë e më tepër në qendër të vëmendjes. Ajo dukej qartë në qarkun ku banonte se po përpiqej të merrte mbështetjen e zgjedhësve për të kandiduar. Kandidati konservator i Komunës së Bexleit, ku ndodhej edhe Margaret, ishte shumë xheloz ndaj suksesit që po korrte vajza e re ndaj nuk mund të rrinte duarkryq. Teksa Margaret e vë re forcën e kundërshtarit, por edhe mundësinë e tij për ta dëmtuar vendos që mënyra më e mirë për ta neutralizuar është ta bëjë mik. Margaret nuk ishte aspak një vajzë pa feminilitet dhe hijeshi. Ajo ishte rritur mirë, dinte të sillej mjaft mirë në shoqëri dhe i kishte të qarta rregullat fillestare të politikës ndër të cilët edhe mbajtjen mend të emrave të të gjithë personave me të cilët kishte të bënte. Kështu pa humbur kohë në ballon e organizuar nga komuna ajo e fton kandidatin jashtë për një bisedë, por djaloshi i ri nuk ishte nga ata që ndiheshin mirë e rehat në prani të femrave. Kërkesa e Margeretit e befasoi. Duke qenë se ai kishte njohje në Parlament, ajo po i kërkonte që ta mbështeste, duke qenë se vajza e re nuk njihte njeri në një vend vetëm me meshkuj. "Më merr edhe mua me vete në udhëtimin tënd drejt pushtetit", i tha vajza e re kandidatit. Kjo ishte për të e vetmja mundësi çarje përpara në botën ku pranoheshe vetëm po të ishe burrë familjeje, po të kishe shkollimin e duhur e një sërë dekoratash në gjoks. Imagjinoni sa e pamundur do të ishte ecja përpara për një femër që nuk kishte asnjë nga këto ////////////////////koraca. Sigurisht që kandidati nuk ia ofroi ndihmën e tij, madje ai u tremb nga mënyra aspak tradicionale me të cilën ajo iu afrua. Margaret provon në mënyra të ndryshme për të bërë përpara dhe për shumë kohë mbetet në vend numëro. "Në djall vaftë e gjithë kjo klasë politike", thotë ajo herë pas here teksa sheh dyert t‘i përplasen fytyrës. Më në fund duket se fati ia zgjati dorën e ndihmës. Në tentativat e saj për të ecur përpara takon Denisin, i divorcuar, i pasur dhe përjetësisht në humor të mirë. Ai e adhuron që në momentin e parë dhe kështu vazhdoi deri në fund. Nuk vonoi shumë dhe ai i propozon për martesë, por në këmbim të po-së ajo i merr të dashurit premtimin se ai nuk do të përpiqej kurrë ta bënte të hiqte dorë nga ambiciet e saj. Dasma ishte një ceremoni ku prindërit e Margaretit thuhet se nuk morën pjesë. Shkaku ishte fakti që dhëndri ishte i divorcuar dhe fakti që atij i pëlqente pija. Jeta e tyre familjare kurorëzohet shpejt me ardhjen në jetë të dy binjakëve dhe Margaret i thotë të shoqit se familja e tyre është perfekte dhe se nuk është e nevojshme që të vijnë në jetë fëmijë të tjerë. Ndërkohë, ajo lexon pareshtur, studion dhe përgatitet për atë që vazhdon ta ëndërrojë me shumë zell: politikën. E ndërsa si zonjë shtëpie Margaret është normale, duket se fëmijët nuk janë pika e saj e fortë dhe e shkëpusin nga qëllimi i saj. Denis një pjesë të madhe të kohës e kalon me biznesin e tij në Afrikë. Por kjo e pengon Margaretin, pasi në komunën ku ajo banon e ku synon që ta zgjedhin, njerëzit që u japin shumë rëndësi vlerave të familjes tradicionale kërkojnë që të takohen me të shoqin e Margaretit, para se të japin pëlqimin për të. Megjithatë, fitorja është ende larg. Sipas të shoqit, shkaku i mosarritjes është fakti se ajo është femër, por që po të dinte të sillej me mençuri mund ta shndërronte këtë "dobësi" në forcë. Pas kësaj këshille, Margaret nis të kujdeset më shumë për aspektin e saj femëror. Çel ngjyrën e flokëve, i jep një tjetër ton zërit, vesh bluza e kostume paksa të hapura në gjoks e funde prej të cilave shfaqet një pjesë e këmbëve. Ndryshimi nga Margaret e moshës 18-vjeçare ishte shumë i madh. Në të ri ajo ishte tepër e mbyllur dhe e përkorë. Ishte një vajzë serioze, simpatike, por ndaj së cilës meshkujt qëndronin larg, sepse kishin frikë t‘i afroheshin. Margaret me feminilitetin e saj të sapozbuluar rinis sipërmarrjen e saj të madhe për të fituar votën e komunës së saj. Me veshjen gati joshëse e paraqitjen ndryshe, ajo i merr me radhë të gjitha shtëpitë, bizneset, zyrat. Ajo paraqitet si një grua që ka nevojë për mbështetje për të bërë përpara në botën e meshkujve. Shpesh përdori edhe lotët për të bërë për vete njerëzit, sidomos meshkujt dhe shtëpiaket. Në daljen e saj të fundit para votimit, një këshilltar i rekomandoi që të vishte një kostum të zi, me një shirit të artë rreth jakës, të mbante një kapele jo fort të madhe për të mos e zhytur fytyrën në hije dhe mbi të gjitha të tregohej sa më femërore. Kjo veshje dhe fjalimi i mbajtur qetësisht prej Margaretit i dha asaj më në fund fitoren në Komunën e Finchelejt në vitin 1959, fitoren e ëndërruar dhe shkallën e parë drejt pushtetit. E ndërsa për Margatet pikërisht këtu nis karriera, për filmin ky moment është fundi. Vajza ambicioze pas shumë përpjekjesh dhe disa pak këshillash të mira joshjeje ia kishte dalë mbanë të çante "murin e madh" të paragjykimeve mashkullore. Ajo kishte lënë pas shpine vajzën e ndrojtur e puritane për të sjellë në jetë "zonjën e hekurt", gruan që pati karrierën më të shkëlqyer politike në vend që u rendit e dyta për nga popullariteti, pas Winston Churchillit.

Historia e zonjës më pas vazhdon me ritme të shpejta ngritjeje. Brenda tri vitesh, tashmë e shndërruar në një bionde, Margaret u bë ministre e Rinisë dhe ishte një nga politikanet më të mira dhe më të përkushtuara e inteligjente. Kishte një mendje të ndritur, shkollim shkencor dhe ishte e pathyeshme. Me të gjitha këto cilësi ajo bëri përpara, shumë përpara, por jo vetëm për veten e saj. Ajo, mbi të gjitha çeli një rrugë, që më parë nuk ekzistonte e që më pas u "rrah" edhe nga femra të tjera që morën guxim e patën kurajë të hynin e të luftonin në një botë meshkujsh, por pse jo edhe me armë femërore. Joshja e Margaretit kaloi edhe kufijtë e Britanisë. Gjatë viteve të saj të gjatë si Kryeministre e vendit ajo u takua me shumë liderë ndërkombëtarë, të cilët "i magjepsi". Presidenti amerikan, Regan, ishte si "i goditur" pas saj. "Unë dhe Margaret kemi një lidhje shumë të veçantë", do të thoshte në një intervistë. Presidenti rus, Gorbaçov, e kishte pranuar disa herë se për të Margaret ishte e mrekullueshme, ndërsa Presidenti francez, Fransua Mitterrand e përshkruante kështu: "Theçer ka sytë e Caligulës, por gojën e Marilyn Monrosë".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora