E premte, 29.03.2024, 05:51 AM (GMT)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Shestim për njeriun

E marte, 25.02.2014, 07:05 PM


Shestim për njeriun

Përsiatje për librin e Don Gjergj Metës, “Ditar periferie”, Onufri 2013

Nga Ndue Ukaj

Sfondi i jetës shqiptare, i karakterizuar me kriza të thella politike, sociale, morale e identitare, është tablo zotëruese e jetës shqiptare. E në këtë holli të dëshpërimit, pasigurisë, tensioneve politike të pafundme, publicistika shqiptare e këtyre viteve të tranzicionit, me dëshirë apo pa të, ishte preh e divergjencave politike dhe pak ka kontribuar në nxitjen e solidariteti mes njerëzve, në sforcimin e së mirës, drejtësisë dhe së vërtetës.

E në këtë holli të debateve të pafundme,  autori i librit “Ditar periferie” Don Gjergj Meta, kërkon ta identifikoi shpresën,  besimin dhe dashurinë, si virtyte që ngadhënjejnë kundruall të keqes. E  keqja lëshon rrënjë, ku e mira heshtë, është peri i holli i mendimeve që e përshkon përgjithësisht publicistikën e Metës. Nga ky prizëm, autori e sheston jetën shqiptare në tërësinë komplekse të zhvillimeve të hovshme, duke ja vizatuar gjitha ngjyrat, por asnjëherë s’e le që e zeza t’ia zë frymën, sepse ai ka besim se shoqëria shqiptare, që të pikturohet drejt, duhet të ketë një kolorit shumëngjyrësh. Autori, s’ është nga ata publicistë që s’e sheh shkretinën përreth tij, por është nga të rrallët që beson se ajo mund ta kalohet, me një marshim të vetëdijshëm dhe me ide të qarta humane, që nxiten nga ideja e së mirës, së dobishmes dhe së vërtetës. Ndër të tjera, ky është mesazhi që autori e kërkon me ngulm dhe të njëjtin e përçon në tekstet e tija, të cilat, janë të shkruara në kontekste të ndryshme kohore dhe motivohen prej ngjarjesh dhe situatash të ndryshme, mirëpo përshkon nga një frymë e mesazheve dhe qëllimeve.

Panorama e jetës shqiptare në kohën e tranzicionit shqiptar, nga shumë publicistë të brendshëm e të jashtëm, paraqitet e zymtë. Shpeshherë janë konsideruar të kota përpjekjet për të formuar një shoqërie të edukuar me ndjenja lirie, barazie e përgjegjësi. Brenda kësaj jete, shfaqen kriza të llojllojshme që e kanë degdisë njeriun shqiptar në një krizë të thellë, rrënjët e së cilës janë morale, ndanë mendjen autori. Vrojtues e analistë, shkaqet i kërkojnë shpeshherë të politika, e ndonjëherë edhe te e kaluara, mirëpo Don Gjergji te libri në fjalë, shkaqet e kësaj gjendje të zymtë i kërkon mbi të gjitha të kriza shpirtërore, e cila, ka lëkund themelet, apo më mirë të themi, s’ka lejuar të vihen themele të shëndosha, për  formimin dhe edukimin e një njeriut me ndërgjegje të lirë e me përgjegjësi të larta.

Autori jetën shqiptare e vështron në totalitetin e saj, duke e vu në epiqendër të vëmendjes personin, pa lejuar asnjëherë që ai të fragmentohet as nga politika, as trendët moderne apo ideologjitë bashkëkohore. Për të, njeriu  është unik, me tërë përmasën tokësore e hyjnore. Këtë parim bazë, ai ka mësimi prej kryebariut të tij, Jezusit. E në këtë aspekt, ai e fotografon realitetin shqiptar me tërë përmasën reale, pa ja ndërrua ngjyrat dhe pa ja zbukuruar shëmtitë. Mirëpo, këtu s’mbaron shestimi i tij. Autori shkruan dhe tërë kohën e le lexuesin në liri të plotë. Për këtë, ai ka një favor, ngase shkruan pa simpati për zhvillime konkrete politike, pa asnjë qëllim ta degradoj dikë, për të nxjerrë ndonjë favor për dikë, siç mund të ngjet shpeshherë në publicistikën shqiptare. Ai shkruan, për njeriun, ashtu siç e sheh dhe siç e ndjen. Ai shkruan për marrëdhëniet e njeriut të vendit të tij me shtetin, fenë, kulturën, historinë, etikën, me një stil të qartë dhe me gjuhë argumentuese.

Pena e Metës, mbetet e veçantë ngase tejkalon dremitjet e shumta që i bëhen njeriut shqiptar, nga media, opinionistë, ngase në këtë zagushi ku shkretia duket se dominon, ai i jep ujë, ja shëron etjen dhe ja shton dashurinë për të, duke besuar te drejtësia, barazia, liria dhe solidariteti universal, si vlera fundamentale të krishterimit. Ai është i preokupuar për çdo gjë që lidhet me njeriun, me të tashmen e tij dhe të ardhmen e tij, mirëpo asnjëherë s’e humb arsyen. Ai kritikon, qorton, por gjithnjë me një  qëllim mirëbamësie. Shkrimi i tij në këtë aspekt, ka një synim tjetërfare nga ç’mund ta kenë shkrimet publicistike të shtypit shqiptar, sepse, siç vlerëson më parathënie të librit edhe Stefan Çapaliku, ai nuk akuzon, por bashkëndjen fajin. Kjo formë, dhe ndoshta formulë e shkrimit, e bën Dom Gjergjin të veçantë në kuadër të publicistëve shqiptarë, sepse ne kemi publicistë dhe opinionbërës të shumtë, që mjeshtërisht identifikojnë fajin, por rrallë shohim dikë të bashkëndjej, dhe më pak,  të marrë përgjegjësi për fajin e degdisjes së kombit dhe njeriut. Ndërsa Dom Gjergji e bën këtë dhe referencë e ka Biblën dhe mësimin e Jezu Krishtit, prandaj jetën e njeriut e sheh në një perspektivë tjetër, të marrëdhënies me Hyjin. E pikërisht kjo perspektivë, është ajo që i mungon Shqipërisë. E autori mendon se vendit i mungon shpirti.

Don Gjergji polemizon, mirëpo asnjëherë duke ra mendimet e tij në grackën e mllefeve dhe logjikës linçuese. Në të kundërtën, logjika e argumenteve të tija, shtrihet prajshëm dhe tërhiqet nga arsyeshmëria dhe faktet.

Lexuesi shqiptar, i lodhur nga neuroza kolektive që gjeneron shtypi shqiptar, i stërmbushur me urrejtje, paragjykime, akuza, apologji, e çka jo tjetër, te publicistika e Dom Gjergjit, do ta  gjej një prehje, gjen një formë tjetër të tregimit dhe kuptimit të realitetit shqiptar, një formë që harmonizon landorën me shpirtëroren.

Publicistika e përfshirë në librin “Ditar periferie” s’e kundron realitetin me syza ideologjike e as ekstremiste, por me kulturën e jetës, që për të është kulturë e dashurisë për personin, si qenie unike. Në këtë mision, Don Gjergji e ka prototipin e mësimit dhe atë e gjen shëmbllyeshëm të figura e Jezu Krishtit, që ju jep shpjegim shumë pikëpyetjeve që rëndojnë mbi bashkësinë njerëzore.

Çfarë e karakterizon librin e Dom Gjergjit, është një refleksion gjithmonë shpresëdhënës. Ai, duke sintetizuar përmasën fizike me atë shpirtërore të njeriut, e shtytë lexuesin drejt konkludimeve të reja, se kriza shqiptare, para se të jetë politike e ekonomike, është krizë identiare, është krizë shpirtërore.

Ka kohë, qysh kur mediat janë bërë arena që prodhojnë pesimizëm, ku gulçon e keqja dhe ku përtej shkretinë, s’shihet asnjë shpresë. E, publicisti Meta, këtu merr mësim nga Benedikti XVI, i cili i ftoi të gjithë katolikët që të shikojnë përtej shkretëtirës, shpresën. Këtë shpresë, të venitur dhe të plagosur, e predikon dhe e promovon ai, qoftë kur merret me probleme të përditshmërisë së rëndë të jetës sociale shqiptare, qoftë kur shkruan për dekadencën morale, qoftë kur shkruan për çështje kulturologjike a fetare, ai përtej dëshpërimit të identifikuar dhe diagnostifikuar, e kërkon shpresën biblike, që normalisht ushqehet vetëm nga dashuria, siç mëson Ungjilli.

Don Gjergji vështron elitat dhe autoritet morale, s’i do si farsa të zbukurimit të jashtëm të shoqërisë, por si elita që arrijnë të shtrijnë autoritetin e tyre thellë brenda shoqërisë, nëpërmjet promovimit të së mirës, pa u lëshua në kompromise me të keqën. Në Letrën imagjinare për presidentin e ri, ai është kundër qëndrimeve neutrale, sepse ato janë as mish as peshk, sepse të kesh qëndrime neutrale është të mos kesh fare qëndrime. E që shoqëria të ketë autoritete të fuqishme e morale, në një Shqipëri të trazuar, lypsen autoritete morale të moralshme, mendon autori.

Sapo lexuesi e mbaron librin e Gjergj Metës, “Ditar periferie”,  do ta kupton se përpara ka një ditar që shkruhet, jo nga periferia, por nga zemra e jetës shqiptare, prandaj ky libër duhet të lexohet, sepse është një ndihmesë serioze për ta kuptuar më mirë dhe më drejt jetën shqiptare në tërësinë dhe kompleskitetin e saj.

A ka Shqipëria krizë dhe nëse po, ku janë rrënjët e krizës? Don Gjergji veç faktit se këtë krizë e lidh me krizën shpirtërore, ai këshillon se më e keqja është të mësohesh me të.

Lexuesi shqiptar, është i molepsur nga jeta e zymtë, ku kronikat e zeza s’lanë shumë hapësirë për alternativa tjera dhe mendime pozitive. Ky lexues, kur të ketë mbaruar se lexuari librin e Metës,  me siguri ka me lëshua një ofshamë shprese, të cilin duhet ta ndjek.

E për fund, dua të them se ky  s’është një libër periferie, çfarë na sillen vërdallë kudo hapësirave shqiptare, por për një libër esencial, qe sheh periferitë dhe ato skutat shpeshherë të papara dhe të paprekura të shoqërisë shqiptare.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora